OpEd

Politika me këngë

Në vend se të kapërcente në formë elegante pyetjen që iu bë në lidhje me “llafe, llafe”, Osmani zgjodhi t’i bënte diss Gërvallës me edhe një këngë të Dafina Zeqirit. Nuk e di nëse Osmani e ka dëgjuar/shikuar këngën të cilën e citon, apo e ka “me të ndime”. Hyra në YouTube për ta shikuar këngën dhe u dëshpërova. Teksti është jo pak eksplicit, fton për përdorimin e armëve, pra dhunë, dhe e ka një videospot po ashtu të dhunshëm, ku rolin kryesor e luajnë një snajper dhe një vrasës me revole me shurdhues. Nëse kjo është siç e sheh Osmani fuqizimin e gruas dhe të barazisë gjinore, vaj halli për ne

Kosova është vendi i çudirave. Që moti.

Pra nuk befason që çështja e një ure bëhet aq problematike, saqë dalin deklarata nga BE-ja, mblidhet Quinti e shkon te kryeministri, kërkohet negocim e rinigociim i një çështjeje tashmë të përcaktuar me një marrëveshje në të cilën një urë, për së koti, ishte bërë objekt negociatash.

Para disa muajsh Kuvendi Komunal i Mitrovicës mori vendimin për hapjen e urës së Ibrit që ka shumë kohë ishte mbyllur për shkaqe sigurie.

Ushtarët e kontingjentit francez të KFOR-it e kishin pagëzuar “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të Napoleonit kundër austro-rusëve. Ura vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve, ngase dhuna nuk ishte ndalur as pas pozicionimit të trupave të NATO-s, ku jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.

Ura kishte qenë “depo” gurësh e zhavorri; kishte qenë “park paqeje”, e kishte qenë barrikaduar me një mur të lartë që BE-ja e quante “shkallë” dhe tash e ka një shëtitore andej pari. Ura ka qenë krejt, pos urë, që do të lejonte kalimin e lirë të veturave prej një ane në anën tjetër të urës. Thuajse qëllimisht mbahet si një lloj kufiri mes jugut e veriut, në emër të “brengës për sigurinë”.

Dhe nëse deri në gusht të vitit të shkuar ndarja etnike ka qenë aq evidente, përcjellë nga mungesa e shtrirjes së Policisë së Kosovës edhe në komunat veriore, tash situata mbase do të jetë zbutur pak, edhe pse ajo ndasi vazhdon të ekzistojë. Dhe do të vazhdojë përderisa ndikimi dhe presioni nga Beogradi nuk do të zbehet. E dimë se kjo do të marrë kohë.

Por ka qenë pikërisht kjo qasje e bashkësisë ndërkombëtare, me trysni të madhe ndaj institucioneve tona që të mos bëjnë gjë, që e ka mbajtur këtë status quo qe 25 vjet.

Tash, pas shtrirjes së trupave policore në veri dhe ndalimit të përdorimit të dinarit për pagesa dhe transaksione, duhet bërë edhe hapi i radhës për ta lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dyja anët e qytetit. Duhet lejuar shqiptarët t’u kthehen pronave të uzurpuara prej kohësh dhe duhet lejuar serbët që të zbulojnë se pos veriut ekziston edhe jugu.

BE-ja, me idenë e përhershme “fantastike” të dialogimit për gjithçka, përfshirë edhe për një urë që tashmë është zgjidhur me dialogun që pikërisht BE-ja e ka organizuar, shikon si t’i komplikojë punët tutje dhe si të arsyetojë që e mban një lehtësues të dështuar, siç është Lajçak, ende në listë të rrogave për këtë punë.

Ambasadori amerikan Hovenier, pas takimit të QUINT-it me Kurtin, deklaroi se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë. Nuk tha përse nuk e mbështesnin.

Nuk vonoi shumë, doli Kurti dhe tha se ura duhet të hapet sepse e simbolizon lirinë e lëvizjes.

Tash vetëm ka mbetur të dëgjohet çfarë ka për të thënë Osmani pas deklaratës së Hovenierit. BE-së i tha, dhe bëri mirë, se ura s’ka pse bëhet pjesë e dialogut.

Në një deklaratë tash vonë për Zërin e Amerikës, Osmani kishte thënë: “Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetutën, në aspektin afatgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA”.

Është shumë i qartë pozicionimi i saj, si “i mbrojtëses së raporteve me aleatët”. Dhe ky pozicionim është shumë komod, sepse nuk e bart përgjegjësinë e marrjes së vendimeve të rënda ekzekutive.

* * *

Hiq festivalet, që po shndërrohen në pjesën më të bukur të një përmbajtjeje më ndryshe që u ofrohet qytetarëve, pos urës “historike”, edhe Osmani zuri vendin në kryetitujt e dy-tri ditëve të fundit.

Pas pranisë në Olimpiadë, ku Osmani shkoi me bashkëshortin ndaras nga Kurti me bashkëshorten, u kthye në Prishtinë për t’i ftuar kryetarët e partive politike në konsultime për t’i caktuar zgjedhjet e radhës parlamentare. Kryetarët e partive erdhën të gjithë pos Kurtit, që në atë kohë ishte në drekë me korin diplomatik të akredituar në Kosovë.

Osmani refuzoi ta lejonte Konjufcën, nënkryetarin e VV-së, të merrte pjesë në takim, në emër të partisë.

Nëse ftesa ka qenë e dërguar me kohë dhe ka pasur koordinim paraprak datash, atëherë Kurti ka bërë gabim që nuk ka shkuar. Por nëse ky koordinim ka munguar, atëherë Osmani ka bërë gabim që nuk e ka pranuar nënkryetarin e VV-së – sepse ligji është i qartë kur thotë se konsultimet për zgjedhje bëhen me parti, e jo domosdo me kryetarë partish.

Dalja e Osmanit para gazetarëve atë ditë ishte një shpërfaqje e një hidhërimi, sado i kamufluar, megjithatë i dukshëm. Osmani ndihej e ofenduar me mosardhjen e Kurtit (“unë i thërras kryetarët vetëm një herë në katër vjet”, që teknikisht nuk është e vërtetë, sepse ftesat mund t’u shkojnë shumë më shpesh, duke e pasur parasysh rolin e saj kushtetues prej përfaqësueses së unitetit të popullit) dhe me ironi komentoi, po parafrazoj, se ajo nuk kishte informata se ku gjendej Kurti, e që gazetarët e dinin më mirë.

Osmani u pyet edhe për thumbimin që ia bëri Gërvalla në koncertin e organizuar për mërgimtarët një ditë më herët (“...pasi Dafina na e këndoi këngën e preferuar të presidentes, ‘Llafe, llafe’...”) dhe ra në provim.

Në vend se të kapërcente në formë elegante pyetjen që iu bë në lidhje me “llafe, llafe”, Osmani zgjodhi t’i bënte diss Gërvallës me edhe një këngë të Dafina Zeqirit: “Nuk e kom pa, po u dashka me gjet edhe me pa. Nuk do të komentoja raporte, por kemi dallime në qëndrime dhe janë të qarta dhe publike. Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Përndryshe, Dafina një përkrahëse e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”.

Nuk e di nëse Osmani e ka dëgjuar këngën të cilën e citon, apo madje nëse e ka lexuar tekstin apo parë videospotin, apo vargun e citon “me të ndime”. Hyra në YouTube për ta shikuar këngën dhe u dëshpërova. Teksti është jo pak eksplicit, fton për përdorimin e armëve, pra dhunë, dhe e ka një videospot po ashtu të dhunshëm, ku rolin kryesor e luajnë një snajper dhe një vrasës me revole me shurdhues.

Nëse kjo është siç e sheh Osmani fuqizimin e gruas dhe të barazisë gjinore, vaj halli për ne.

Është evidente se mes aleateve të dikurshme rrugës diçka është thyer dhe nuk po dihet saktësisht ku dhe për çka.

Reagimi më i vrullshëm i Osmanit erdhi pas letrës që Gërvalla e nisi në Këshillin e Evropës (që qe një huqje e madhe diplomatike, pa asnjë dyshim) dhe përsëritjes së zëshme sa herë që i vjen rasti, që “ajo është përgjegjëse për politikën e jashtme të shtetit”. Kjo e fundit është fakt që e përkufizon Kushtetuta, porse gjithashtu është fakt se këtë politikë nuk mund ta udhëheqë vetëm, për shkak se për shumëçka varet nga ekzekutivi.

* * *

Për të mbetur ende nën llupën e vëmendjes, pardje u raportua për një incident të Aeroportin e Shkupit, ku sipas kabinetit të Osmanit, kanë dashur t’ia marrin telefonin.

Në një lëmsh përshkrimesh prej kabinetit të saj, prej kompanisë që e menaxhon aeroportin; prej MPB-së së Maqedonisë dhe në fund kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë – e vetmja gjë që doli pak a shumë e qartë në gjithë këtë punë ishte se mbrojtja e afërt e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë u përfshi në të.

Pra në gjithë këtë paqartësi, shtrohet pyetja se përse u desh të thirret kryetari i Kuvendit (dhe kush e thirri) dhe  pse nuk u kontaktua direkt kabineti i kryetares së Maqedonisë, homologes së saj, për protestë dhe kërkimfalje, po qe se është shkelur protokolli.

Nuk e dimë se përse iu desh Osmanit të shkonte nga Shkupi për në Slloveni; nuk e dimë nëse të gjitha procedurat protokollare ishin kryer me kohë dhe nëse kontrolli i bagazhit dhe çantës së saj personale ka mundur të kryhej ndryshe.

E dimë që ndodhi një incident shumë thjesht i shmangshëm dhe për të morëm vesh nga komunikata e kabinetit të saj.

Ekspertët e raporteve me publikun kanë zakon të thonë se prezenca mediale është përherë e mirëseardhur – është reklamë pa para. E paraqitja intensive e Osmanit këto ditë (edhe kur mund të jetë e paqëllimshme) po tregon se edhe Osmani i ka hyrë garës zgjedhore, thuajse 18 muaj para skadimit të mandatit të saj kushtetues.

Pozicionimi i saj në lidhje me “ruajtjen e aleatëve” qartazi flet për ambicien për t’u rizgjedhur në postin e kryetares së shtetit. Hulumtimet e opinionit tregojnë për përkrahjen publike që e ka; zgjedhjen e parë ia mundësoi manovrimi i Abdixhikut dhe natyrisht përkrahja e Kurtit.

Tash, tensionimi eventual i raporteve me Kurtin, çon porosi nga partitë aktuale opozitare, se në të mund ta gjejnë një partnere që do të mund t’ua ndalte hovin atyre me të cilët ishte aleate deri në zbulimin e bërjes politikë me këngë.

[email protected]