Diletantizmi e ka dominuar politikën tonë që nga çlirimi. Sa koha e energjia është humbur, është për të ardhur keq. Në vend se t’i kishim qysh moti krejt këto që na mungojnë, pas secilës palë zgjedhjesh ne e nisim nga e para. Sepse kurrë një punë nuk ditëm ta çonim deri në fund. Në fakt, nuk deshëm
Kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e çliruar, i kisha 24 vjet më pak. Më saktësisht, ende nuk i kisha mbushur as 40 vjet.
Atëherë nuk e besoj nëse cilado prej partive politike madje edhe ka pasur program zgjedhor – apo edhe mbase ka pasur sa për sy e faqe. Por jam e sigurt se askush nuk ishte përqendruar te programet elektorale.
Të porsadalë nga lufta, me shumë humbje e vuajtje, nuk e besoj se kushdo do ta ketë besuar se vota e parë e këtillë do t’u jepte pushtet partive politike. Madje jam e bindur se me rëndësi qe se për herë të parë mund të dilnim të votonim pa frikën se dikush do të mund të na arrestonte dhe se për herë të parë e formonim një Kuvend me votë njëmend të lirë.
* * *
Atëbotë, vota qe ndarë në dysh: thuajse gjysma për LDK-në dhe gjysma tjetër për “partitë e dala nga lufta”.
Pra, ishte evidente se populli ishte ndarë në dysh: në ata që e njihnin Rugovën për udhëheqësin e Kosovës dhe ata që votonin kundër Rugovës, duke e ndarë votën mes Drenicës dhe Dukagjinit.
Zgjedhjet e para na e treguan se çfarë shije do të kishte funksionimi i një qeverie koalicioni të imponuar, me një kryeministër të zgjedhur nga “miqtë ndërkombëtarë”, që nuk e donin Hashim Thaçin në atë post.
Kuvendi i parë do të ishte më i çuditshmi, ngase do të kishte madje 22 deputetë nga radhët e komunitetit serb – për shkak se pos vendeve të rezervuara, fituan ulëse edhe ata që e kalonin pragun brenda partisë me të cilën kishin garuar. Pra, prej 120 deputetëve, madje 33 sish ishin joshqiptarë, pra më shumë se 25%, pavarësisht se kjo shifër ishte në shpërputhje me zbërthimin etnik të popullatës.
Qeveria e parë do të ishte më e vogla, pa zëvendësministra, dhe me pushtet shumë të kufizuar. Nga ajo nuk mund të priteshin mrekulli, por megjithatë, në njëfarë forme, ajo në bashkëpunim me UNMIK-un i vuri themelet e administratës civile e publike të Kosovës, me shumë çalime e probleme. Po diku duhej nisur.
* * *
Kjo qe e para legjislaturë që e nisi dhe e përfundoi mandatin e plotë, që sipas Kornizës Kushtetuese ishin tre vjet. Qeveria gjithashtu e çoi mandatin deri në fund, megjithëse më 2004 e përjetoi krizën më të madhe të sigurisë në trazirat e marsit (as pas 20 vjetësh, unë sinqerisht ende nuk e kam të qartë se kush i nisi, pse i nisi, e as pse ishte aq i ngathtë reagimi i trupave të KFOR-it gjithandej. Se për policinë e UNMIK-ut e kam të qartë: policët e huaj që shërbenin aty kishin ardhur madje edhe nga pensionimi për të marrë rroga të mira, pra pse do të duhej të rrezikonin gjë për ne?).
Mandati përfundoi siç parashihej dhe më pas vijuan zgjedhje pas zgjedhjesh, prej të cilave vetëm dy pas skadimit të mandatit “kushtetues” (2004 dhe 2007) dhe pesë të tjera që u quajtën të parakohshme (2010, 2014, 2017, 2019, 2021).
Këto zgjedhje tash janë të parat që mbahen pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar.
* * *
Po qe se edhe legjislatura që do të dalë nga këto zgjedhje do t’i mbijetojë katër vjet mandat, në kohën e zgjedhjeve të radhës, zyrtarisht do të duhej të pensionohesha.
E imagjinova për një çast situatën thuajse ideale për t’u tërhequr nga puna e pandërprerë katërdekadëshe. Natyrshëm, thuajse u vetëkrijua një listë dëshirash, që në esencë janë të drejta, e që mohohen në Kosovë shumë moti.
Pra, për kur të dal në pension, dua që të kem:
• sigurim shëndetësor (ani që uroj të mos kem nevojë për të);
• sigurim social nëpërmjet të cilit rregullohet sistemi i shtesave për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë
• sigurim pensional prej nga do ta marr një pension të dinjitetshëm;
• mundësinë të jetoj normalisht në lagjen time, pa pasur nevojë të pi hapa për qetësim për shkak të zhurmës;
• mundësinë të udhëtoj në secilin cep të Kosovës me tren zviceran, e jo me vagonët me të cilët na bartën si bagëtinë për në Bllacë;
• mundësinë që ta dëgjoj “Carmenin” në ndërtesën e Operës së Kosovës;
• rastin ta shikoj një ndeshje të kombëtares së Kosovës në futboll në Malishevë a Ferizaj;
• ajrin e pastër që nuk do të ndotet nga veturat që perëndimi i heq qafësh;
• mundësinë që në park të shoh fëmijë e të rinj tek lexojnë libra;
• shansin të kuptoj se rroga minimale në Kosovë është 1000 euro
• kënaqësinë të shoh se si buxheti i shtetit tim nuk bëhet copë e grimë me pagesa të vogla që për detyrë të vetme e kanë krijimin e parazitëve...
* * *
Lista e dëshirave është shumë më e gjatë dhe objektivisht janë lehtë të realizueshme, porse këtu nuk ka vullnet për një punë të tillë, e këtë e kanë dëshmuar të gjitha qeveritë deri tash.
Kurrkush, absolutisht kurrkush, nuk na e ka ndaluar t’i krijojmë sistemet shëndetësore, sociale apo pensionale. Tash pas thuajse 25 vjetësh, po shihet qartë se këto segmente janë lanë të patrajtuara dhe të pazgjidhura qëllimisht, për shkak se përherë kanë shërbyer për pasurim legal apo ilegal, dhe për një diçka që nuk ka qeveri që nuk e ka bërë: për blerjen e votave.
Tash do të jetë shansi për të gjithë që të dalin e të na tregojnë se këto sisteme do t’i vënë në funksion për disa muaj. Dhe kjo mund të bëhet pa pasur nevojë të na gënjejnë, sepse në kohën e teknologjisë së avancuar, madje edhe truri më pak i avancuar, me inerci lëvizë përpara. Nëse do, natyrisht.
Për herë të nëntë brenda thuajse një çerekshekulli do të dal të votoj.
Jo rrallë e kam ushtruar të drejtën time që ta prishi votën, për shkak se nuk kisha kë ta votoja. Kësaj radhe do të pres deri në fund të fushatës – të dëgjoj se çfarë ofrojnë ata që e aspirojnë pushtetin, pavarësisht se gjysmën duhet hedhur, sepse a priori e di se është rrenë.
Por, nëse bile dikush e kupton se lista ime e dëshirave nuk është gjë tjetër pos kërkesës për realizimin e një të drejte për jetë të dinjitetshme dhe nëse këtë do të dijë ta elaborojë bindshëm, gjasat janë se do ta ketë votën time.
Diletantizmi e ka dominuar politikën tonë që nga çlirimi. Sa koha e energjia janë humbur, është për të ardhur keq. Në vend se t’i kishim qysh moti krejt këto që na mungojnë, pas secilës palë zgjedhjesh ne e nisim nga e para.
Sepse kurrë një punë nuk ditëm ta çonim deri në fund.
Në fakt, nuk deshëm.