Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet t’i konsiderojë besimtarë vetëm ata që frekuentojnë tempullin apo që mbajnë në sfond të çdo paraqitjeje publike “zemrën” e partisë. Por as tradhtarë ata që largohen dhe drejtësinë e mbrojnë me logo tjetër. Duhet ta dijë se prurjet e vazhdueshme dhe pa kriter, me qëllim të rritjes së fuqisë së saj, kanë kosto. Manipulimi për përfitim është i dyanshëm dhe kjo duhet të kuptohet si pazar i palëve e assesi ndjenjë e dashurisë për Lëvizjen
Nuk do të humbim kohë vetëm në promovimin e temave, por do të punojmë në zgjidhjen e problemeve. Kjo, pak a shumë, ishte deklarata e njërit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, në ditën që ai dhe disa të tjerë braktisën Vetëvendosjen dhe formuan grupin e pavarur parlamentar prej 12 vetash. Rrugët e ndjekura dhe ritmi i ecjes do të duhej të ishin thelbi i mosmarrëveshjeve në mes “tradhtarëve” dhe “patriotëve” të saj, që kishin zënë fill shumë kohë më parë e që shpërthyen tek në vjeshtën e vitit të kaluar.
Ndarja e Vetëvendosjes është përfundim logjik, ani që largimi i përnjëhershëm i më shumë se një të tretës së deputetëve dhe i dy nga tre kryetarët e komunave nuk i ka bërë vaki asnjë subjekti politik në Kosovë.
Një strukturë heterogjene që insistoi të vendosë rregulla të rrepta, të ngjashme me të majtën ekstreme, është dëshmuar se e ka të pamundur qëndrueshmërinë afatgjate, sidomos në një vend që ka krijuar traditën e të vepruarit plural, jo vetëm organizativ, por edhe të ideve e veprimeve. Ky realitet politik dhe juridik e bën të pamundur një marrëdhënie të tillë sociale e të përgjegjësive çfarë është instaluar ndër vite në Vetëvendosje.
Ajo çfarë e bëri të vështirë bashkëjetesën janë edhe detyrat e shtëpisë, që kërkojnë pastërti, disiplinë, qëndrueshmëri, vetëmohim, besa edhe dije. Me hedh gaz lotsjellës, koktej molotovi, gur e kubëza betoni, me u shkarravitë me dhe nga policë, e me u mbajt me orë e me ditë në qendrat e ndalimit e të paraburgimit, nuk është se e pëlqen secili. Hiç se hiç, kur kjo duhet të bëhet shpesh. E aq më pak në një rrethanë më ndryshe se ajo e provuar nga shqiptarët e Kosovës në vitet ‘80 e ‘90, kur nuk luftoheshin fenomenet si korrupsion, krim i organizuar, kapje, nepotizëm... , por largim nga puna, largim nga shkolla, aparteid, segregacion, vrasje, dhunim, burgim, gjykim e dënim.
Djemtë dhe vajzat që tash kanë krijuar një afirmim publik, qëndrueshmëri ekonomike, një vend pune me të ardhura gati ekuivalente me pagat e vendeve në Perëndim, mundësi të qasjes në vendet e ndryshme të botës për punë e për qejf, me mundësi të rritjes së potencialeve profesionale e afariste, nuk është se shfaqin shumë nevojë të ushqehen nga ideologjitë dhe të frymëzohen nga teoritë filozofike e sociologjike, pos nëse ato prekin zanatet e tyre. Nuk lodhen se si janë konceptuar shteti, kombi, sovraniteti e vetëvendosja. Se si janë luftuar padrejtësitë përgjatë historisë e si janë krijuar heronjtë.
Për t’u shkarravitur në pikë të ditës, pasi të kesh bërë dush të ngrohtë, të kesh ngrënë mëngjes, të kesh pirë dy kafe, t’i kesh postuar disa foto në rrjetet sociale dhe të kesh planifikuar për fund edhe një dalje “shokë e shoqesh” në mbrëmje, duhet të kesh motiv shtesë, përveçse të jesh i pakënaqur me qeverisje. Pra, kjo mund të bëhet më e lehtë vetëm nëse ndihesh i rrezikuar materialisht, i fyer emocionalisht dhe i lënduar fizikisht. Për të mos pasur dilema për veprimet që i ka projektuar partia, të duhet edhe një motiv personal krahas atij kolektiv - dëshirën për të marrë pushtetin dhe për t’i ndëshkuar ata që t’i kanë shkaktuar këto vuajtje.
A kanë bërë mirë ata që ikën pasi siguruan mandatet në Kuvend dhe Komuna nën firmën e VV-së?
Për disa nga drejtuesit e mbetur në parti kjo nuk është shumë e dhimbshme, meqë në mungesë të këtyre autoriteteve mundësitë e promovimit në parti janë më të mëdha. Por, për simpatizantët e kësaj partie, të atyre që kanë mbajtur shpresën se mund ta ndalin të keqen dhe t’i japin kurs të ri drejtimit të shtetit, është goditje e madhe.
Por, pavarësisht “pabesisë”, dhe “lojës së pistë”, pjesa e mbetur e VV-së duhet të tregohet më racionale dhe më e përmbajtur. Edhe Vetëvendosja si koncept nënkupton parimin bazë të të drejtave të njeriut. Pra, nuk i referohet vetëm të drejtës së popujve, por edhe të individëve për të vendosur për fatin e tyre.
Nga kjo premisë është e papranueshme që një subjekt që mban këtë emër t’ua mohojë të drejtën anëtarëve të saj të shfrytëzojnë këtë të drejtë universale. Nëse nuk gjen forcë t’u falënderohet për kontributin, të paktën të mos i fyejë e t’i lëndojë për braktisjen.
Ngase, ikja e një pjese të madhe të protagonistëve politikë mund të përkthehet me reformë. Është mesazh për këtë lëvizje se duhet të heqë dorë nga rregullat e “hekurta” dhe nga pragmatizmi deklarativ. Diskursi “përjashtues” nuk tremb vetëm të fajshmit, por edhe të pafajshmit, e edhe ata që potencialisht mund t’i bashkoheshin asaj.
Veprimet “luftarake” në kohë paqeje e bëjnë të vështirë marrëdhënien sociale brenda partisë. Partia nuk duhet të mburret se për të qenë me të dhe brenda saj të duhet t’i sfidosh trupin, mendjen dhe shpirtin. Përkundrazi. Ajo duhet të jetë vetëm një udhërrëfyes, një urë bashkimi për ata që përqafojnë programin e saj.
Nuk mundet partia t’i cenojë privatësinë askujt për sa kohë që nuk bie ndesh me ligjin, nuk dëmton interesin, së pari të vendit e tek në fund edhe të partisë. Nuk mundet partia të kërkojë nga aktivistët e saj të sakrifikojnë jetën publike në favor të jetës partiake. Organizimi partiak, që edhe ashtu është organizim vullnetar, duket të konsistojë në të drejtën e mbështetësve që të jenë të lirë në ushtrimin e së drejtës për punë, për shoqërim, për investime në karrierë e në ekonomi familjare dhe afariste. T’u lejohet që angazhimi i tyre në parti të jetë sekondar, gati në nivelin e aktiviteteve të lira. Nuk ka kuptim që strukturat e partisë të shtrihen deri në lagje e familje si të ishte rrjet spiunazhi i ngjashëm me ato të sistemeve diktatoriale, dhe kjo shtrirje t’i mbajë “peng” aktivistët. Partisë, aq më tepër që është në opozitë dhe nuk ka hipotekë akuzat për keqqeverisje, nuk i duhen shtabe gjigante për propagandë e as shtabe ku duhet të raportojnë një nga një të gjithë ata që bartin funksione publike.
Partitë demokratike duhet të kenë edhe marrëdhënie të brendshme demokratike. Duhet të ketë pluralizëm të ideve dhe të shprehurit. Do të duhej të ishte krejt normale, madje vlerë e shtuar e një shoqërie demokratike, nëse një deputet të mos ketë gjithmonë qëndrimin e njëjtë me të grupit të tij politik. Do të ishte vlerë e lirisë së të shprehurit kur një deputet përplaset fort në Kuvend me kolegët e partisë së tij. Integriteti i deputetëve, i politikanëve e i aktivistëve fuqizohet vetëm nëse kauzë e tyre është interesi i qytetarit e jo partia.
Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet t’i konsiderojë besimtarë vetëm ata që frekuentojnë tempullin apo që mbajnë në sfond të çdo paraqitjeje publike “zemrën” e partisë. Por as tradhtarë ata që largohen dhe drejtësinë e mbrojnë me logo tjetër. Duhet ta dijë se prurjet e vazhdueshme dhe pa kriter, me qëllim të rritjes së fuqisë së saj, kanë kosto. Manipulimi për përfitim është i dyanshëm dhe kjo duhet të kuptohet si pazar i palëve e assesi ndjenjë e dashurisë për lëvizjen.
Për një forcë politike me program dhe vizion nuk çojnë peshë numrat. Mbështetës të saj mund të bëhen edhe ata që nuk i ka në lista.