E dinim se me largimin e vëzhguesve dhe gazetarëve të huaj nga Kosova, më nuk do të mbeste asnjë dëshmitar i asaj që do të mund të pasonte. Vetëm ata që nuk e kishin parë shkallën e barbarisë së trupave serbe në terren, do të mund të mendonin se gjërat nuk do të mund të shkonin më keq se deri atëherë. E tre muajt e bombardimit e dëshmuan se urrejtja e trupave serbe nën shkopin dirigjues të Millosheviqit nuk do të kishte kufi po të mos përfundonte lufta
Nesër do të shënohet 25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s, që na i solli shpëtimin e çlirimin. Nuk e di po qe se është planifikuar gjë për ta shënuar këtë ditë historike, por më e pakta që ka mundur të bëhej është që të organizohej një koncert në njërën nga rrugët e mbyllura të Prishtinës, ku do të mblidheshin me mijëra njerëz për ta shënuar atë. Nuk e di nëse do të ndodhë, nuk e di të kem parë ndonjë paralajmërim.
Me gjasë e gjitha do të kufizohet në ritualin e përhershëm të vendosjes së kurorave të luleve te lapidarët, bustet e përmendoret që i kemi të shpërndara gjithandej.
Dhe me kaq do të përmbyllet obligimi për ta kujtuar natën kur një kërpudhë e madhe zjarri që vinte nga kazerma ushtarake e ndriçoi Prishtinën. Kërpudha së cilës iu gëzuam sikur të ishte një fishekzjarr ditëlindjeje. Sepse pas sa muajsh krismash, vrasjesh e shkatërrimesh, më në fund Perëndimi po reagonte për ta parandaluar një Bosnjë të dyte, mbase edhe më të përgjakshme.
E dinim se me largimin e vëzhguesve dhe gazetarëve të huaj nga Kosova, më nuk do të mbeste asnjë dëshmitar i asaj që do të mund të pasonte. Vetëm ata që nuk e kishin parë shkallën e barbarisë së trupave serbe në terren, do të mund të mendonin se gjërat nuk do të mund të shkonin më keq se deri atëherë. E tre muajt e bombardimit e dëshmuan se urrejtja e trupave serbe nën shkopin dirigjues të Millosheviqit nuk do të kishte kufi po të mos përfundonte lufta.
* * *
E di se mbase kjo zgafellë do të duhej të ishte një e gëzimit, e kremtimit të një çerekshekulli jete në liri. Por nuk po mund të merrem me hare, përderisa me qindra familje do ta kryejnë ritualin e vizitave nëpër varrezat e të afërmve të tyre, shumë syresh të zbrazura, sepse ende nuk u janë gjetur eshtrat, në 25-vjetorin e masakrimit të tyre mizor.
Nuk mund të shkruaj për tmerrin e tyre më mirë sesa kanë folur vetë ata në Tribunalin e Hagës. Eliott Behar e ka shkruar një libër të shkëlqyer për nga domethënia: “Tregoji botës”. Aq i fuqishëm është libri saqë para sa vjetësh në njërën kolumne kisha cituar disa copëza të librit, për rrëfime në veten e parë të të mbijetuarve.
Kësaj radhe, rrëfimet e tmerrit janë ato që janë zbuluar në Batajnicë e Petrovo Selo – aty ku janë hedhur trupat e zhvarrosura nga Kosova e të bartura me kamionë me qindra kilometra larg, në kërkim të fshehjes së gjurmëve krimit.
Por, janë edhe rrëfimet për trupat që i kishin “fshehur ndryshe”.
Batajnica
Trupat e gjetur në varrezat masive të Batajnicës ishin të civilëve shqiptarë nga e gjithë Kosova, duke i përfshirë komunat e Gjakovës, Deçanit, Obiliqit, Fushë-Kosovës, Vushtrrisë, Prizrenit, Pejës, Lipjanit dhe Suharekës. Në Petrovo Selo, trupat e gjetur ishin nga Peja, Skenderaj (Izbicë), Deçani, Gllogovci, Prizreni, Obiliqi dhe Malisheva.
“Trupi i Jashar Berishës — i tëri pos këmbës — ishte varrosur në Batajnicë I. Me të ishin edhe trupat e Berishëve të tjerë, të vrarë në picerinë në Suharekë. Një listë e gjatë nga lokacioni tregonte se çfarë ishte gjetur aty. Mes shumë gjërave ishin disa xhemperë ngjyrash të ndryshme, syze, jelekë, një këpucë e vogël, një duks, një vath i praruar, një palë tuta të kuqe, një orë “Seiko” dhe brekët dhe pelenat e një foshnje. Zhvarrimet identifikuan së paku 36 trupa të ndryshëm në varr — 17 femra, 16 meshkuj, dhe 3 që ishin tepër të dëmtuar për t'u përcaktuar. Nëntë nga trupat ishin fëmijë të vegjël.
Jashari ishte marrë nga pompa e benzinës ku punonte; e kishin sjellë te piceria në qendër të Suharekës dhe më pas e kishin ekzekutuar. Trupi i tij u hodh, së bashku me të vrarët e tjerë nga piceria dhe më pas u transportua me kamion te poligoni i qitjes afër Korishës, në Prizren. Kur lokacioni u gërmua, aty u gjetën vetëm njëra këmbë dhe ca copa të veshmbathjes së tij. Me zbulimin e turpit të tij në Batajnicë, copëza e fundit tashmë u bë e qartë: trupat nga masakra e Suharekës ishin zhvarrosur sërish nga ky vend i fshehjes së përkohshme, e më pas ishin ngarkuar në kamionë dhe ishin bartur me qindra kilometra larg deri në Batajnicë.
Shyhrete Berisha gjithashtu e kishte dhënë mostrën e ADN-së së bashku me trungun e saj familjar. Rezultatet e gërmimit në Batajnicë do të sillnin ndonjë përfundim mbase, porse jo edhe çlirim. Mbetjet e djalit Redonit dhe të vajzave Majlindës e Herolindës u identifikuan në mesin e trupave të gjetur në Batajnica I. Lirije Berisha, bashkëshortja 24-vjeçare e Nexhmedinit, kushëriri i Shyhretes, u gjet aty gjithashtu, me fëmijën e palindur në trup. Në fund, 24 anëtarë të familjes Berisha u identifikuan në të njëjtën varrezë.
(Më 26 mars 1999, në Suharekë u vranë 48 civilë, 46 prej tyre të familjes së gjerë Berisha. 14 ishin fëmijë nën moshën 15 vjeç. Të vetmit të mbijetuar ishin Shyhretja, Vjollca dhe Gramoz Berisha).
Trupat e gjetur në varrezat masive II dhe V në Batajnicë u identifikuan si viktimat e vrasjeve që ndodhën në Gjakovë, pjesë e Operacionit Reka. Batajnica II i mbante së paku 269 trupa të identifikueshëm, që të gjithë meshkuj. Batajnica V, ku u gjet najloni i mbante së paku 287 trupa, shumë nga ta të dëmtuar nga zjarri. Sipas forenzikës, trupat u sollën në së paku 12 transporte të ndryshme.
Në mesin e të gjithë këtyre trupave u gjetën anëtarët e familjes së Lizane Malajt, të cilët i kishte parë për herë të fundit në oborrin e shtëpisë, me fytyrat përtokë derisa atë e detyronin të largohej. Trupat e tyre nuk u identifikuan përnjëherë. Fillimisht i thanë se e kishin gjetur dhe identifikuar trupin e bashkëshortit të saj Vatit, të cilin më në fund do ta varroste më 17 prill 2004. Një vit më pas i thanë se edhe djali i saj Blerimi ishte gjetur dhe identifikuar së bashku me vëllain e saj Nikollin dhe nipat Arbenin dhe Andrushin. Trupat u kthyen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe më në fund u varrosën në Mejë, më 27 prill 2005.
(Më 27 e 28 prill 1999, në Mejë të Gjakovës u ekzekutuan e masakruan 377 civilë. Një pjesë e madhe e trupave u bartën në Serbi për t’i humbur gjurmët e krimit).
Petrovo Selo
Varreza e dytë ishte më e madhe, dhe në të kishte 59 trupa. Poshtë, trupat ishin përzier. Lart ishin mbyllur në qese të larmishme trupash.
Autoritetet i gjetën aty trupat e të vrarëve në Izbicë, së paku 31 sish — shumica të moshuar dhe të paaftë, por gjithashtu edhe disa trupa grash që ishin vrarë apo djegur mbi traktorë. Shtegtimi i këtyre trupave u bë mjaft i qartë: pasi u vranë, këta u varrosën nga bashkëfshatarët në varreza individuale; më pas u zhvarrosën nga forcat serbe dhe u transportuan me qindra kilometra larg për t'i fshehur.
(Më 28 mars 1999, në Izbicë të Skenderajt u ekzekutuan e masakruan 147 civilë. Trupat, pasi ishin varrosur nga të mbijetuarit, u zhvarrosën nga autoritetet serbe dhe u bartën me kamionë në Serbi).
Kosovë
Pos trupave që ishin transportuar me kamionë, evidenca e masakrave në Kosovë u fsheh në një vistër mënyrash të ndryshme.
Nga fundi i marsit të 1999-s, në fshatin Krushë e Vogël, për shembull, policia serbe i kishte ndarë 115 meshkuj shqiptarë dhe i kishte futur në hangarin e familjes Batusha. E përdorën një burrë të lidhur për karrocë invalidësh për ta bllokuar hyrjen dhe më pas u pozicionuan te dyert e dritaret prej nga i zbrazën automatikët mbi ata që ishin brenda. Kur mbaruan të shtënat, u futën brenda dhe i vranë të mbijetuarit një nga një; i spërkatën me një lëng ndezës, ua hodhën misrin përsipër dhe e dogjën hangarin deri në themel. Dhjetë nga burrat ia dolën të iknin. Disa u ndoqën dhe u vranë, por dy nga ta — Mehmet Krasniqi dhe Lutfi Ramadani — mbijetuan dhe më vonë dëshmuan në Tribunal. Më shumë se 100 të tjerë nuk ishin aq me fat. Fshatarët që ishin kthyer te vendi i ngjarjes pas luftës e vërejtën se ishin përdorur eksplozivët për të shkatërruar atë që kishte mbetur aty, duke lënë prapa dy kratere të mëdha dhe një numër shtëpish të shkatërruara në afërsi të zonës së shpërthimit. Krejt çka mbeti për ta dëshmuar masakrën qenë mbetjet e karrocës së invalidit dhe ca eshtra.
(Më 25-27 mars 1999, në Krushë të Vogël, Prizren u ekzekutuan e u masakruan 113 civilë. Trupat e tyre u shkatërruan me eksploziv).
Përafërsisht në të njëjtën kohë, forcat serbe i dëbuan shqiptarët nga fshati i vogël Kotlinë (Kaçanik) në lokacionin e dy puseve të thata. I rrahën e më pas i vranë. Më pas i hodhën në puse. Forcat serbe futën TNT në secilin pus. Shpërthimi i eksplozivit i vrau dhe e shkaktoi shembjen e mureve përbrenda. Në kohën kur kishte ardhur ekipi forenzik ndërkombëtar (nga Austria) në shtator, familjarët e pikëlluar po përpiqeshin të futeshin nëpër puse, me shpresë se do të gjenin dhe do t'i varrosnin si duhej. Nga mbetjet e shkapërderdhura nëpër puse, më në fund u identifikuan 22 trupa.
(Më 24 mars 1999, në Kotlinë u vranë 14 civilë dhe 11 ushtarë të UÇK-së).
* * *
Harresa na është shndërruar në stil jetese. Për shkak të harresës jemi bërë borxhlinj të këqij ndaj gjithë sakrificës që u bë dhe ndaj shtetit me të cilin më në fund u bëmë.