Para një gjykate britanike do të dalin tre burra dhe dy gra me shtetësi bullgare, të cilët akuzohen për spiunazh në shërbim të Rusisë. Kjo veprimtari ilegale e tyre zgjon asociacione për një vrasje spektakulare me çadër, e cila u krye nga shërbimi sekret bullgar në Londër në vitin 1978. Atëbotë viktimë ishte gazetari dhe shkrimtari Georgi Markov
Më 7 shtator 1978 gazetari dhe shkrimtari bullgar, Georgi Markov, i cili jetonte në ekzil në Londër dhe punonte për shërbimin bullgar të BBC-së, po e priste autobusin në stacionin Waterloo Bridge. Befas atë e gërvishti me çadër një person i panjohur. Markov nuk i kushtoi aq vëmendje këtij rasti, besoi se ishte një ndodhi aksidentale, diçka e bërë me pahir.
Katër ditë më vonë Markov vdiq në një spital të Londrës. Sipas të gjitha gjasave, ai u helmua nga shërbimi sekret bullgar. Dita kur ndodhi krimi, 7 shtatori, ishte ditëlindja e diktatorit bullgar Todor Zhivkov. Markov qe arratisur nga Bullgaria më 1969 dhe përmes Italisë u shpërngul në Londër. Nga kryeqyteti i Britanisë së Madhe, ku ndihej i sigurt, Markov e kritikoi ashpër regjimin komunist bullgar përmes programeve të BBC-së, Radios Europa e Lirë dhe Deutsche Welle.
Krimi kundër Markovit njihet në historiografi si “Vrasja me çadër”. Sipas hulumtimeve të mediave britanike dhe bullgare autor i vrasjes është një danez i lindur në Itali. Ai ishte rekrutuar nga shërbimi sekret bullgar, i cili helmin e kishte marrë nga shërbimi sekret sovjetik KGB. Helmi ishte vendosur në majë të çadrës të cilën dorasi e përdori për të helmuar disidentin bullgar. Regjisori gjerman, Klaus Dexel, ka xhiruar para disa vjetësh një film impresiv për këtë atentat.
Duket se spiunët bullgarë edhe në ditët e sotme janë aktivë në Britani. Këtë javë në Londër do të dalin para gjyqit tre burra dhe dy gra, të gjithë shtetas bullgarë. Ata akuzohen se mes gushtit 2020 dhe shkurtit 2023 kanë spiunuar për Rusinë. Tre të akuzuarit tashmë janë dënuar për posedim të dokumenteve të falsifikuara.
Para së gjithash, Vjena, Berlini dhe Londra konsiderohen qendra të spiunazhit rus. Sipas gazetës britanike, “Financial Times”, që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës shtetet europiane kanë dëbuar rreth 400 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh. Në vitin 2006 spiunët rusë morën pjesë në vrasjen e disidentit rus Aleksej Litvinenko. Më 2018 agjentët rusë helmuan në qytetin britanik Salisbury ish-agjentin rus Sergej Skripal dhe vajzën e tij. Ata i mbijetuan sulmit.
Sa u përket bullgarëve që do të dalin para gjyqit në Londër, duket se bëhet fjalë për një rrjet të organizuar mirë. Së pari disa prej tyre jetonin prej më shumë se dhjetë viteve në Britaninë e Madhe. Domethënë: ata e njihnin mirë ambientin ku do të spiunonin për Rusinë. Së dyti: ata dispononin me dokumente personale të Mbretërisë së Bashkuar, të Bullgarisë, Francës, Italisë, Spanjës, Kroacisë, Sllovenisë, Greqisë dhe Republikës çeke.
Nganjëherë spiunët rusë në Europë zbulohen pas ngjarjeve krejtësisht të zakonshme, banale. Për shembull: pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, shumë diplomatë rusë të stacionuar në Berlin nisën t’i vaksinojnë qentë e tyre. Pse e bënin këtë? Sepse llogarisnin se mund të dëbohen nga Gjermania, andaj para se të ktheheshin në Moskë së paku qentë dëshironin t’i vaksinonin me vaksina cilësore gjermane. Kështu ata u dekonspiruan. Në të vërtetë në Berlin ka qenë sekret publik se së paku 200 diplomatë rusë të shpërndarë në Ambasadën ruse në Berlin dhe në katër konsullata anekënd vendit në fakt janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës toleranca gjermane mori fund dhe një pjesë e madhe e agjentëve të deklaruar si diplomatë u përzunë nga Gjermania.
Në vitin 2015 specialistë të teknologjisë informative të shërbimeve sekrete të Vlladimir Putinit sulmuan serverët e parlamentit gjerman. Më 2019 një vrasës i dërguar në Berlin nga shërbimi rus FSB vrau në qendër të qytetit një çeçen me shtetësi gjeorgjiane. Me këto akte terroriste Putin tregoi se nuk njeh asnjë skrupull, megjithatë politikanët gjermanë e sidomos kancelarja Angela Merkel për 16 vjet të qeverisjes së saj ngurruan çfarëdo konfrontimi me Moskën.
Një qendër tjetër e spiunazhit rus është Gjeneva, ku e kanë selinë shumë organizata botërore, mes tyre edhe OKB për Europë. Shërbimi sekret zviceran paralajmëroi gjatë verës se rusët mund t’i përqendrojnë agjentët e tyre në Zvicër, e cila nuk ka dëbuar spiunë rusë. Prej 220 rusëve të akredituar në Zvicër si diplomatë, një e treta e tyre, pra rreth 70 deri 80, konsiderohet se janë agjentë rusë.