Është për çdo kritikë dështimi i gjithë një shoqërie për t'i mbledhur faktet dhe dëshmitë e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Qe 22 vjet dëgjojmë se në Kosovë ka rreth 13 mijë të vdekur; rreth 100 mijë shtëpi të djegura; që kanë ndodhur rreth 400 masakra. E vetmja gjë që dihet sagllam është numri i veteranëve që marrin pensione, porse edhe kur duhet folur për ushtarët e UÇK-së, do të thuhet se kanë qenë diku rreth 25 mijë...
Quo Vadis, Aida? dështoi ta fitonte “Oskarin” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, porse përfundimisht, po ta kishte fituar do ta kishte të merituar. Përshkrimi absolutisht rrëqethës për masakrën më të madhe që ka njohur Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore, edhe pse në film nuk ka asnjë pikë gjaku e as pamje masive kufomash, u paketua mjeshtërisht nga regjisorja Jasmilla Zhbaniq.
Nuk u shpërblye me statujë, porse populli i regjisores u "shpërblye" me një aktgjykim njëmend historik, që e vërtetonte dënimin me burgim të përjetshëm të gjeneralit kriminel serb, Ratko Mlladiq, për shkak se u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të luftës.
Dënimi i Mlladiqit u bë i plotfuqishëm gati 26 vjet pasi që urdhëroi që të vriteshin krejt djemtë e burrat myslimanë që mund të ziheshin. Brenda 11 ditësh, gjithsej 8.372 persona u vranë. Dhe për më keq, ende nuk janë gjetur mbetjet mortore të të gjithëve.
Boshnjakët patën arsye mbase jo për të festuar, ngase të vdekurit e tyre nuk ka kush t’i kthejë më në jetë, por gjithsesi për ta ndier një lloj prehjeje për shkak se këtij krimi, më në fund, iu dha emri i duhur: gjenocid.
Reagimet nga ana e serbëve natyrisht se ishin të pritshme. Thuajse të gjithë zyrtarët u çuan për të thënë se dënimi nuk ishte individual ndaj Mlladiqit, porse me të po dënohej populli serb. Dhe për të thënë se Mlladiqi nuk është kriminel, por është hero. I popullit bile.
Ngushëllimi më i madh për familjarët e viktimave është se xhelati që ua vrau fëmijët dhe bashkëshortët do të vdesë aty ku e ka vendin: në burg.
* * *
Kosova me gjasë nuk do ta përjetojë këtë satisfaksion, ngase xhelati i shqiptarëve vdiq në paraburgim para 15 vjetësh. Ka kohë që flitet për mundësinë e padisë që do të mund ta bënte Kosova kundër Serbisë për gjenocid. Porse Kosova i rreket kësaj pune vonë, shumë vonë.
Është për çdo kritikë dështimi i gjithë një shoqërie për t'i mbledhur faktet dhe dëshmitë e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Qe 22 vjet dëgjojmë se në Kosovë ka rreth 13 mijë të vdekur; rreth 100 mijë shtëpi të djegura; që kanë ndodhur rreth 400 masakra. E vetmja gjë që dihet sagllam është numri i veteranëve që marrin pensione, porse edhe kur duhet folur për ushtarët e UÇK-së, do të thuhet se kanë qenë diku rreth 25 mijë...
Krejt qeveritë që e kanë sunduar këtë vend i kanë pasur mundësitë për ta bërë këtë punë në formë institucionale dhe nuk e kanë bërë. Kemi lejuar si popull që përmbledhjet më të mira për krimet e luftës dhe për pasojat e tyre t'i bëjë Fondi i Natasha Kandiqit - e që këtë punë të mos e bëjmë vetë, nëse për askënd tjetër, atëherë për viktimat ndaj të cilave e përmbushim obligimin një apo dy herë në vit me nga një buqetë lulesh.
Turp për të gjithë ne, për shkujdesin absolut dhe për vonesën dydekadëshe. Druaj se edhe po të nisim një procedurë tash për ta paditur Serbinë, do të mbetemi në gjysmë të rrugës.
* * *
Ndërkohë në Kosovë, pas lehtësimit të masave anti-Covid, çuditërisht na kanë rënë shifrat e të infektuarve dhe të viktimave të virusit. Se a bën vaki se e kemi arritur imunitetin e tufës, atë nuk e di. Atë që e di është se unë ende jam duke e pritur radhën për t'u vaksinuar, pra në pritje të atyre 500 mijë dozave që supozohet se duhen të arrijnë javën që vjen.
U bënë 15 muaj të gjatë vetëpërmbajtjeje dhe disipline për ta shmangur virusin dhe për t'i luftuar të gjitha krizat që i ka shkaktuar pandemia. Sa më shpejt që e kryejmë vaksinimin, aq më shpejt, ne shumica, do të mund t'i kthehemi normales.
Ndërkohë ata që i janë kthyer normales moti janë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Nuk po e lënë asnjë javë pa e thirrur një interpelancë apo pa u shtyrë me fjalë e "poezi" në sallën plenare të Kuvendit.
Dje opozita kishte kërkuar nga Kurti që të dalë e të shpjegojë se çfarë do të bëjë me çështjen e dialogut, i cili rinis të martën që vjen.
E pabesueshme u tregua opozita, e cila i ngriti si çështje për brengë, ama bash secilën gjë të cilën vetë e ka bërë e përkrahur derisa ka qenë në pushtet. Duke nisur nga platforma për dialogun e deri te Zajednica. Është njëmend mahnitëse të shohësh se me çfarë shpejtësie mund t'i kaplojë amnezia ata njerëz që: e kishin përkrahur shefin e tyre, Thaçin, në nisjen e dialogut pa platformë; që ai të vepronte krye më vete, pa raportuar kurrë në Kuvend; e kishin votuar ligjin me të cilin e ratifikuan Zajednicën, dhe e votuan një delegacion, ode të burrave, (që doli të jetë antikushtetues), për t'ia dhënë alibinë Thaçit, për krejt marrëveshjet që i arrinte me Vuçiqin.
Tash përnjëherë pushteti i tanishëm akuzohet për takime në Bruksel, për shkak se Kurti kishte premtuar se nuk takohet me Serbinë pa u kthyer të pagjeturit dhe pa kërkuar Serbia falje. Pra nuk e bëri as njërën e as tjetrën, dhe i shkeli premtimet zgjedhore për të cilat borxhin duhet t'ia kërkojnë votuesit e tij.
Porse e besoj se edhe opozita e di se Kosova nuk është në pozicion me vënë kushte. Për shkak se dëmin në procesin e dialogut tashmë e ka bërë Thaçi, i cili ka lejuar që të flitet për gjithçka, edhe për gjërat që, sipas Kushtetutës sonë, do të duhej të ishin të mbyllura.
E se negociatat kanë nevojë edhe për platformë, edhe për strategji, e edhe për konsensus, nuk ka asnjë dyshim. Kemi humbur shumë, edhe kohë e edhe mundësi financiare, për shkak se ata që e kishin monopolizuar pushtetin me dekada nuk e kishin pasur Kosovën prioritet.
* * *
Mbrëmë nisi Evropiani i futbollit, i cili u shty vjet për shkak të pandemisë. Nëse mund të thuhet se kjo është punë e mirë, atëherë e mira e këtij kampionati është se do ta shikoj pa asnjë siklet të vetëm, meqë as Kosova e as Shqipëria nuk luajnë në të.
Vlerësohet se ky mbase do të jetë kampionati më i fortë, për shkak se janë nja gjashtë a shtatë përfaqësuese që janë shumë cilësore dhe që kanë zhvilluar harmoni ekipore. Sidoqoftë, për ta bërë garën më simpatike këtu në kompani, unë po përcaktohem për Belgjikën si fituese, ani që e ka, më duket, ekipin më të moshuar.
Sot para 22 vjetësh nuk ka pasur ngjarje sportive që do të meritonte një përcjellje më pak sipërfaqësore. Edhe po të kishte pasur, kush nuk ishte mërzitur për atë punë. Për shkak se atë ditë Kosova kishte shpërthyer në gëzim. Gëzimin ia solli NATO-ja, kur hyri me trupat e veta tokësore në Kosovën gjysmë të zbrazur dhe të përvuajtur.
Për ata që e kishin mbijetuar bombardimin në Kosovë, ishte mbase dita e parë normale që e kishin jetuar pas 78 ditësh.
Për ata që kishin mbijetuar në Prishtinë, hyrja e NATO-s ishte çlirimi nga vrasësit serbë që u ndien edhe më të lirë për të vrarë kur rusët hynë në kryeqytet më 11 qershor.
Për ne që nuk ishim në Kosovë, ishte dita e shpresës më të madhe se më në fund të ktheheshim në shtëpi. Të gjithë ne, shumë pak do të dinim se do të ishim në gjendje ta shkatërronim madje edhe atë që nuk arritëm ta rindërtonim si duhet.
Porse fjala e vjetër thotë, shpresa vdes e fundit. Ashtu vazhdoj të mendoj, edhe pas gjithë këtyre vjetëve. Se duhet të bëhemi shtet më në fund.
Prandaj të gjithë lexuesve të zgafellës, gëzuar Dita e Çlirimit!