Pas gjithë këtyre viteve, po shpresoj se votuesit kosovarë e kanë kuptuar se kot përmenden figurat historike, më kot premtohen miliarda e mirëqenie, për kot premtohen punësime - për shkak se krejt këto, pas secilës palë zgjedhjeje, i merr era
Përtej vendimeve që merren nga KQZ-ja për certifikimin ose jo të kandidatëve për deputetë, lajmi i javës qe lirimi i të gjithë të akuzuarve për rastin e veteranëve të rremë nga shkalla e parë gjyqësore.
Argumentimi i gjykatës se prokuroria nuk ia kishte dalë të dëshmonte se këta njerëz ishin përgjegjës për numrin e fryrë të veteranëve, mbase edhe do të ketë bazë - sepse shumica nuk e dimë se cilat argumente i ka paraqitur prokuroria në gjyq. Kjo, sidomos pasi që lënda që ishte përgatitur nga prokurori Elez Blakaj ishte shpallur "draft aktakuzë" nga kryeprokurori i shtetit, i cili e kishte marrë mbi vete obligimin për ta kompletuar lëndën
Fakti është se të gjithë të akuzuarit iu gëzuan lirimit - e me ta edhe të gjithë ata që pretendohet se janë veteranë të rremë dhe që do ta gëzojnë edhe statusin e edhe pensionin që u jepet në emër të këtij statusi. Në sytë e partive krejt këta janë votues potencialë, krahas familjarëve të tyre. Prandaj edhe për ta lajm i mirë: tash mund të premtojnë rritje rrogash minimale, ashtu që edhe këtyre t'u rriten pensionet.
* * *
Parafushata u shndërrua në një gjë të mundimshme që nga dita kur u paralajmërua shpallja e zgjedhjeve. Organizimi i debateve të pafund nëpër kanalet televizive ende pa nisur fushata si duhet, e ka shndërruar këtë në ngjarjen më të lodhshme dhe të mundimshme që kemi pasur rast ta përcjellim.
Veprimet e KQZ-së pas vendimit të Kushtetueses për ndalimin e garës së ca kandidatëve për shkak se kanë vendime të prera gjyqësore, u shndërrua në telenovelë - me akuza e madje edhe kërcënime të pretenduara ndaj Valdete Dakës. Konfuzion i krijuar pa asnjë nevojë nga Kushtetuesja e cila nuk e precizoi (qëllimisht apo jo) vendimin e vet në lidhje me efektet juridike të aktgjykimeve, u bë shpejt pre e interpretimeve dhe mjet për të çuar luftë politike në KQZ e prej aty në nivel tubimesh me militantë partiakë nëpër vendbanime të ndryshme.
Çfarëdo të jetë epilogu i certifikimit - dy gjëra mbeten të qarta: një, që Kosova do të ketë nevojë më herët se vonë, ta ndryshojë Kushtetutën e vet, për t'i eliminuar krejt alogjizmat të cilat i ka shndërruar në normë vetë Kushtetuesja dhe dy, se Kosova është shumë vonë me reformën zgjedhore. Shumë vjet janë humbur qëllimisht nga partitë në kinse diskutime se si të përmirësohet sistemi zgjedhor, për të përfunduar me këtë çfarë kemi: një sistem të manipulueshëm dhe zgjedhje përherë problematike.
E keqja në gjithë këtë muhabet është se do të detyrohemi të dëgjojmë piskama politike edhe tri javë të plota para se të shkojmë në zgjedhje, dhe si përherë, ditët e javët do të jenë të stërmbushura me premtime të pafund për ndryshimin, rimëkëmbjen, bashkimin kombëtar, luftimin e korrupsionit, etj., etj. Dhe kjo, pa fije turpi nga ata që e dinë se ato premtime nuk mund t'i mbajnë apo edhe nga ata që zgjedhin të marrin obligime për t'ia lënë ato si akt i kryer Qeverisë në ardhje, cilado të jetë ajo.
* * *
I tillë qe vendimi i fundit i Avdullah Hotit kur vendosi të arrinte marrëveshje me SBASHK-un që prej kohësh i ngjet një shoqate fajdexhinjsh (të më falin ata arsimtarë që nuk pajtohen me format e veprimit të kryesindikalistit të tyre) sesa një sindikate të mirëfilltë, që edhe kur lufton për të drejtat e veta e ka parasysh kontekstin në të cilin jeton.
Insistimi për të marrë shtesë disamujore për shkak të angazhimit në kohë COVID-i në procesin mësimor është, më së buti thënë, neveritës. Mësimdhënësit më shumë kohë kanë kaluar në shtëpi sesa nëpër objekte shkollore dhe rrezikimi i tyre prej virusit ka qenë më i vogël sesa i atyre që kanë shëtitur nëpër qendra tregtare, apo që kanë dalë nëpër kafe për të mos e prishur adetin.
Ata të cilët nuk e kanë ndalur punën asnjë ditë të vetme pandemie kanë qenë gazetarët dhe asnjëherë nuk u dëgjua që AGK t'i jetë drejtuar Qeverisë me kërkesën që t'ua paguajë gazetarëve një bonus rrezikshmërie për 10 muajt e kaluar në terren, vetëm për t'i mbajtur të informuar njerëzit për ato që po ngjet në këtë vend. Madje sa herë është dashur të shkojnë në konferencat e kota për shtyp të këtyre zyrtarëve ka mjaftuar për t'u dhënë edhe bonus për nervat e humbura në to.
E pra tash, falë marrëveshjes së Hotit dhe SBASHK-ut për kontratën kolektive, Qeveria e cila do të jetë në pushtet më 2023 do të obligohet që ta paguajë rrogën e 13-të atyre që pushojnë nga dy muaj e kusur në vit, si dhe ushqimin e shpenzimet e transportit. E nëse nuk i përmbahet kësaj marrëveshjeje, dihet çka vijon: greva.
Është absolutisht e padrejtë që Hoti të lidhë marrëveshje të këtillë, kur e di shumë mirë se çfarë pasojash kishte shkaktuar një premtim zgjedhor i përcjellë me nënshkrim marrëveshjeje mes Veselit e Haradinajt dhe SBASHK-ut për rritjen e rrogave para disa vjetësh. Grevë trejavëshe dhe më në fund dorëzim para mësuesve.
E këta janë mësimdhënësit që refuzojnë t'i nënshtrohen testimit dhe të njëjtët që në masë të madhe janë përgjegjës për rezultatet katastrofike të PISA-s dhe analfabetizmit funksional të fëmijëve të Kosovës. Vetëm atëherë kur punën e tyre ta kryejnë në asi forme që nxjerrin fëmijë që bile mund të lexojnë dhe të kuptojnë atë që e lexojnë, do ta kishin të drejtën e plotë për greva dhe protesta. Kështu, vetëm po shndërrohen në zhvatës dhe shantazhues.
* * *
Të tjerët janë ata që i premtojnë nga miliard euro rimëkëmbje posa të vijnë në pushtet. Siç e tha më së miri Kujtim Dobruna në "Desku", në Kosovë nuk mund të ketë rimëkëmbje, sepse kurrë nuk pati mëkëmbje.
Efektet katastrofale të pandemisë në Kosovë gjatë këtyre thuajse 11 muajve kanë lënë shumë njerëz pa punë dhe shumë, shumë obligime të pakryera financiare. E kam shkruar sa herë, dhe më duhet ta përsëris prapë - po të mos ishte diaspora, këtë vend moti e kishte marrë lumi.
Vitin e mbijetuam falë ndihmës që vinte nga jashtë në formë injeksionesh të kohëpaskohshme se sa për ndihmën emergjente të shtetit, kishim mbetur në çerek të rrugës. Shtet i cili nuk është në gjendje të sigurojë vaksina; që i liron masat, teksa Evropa po kalon në valën e tretë të Koronës, duke u lavdëruar se e ka menaxhuar pandeminë për mrekulli...
Dhe mrekulli do të na premtojnë, duke nisur nga rritja e rrogës minimale, mundësisht pa e ndryshuar asnjë ligj tjetër që lidhet për pagën minimale në Kosovë. Ashtu që në formë indirekte t'i rrisin edhe krejt shtesat e mundshme që mund të lidhen për minimalen, e që i përfshijnë disa qindra mijëra përfitues që kanë "kokërr" për të qitur. A shitur, më mirë thënë.
Pas gjithë këtyre vjetëve, po shpresoj se votuesit kosovarë e kanë kuptuar se kot përmenden figurat historike, më kot premtohen miliarda e mirëqenie, për kot premtohen punësime - për shkak se krejt këto, pas secilës palë zgjedhje, i merr era.
Mbase do ta kemi kuptuar se premtimet e vogla, që mund të përmbushen, kur bëhen bashkë mund të sjellin diçka më të madhe. Diçka që do të ketë ndikim në përmirësimin e jetës sonë. Në amortizimin e fajdexhinjve që sa herë të nuhasin zgjedhje, kërcënojnë me greva, përderisa nuk ndiejnë as një grimë keqardhje për papërgjegjësinë e tyre.
* * *
Me luftën në KQZ e pa to, zgjedhjet do të mbahen. Me liderë a pa liderë, me tubime a pa to. Fakti se tashmë mbi 165 mijë veta kanë aplikuar për të votuar nga diaspora tregon se interesimi është shumë i madh. Do të jetë punë e vështirë të votohet në kohë pandemie, porse ata që e kanë ndërmend të dalin të votojnë do të dalin, pavarësisht faktit se në tollovi mund të përhapet virusi.
Votimi për shumëkënd do të jetë shpresa se ky veprim do të mund ta eliminonte atë virusin tjetër - keqqeverisjen kronike e cila na përcolli në jetë qe 20 vjet. Për tjetërkënd do të jetë shpresa e ruajtjes së komoditetit dhe sigurisë së krijuar këto dy dekada. Për nja 30 mijë të rinj, do të jetë rasti që ta mbajnë mend datën si një moment historik përnjëmend, që do t'ua rrëfejnë dikur nipave të tyre: pjesëmarrja e parë në zgjedhje në kohë të Mortajës me Kurorë, siç do ta quante shkrimtari.
Porse ndërkohë, mbesin edhe nja tri javë ditë ku premtimet do të jepen falas, për një grusht të madh votash.