Le ta quajmë komshi, krejt për çështje praktike si puna e furrtarëve që kështu u drejtohen të gjithë myshterinjve të tyre, sa për të kryer punë a për të shitur një bukë më shumë. Banon ca kilometra larg meje, në lagjen - që siç ma kishin përshkruar Prishtinën, që unë s’e kam parë e përjetuar - dikur e paskëshin quajtur mëhallë shkrimtarësh, poetësh, me një kuart artistësh diku në mes. Për t’i rënë prerë, çerdhe intelektualësh. Kishte të atillë në mesin e tyre, por më pak sesa asi që bëheshin sikur.
Mund të ketë pasur ndonjë tjetër punë, por ia kishte mësyrë qendrës në kërkim të një libri, si në mjegull e kujtonte se bëhej fjalë për një histori me shqiptarë që dikur kishin qenë të zotë deri në Venedik, tek ngulmonte se e kishte botuar filan botues, se e kishte pasur në dorë, por s’i kishin qëlluar para në xhep ose diçka e tillë. Më vonë do ta kuptoja s’e libri që ai kërkonte ishte i një alamet historiani britanik dhe do të botohej disa muaj më vonë, se historinë që kishte arritur ta kapte ishte paralajmërimi se ai do të përkthehej edhe në shqip.
Do ta harroja si takim e si ngjarje sikur komshiu të mos ngulmonte për të dytën herë, edhe pasi shtrënguam duart tek më thoshte se më lexon përditë në gazetë, e kur nuk i del kohë, e ruan faqen ku është botuar artikulli im, i rikthehet me vëmendje. Më kishte “lexuar edhe dje, edhe pardje. Përditë të lume”.
Kisha kohë që nuk shkruaja. Mbase edhe vite. Sikur tash, kur rikthimi i kohëpaskohshëm të ngarkon edhe më me ndjenjën se duhet të thuash diçka të madhe. Ai vazhdonte të më lexonte. “Veçmas reportazhet”, më thoshte drejt në sy, me sigurinë e një berberi të moçëm që po të dojë të rruan edhe symbyllur. Kishte kohë, ashtu si edhe sot, që shëtis trup e tërthor vendit me reportazhet e kolegëve tek i lexoj në gazetë. Doja të gjeja një lloj arsyetimi edhe për të, edhe për vete, se në mos më kishte ngatërruar, por s’më la fort kohë kur krejt në fund më përmendi saktë në emër. M’u duk sikur u qesha, por kur e kujtoj tash, duhet te ketë qenë një lloj buzëqeshjeje si ajo kur ta kërkojnë për të dalë në ndonjë fotografi, që më fort i ngjan zgërdhirjes me vetveten.
* * *
Do ta harroja si takim dhe si ngjarje sikur libri që kërkonte komshiu të mos përurohej në Prishtinë, në majin e 2016-s. Salla qe mbushur plot. Disa kishin ardhur kastile, disa sa për t’u parë aty, e nja tre-katër veta edhe të flisnin për librin krahas autorit. Në mesin e tyre ishte përbiruar edhe një profesor universitar. I sigurt ia mësyu foltores, përshëndeti të pranishmit dhe tha rafall atë që ia merrte mendja. Dikur guxoi ta quante edhe vepër monumentale apo diçka e tillë, alamet pune shkencore e këtij historiani të huaj. Luajti në terren të sigurt: vepra mund të ishte monumentale, sepse autori ishte i njohur e i dëshmuar për të tilla. Bisedoi edhe me autorin, e përgëzoi për librin. Dhe mbase edhe ia rrahu krahët.
Pastaj u kthye në realitet. Si kalimthi, në dalje të sallës dikush ia kërkoi një detaj për librin. “Ç’është e vërteta…”, ia nisi me elegancë arsyetimit për ta thjeshtëzuar edhe më. “Dorën në zemër, s’e kam lexuar”.
Para dorës në zemër, e para se të dilte në foltore, profesori do të duhej ta vinte gishtin në kokë. Mbase duhet t’i ketë rënë në dorë libri “Si të flasim për librat që s’i kemi lexuar?” i Pierre Bayardit, autor francez, profesor letërsie e psikanalist. Por rastësinë e ngre nga negacioni përgjigjja e tij. Sikur ta ki shte lexuar këtë, përgjigjja do të ishte tjetër. Ose së paku ka shfletuar kapitullin e parë ku ta pranosh mosleximin është gjysma e punës, ballafaqimi me vetveten. Edhe atë tjetrin ku Bayard thotë se mund të flasësh edhe për veprat që s’na kanë rënë në dorë. Ka një hile në krejt këtë studim shkencor të francezit, i cili e pranon se jo rrallë studentëve u zbërthen edhe romane, të cilat as që i ka shfletuar. Por kushti i tretë “që të flasësh për librin që s’e ke lexuar” është që ta përzgjedhësh titullin që s’e ka lexuar as auditori. Profesori e ka plotësuar pjesërisht një kusht të tillë pasi për veprën i ka folur edhe vetë autorit.
Bayardi e kishte nisur ta shkruante këtë libër për çështje krejt praktike. I rritur në një ambient ku, siç thotë ai, lexohej pak, e pranon se s’është i dhënë fort pas kësaj veprimtarie. “Duke mos pasur as shumë kohë që t’i përkushtohem, në përvojën jetësore jo rrallë më ka bërë vaki të përballem me situata të zorshme kur kam qenë i detyruar të flisja për libra që s’i kam lexuar”, shkruan ai në hyrje të librit të tij. “Si profesor universitar, pashmangshëm jam i detyruar që të interpretoj vepra të cilat as që i kam shfletuar. Dorën në zemër, i njëjti rast është edhe me shumicën e studentëve që ndjekin ligjëratat e mia. Por mjafton të më dalë njëri që e ka lexuar tekstin për të cilin u flas e të reflektojë mbi ligjëratën time dhe në çdo moment të më rrezikojë të përballem me situatë të palakmueshme”. Në esencë, eseja e tij ka të bëjë me të pranuarit e konceptit të mosleximit. Mbase aty është pikënisja për të vepruar kundër. Prej kësaj përvoje Bayard shkroi libër - për dikë shkencor e për dikë as afër kësaj - por ka vite që “Si të flasim për librat që s’i kemi lexuar?” është bestseller.
Si puna e komshiut dhe e profesorit vendor ka pasur gjithherë dhe po lindin ditaditës. Dhe shiten si bestsellerë.
* * *
Bashkëvendësit e Bayardit dolën keq si lexues në hulumtimin që “Eurostati” nxori prillin e kaluar. Prej vitit 2008 deri më 2015 ky shërbim evropian statistikor kishte anketuar respondentë prej moshës 24 deri në 70-vjeçare nga 15 vende anëtare të BE-së, si dhe të Norvegjisë, Serbisë e Turqisë. Francezët doli se lexojnë libër mesatarisht 2 minuta në ditë duke mbetur prapa austriakëve e rumunëve, që lexojnë 5 minuta në ditë, apo serbëve me 6 minuta. Listës i prinin estonezët që lexojnë mesatarisht 13 minuta në ditë pasuar prej finlandezëve e polakëve me një minutë më pak. Ashtu sikurse edhe norvegjezët, hungarezët e kanë librin në dorë mesatarisht 10 minuta gjatë ditës. Po sipas këtij hulumtimi, familjet e këtyre vendeve kanë shpenzuar 90 miliardë apo 1.1 për qind të shpenzimeve në tërësi në libra, gazeta e material të botuar. Kjo i bie 0.6 për qind e bruto-produktit në BE. Llogaritur për kokë banori, bëhet fjalë për 200 euro të shpenzuara në libra e gazeta. Kësisoj i bie që familjet në BE për libra dhe material të botuar ndajnë më pak sesa gjysmën e mjeteve që shpenzojnë për rekreacion dhe përmbajtje kulturore. “Eurostati” u mor edhe me ata që i quan “lexues të deklaruar”, sa për të mos i quajtur mashtrues. Asi që do të gjente me bollëk në Kosovë, sikur hulumtimin ta shtrinte edhe këndej.
Me të tillë pati punë edhe organizata joqeveritare “ETEA”, e cila në të njëjtën ditë me “Eurostatin” nxori rezultatet e hulumtimit “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta të Prishtinës”. Ndër të tjera, në pyetjen se a lexojnë familjet e tyre, hiç më pak se 90 për qind e nxënësve u përgjigjën pozitivisht. “Shqetësuese”, qe përshkrimi më i lehtë që hulumtuesit ia bënë një dukurie të tillë. Se as shteti e as libri s’janë në gjendje të mirë, nuk është ndonjë konstatim i ri. Shtetin e kanë në dorë pushtetarët, librin duhet ta kenë në dorë lexuesit. Për ta shpëtuar shtetin, Charles Hill, diplomat e ligjërues në Universitetin e Yale, ka një formulë.
“Sot edhe shteti, edhe letërsia janë në rrezik. Por burrështetasit duhet ta respektojnë letërsinë si një thesar të dijes së neglizhuar dhe si një ilaç për kohë të vështira. Ata duhet ta përdorin atë si një kontekst për sfidat dhe detyrat e tyre politike, dhe ta kompensojnë atë për dobësitë e tyre personale”, është porosia e tij.
Fiks pesë minuta e tridhjetë sekonda më ka zgjatur rileximi i këtij teksti që po e lexon. Nëse profesori universitar do ta lexojë, do të bëhej një gjysmë finlandezi, apo dy herë francez dhe s’do t’i hynte në punë Bayardi. Nëse komshiu do ta gjejë veten në mes të rreshtave, ia kam arritur qëllimit – për një lexues më shumë.