Është koha e fundit që institucionet tona t’i thërrasin ndërgjegjes e të fillojnë të mendojnë për rregullimin e infrastrukturës në përgjithësi në sport, jo vetëm në futboll, sepse ajo sjell suksese e suksesi, pos afirmimit të vendit, sjell edhe shumë të mira të tjera
Një ndër derbit më të mëdhenj në rajon, e mos të flasim për Kosovë, është ai i Anamoravës. Skuadrat e qytetit të Gjilanit, Drita e Gjilani, viteve të fundit e kanë bërë edhe më interesant garën mes tyre, pasi zakonisht kanë luftuar për kreun e tabelës. Por me gjithë interesimin e madh që kanë futbolldashësit në përgjithësi për ta parë këtë ndeshje futbolli, mos të flasim këtu për tifozët - “Intelektualët” e “Skifterat” – kjo gjë po iu pamundësohet. Shkak është infrastruktura e dobët që ka futbolli kosovar. Edhe derbi i mesjavës u zhvillua pa shikues, pasi autoritetet nuk e lejuan praninë e tyre për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme dhe sigurisë në stadiumin ndihmës ku u zhvillua ajo.
“Klubi ynë ka bërë përpjekje që ndeshja të zhvillohet të paktën me prezencë të fëmijëve të shkollës sonë të futbollit, sepse kemi konsideruar që ata nuk përbëjnë rrezik për ndonjë incident dhe pjesëmarrja e tyre vetëm sa do t'ia shtonte bukurinë derbit”, thuhej në njërin nga shumë njoftimet e bërë nga FC Drita. Madje, shkaku i infrastrukturës së dobët, ndeshja rrezikohej të shtyhej, pasi një pjesë e fushës sintetike ishte prishur, por që u tha se me ndihmën e Federatës së Futbollit të Kosovës ajo në fund u rregullua.
Ky shembull i këtij derbi tregon se sa larg jemi si shtet sa u përket përmbushjes dhe ofrimit të kushteve që duhet t’u krijohen të rinjve për t’u marrë me sport. Stadiumi i qytetit është në rinovim, ndërsa nuk dihet se kur do të marrë fund. Si Drita, ashtu edhe Gjilani ndeshjet si vendas në Evropë i zhvilluan në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Stadiumi që mban emrin e legjendës po shfrytëzohet edhe nga Ballkani, klubi që pak javë më parë shkroi histori. Ballkani është klubi i parë që siguroi kualifikimet në fazën grupore të një ngjarjeje të organizuar nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Edhe kampioni i Kosovës po i luan ndeshjet si vendas në “Fadil Vokrri”, që është stadiumi i vetëm që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhe përfaqësueseve. Stadium tjetër Kosova nuk ka. Nuk ka shpresë që kjo gjendje e rënduar do të ndryshojë shpejt. Kjo ngarkesë e madhe që po i bëhet atij ka filluar menjëherë të ketë pasoja, pasi fusha nuk mund t’i përballojë të gjitha këto ndeshje.
E pjesa ku politikanët tanë merren me sportin është p.sh. arritja e suksesit sikurse ky i KF Ballkani, që u kualifikua në fazën e grupeve në UEFA Europa Conference League. Këtij suksesi ata i gëzohen me një status në Facebook ose cicërim në Twitter dhe kaq. Aty përfundon angazhimi i tyre për sportin, në këtë rast për futbollin.
Por shtrohet pyetja se a e dinë këtë në Qeveri e në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit. Se sa është i interesuar për zhvillimin e sportit dikasteri qeveritar për sport, MKRS-ja, mjafton t’ia bëni një vizitë faqes zyrtare të saj, në të cilën nuk gjendet asnjë lajm për sportin.
Departamenti i Sportit në këtë Ministri arsyetohet se shkaku i buxhetit të vogël në nivel të Departamentit të Sportit, që nga themelimi i tij e deri më sot, nuk ka krijuar mundësi për ndërtime të objekteve të reja aq të domosdoshme dhe si pasojë është dashur të shkohet në renovimin, përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese. Ata thonë se përkundër buxhetit të vogël, Departamenti i Sportit i kushton një kujdes të veçantë infrastrukturës së sportit, duke ndarë rreth 50 për qind të mjeteve.
Vetë ideja e stadiumit kombëtar na tregoi se si e shohin zhvillimin e sportit politikanët tanë. Ata treguan se më shumë janë të interesuar të shtyhen se kush është më i fortë e më me ndikim, që më me rëndësi është të thuhet se do ta ndërtojnë në zonat nga ku vijnë sesa ta marrin me aq seriozitet këtë çështje.
Kosova ka mbi 150 klube të cilat garojnë në 4 liga. Krejt këto klube përdorin rreth 30 fusha futbolli, ndërsa vetëm në tetë prej tyre mund të zhvillohen aktivitetet sportive që i plotësojnë të paktën standardet vendore. Fushat e tjera nuk i plotësojnë as kriteret themelore, e të mos flasim për standardet evropiane e botërore. Kjo gjendje e vështirëson në masë të madhe ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos në fazën aktuale.
Është koha e fundit që institucionet tona t’i thërrasin ndërgjegjes e të fillojnë të mendojnë për rregullimin e infrastrukturës në përgjithësi në sport, jo vetëm në futboll, sepse ajo sjell suksese e suksesi, pos afirmimit të vendit, sjell edhe shumë të mira të tjera.
Shpresojmë që derbin e vitit të ardhshëm (jo atë të pjesës pranverore, pasi është shumë afër) tifozët të mund ta ndjekin nga tribunat. Shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që si “Intelektualët” e po ashtu edhe “Skifterat” në ditën e derbit të mos mendojnë se në cilin kulm të shtëpisë të ngjiten apo në ndonjë “ballkon të hapur” të ndonjë shtëpie për ta ndjekur ndeshjen live. Sepse fundja, futbolli luhet për shikuesit, pa ata nuk e ka kurrfarë kuptimi.