OpEd

Përsëri mohim i një të drejte

Mosanëtarësimi eventual i Kosovës në KiE do të jetë rast i humbur për t’ua ofruar mundësinë qytetarëve të Kosovës që të kërkojnë drejtësi në nivel të një Gjykate Evropiane për të Drejta të Njeriut. Kushtëzimi i padrejtë me statut e asociacion në fakt ia mohon shumicës së popullatës në Kosovë të drejtën për t’i mbrojtur të drejtat e tyre elementare në nivel të një gjykate evropiane. Me vite na ishte mohuar liria e lëvizjes, me vite na mohohet qasja në Strasbourg. E këndej gojën plot respektim të drejtash e lirish

Nuk do ta kisha bërë mend se pas kalimit të “raportit Bakojanis” në Asamblenë Parlamentare të KiE, dikujt do t’i kujtohej të fuste kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës aty. 

E ky fakt duket se nuk dëshmon gjë tjetër pos naivitetin tim dhe faktit se nuk e kuptoj politikën e jashtme evropiane - sepse sinqerisht nuk e di nëse ekziston një e tillë. Por ajo që më brengos më së shumti në këtë procesin e anëtarësimit ose jo të Kosovës në KiE, është se presioni i shtuar vjen nga dy shtetet që e kishin nisur mbarë vjet, me propozimin e një plani për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi mes Kosovës e Serbisë.

Përfaqësuesit e po këtyre shteteve ishin dëshmitarë se si plani i tyre shkoi në fund të pusit, kur pa i pyetur e konsultuar, Borrell e Lajçak, i pranuan kushtëzimet e Serbisë. Situatë të cilën më së miri e përshkruan profesori Marc Weller: 

“Ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje, në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Të dyja palët kishin theksuar në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit të shkruar në Bruksel se ishin pajtuar me formulimet e një Marrëveshjeje të re Bazë sipas modelit gjerman. Në takimin vijues, në Ohër, më 18 mars 2023, palët duheshin miratuar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit, mbase i përcjellë nga një konferencë për nënshkrimin formal që do të mbahej në Paris. Sidoqoftë, që në fillim të takimit të Ohrit, Serbia deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë. 

Në vend se të insistohej të nënshkrimi dhe t’i bëhej trysni Serbisë me këtë qëllim në mendje, sikurse kishte pritur Kosova, BE-ja thjesht e pranoi këtë kërkesë. Bashkëbiseduesit nga BE-ja e gjetën mënyrën për të deklaruar se Serbia së paku e kishte miratuar tekstin në raport me BE-në. Serbia pra mund të insistonte se nuk kishte pajtuar për asgjë në raport me Kosovën. Për më tepër, në vend se të pranonte se traktatet duhen respektuar të tëra, kryetari Vuçiq paralajmëroi se do të përzgjedhë se cilin nga detyrimet e supozuara do t’i zbatonte, po qe se ato ekzistojnë. Kosova, nga ana tjetër, do të duhej të fillimisht ta përmbushte çështjen e Asociacionit/Bashkësisë.

Por mungesa e nënshkrimeve të të dyja palëve në marrëveshje e eliminoi elementin thelbësor të marrëveshjes mbi të cilën ishte mbështetur Kosova - njohja e premtuar de facto me themelimin e raporteve mes palësh mbi parimet e Kartës së OKB-së, siç ishte theksuar qartazi në marrëveshje. Kjo ishte kyçe për Kosovën, ngase njohja de facto nga Serbia duhej ta zhbllokonte njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ende. Kjo, nga ana tjetër, do të kishte qenë parakusht për fushatën e Kosovës për anëtarësimin në BE dikur më vonë”.

Pas dështimit, presioni njëkahor

Pra, nuk ka marrëveshje të nënshkruar. Ka deklarim të pa asnjë dyshim nga Serbia se nuk do të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe se për më tepër mund të zgjedhë se cilat gjëra t’i zbatojë e cilat jo. Dhe në vend se trysnia të ushtrohej ndaj Serbisë, Kosova i hëngri sanksionet. Për shkak se nuk donte t’i tërhiqte forcat policore nga komunat veriore. Dhe sanksionet mbetën në fuqi, edhe pas sulmit terrorist në Banjskë, të cilin e udhëhoqi Radoiçiqi, por për të cilin, edhe tetë muaj pas ngjarjes, ende nuk ka asnjë raport zyrtar. 

Pse? 

Është tepër jo korrekte që në një shtet që i përkufizon institucionet e prokurorisë dhe gjykatave si të pavarura, populli të mbetet pa informatën në lidhje me këtë sulm terrorist dhe masat që janë apo duhen ndërmarrë. Është e qartë se afatet ligjore kanë ende kohë për t’u shterur, porse kjo duket se nuk ka të bëjë me afate ligjore por me presione politike që vijnë nga jashtë.

Pra, çka po ndodhë në javët e fundit. 

Dëgjohen deklarata nga Franca e Gjermania se Kosova duhet ta çojë statutin e Asociacionit të Kushtetuese për ta plotësuar edhe këtë kusht anëtarësimi në KiE. 

Qeveria nuk mund të përcjellë projekt-dokumente në Kushtetuese, por vetëm akte të miratuara. Qeveria nuk e ka hartuar draftstatutin, për pasojë, nuk e ka shqyrtuar dhe nuk e ka miratuar. Po qe se dokumenti për të cilin insistojnë franko-gjermanët është ai për të cilin kryetarja Osmani ka deklaruar se ka rezerva dhe duke e pasur parasysh profesionin e saj prej juristeje, atëherë ky dokument nuk do të duhej të miratohej në Qeveri, pa u spastruar nga dilemat dhe rezervat. 

Kjo e para. E dyta, çfarë lidhje kanë negociatat me anëtarësimin në KiE? Janë dy procese të ndara dhe janë trupa që përfaqësojnë numër të ndryshëm shtetesh të përfshirë në to dhe janë trupa që e kanë selinë në dy qytete të ndryshme. 

Po të kishin pasur lidhje këto procese mes vete, atëherë po këta që po i bëjnë presion Kosovës, do të duhej të merreshin me Serbinë, që vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë KiE. Pra, nëse për Kosovën statuti i asociacionit qenka obligim që rrjedh nga Ohri, obligim është edhe për Serbinë që të mos bëjë obstruksione. Edhe nëse bash duhet treguar vullnetin e mirë, pse nuk vepron Serbia e para?

Dhe përderisa Kosova kritikohet dhe mbështetet për muri me sanksione që, nëse nuk e dinë emisarët e shteteve evropiane, shumë dëm u kanë bërë organizatave të shoqërisë civile që zbatojnë projekte të financuara nga BE-ja, Serbia kurrsesi t’i tëhollojë raportet me Rusinë e Kinën. Përkundrazi, vazhdon t’i trashë duke e luajtur lojën e shantazhit. Ajo që trondit në këtë situatë është se si është e mundur që evropianet dhe amerikanët ende besojnë se mund ta kthejnë Serbinë nga Perëndimi, duke e joshur me para. Po a ende nuk e kanë kuptuar se Serbia e luan lojën maestralisht – merr para prej të gjithëve dhe vazhdon të mbetet motër e vogël e Rusisë.   

Mosanëtarësimi eventual i Kosovës në KiE do të jetë rast i humbur për t’ua ofruar mundësinë qytetarëve të Kosovës që të kërkojnë drejtësi në nivel të një Gjykate Evropiane për të Drejta të Njeriut. Kushtëzimi i padrejtë me statut e asociacion në fakt ia mohon shumicës së popullatës në Kosovë të drejtën për t’i mbrojtur të drejtat e tyre elementare në nivel të një gjykate evropiane. Me vite na ishte mohuar liria e lëvizjes, me vite na mohohet qasja në Strasbourg. E këndej gojën plot respektim të drejtash e lirish.

Një raport jo pak skandaloz

Më 3 maj u shfaq raporti i Reporterëve pa Kufij sipas të cilit Kosova binte në indeksin e lirisë së shtypit prej vendit 56 në atë 75. Dhe kjo natyrisht se bëri bujë të madhe dhe u fol për arsyet që e kishin sjellë Kosovën në këtë nivel. 

Në ditën e botimit të raportit, Eraldini e intervistoi redaktorin e dokumentit, Pavol Szalai, dhe ia shtroi një pyetje direkte: 

KOHA: A është kjo pjesë e vjetërsuar, pra që do t’ju duhet ta përditësoni në raportin e radhës, sepse më të vërtetë e lexova dhe thotë se Qeveria e partitë politike ishin ato që u jepnin para disa prej mediave, që shpërndahen në mënyrë jotransparente dhe në baza partiake. Po e kërkoja referencën, kush saktësisht? Cilat institucione po i shpërndajnë këto para në baza partiake siç thoni ju e pa transparencë?

SZALAI: Epo ende ka kontrata mes mediave dhe komunave. E fjala “Government” në anglisht nënkupton edhe pushtetin lokal dhe të gjitha institucionet publike. Pra ky është kuptimi.

Dhe raporti u korrigjua (Mediat financohen kryesisht nga të ardhurat nga reklamat nga sektori privat, dhe nganjëherë mbështeten edhe nga autoritetet komunale apo partitë politike), ndërkohë që Szalai shpjegoi: “Rezultati i secilit vend në Indeks përcaktohet nga të dhënat e mbledhura nëpërmjet metodës cilësore (pyetësorë të plotësuar nga një panel gazetarësh dhe ekspertësh të medias në vend) dhe metodës sasiore (numri i shkeljeve të lirisë së shtypit). Në bazë të pikëve të secilit shtet përcaktohet renditja e tij në Indeks”. 

I kam të panjohur panelin e gazetarëve dhe të ekspertëve të mediumeve në vend. Sikurse çdo vit, edhe sivjet autorësia e vërtetë e raportit ka mbetur konfidenciale, edhe pse stili dhe radhitja e problemeve nuk e komplikojnë shumë zbulimin se kush qëndron prapa tekstit të raportit.

Me formulimin që e ka lënë pas dhe me faktin se për herë të parë pas sa vjetësh një raport i këtillë pëson korrigjim jo veç sa për sy e faqe, nuk i ka bërë nder Kosovës. Mediumet e Kosovës nuk mund të futen të gjitha brenda një thesi kornizash të përkufizimeve të përgjithësuara.

Problemi është shumë më i thellë sesa duket në sipërfaqe e raport.

* * *

Në pritje të vendimit për KiE. Nëse vendosin të mos na pranojnë aty, ky do të jetë vazhdim i mohimit të një të drejtë që të tjerët e gëzojnë, për shkak se, ndër të tjera, nuk kanë punë me Serbinë.

[email protected]