OpEd

“Përmbytja” plastike e gjysmëshekullit

Veshtrim

Plastika tashmë është pjesë e pandashme e jetës sonë dhe nuk mund të imagjinohet jeta pa inkorporimin e saj. Vetëm llogariteni se me sa produkte të plastikës brenda ditës takoheni dhe bashkëveproni në jetën tuaj: qeset e plastikës, shishet e ujit, mbështjellësit e ushqimit, brusha dhe mbajtësi i pastës së dhëmbëve, qeset e detergjenteve, shishet e pastruesve, lodrat e fëmijëve, kartelat e bankës e deri te shiringat nëse jeni i sëmurë. Vargu është shumë, shumë i gjatë.

Sivjet bëhet gjysmë shekulli prejse Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara (UNEP) e ka caktuar 5 Qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit. Kjo datë lidhet me datën e fillimit të Konferencës së Stokholmit për Mjedisin Njerëzor, që u hap më 5 qershor 1972. Në konferencën më të madhe të kësaj natyre deri atëherë u diskutua nevoja e fokusimit ndërkombëtar të disa problemeve mjedisore që po shfaqeshin në shkallë alarmante në procesin e zhvillimit socioekonomik të shoqërisë njerëzore, siç ishin: ndryshimet klimatike, varfërimi i shtresës së ozonit, humbja e biodiversitetit, ndotja e të gjitha formave etj. Sigurisht se ndotja nga plastika nuk ishte atëbotë njëra nga ato probleme. E motoja në Ditën Botërore të Mjedisit 2023 ishte pikërisht “Stop ndotjes nga plastika”. Gjatë Konferencës së Stokholmit, sipas “Global Plastic Outlook” bota përballej me rreth 200 milionë tonë plastikë të prodhuar, ndërsa për gjysmë shekulli kjo sasi ka arritur në 8 miliardë tonë, më saktësisht nga 1 ton plastikë për kokë banori. Një rritje dramatike kjo e që pritet të trefishohet deri më 2060 me trendët aktualë të prodhimit të plastikës (business as usual).

Ndotja nga plastika

Sipas UNEP-it, brenda vitit prodhohen rreth 430 milionë metër kub plastikë, pjesa më e madhe e së cilës shndërrohet automatikisht në mbeturina duke qenë njëpërdorimëshe. Sipas të dhënave zyrtare, nga totali i përgjithshëm i mbeturinave të gjeneruara në Kosovë, rreth 11% e përbëjnë mbetjet e plastikës me shkallë riciklimi pothuajse inekzistente.

Nuk është vetëm sasia e plastikës që e bëjnë problem global mjedisor, por edhe karakteristikat e tjera të prodhimit të saj: pigmente për ngjyrosje, rritja e rezistencës në nxehtësi dhe qëndrueshmëri etj. Llogaritet se janë 13,000 kimikate të ndryshme që përdoren në industrinë e prodhimit të plastikës, disa prej të cilave ende nuk iu dihet shkalla e saktë e toksicitetit të tyre. Këtyre përbërësve u “mbivendosen” shpesh edhe materie toksike e jotoksike që absorbohen nga muret e enëve plastike që mbajnë produkte të ndryshme. Në Kosovë shpesh shishet e plastikës ripërdoren për mbushje me ujë në zonat me reduktime të ujit. Nëse keni pirë ujë nga shishe të tilla, keni vërejtur besoj se sado që e pastrojmë një shishe, uji nga ato shishe do të ngacmojë receptorët e shqisave me shijen e lëngut që e kanë pasur më herët. Nuk ndodh e njëjta p.sh. me shishet e qelqit kur i ripërdorim.

Për shumicën e përbërësve toksikë të plastikës tashmë dihet se në trupin tonë shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, ku ndër më kryesoret janë: dëmtimi i sistemit endokrin (hormonal), sëmundje kancerogjene dhe dëmtime fertiliteti. Problem shtesë është edhe qëndrueshmëria e gjatë e saj në natyrë. Në literaturë zakonisht shkruhet se plastika bën pjesë në mbeturinat e pazbërthyeshme. Në fakt ajo zbërthehet, por me ritme jashtëzakonisht të ngadalta për vëmendjen tonë e disa lloje edhe për shekullin jetësor të njeriut (duke llogaritur qindra vjet kohë zbërthimi). Zbërthimi është më intensiv në ekosistemet ujore, pasi e dimë se uji është tretës me spektrin më të gjerë të veprimit në natyrë. Zbërthimi i ngadalshëm i përbërësve kimik të kësaj plastike është duke na u kthyer në trupin tonë në formë të asaj që njihet si “mikroplastikë“: së pari në zinxhirin ushqimor të shtazëve detare me të cilat pastaj po ushqehemi ne. Hulumtimet e fundit shkencore tregojnë se koncentrimi i mikroplastikës në gjakun e njeriut po rritet progresivisht. Po ndodh ajo maksima e njohur që, “çfarëdo që i bëjmë natyrës, ajo na e kthen, në një mënyrë apo tjetrën”.

Sot kur bëhen 30 vjet prejse në Samitin e Tokës në Rio u vendos që 8 qershori të shënohet si Dita Botërore e Oqeanit, plastika është shndërruar në një problem ubikist: nuk ka cep të planetit ku nuk ka depërtuar, që nga majat më të larta malore nga alpinistët e deri në thellësitë e oqeaneve. Më i atakuari në këtë drejtim është oqeani global (detet dhe oqeanet e planetit). Sot janë aq të shpeshta pamjet e shtazëve ujore të “kurthuara” në format më të çuditshme nga objektet plastike, e ka raste kur “mbështjellja” me to ua deformon edhe strukturën normale trupore.

A mund të parandalohet “përmbytja” nga plastika?

Në Asamblenë e 5-të të Mjedisit më 2022, 193 shtete anëtare të OKB-së vendosën t'i japin fund ndotjes plastike ose më saktë të fillojnë përpjekjet për këtë. Mirëpo, siç thotë thënia jonë e bukur popullore, “nga e thëna në të bërë qëndron një det i tërë“ dhe atë det plastike në këtë rast. Megjithatë janë vendosur orientimet kyç. Sipas UNEP-it kërkohet një ndryshim sistemik në reduktimin e përdorimit të plastikës me një përdorim dhe asaj të panevojshme duke përdor tri ndryshime të mëdha në treg: ripërdorim, riciklim dhe riorientim e diversifikim. Ripërdorimi i referohet transformimit të “ekonomisë së hedhjes” (përdor dhe gjuaje) në një “shoqëri të ripërdorimit” ku ripërdorimi i produkteve plastike ka më shumë kuptim ekonomik sesa hedhja e tyre. Riorientimi dhe diversifikimi i referohet zhvendosjes së tregut drejt alternativave të plastikës së qëndrueshme, respektivisht zgjatjes së ciklit jetësor të produkteve të plastikës së domosdoshme në jetën tonë.

Me rëndësi në luftimin e ndotjes plastike, është përshpejtimi i tregut të riciklimit duke siguruar që riciklimi i plastikës të bëhet një sipërmarrje më fitimprurëse. Është menduar gjatë se riciklimi është zgjidhja e problemit të ndotjes nga plastika, por sipas vlerësimeve sot vetëm rreth 10% e sasisë së plastikës globale riciklohet. Ajo vetëm e zbut paksa problemin. Megjithatë, studimet e fundit janë brengosëse pasi tregojnë se në disa raste, proceset ricikluese mund të prodhojnë toksina të tjera shtesë të rrezikshme e të cilat pastaj inkorporohen në produktet dhe mallrat e riciklimit.

Kështu që zgjidhja për fillimin e luftimit të plastikës është që sa më shumë të reduktojmë përdorimin e panevojshëm të saj. Pse p.sh. të marrim një qese plastike për një aspirinë të vetme që blejmë në barnatore, gjë të cilën mund ta fusim në secilin xhep. Të ripërdorim mjete dhe produkte që nuk janë plastikë me një përdorim, si p.sh. shishet njëpërdorimëshe të ujit të zëvendësohen me shishe shumëpërdorimëshe. Në vizitat që u bëj studentëve gjatë praktikës nëpër shkolla, po vërej se numri i nxënësve që po mbajnë mbi bankat e tyre shishe uji me shumë përdorime po rritet, dhe kjo më gëzon. Llogariteni nëse në një shkollë me 1 mijë nxënës, që vetëm gjysma të sjellin shishe plastike uji me një përdorim, 500 shishe do ta mbushin një kontejner brenda një dite. Nëse në 1.7 milionë kosovarë, vetëm 1 % përdorin shishe plastike uji në ditë, i bie 17 mijë shishe të cilat shkojnë direkt në deponi, pasi riciklim në Kosovë ende nuk ka. Kur kjo shumëzohet me 365 ditë të vitit, mund të konkuldohet edhe pse kudo shohim shishe plastike e për më tepër edhe pse deponitë e Kosovës mbushen aq shpejt.

Ngritjes alarmante të nivelit të oqeanit global, përveçse shkrirjes së akullnajave nga ngrohja globale, do t`i kontribuojë edhe volumet miliontonëshe të rrjedhës plastike. Dhe pas kësaj duket e paevitueshme “përmbytja” e madhe, e cila do ketë pasoja të paparashikueshme. Ngjashëm siç po ndodh me përmbytjet nga lumenjtë e Kosovës, ku pas degradimit të shtratit të tyre, faktori i dytë është produktet plastike të hedhura në lumë me paradigmën e gabuar se “lumi bart gjithçka”. Besoj e keni parë se çka mbetet brigjeve te lumenjve tanë kur niveli i ujit bie. Një gjë e tillë e ka “prezantuar” Kosovën edhe në ballinën e “National Geographic” me foton e palavdishme “Ereniku plastik” nga fotografja Rena Effendi në vitin 2018. “Rubinetin” e reduktimit, nëse jo të ndaljes së rrjedhës së plastikës e kemi secili në dorën tonë. Kështu u ndihmojmë vetes dhe mjedisit tonë.

(Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)