OpEd

Politika në FB

Në një krizë të këtillë gjëja e fundit që i vyen Kosovës është paqartësia e këtillë çfarë është dhe mbi të gjitha ushtrimi i politikës nëpërmjet fejsbukut. E kjo Qeveri e re me gjasë ende funksionon me inercinë e opozitës dhe kryesisht zgjedh të komunikojë me popullatën nëpërmjet rrjeteve sociale

Ka një muaj që kjo Qeveri mori pushtetin në dorë. Kur hiqen angazhimi disaditor për zgjedhjen e Osmanit kryetare të Kosovës, vizitat në të gjitha varrezat memoriale të Kosovës dhe pjesëmarrja në fushatën e zgjedhjeve në Shqipëri, atëherë praktikisht del se Qeveria ka më pak se dy javë që ka nisur së punuari përnjëmend.

Mënyra qysh ka nisur nuk është se shkëlqen.

Krijohet përshtypja se e gjitha është një rrëmujë e vërtetë dhe se ministrat aktualë janë duke e kaluar kohën në kërkimin dhe shqyrtimin e dokumenteve që i kanë lënë, ose nuk i kanë lënë pas qeveritë e kaluara.

Është ajo rregull e pashkruar e 100-ditëshit për vlerësim. Dhe pa dyshim se duhet pritur, porse edhe tash pas 30 ditësh ka jo pak hapësirë për vërejtje dhe kritika.

* * *

Lajmi i javës erdhi nga Lisbona: Kosova e arriti vendin e parë të listës së medaljeve në Evropianin e Xhudos. Dy të arta, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova dhe një e bronztë, Nora Gjakova plus dy vende të pesta (Loriana Kuka dhe Laura Fazliu) - ishin gëzimi më i madh që e përjetuam gjatë javës, në të cilën vazhduan të çanin dërrasa, krejt kush mundte, nëse janë ose nuk janë nënshkruar kontratat për blerje vaksinash.

Një punë kaq e rëndësishme, por kaq thjesht e shpjegueshme me një përgjigje gjithashtu të thjeshtë: ministri i Shëndetësisë ka mundur, por nuk e tha, e do të duhej ta thoshte, se ose e ka nënshkruar, ose nuk e ka nënshkruar kontratën.

Pra në rast se e ka nënshkruar, ka mundur të dilte e ta konfirmonte dhe të thoshte se për detajet e tjera nuk mund të flas për shkak të konfidencialitetit. As për çmim, as për doza e as për afat të liferimit. Ani pse e besoj se i vetmi fakt që do të duhej të ishte konfidencial është çmimi.

Në rast se nuk e ka nënshkruar, do të duhej të dilte e të tregonte se përse nuk ka ndodhur kjo, kur dihet që krejt Kosova i ka të kthyer sytë nga ai dhe tek informata se kur do të arrijnë vaksinat.

Mbase nuk është e tepërt të tregohet se deri dje janë vaksinuar 22 mijë veta, në kohën kur Kosova shënon 103.480 të infektuar zyrtarisht (2825 më shumë se javën që shkoi) dhe 2118 vdekje (65 nga java e shkuar). Vaksina ka edhe 2 mijë. E mandej?

Nuk nevojiten as informata konfidenciale e as nuk duhet pasur shumë mençuri për të kuptuar se zgjidhja e vetme për ta ndalur këtë pandemi janë vaksinat. Deri tash krejt çfarë kemi dëgjuar nga ajo dhe kjo qeveri ka qenë se vaksinat vijnë në shkurt, vijnë në mars, vijnë në maj, vijnë në qershor, por kurrë nuk e morëm vesh as sa, as nga cili prodhues dhe kur saktësisht.

Ajo që po shihet është se jemi të fundit në Evropë për nga vaksinimi dhe se me këtë ritëm shumë prej nesh do të mbesim të pavaksinuar këtë vit dhe se do të detyrohemi ta presim vaksinën më 2022.

* * *

Nga aspekti i drejtësisë, pas luftës së gjatë nëpër gjykata, më në fund erdhi aktgjykimi i Gjykatës së Apelit me të cilin u vërtetua e drejta e KOHËS për ta mbrojtur autorësinë dhe të drejtën intelektuale nga vjedhjet konstante që u bëhen përmbajtjeve të saj.

Lëndë e nisur para katër vjetësh kundër vjedhëses sistematike dhe konsistente të përmbajtjeve origjinale të KOHËS, "Gazeta Express", përfundoi me detyrimin që kjo të MOS vjedhë më asnjë përmbajtje të KOHËS dhe ta respektojë ligjin.

Nuk e di nëse është hera e parë që një aktgjykim i tillë miratohet në Kosovë. Porse gjithsesi se është lajm i mirë, ngase shërben si bazë e fuqishme për ndjekjen e të gjithë atyre që punën e tjetërkujt e shfrytëzojnë për përfitim personal. Do të shërbejë edhe si bazë për kërkimin e dëmshpërblimit financiar për shkak të shkeljes të së drejtës së autorit.

Në kohën kur Kosova nuk e ka më asnjë gazetë të shtypur, që është pasojë e drejtpërdrejtë e pandemisë që, kuptohet, e ka goditur substancën financiare të mediave, mbrojtja e autorësisë dhe ofrimi i kësaj përmbajtjeje ekskluzive me parapagim nëpërmjet portalit është mënyra e vetme e përkrahjes së gazetarisë së pavarur në Kosovë.

* * *

E kur jemi te gazetarët, edhe kjo qeveri, në pakon e ndihmave që i ndau, i anashkaloi sërish gazetarët, të cilët gjatë gjithë pandemisë kanë raportuar rregullisht duke e rrezikuar shëndetin e vet, duke qenë të ekspozuar për çdo ditë. Duket se krejt qeveritë do të reagonin ndryshe, po qe se gazetarët do të kishin një sindikatë që do të kërcënonte, sikurse bën kjo e arsimit, për t'i marrë seriozisht. Përderisa arsimtarët që ndenjën kryesisht në shtëpi i morën disa herë shtesat e rrezikshmërisë, kjo nuk qe rasti asnjëherë te gazetarët. Dhe, për ta bërë qartë, nuk bëhet fjalë për ndihmë mediumeve, por gazetarëve direkt, në xhirollogaritë e tyre.

Kur u ndanë 6 milionët në emër të ndihmës për gastronominë që ndenji gjysmëmbyllur nja 12 ditë, u tha kalimthi se kjo Qeveri kishte hequr dorë nga elemente jo të pakta që i përmban Ligji për rimëkëmbjen, të cilin e miratoi Kuvendi i shkuar, porse nuk dolën për të treguar se për çfarë ishte fjala konkretisht.

Shumë zhurmë u bë për zvogëlimin e subvencionimit të pensioneve, porse gjithçka mbeti e paqartë. Sepse, nëse Ligji i rimëkëmbjes nuk do të zbatohet, ndërkohë që ende nuk është miratuar Programi Qeverisës, po del se nuk ka kush për të na treguar po qe se do të ketë pako për ndihmë emergjente, apo nuk do të ketë. Dhe nëse do të ketë, si do të zbatohet, dhe nëse zbatohet, kur do të zbatohet.

Në një krizë të këtillë gjëja e fundit që i vyen Kosovës është paqartësia e këtillë çfarë është dhe mbi të gjitha ushtrimi i politikës nëpërmjet fejsbukut.

E kjo Qeveri e re me gjasë ende funksionon me inercinë e opozitës dhe kryesisht zgjedh të komunikojë me popullatën nëpërmjet rrjeteve sociale. Do të kujtojmë se edhe Trumpi komunikonte nëpërmjet tuiterit, porse edhe çdo javë mbante konferencë për shtyp.

Çështjet e rëndësishme kanë nevojë t'u komunikohen qytetarëve nëpërmjet zyrave të komunikimit me publikun dhe me konferenca për shtyp. E jo nëpërmjet postimeve në fejsbuk, pa asnjë kontekst, me tendencë, me ngjyrë sensacionalizmi - kinse në emër të transparencës.

* * *

I tillë qe edhe postimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me përfituesit e pakos emergjente të cilën e kishte ndarë Qeveria Hoti në tetor të 2020-s.

Postimi i tij qe ky: 50 bizneset që përfituan më së shumti në Qeverinë Hoti, nga Pakoja e Rimëkëmbjes, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.

Postimi i tij u shpërnda 750 herë prej tij dhe kush e di edhe sa herë të tjera. Pa shpjegim të mëtejmë, pjesa më e madhe e reagimeve pos të sharave dhe ofendimeve ishin edhe kualifikime që përmblidhen në pak a shumë si vijon: përfitues janë kompani të lidhura me politikën, biznese të fëmijëve të politikanëve, biznese me pronarë nga Serbia, kompani tregtare që kryesisht nuk prodhojnë...

Për çudi, Muratit i doli në krah shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, i cili tha që ministri kishte vepruar mirë që i kishte publikuar 50 përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike të Kosovës si hap pozitiv drejt transparencës dhe kushtit të vendosur nga BE-ja kur ishte arritur marrëveshja për kredinë 100-milionëshe.

Porse këtë që e ofroi Murati në FB e jo në faqen e Ministrisë së cilës mund t'i qasen që të gjithë, ishte një listë që më së paku mund të quhet transparente. Ishte edhe veprim i qëllimshëm që Qeveria e shkuar të akuzohej për përkrahjen e këtyre që dolën 50 të parët e që janë kryesisht rrjete supermarketesh, organizata sigurimi personal, spitale, etj. Pa e përmendur se kjo ndihmë kishte një kriter të vetëm: numrin e të punësuarve sipas gjendjes më 31 dhjetor 2019.

Nuk e tha askund se në kohën kur është marrë vendimi, opozita nuk ishte dëgjuar të ketë thënë se nuk bënte të përkraheshin ata që tash etiketohen të jenë përfituesit më të mëdhenj. Të gjitha reagimet kanë qenë post-festum.

Lista e botuar nga Murati i përfshin 50 firma, 25 mijë punëtorë që kanë përfituar rreth 7.3 milionë euro (12% e shumës).

Përfituesit e pakos kanë qenë 206 mijë të punësuar dhe 36 mijë firma private.

Se përse Murati ka zgjedhur t'i qesë 50 e jo 30, 70 a 100 përfituesit më të mëdhenj, ai do ta dijë e mbase na e shpjegon.

E se përse shefit të BE-së 50 firma i duken transparencë e mjaftueshme, mbase edhe do të dalë të na e tregojë. Transparencë e plotë z. Szunyog do të kishte qenë botimi i plotë i listës dhe kjo në portalin qeveritar e jo në llogarinë personale të ministrit në FB.

Veprimi i Muratit natyrisht se ka pasur për qëllim të nxisë reagim dhe komente dhe atë që ka arritur të bëjë është t'i fusë edhe vetëshërbimet, edhe kompanitë e sigurimit fizik, edhe spitalet e edhe të vetmin medium të pavarur që qe 30 vjet bën transparencë, në të njëjtin thes.

* * *

Pak më shumë seriozitet në qasje e më pak tendenca për sensacionalizëm nga kjo Qeveri do t'i bënte punë Kosovës. Qeveria ka premtuar punë dhe përparim. Punë edhe përparim po presim. Por jo në fejsbuk.

[email protected]