Kosova gjatë shekullit XXI ka shënuar ngritjen më dramatike të investimeve materiale në arsim (në godina shkollore dhe në rroga) dhe rënien më dramatike në cilësi, me tri të katërtat e nxënësve në testin PISA që dalin të jenë analfabetë funksionalë. Në Serbinë e shekullit XXI ka vazhduar të forcohet ideja e Serbisë së Madhe, por ka gjithnjë e më pak serbë për të jetuar në Republikën e Serbisë
1.
Më ra në mend një fshat në jug të Shqipërisë, para njëzet vjetësh, ndërsa lexoja lajmet për grevën e Sindikatës së Arsimit në Kosovë. Ishte diku para ngjitjes për në Llogora dhe miku me të cilin udhëtoja bëri me dorë në një drejtim e me më pyeti:
-A e sheh atë shkollë të re?
Pohova, dhe nuk u vonua fjalia pasuese e mikut tim.
Aty nuk ka nxënës. Nuk ka më nxënës.
Shpjegimi i tij ishte se godina e shkollës ishte premtim i një kandidati për deputet. Ai u zgjodh dhe e mbajti fjalën, shkolla u ndërtua, por ndërkohë nga ai fshat shkuan të gjitha familjet me fëmijë të moshës shkollore; disa për në qytetet e Shqipërisë, disa për emigracion.
2.
Fshati i jugut të Shqipërisë mund të jetë një metaforë e mirë edhe për shkollën në Kosovë, e mbase edhe për tërë çka nuk bën në fushën e parasë publike. Sikur në rastin e atij fshati, gjatë tërë shekullit XXI dikush ka premtuar se aty diku do të bëhet godina e re e shkollës dhe në këtë apo atë cikël zgjedhor do të rriten rrogat e arsimtarëve. Ritualisht , kjo do të bëhej në darkat parazgjedhore (në veçanti të një partie që pos darkave qe e njohur, mes të tjerash, edhe me organizimin e shërbimit të vet sekret).
Kështu, Kosova mbase e tejkaloi me të madhe metaforën e fshatit të jugut dhe po shndërrohet në metaforë globale të një fenomeni, atij të qëllimeve që ecin binarëve të shpërputhur. Në njërin binar janë investimet në godina shkollore dhe në rroga të arsimtarëve, e në tjetrin binar, në kah krejtësisht të kundërt janë rezultatet e nxënësve, madje edhe vetë numri i tyre.
Nëse shikohet në perspektivën e binarëve të kaheve të kundërta arsimi në Kosovë gjatë shekullit XXI ka shënuar ngritjen më dramatike të investimeve materiale (në godina shkollore dhe në rroga) dhe rënien më dramatike në cilësi, me tri të katërtat e nxënësve në testin PISA që dalin të jenë analfabetë funksionalë. Për më tepër, në binarët e kaheve të kundërta, shekulli XXI ka shënuar ngritjen më dramatike të investimeve materiale dhe rënien më dramatike të numrit të nxënësve. Kosova ka së paku një çerek më pak të numrit të nxënësve se ç’kishte në fillim të shekullit.
3.
Paradoksi i binarëve të kaheve të kundërta është natyrisht prodhim i politikës së investimeve publike. Nëse arsimi janë paratë për tulla dhe rritje rrogash, atëherë në fund aty do të përfundojë, tek tullat dhe rritja e rrogave. Por ky paradoks tejkalon politikën e investimeve publike. Ka të bëjë, besoj unë, me etosin kolektiv dhe thyerjen e tij. Në rastin e Kosovës, arsimi ka qenë në shekullin XX instrumenti themelor kolektiv i shqiptarëve për ta ndërtuar identitetin e vet dhe për ta institucionalizuar atë. Së pari erdhi shkolla, pastaj erdhi shteti. Në shekullin XXI shkolla ka qenë cak për kapje të shtetit. Së pari shkolla, pastaj shteti. Apo, fillimisht, së pari Shërbimi Sekret, pastaj shkolla (së bashku me PTK, RTK, prokurorinë, gjykata e kështu me radhë), pastaj shteti. Nuk është rastësi se Kosova ka pasur rritjen më dramatike të doktoratave nga ana e radhëve të kapësve të shtetit dhe rënien më dramatike të aftësisë së doktorantëve për t’u shprehur në gjuhën shqipe (apo të njohurive për t’u shprehur).
Por, paradoksi nuk është vetëm i Kosovës. Bosnjë-Hercegovina gjatë shekullit XXI ka pasur vëmendje ditore të parlamenteve evropiane, NATO-s, BE-së, SHBA-së, mediave e shoqërisë civile, por njëkohësisht ka humbur çdo vit 1.5 për qind të popullatës së vet. Me binarët e kaheve të kundërta do të arrihej një pikë kur vëmendja do të jetë në pikun e vet më të lartë, por nuk do të ketë njerëz në BH për t’i dëgjuar fjalët.
Ose rasti i Serbisë. Gjatë tërë shekullit XXI ka vazhduar dhe forcuar brenda shoqërisë serbe ideja e zgjerimit të Serbisë së Madhe, por gjatë kësaj periudhe edhe popullata në Republikën e Serbisë (pa Serbi të Madhe) ka qenë duke u zvogëluar. Sipas Bankës Botërore, Serbia e shtatë milionë banorëve (të supozuar sot) do të ketë gjashtë milionë më 2050.
Ose i viseve të Kroacisë ku u zhvillua lufta mes forcave kroate dhe atyre serbe. Ato serbe u larguan, së bashku me popullatën, duke humbur luftën. Në shekullin XXI nga aty po largohen me të madhe qytetarët kroatë, të joshur nga mundësitë e jetës dhe punës në Gjermani.
Aty, drejt Gjermanisë, janë nisur mjekët dhe infermierët e Ballkanit Perëndimor. Gjatë shekullit XXI është investuar më së shumti në shëndetësi në Ballkanin Perëndimor, por po gjatë këtij shekulli është shënuar mungesa më e madhe e kuadrit mjekësor. Kur OECD-ja bëri analizë të nevojave të Serbisë për luftimin e COVID-19 konstatoi se 10 mijë mjekë e kishin braktisur Serbinë për të punuar në Evropën Perëndimore, gjatë këtij shekulli, dhe se vendi kishte mungesë të 3500 mjekëve e tetë mijë infermierëve.
4.
Në këtë kontest binarësh tashmë është ftuar Karl Marksi në thjeshtësimin e idesë së tij se prapa zhvillimit të duhur intelektual duhet fillimisht forcuar baza materiale. Tullat e shkollave (boshe) dhe rritja rituale e rrogave në fushatat zgjedhore e zhvlerësuan Marksin e thjeshtësuar; varfëria intelektuale e arsimtarëve dhe nxënësve vetëm sa po thellohet.
Ndoshta kjo mund të ketë ndodhur për ta ftuar një ide tjetër të tij, dialektikën, me të cilën po aq në formë të thjeshtësuar mund të bëhet inversioni i këtillë: ndoshta zhvillimi i duhur intelektual (në vendimarrje) mund të bëjë shumë më tepër për forcimin e bazës materiale sesa tullat dhe rritja e rrogave.
Ndërkohë, numri i njerëzve të rinj që nuk do ta presin epilogun e këtij debati duke qëndruar në vendlindje do të jetë gjithnjë e më i madh.