Joe Biden dhe gjakderdhja në Lindjen e Afërt
“Pa më shikuar mua, më tha, mbase e dinte se po e dëgjoja: ‘Pse dukeni kaq i shqetësuar, senator Biden?’ Unë iu përgjigja: ‘I shqetësuar?’ Dhe thashë: ‘Natyrisht jam i shqetësuar’. Ajo ma ktheu: ‘Ne nuk jemi të shqetësuar, senator. Ne izraelitët kemi një armë sekrete. Nuk kemi ku të shkojmë gjetiu. Sot gjithë Izraelit i them: Shtetet e Bashkuara nuk shkojnë askund gjetiu. Do të jenë në anën tuaj”.
Këtë histori me kryeministren e Izraelit, Golda Meir, e tregoi Joe Biden gjatë vizitës së fundit në Izrael, pas sulmit terrorist të Hamasit. Biseda mes Biden dhe Meir u zhvillua më 1973, para një gjysmë shekulli. Atëbotë, Izraeli ishte sulmuar befasisht nga shtetet fqinje arabe (lufta e Jom Kippurit). Meir pas pak e humbi pushtetin. Ende nuk dihet nëse kështu do t’i bëjë vaki edhe kryeministrit aktual izraelit, Benjamin Netanjahu, por largimi i tij nga politika do të ishte ndëshkim i merituar. I dyshuar për korrupsion dhe në aleancë me parti raciste izraelite, Netanjahu është një popullist i rrezikshëm. Një popullist të cilin Joe Biden ka refuzuar ta pres në Shtëpinë e Bardhë për shkak të partnerëve me të cilët Netanjahu bashkëqeveris. Ata janë - shkurt e shqip - racistë, të cilët arabët e sidomos palestinezët i shohin si “racë” që duhet përbuzur.
Joe Biden mendon ndryshe. Kundërshtarët politikë në SHBA ka kohë që e përqeshin presidentin Biden për shkak të moshës së shtyrë. Nganjëherë i ngatërron fjalët, nganjëherë mendimet. Por kriza në Lindjen e Afërt na tregon se si mosha dhe përvoja janë të rëndësishme në politikë. Biden e nisi fushatën për anëtar të Senatit më 1972 dhe premtoi se do të angazhohet që Amerika t’i japë fund luftës në Vietnam, e cila e kishte humbur çdo kuptim dhe kishte dëmtuar prestigjin e Amerikës në botë.
Është fat i madh për botën që Biden është president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo, ta zëmë, ndonjë person me flokë të lyera e ngjyera, me faqe të rrezitura nga solariumi dhe me mendime shpeshherë qesharake. Hizbollahu, një organizatë terroriste e përkrahur nga Irani, është “very smart” (shumë i mençur), tha D.T., i cili ka qenë president i SHBA-së para Joe Bidenit.
Përvoja ka efekt në politikë. Gjatë vizitës në Izrael javën që shkoi, Biden iu drejtua opinionit të atjeshëm dhe qeverisë me këtë porosi: e kuptojmë mllefin tuaj, por mos i bëni gabimet e tona. Gabimet e SHBA-ve! Biden nuk pati nevojë të tregojë cilat gabime, dihej: pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, SHBA-të sulmuan Irakun (më 2003) duke u bazuar në akuza të rrejshme. Pretenduan se Iraku kishte armë kimike e biologjike dhe se bashkëpunonte me al-Kaidën. Nuk ishte e vërtetë. Sadam Huseini ishte diktator e kasap, por nuk mbante lidhje me Osama Bin Ladenin. Rezultati i ndërhyrjes amerikane në Irak: sipas Lancet, njërës nga revistat më prestigjioze të mjekësisë në botë, mes marsit 2003 dhe korrikut 2006 u vranë 654’965 njerëz. Mbi gjysmë milioni! Opinion Research Business, një ndër institutet më të mëdha të anketimit në Britaninë e Madhe, theksoi se mes vitit 2003 dhe 2007 u vranë më shumë se një milion irakianë. Kjo luftë e prodhoi një përbindësh: “Shtetin Islamik” (ISIS).
Biden është njohës i të gjitha detajeve të politikës amerikane, përfshirë edhe gabimet në politikën e jashtme. Andaj, ai po përpiqet të shtyjë sa më shumë që të jetë e mundur intervenimin e Izraelit në Gaza. Parimisht Biden përkrah zhdukjen e organizatës terroriste Hamas, por në të njëjtën kohë Biden si dhe shumë komentatorë udhëheqës të mediave amerikane (si “New York Times” dhe “Washington Post”) shtrojnë pyetjen: çka pas hyrjes në Gaza? A ka strategji për dalje? Kush e qeveris pastaj këtë copë tokë buzë Mesdheut? Mbi të gjitha, Biden është i vetëdijshëm edhe për një problem tjetër që dëmton reputacionin amerikan: nuk mund të mallkosh Rusinë për vrasje të civilëve gjatë sulmeve në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë të heshtësh ndaj vrasjes së civilëve në Gaza. Sipas “New York Times” mbi 1500 fëmijë palestinezë tashmë janë vrarë, si pasojë e sulmeve izraelite. Nicholas Kristof, njëri nga kolumnistët më të njohur të “New York Times”, shkroi: “Nuk duhet të vrasim fëmijë të Gazës në përpjekje për të mbrojtur fëmijët e Izraelit”. Liderët e Hamasit nuk bëhen merak për këtë pellg gjaku. Ata jetojnë në luks në Doha të Katarit, në Stamboll dhe në Bejrut. Pasuria e tyre vlerësohet se kap mbi gjysmë miliardë dollarë, sipas Departamentit të Financave të SHBA-së.