Konsolidimi demokratik në sfond të autokratizimit – mundësitë dhe sfidat për Kosovën dhe rajonin
Duhet nënvizuar qysh në start: është një trend në rritje i gjithfarëlloj organizatash që mëtojnë të bëjnë matjen dhe vlerësimin e koncepteve prej më të ndryshmeve, herë serioze e herë abstrakte e qesharake. Kemi vlerësim për perceptimin e korrupsionit, por edhe për nivelin e lumturisë, për sundimin e ligjit, por edhe për konsumimin e pijeve alkoolike, për të drejtat e njeriut, por edhe për kafenë më të shijshme në botë, etj. Përveç telasheve mbi dakordimin universal se ç’kuptim kanë këto koncepte (p.sh. lumturia konceptohet ndryshe në Holandë e ndryshe në Ugandë apo në Butan), shtrohet pyetja se ç’është kjo ngarendje për toplista për gjithçka? Sfida jonë si audiencë është të identifikojmë matjet serioze nga ato për të cilat ky zanat është shndërruar në mani që argëton masat.
Sidoqoftë, shihet se ekziston një interesim në rritje për matjen, vlerësimin, pastaj renditjen, notimin, poentimin, indeksimin, pra futjen në kategori rigjide dhe të pakompromis të çdo koncepti apo përvoje njerëzore. Tërë këto kategorizime pastaj ilustrohen me grafe me ngjyra (dominojnë e verdha, e kuqja dhe e gjelbra) për ta bërë mesazhin sa më të thjeshtëzuar dhe më lehtë të pranueshëm për audiencën. Pse bëhet kjo? Sepse është një industri e tërë donatorësh e organizatash ndërkombëtare e vendore që përfitojnë nga gjenerimi i pafund i të dhënave të tilla. Natyrisht, matjet dhe studimet serioze – si ato për cilësinë e demokracisë, lirisë, apo të drejtave të njeriut - kanë rëndësi shumë të madhe për politikëbërësit apo akademinë. Por edhe këtu duhet të jemi vigjilentë ndaj thjeshtësimit të tepërt në interpretimin e koncepteve dhe përvojave njerëzore. Se përvojat tona si individuale, si ato shoqërore nuk munden thjesht të kompartmentalizohen në numra dhe ngjyra.
Nuancat e vlerësimeve duhet të zbërthehen tutje me studime të mirëfillta, gjë që na sjell te fokusi i këtij artikulli. Kohëve të fundit u botuan një sërë raportesh e indeksesh që bëjnë vlerësimin e demokracisë dhe lirisë nëpër botë. Më poshtë bëjmë një përmbledhje të tri organizatave të ndryshme, metodologjive të tyre të vlerësimit, dhe sintetizojmë gjetjet kryesore sa u përket Kosovës dhe rajonit.
Metodologjia dhe matja e demokracisë dhe lirisë
Varieties of Democracy (V-Dem) është një institut i pavarur kërkimor, i vendosur në Universitetin e Gothenburgut në Suedi. Zotëron ndoshta një nga metodologjitë më profesionale dhe akademikisht testuese në mesin e indekseve matëse. Për çdo vend të botës instituti merr vlerësimin e afro pesë studiuesve, të cilët në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri japin mendimet e tyre për aspekte të ndryshme të demokracisë në atë vend. Agregimi i vlerësimeve të tyre pastaj jep notimin përfundimtar për vendin përkatës. Sipas raportit të tyre vjetor që u botua para disa javësh, ”Defiance in the face of autocratization”, në spektrin demokraci-autokraci veçohen katër kategori:
- Demokraci liberale, që nënkupton demokraci elektorale ku shtyllat e pushtetit janë qartazi të ndara dhe ku të drejtat civile e barazia sociale janë të qëndrueshme;
- Demokraci elektorale, që nënkupton zgjedhje shumëpartiake, liri të asociimit, shoqëri civile e liri të shprehjes;
- Autokraci elektorale, që d.m.th. se ka zgjedhje shumëpartiake, por ato nuk janë patjetër të lira dhe fer, dhe mungojnë shumë nga lirinë e lartcekura;
- Autokraci të mbyllura, ku në vend të zgjedhjeve ka qeveri të centralizuara dhe ku të drejtat e njeriut dhe liritë e tjera janë vërtet të kufizuara.
Ngjashëm me V-Dem, edhe Freedom House lansoi rishtazi raportin e vet vjetor “Freedom in the World 2023”. E themeluar më 1941, “Freedom House” është organizatë e pavarur amerikane që promovon vlera liberale, e udhëhequr nga bindja se liria është derivat i drejtpërdrejtë dhe i kushtëzuar nga qeverisja demokratike dhe nën kushtet e llogaridhënies së mirëfilltë ndaj popullit. Raporti i mësipërm është jubilar, pasi që raporti i parë qe publikuar 50 vjet më parë, më 1973. Ky është raporti kryesor i “Freedom House” që bën vlerësimin e të drejtave politike dhe lirive të njeriut në çdo shtet. Varësisht nga performanca e shteteve, ato vlerësohen si vende të lira, pjesërisht të lira, apo jo të lira. Vlerësimi ka të bëjë me nivelin e lirisë, por edhe me cilësinë e demokracisë pasi që aty vlerësohen, në mes tjerash, procesi zgjedhor, funksionimi i ekzekutivit, liritë dhe të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit etj. Metodologjia e saj bazohet në vlerësimin individual të një studiuesi ekspert për vend përkatës. Analiza e studiuesit për lirinë dhe demokracinë e vendit në fjalë pastaj diskutohet, filtrohet me bordin e “Freedom House”, pas së cilës vjen gjer te dakordimi me notat përfundimtare për atë vend.
E fundit për vlerësim është International IDEA, organizatë ndërkombëtare, ndërqeveritare që promovon demokracinë nëpër botë. Produkti i saj, Global State of Democracy, ofron një metodologji mjaft komplekse me të dhëna nga një sërë institutesh, që bëjnë vlerësimin e disa komponentëve të sistemit demokratik si qeverisja reprezentative dhe mbikëqyrja e ekzekutivit, të drejtat fundamentale, paanshmëria e administratës dhe përfshirja e shoqërisë civile dhe e publikut në vendimmarrje. Notimi përfundimtar jep edhe kategorizimin përkatës për vendin: demokraci (me performancë të lartë, të mesme apo të ulët), regjim hibrid apo regjim autoritar.
Trendi në Kosovë dhe rajon
Kryetema e të gjitha këtyre studimeve është se demokracia nëpër botë është në rënie, në krizë apo në rrëshqitje e sipër drejt autoritarizmit. Për më tepër, ky është një trend i identifikuar tash e më se dhjetë vjet. Një numër në rritje qeverish e politikanësh – madje edhe në demokraci të konsoliduara si ShBA-ja nën Trumpin, apo Polonia e Hungaria – tregojnë tendenca të suprimimit të lirive të njeriut dhe të drejtave liberale, të shprehjes së lirë, të centralizimit dhe sekuritizimit të ekzekutivit. Por, në anën tjetër, vërehen shenja të betejës për demokraci, që si gjithmonë burojnë nga nevoja autentike dhe popullore për liri, në vende si Irani, Ukraina, Gjeorgjia, Birmania, etj.
spektrin autokraci-demokraci, rajoni i Ballkanit Perëndimor përgjithësisht vendoset në kategorinë e demokracive jo të konsoliduara. International IDEA vlerëson se rajoni kryesisht u takon demokracive, por që kanë performancë të ulët apo të mesme. V-Dem konsideron se shumica e vendeve janë demokraci elektorale (si Kosova) apo autokraci elektorale (si Serbia), kurse “Freedom House” vlerëson se rajoni si tërësi është pjesërisht i lirë. Pra, në përgjithësi rajoni ende nuk i takon klubit të demokracive të konsoliduara si shumica e Evropës. Ka punë për t’u bërë sidomos në shkëputjen definitive të interferimeve të ekzekutivit nga shtyllat e tjera të pushtetit, në të drejtat civile apo në lirinë e shprehjes.
në çfarë analizat e mësipërme po ashtu dakordohen është se në krahasim me rajonin Kosova është duke shënuar ngritje në cilësinë e demokracisë, dhe si e tillë është duke u veçuar nga vendet përreth. Janë duke u theksuar përmirësime në sundimin e ligjit, në luftimin e korrupsionit, në qeverisje të mirë, si dhe në promovimin e të drejtave të njeriut.
Në anën tjetër, Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë duke shënuar ndonjë përmirësim, por as përkeqësim. Pra, ka ngecje. Maqedonia e Veriut në përgjithësi shënon përmirësime minimale. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia shënojnë përkeqësime. Kjo e fundit renditet shpesh konsiderueshëm më ulët se vendet e rajonit. Tendencat e autokratizimit të theksuar janë evidente të Serbi.
Rruga përpara dhe kurthet
Gjetjet e studimeve të mësipërme tregojnë se Kosova është në rrugë të mbarë drejt konsolidimit të mëtejmë të demokracisë së saj dhe lirive të njeriut. Theksi duhet të vazhdojë të jetë luftimi i korrupsionit, sundimit i ligjit, si dhe përmirësimi i punës së gjyqësorit. Kujdes duhet të tregohet edhe ndaj lirive civile, relacioneve me mediat dhe shoqërinë civile. Gjithashtu duhet theksuar edhe nevojën e konsultimit gjithëpërfshirës gjatë procesimit të legjislacionit. Në këtë pikë ekzekutivi sidomos duhet të jetë i kujdesshëm, sepse në zellin e saj për përshpejtim të proceseve mund të ndodhë që të anashkalohen hisedarë të rëndësishëm, siç janë shoqëria civile apo mediat.
Përndryshe, rajoni vazhdon të pluskojë në ujëra mjaft të rrezikshme në mes të demokracisë dhe autoritarizmit. Serbia është lidere në rajon sa u përket tendencave autokratike dhe centralizimit të pushtetit. Maqedonia e Veriut dhe deri diku Mali i Zi janë më afër Kosovës sa u përket përmirësimeve të mëtejme demokratike. Në anën tjetër, Shqipëria nuk është larg tendencave autokratike si ato të Serbisë. Në fakt, Shqipëria aktualisht gjendet në mes të spektrit demokraci-autokraci në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova prin me rritje, ndërsa Serbia çalon në ngecje. Është në duar të Shqipërisë të vendosë rrugën që do ta trasojë për vete në të ardhmen. Të dhënat si ato të organizatave më lart, si dhe rruga më e mirë para, janë qartë të ravijëzuara.