Sipas vlerësimit të raportit të dalë dje, del se në pjesën e parë të 2024-s, do të largohen mbi 350 mijë njerëz, që po më duket shifër tepër e lartë. Kosovarët nuk janë të vetmit që emigrojnë, dhe sado që Evropa është e madhe, nuk e di nëse pos të gjithë të tjerëve që vijnë nga Afrika, Azia e Amerika Latine, do të ketë vende pune edhe për kosovarët e ballkanasit e tjerë që do të duan të largohen nga vendet e tyre të origjinës
Pas sulmit terrorist në Banjskë, përherë e më shumë flitet e përflitet mundësia e shpërthimit të një lufte në Ballkan, posaçërisht në Bosnjë e Kosovë. Nuk kanë qenë të rralla deklaratat e zyrtarëve tanë politikë që kanë folur për kërcënimin e një lufte të mundshme. E nëse ndonjë zyrtar del e flet me kompetencë për çështjen e një lufte eventuale, do të duhej të mbështetej mbi raportet e besueshme të inteligjencës, e posaçërisht të asaj ushtarake, pra të shteteve anëtare të NATO-s. Se a janë mbështetur këto deklarata në to ose jo, nuk e di.
Mbi çerek shekulli pas luftës së Kosovës, përsëri flitet e debatohet për mundësinë e një lufte këtu dhe kryesisht nga njerëz që nuk mbajnë poste publike, por bëjnë analiza apo edhe hamendësojnë se ashtu do të jetë rasti.
Debatet e këtilla nuk po më duket se janë duke sjellë një cilësi të re njohurish apo edhe mendimesh.
Jo rrallë, “argumentimet” e këtilla sjellin reagimin e publikut dhe mbase edhe mbjellin frikë: jo gjithkush mund ta pranojë faktin se lufta mund të ndodhë; jo gjithkush do të pranojë të kalonte nëpër përvojën e para 26 vjetësh dhe jo gjithkush ka qejf të dëgjojë teori të ndryshme që nuk dihet se në çka bazohen.
Dhe jo, nuk e besoj se blerja e dronëve dhe e raketave antitank “Javelin”, apo edhe e armëve të gjata për ushtrinë dhe Policinë e Kosovës, janë elemente që duhen ushqyer teorinë e luftës së pashmangshme. Në fakt, ajo që po ndodh tash me këto blerje, besoj, është proces i vonuar, për shkak se administratat e ndryshme ndërkombëtare që e kanë sunduar Kosovën dhe ngurtësia e NATO-s që t’i përmbahet një marrëveshjeje të mbështetur mbi Rezolutën 1244 (pa ndonjë shmangie kreative që do t’i përshtatej kontekstit aktual), ka bërë që edhe ushtria të formohet me vonesë, e edhe që armatimi i forcave të sigurisë së Kosovës të ndodhë me vonesë.
Kjo e fundit e domosdoshme, pavarësisht faktit që sigurinë e Kosovës e garanton KFOR-i me prezencën e forcave të shteteve anëtare të NATO-s. Sepse ngjarjet e majit të vjetëm, kur një grumbull huliganësh i plagosën gjithë ata ushtarë të KFOR-it, e që për këtë punë t’i ketë hëngër sanksionet Kosova e jo Serbia, tregoi se nuk bën fare zarar të kesh trupa tua të armatosura e të stërvitura mirë. E këtë më së miri e dëshmoi veprimi super efikas i Policisë speciale të Kosovës në Banjskë – me trajnim dhe armatim të duhur, u parandalua një katastrofë.
Nuk kam qasje tek analizat dhe informatat e inteligjencës, porse nuk besoj se lufta mund të plasë sërish te ne. Rusia megjithatë, është e zënë në Ukrainë, kurse Serbia dhe Republika Srpska e dinë se po t’ia nisnin luftës, do t’ia shpallnin NATO-s e jo Kosovës e Bosnjës.
Nuk e besoj se janë kaq të marrë.
* * *
E kur jemi te sanksionet që na i imponoi Evropa për shkak se Kosova po përpiqej ta zbatonte Kushtetutën, dje doli u prononcua Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
“Qeveria e Kosovës tashmë ka ndërmarrë hapa të lavdërueshëm për zbutjen e situatës. Ka reduktuar praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunale. Ajo gjithashtu ka prezantuar një udhëzim administrativ për të përcaktuar procesin drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kërkesa që kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale nuk është zbatuar”.
Më tej, Ambasada gjermane e kishte lavdëruar Kosovën për profesionalizmin e dëshmuar gjatë sulmit në Banjskë si dhe për përmirësimin e koordinimit dhe të bashkëpunimit me KFOR-in dhe EULEX-in. Ndërkaq bëri të ditur se Gjermania do të përpiqej për heqjen e masave të BE-së, në bazë të hapave të mëtejshëm që do t’i ndërmarrë Kosova.
Nga fillimi i javës nga BE-ja u dëgjua se masat do të hiqen kur të vlerësohet se “janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri”, që sinqerisht është vështirë të dihet se çfarë nënkupton. Cilat janë masat e shtensionimit? Dalja e kryetarit të Leposaviqit nga ndërtesa e Kuvendit Komunal? Apo për qejfin e dikujt, tërheqja e të gjithë policëve të Kosovës prej atje, dhe kthimi i Radoiçiqit në veri?
Pas gjithë këtyre muajve, edhe vetë shtetet evropiane, disa syresh tashmë edhe janë deklaruar publikisht, e dinë se këto masa janë absurde dhe mbahen me arsyetime të përgjithësuara të stilit “posa të vlerësojmë se janë ndërmarrë hapat e duhur”. Vetëm ka mbetur të dilet e të thuhet se hapat duhen të nisen me këmbë të djathtë dhe në maje të gishtërinjve, se mos zhurma eventuale e hapave do ta shqetësonte Vuçiqin.
Kaq për politikën e jashtme dhe të sigurisë të përbashkët evropiane.
* * *
Por është një raport tjetër që më la përshtypje dhe ky doli dje, në një paraqitje të Institutit GAP. Sipas GAP-it, dhe mbështetur mbi një hulumtim të realizuar në dhjetorin e shkuar, vlerësohet se 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024. Grupmosha nën 24 vjeç përbën kategorinë më të prirë (33.4%) për të emigruar.
Përmbledhja e raportit thotë me sa vijon: “Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët e tjerë. Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave.
Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar. Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%)”.
Sipas po të njëjtit raport, thuhet se në periudhën 2012-2022, mbi 338 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova.
Sipas vlerësimit të raportit të dalë dje, del se në pjesën e parë të 2024-s, do të largohen mbi 350 mijë njerëz, që po më duket shifër tepër e lartë. Kosovarët nuk janë të vetmit që emigrojnë, dhe sado që Evropa është e madhe, nuk e di nëse pos të gjithë të tjerëve që vijnë nga Afrika, Azia e Amerika Latine, do të ketë vende pune edhe për kosovarët e ballkanasit të tjerë që do të duan të largohen nga vendet e tyre të origjinës.
Por, nëse ky parashikim del i saktë, Kosova pra do të mbetet me më pak se 1.5 milionë banorë rezidentë dhe me popullsi më të plakur, duke paramenduar se ata që do të largoheshin potencialisht janë të moshës më të re. Kjo, nga ana tjetër, do të ndikojë edhe në rënien e mëtejme të natalitetit.
E gjithë kjo situatë do të duhej t’i shtynte institucionet të mendonin se si t’i qasen situatës së re, kur duhen shkurtuar vende pune nëpër shkolla, për shembull, apo si të riorganizohen e që me mençuri t’i ofrojnë shërbimet shëndetësore të munguara.
Do të duhej t’i detyronte që të mendojnë se si duhet krijuar vende të reja pune dhe si të sigurojnë se në shtet të qarkullojë paraja, ashtu që pagat në sektorin privat të paguhen me kohë apo edhe të paguhen. Sepse, tashmë e përsëritur sa herë, kjo Qeveri nuk ka treguar asnjë sens as për ta ndihmuar sektorin privat, e as për ta siguruar stabilitetin financiar të taksapaguesve më të mëdhenj që e mbajnë si shtetin dhe ashtu edhe skemat sociale parazitkrijuese.
Por, mbase duhet menduar se një lëvizje kaq e madhe tektonike (duke supozuar se do të ndodhë) do të duhej shikuar si mundësi. Madje tridhjetetre për qind të të anketuarve nuk kanë marrë rroga, mbase kurrë. Ndërkohë, toka na rri djerrë dhe ne importojmë krejt çka të mundemi dhe i çojmë krejt paratë jashtë. Ekonomi se jo hajgare.
* * *
Kolumnen po e përfundoj nën presionin e zhurmës së padurueshme që vjen nga lokalet e gastronomisë në rrugë. Në kushtet kur dyert e lokaleve janë të mbyllura (ndjesia e të ftohtët është minus 7), zhurma i kalon 75 decibelë (paramendoni sa decibelë regjistrohen brenda lokaleve të vizituar nga njerëz me probleme serioze dëgjimi).
Po qe se realizohet parashikimi i GAP-it, një nga degët që do të vuajnë më së shumti me ikjen e popullatës do të jetë gastronomia – Perëndimi do t’ia marrë fuqinë punëtore dhe një pjesë të klientelës.
Më mirë do të ishte t’ia merrte zhurmën.