Si munden teknologjitë digjitale të revolucionarizojnë shërbimet publike
Imagjinoni ditën kur lind fëmija juaj i parë – mes gjithë emocioneve të largimit nga spitali dhe të mësuarit se si të bëheni prind i ri, ju gjithashtu duhet të regjistroheni për certifikatën e lindjes së fëmijës suaj, të regjistroheni te një pediatër lokal, si dhe të aplikoni për pushim prindëror të paguar ose për kujdes ditor. Disa vjet më parë, e gjithë kjo mund të merrte disa ditë. Së shpejti, e gjithë kjo pritet të ndryshojë dhe të nevojitet vetëm një klikim.
Kosova është në një pikë kthese drejt një transformimi të madh. Si pjesë e aspiratave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve për t'u përafruar me standardet e BE-së, Kosova po i jep prioritet reformës së administratës publike, për ta bërë atë më moderne, efikase dhe me qytetarin në qendër. Kosova gjithashtu tashmë ka një nga nivelet më të larta të lidhjes me internet në Evropë – çdo fshat në Kosovë, përfshirë këtu fshatrat më të largëta, tani ka qasje në internet brezgjerë me shpejtësi të lartë – si dhe shkallë jashtëzakonisht të lartë të njohurive të përdorimit të internetit. Tani Kosova mund t'i bashkojë këto dy elemente dhe ta çlirojë potencialin e teknologjisë digjitale për të revolucionarizuar shërbimet publike dhe për ta bërë jetën e qytetarëve të saj më të mirë.
Portali e-Kosova, portali kryesor për shërbimet qeveritare, u lansua në vitin 2021, duke bërë të mundur që qytetarët të marrin disa shërbime online. Por progresi në shndërrimin e portalit në dritaren kryesore për ofrimin e shërbimeve publike ka qenë i ngadaltë. Janë tre parime themelore që tani po zbatohen për të përmirësuar portalin dhe për t'u ofruar qytetarëve shërbime të integruara në mënyra të thjeshta.
I pari është vendosja e qytetarëve individualë në qendër të qasjes. Kjo do të thotë se në vend se sistemi të bazohet në mënyrën se si funksionojnë ministritë e ndryshme, sistemi nxitet nga një ngjarje e jetës, të themi, lindja e një fëmije, dhe për këtë arsye integron shërbimet që lidhen me ato që mund të jenë nën kompetencën e ministrive të ndryshme, ministrisë së shëndetësisë, ministrisë së arsimit, ministrisë së brendshme, etj. Regjistrimi i lindjes në Estoni, për shembull, automatikisht vë në lëvizje proceset për të kontrolluar a të takojnë përfitime dhe i akordon ato. Nuk duhet më që individi të vrapojë nëpër departamente të ndryshme, por fuqia digjitale i sjell të gjitha tek ju.
I dyti ka të bëjë me ndërtimin e themeleve për një qasje që përfshin gjithë qeverinë. Sot, qeveria qendrore dhe ato lokale ofrojnë mbi shtatëqind shërbime për bizneset dhe qytetarët, nga të cilat vetëm 10 për qind ofrohen online për shkak të infrastrukturës, sistemeve apo aftësive të kufizuara. Për më tepër, shumica e shërbimeve të disponueshme në internet ofrohen përmes ministrive ose agjencive individuale që nuk koordinohen me njëra-tjetrën dhe shpeshherë përdorin të dhënat e veta. Si rezultat, Kosova shpenzon përpjekje të konsiderueshme në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e qendrave të veçanta të të dhënave për ministritë dhe agjencitë e ndryshme publike - një qasje që është e kushtueshme, më pak efikase, më pak e qasshme dhe më pak elastike. Në vend të një qasjeje pjesë-pjesë ndaj digjitalizimit që çon në qasje të pabarabartë dhe cilësi joadekuate të shërbimeve, një qasje që përfshin gjithë qeverinë mund të ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit.
Parimi i tretë ka të bëjë me parashtrimin e kërkesës për të krijuar besim vetëm një herë. Sot, për të marrë shërbime, qytetarët duhet të paraqesin dëshmi fizike disa herë, duke i bërë proceset të rënda, joefikase dhe më pak të sigurta. Këto mangësi mund të gërryejnë edhe besimin e qytetarëve në sistemin politik dhe ekonomik të vendit. Në vend të kësaj, qytetarët duhet të japin të dhëna vetëm një herë dhe ato duhet të ruhen në një bazë të dhënash dhe të përdoren nga ofruesit e shërbimeve qeveritare. Kjo gjithashtu bën që kontakti të jetë minimal dhe konfigurimi bëhet, idealisht, asisoji që një aplikacion i vetëm nga individi të mund të aktivizojë disa shërbime të ndërlidhura dhe me rëndësi. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, një ndërveprim i vetëm me rastin e regjistrimit të vdekjes aktivizon platformën e quajtur “Na tregoni vetëm një herë”, e cila njofton autoritetet tatimore dhe të pasaportave, programet e përfitimeve dhe shërbime të tjera. Adoptimi i kësaj qasjeje mund të ndihmojë që portali e-Kosova të bëhet po aq efektiv.
Aplikimi i teknologjive digjitale dhe praktikave më të mira në e-Kosova është një hap i parë emocionues drejt përmirësimit të përvojave në jetën e përditshme. Kjo gjithashtu mund të zhbllokojë shumë përfitime të tjera, duke përfshirë forcimin e infrastrukturës, institucioneve dhe aftësive digjitale të Kosovës. Dhe gjithashtu mund të nxisë përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, për të përmirësuar fuqizimin e grave dhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike. Me mbështetjen e Bankës Botërore (me një kredi koncesionale në vlerë 20 milionë dollarë dhe periudhë kthimi prej 25 vjetësh), dhe pas ratifikimit nga Parlamenti i Kosovës, Projekti për Forcimin e Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve tani është gati të fillojë me zbatim, ku hapja e planifikuar në Prishtinë e një Qendre të re për Shërbime të Integruara do të jetë arritja e dukshme e pritur të ndodhë së shpejti.
Arritja më emocionuese do të jetë kur një prind i ri thjesht do të klikojë një buton për të mirëpritur fëmijën e tyre në Kosovën digjitale të së ardhmes.
(Autori është menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut)