OpEd

Patetikët kërcënues

Duke e pasur parasysh moshën e Simiqit, fjalët që i thotë nuk e besoj se i kupton. Sepse kur ka ndodhur represioni masiv, vrasjet në rrugë, suprimimi i autonomisë, okupimi, përjashtimet masive nga puna, mbyllja e shkollave, mediumeve e institucioneve kulturore shqiptare, ky ka qenë nja 3-4 vjeç. Dhe kur është rritur, është gjetur dikush si mentori i tij, Vuçiqi, ministri i qeverisë fashiste të Millosheviqit t’ia arsyetojë secilin veprim antishqiptar që është ndërmarrë prej kohës kur idhulli i kryetarit aktual të Serbisë kishte hipur në pushtet

Ngjarja e javës, pa dyshim, qe dhënia e betimit e kryetarit të porsazgjedhur të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kaloi me dy gjëra që do të mbahen mend: me betimin para Kuvendit komunal, në prezencën edhe të nënkryetares serbe në këtë përbërje dhe me faktin që për herë të parë që nga pavarësia, në ndërtesën e komunës valonte flamuri shtetëror i Kosovës.

Pra historia e këtij betimi shkon prapa te refuzimi i serbëve për t’i kthyer targat ilegale në ato RKS. Atëherë, përpjekja legjitime e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitetin dhe për futjen në rend edhe të veturave që qarkullojnë në territorin e Kosovës, u quajt presion nga Beogradi dhe masha e saj në Kosovë “Lista Srpska”.

Në një veprim, me të cilin besoi, është llogaritur se do të jetë mjet shtesë shantazhi në procesin e negociatave, “Lista Srpska” vendosi t’i tërhiqte krejt përfaqësuesit e vet nga institucionet. Njëkohësisht, ushtroi edhe presion te të gjithë serbët në polici, gjyqësi e administratë që të tërhiqeshin dhe ta bojkotonin shtetin të cilin nuk e njohin, por në të cilin jetojnë e punojnë.

* * *

U tërhoqën, mbajtën miting me fjalime patetike, duke e përsëritur, si pllakë e vjetër e grithur, se si u shkeleshin të drejtat, si po ushtrohet presion në ta, se si shteti i tyre është Serbia dhe se si Kosova është shtet i rremë.

Shkuan aq larg saqë nisën të marrin dekorata për “aktin heroik” të tërheqjes nga institucionet, drejtpërdrejt nga kryetari i Serbisë. Pra njeriut i cili i ngreh penjtë dhe i trajton pjesëtarët e kombit të vet në Kosovë si marioneta, të cilët i përdor për punë të vetat, e jo për mirëqenien e tyre.

U shpallën zgjedhjet, se kështu e kërkojnë Kushtetuta e ligji. U bë përjashtimi. Osmani i shtyu zgjedhjet, porse këtë e bëri vetëm një herë – dhe meqë serbët vazhdonin të refuzonin të ktheheshin aty ku ende kishin mundësi për t’u kthyer, zgjedhjet duheshin mbajtur.

Dihej që nga fillimi se zgjedhjet do të bojkotoheshin nga serbët. Dihej se do të fitonin shqiptarët, ngase ligji nuk parasheh prag pjesëmarrjeje. Pra, vota e disa qindra njerëzve, nxori fituesit, që a priori, do ta kenë shumë, shumë vështirë ta kryejnë punën e tyre për shumë arsye.

* * *

Deklarata më bombastike pas dhënies së betimit nga Atiqi, qe ajo e Igor Simiqit, nënkryetarit të “Lista Srpskas”: “Populli nuk mund ta tolerojë regjimin e Albin Kurtit. Ne japim një afat deri më 1 qershor për të ndaluar represionin e popullit dhe sekuestrimin e tokave dhe shpronësimet e rreme, arrestimet dhe aktakuzat e rreme. Të ndalet persekutimi, sepse nëpër kazamatet në Kosovë dhe Metohi ka serbë të pafajshëm. Për të ndaluar mohimin e të drejtave themelore si trajtimi shëndetësor dhe arsimimi. Nëse këto veprime vazhdojnë, përgjigjja e popullit serb do të vijë më 1 qershor, ne do të mbrohemi me të gjitha mjetet.

Në fillim duam të theksojmë se me përpjekjet e Serbisë dhe të gjithë popullit arritëm të ruanim paqen dhe ta pengojmë popullin të reagojë ndaj regjimit të Albin Kurtit dhe me këtë ngjarje zyrtarisht filloi okupimi i veriut të Kosovës. Por ka një fillim dhe një fund. Do të përfundojë kur të zgjedhin serbët. Theksoj se jemi të përkushtuar ndaj paqes. Paqja u ruajt me ftesë të Aleksandër Vuçiqit, veçanërisht për zgjedhjet. Fatkeqësisht, përveç Serbisë, Vuçiqit dhe popullit serb, nuk shohim se dikush dëshiron ta ruajë paqen. Megjithatë, durimit i ka ardhur fundi...’

Pra, prej gojës së përfaqësuesit serb dëgjohen termat regjim, okupim, vetëpërmbajtje, durim, rezistencë. Ajo që nuk befason në këtë diskurs është kërcënimi se do t’u qasen armëve në çastin që i urdhëron Vuçiqi, natyrisht. Dhe kjo në emër të “mbrojtjes”.

Kur lexon se çfarë ka thënë ky njeri, ta merr mendja se në Kosovë i ke 100 mijë policë me uniforma kamuflazhi, me stema të shëmtuara, me shamia në ballë apo në krah, që nga të sillen i rrahin e maltretojnë kalimtarët e rastit që qëllojnë të një kombësie specifike. Të bën të mendosh se për çdo ditë të lume këta policë i ndalin veturat dhe për t’ua falur “gabimet e fajet” vozitësve ua marrin paratë e një rroge mujore, “për një kafe”. Ta merr mendja se krejt burgjet hetuese në të gjitha qytetet më të mëdha janë përplot me të rinj e të reja që jo rrallë dalin të përgjakur prej aty. Kur e dëgjon këtë njeri, i paramendon krejt gjykatat e qyteteve më të mëdha që gjykojnë grumbuj njerëzish për një delikt verbal, d.m.th., për një fjalë goje për të cilat i hanë nga një dekadë burgim.

Tek e dëgjon këtë diskurs, e paramendon se me mijëra minatorë dalin e marshojnë rrugëve duarthatë, në kërkim të barazisë, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës është i rrethuar me tanke dhe i mbikëqyrur me aeroplanë nga qielli, për të treguar se po nuk votove siç të urdhërojnë, të shkon edhe koka edhe familja edhe krejt çka ke.

* * *

Duke e pasur parasysh moshën e Simiqit, fjalët që i thotë nuk e besoj se i kupton. Sepse kur ka ndodhur represioni masiv, vrasjet në rrugë, suprimimi i autonomisë, okupimi, përjashtimet masive nga puna, mbyllja e shkollave, mediumeve e institucioneve kulturore shqiptare, ky i ka qenë nja 3-4 vjeç. Dhe kur është rritur, është gjetur dikush si mentori i tij, Vuçiqi, ministri i qeverisë fashiste të Millosheviqit t’ia arsyetojë secilin veprim antishqiptar që është ndërmarrë prej kohës kur idhulli i kryetarit aktual të Serbisë kishte hipur në pushtet.

Kur përdorin fjalë kaq të mëdha, si puna e këtij Simiqit, e bëjnë këtë se e kanë “me të ndime”, sepse idenë nuk e kanë se çfarë do të thotë represioni, okupimi, vetëpërmbajtje, durim e rezistencë – për shkak se populli të cilit i përket ai, përherë ka qenë në anën e kundërt të të shkelurve, ka qenë ai i cili ka shkelur, madje edhe ata që i ka pasur të fisit.

Në kohën të cilën po flas e të cilën e kemi mbijetuar, ishim ne, 90% e popullsisë që me dhunë u nënshtruan nga 10% e popullsisë së Kosovës, sepse ata i patën pasë edhe nja 6 milionë të tjerë që tash po del, e bëjnë shtetin e tretë në botë për nga numri i armëve që mbajnë në shtëpi.

E ky nuk është fakt që do ta ketë shpikur ndokush, por është fakt zyrtar ndaj të cilit ka tri javë me radhë që protestojnë me kilometra njerëzish nëpër rrugët e Beogradit. Për shkak se edhe ata vetë e kanë kuptuar se arsenali i grumbulluar që nga koha e Titos, e më pas zgjeruar gjatë luftërave të përgjakshme që i nisi dhe i humbi Serbia, u kanë sjellë vdekje jo vetëm të tjerëve, por edhe vetë popullit të tyre.

Por ky fakt është ai i cili ia mundëson një zyrtari të papërgjegjshëm partiak që të kërcënojë me armë, si pjesë e “të gjitha mjeteve” me të cilat do ta luftojnë “represionin” ndaj serbëve. E keqja në gjithë këtë situatë është se nuk ka asnjë reagim të vetëm nga zyrtarët ndërkombëtarë, që do të mund të tingëllonin bile si qortim. Nuk e kam as dyshimin më të vogël se po qe se ndonjë shqiptar do ta thoshte këtë, i pari që do të vajtonte e viktimizohej do të ishte Vuçiqi, e menjëherë pas tij do të reagonin Borrelli bashkë me Lajçakun. Thuajse nuk e kanë kuptuar me rastin e Putinit, se mjafton një budalla që ta ndezë një luftë.

* * *

Serbët thonë se do të kthehen në institucione në çastin që të themelohet Zajednica, ashtu siç e duan ata vetë, dhe atëherë kur nga veriu të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Vazhdojnë të mos e pranojnë shtetin e Kosovës, por beneficionet që ua ofron ky shtet, nuk i refuzojnë. Përkundrazi, i shfrytëzojnë në maksimum, dhe ende ankohen.

Do të kujtojmë se janë njerëz që ka mbi 24 vjet që nuk paguajnë as rrymë, as ujë, as asnjë gjë të vetme. Thuajse dikush ua ka borxh. E janë edhe po ata njerëz që pos që marrin paga nga sistemi i shtetit që nuk e njohin, marrin paga edhe nga shteti që thonë se i përkasin. Dhe çfarëdo përpjekje për t’i hequr nga lista, apo për t’i detyruar që t’i paguajnë obligimet komunale, quhet “represion”.

* * *

Është lojë e fatit dhe ironi e tmerrshme, që në ditën kur një politikan lokal serb çohet e flet për represionin e okupacionin, shënohet përvjetori i 24-t i masakrës së Dubravës. Pra, i Burgut të Sigurisë së Lartë, aty ku Serbia pa asnjë pikë turpi kishte propaganduar se krimi ishte kryer nga bombarduesit a NATO-s. Masakra, që i mori 160 jetë dhe i la mbi 300 njerëz të plagosur, qe një ndërmarrje që zgjati 5 ditë të plota torturë e vrasje.

E ky njeri çohet e flet për represion e mbrojtje me të gjitha mjetet edhe në ditën kur Prokuroria Speciale bën të ditur se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj një rezervisti serb që ka kryer krim lufte, kur me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, seksualisht e ka dhunuar një shqiptar.

E çifti i Simiqit çohet e flet për represion e jep ultimatume dhe në fund kërcënon. A bash askush nga perëndimi nuk do të reagojë me një ngrehje veshësh për këtë patetikë kërcënuese?

[email protected]