“Mbrojtësit e familjes” e kanë fuqinë edhe të hartimit dhe të votimit të ligjeve. Mbase më mirë do të duhej të mendonin se përse pedofilia nuk është kualifikuar si vepër penale në Kodin Penal të Kosovës. Apo edhe të vepronin për ndalimin e veprimtarisë së atyre që “fryjnë” e shërojnë “sëmundje”, siç janë: “dëgjimi i zërave, shtatzënia, magjia e zezë, problemet familjare, fejesat, martesat, problemet me fatin - bllokadën, problemet me punë e biznes dhe të gjitha sëmundjet, pos sëmundjeve nga lindja”
Zgafellja e javës së shkuar me gjasë u kishte lënë mbresa të këqija “rojave, mbrojtësve a shpëtimtarëve të familjes” në Kuvendin e Kosovës. Në “mbrojtje” të deputetit të apostrofuar në shkrimin tim doli një tjetër deputet i VV-së, me një status në FB, të cilin e kishte titulluar: “Kush po e mëson keq Flaka Surroin”.
“Mos e vet se t’kallxon vetë” i thonë kësaj pune – se me këtë titull deputeti Korenica e dëshmon bindjen e tij, për të mos thënë mizogjininë, se një grua nuk mund të mendojë, as të mësojë e as të lexojë vetë, dhe se patjetër dikush duhet ta mësojë ashtu që ta ketë një mendim. Qasje patriarkale kjo e një burri 40 vjeç. Dëshmi se jemi shumë larg emancipimit si shoqëri.
Për ta sqaruar temën për të cilën po debatohet, do t’i përmend tri fakte: statusi i javës së shkuar i deputetit Rrahmani se “Ligje sikurse ishte ky sot që mund të çojnë në martesa të babës me vajzën, vëllait me motrën... KURRË nuk do të mbështeten!”; përjashtimi i deputetit Korenica nga kryesimi i degës së VV-së në Rahovec për shkak të qëndrimit që ka ndaj Kodit Civil dhe martesave të njerëzve të së njëjtës gjini; si dhe padia që pesë OJQ kanë ngritur në Gjykatën Themelore ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi-Murtezi, për shkak se kjo e fundit, më 2022, kishte thënë në Kuvend gjatë debatit se “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”.
Esencën e qëndrimit kundër miratimit të Kodit Civil dhe Ligjit për frytnimin e asistuar duhet kërkuar këtu, te mohimi i një realiteti, që e deshën apo nuk e deshën, pajtohen apo nuk pajtohen, ekziston. Dhe ekziston, ndër të tjera, në shoqëritë e krishtera, myslimane, shekullare a budiste. Mjafton të lexohen Umberto Eco, Orhan Pamuk apo Khaled Hosseini për të kuptuar, për shembull, për homoseksualizmin nëpër shekuj e kontinente të ndryshme.
* * *
Sidoqoftë, t’i kthehem dyshimit të deputetit Korenica lidhur me aftësinë time për ta kuptuar temën, e cila do të shpjerë te pastrimi i listave për zgjedhjet e ardhshme dhe me shumë gjasë te krijimi i një partie konservatore.
IVF (In Vitro Fertilization) ndodhi për herë të parë me sukses më 1978 në Angli. Ishte vajzë ajo që lindi në këtë formë. Nëna nuk mund të mbeste shtatzënë, për shkak se i kishte tubat fallopiane të bllokuara. Louise Brown tash është 46 vjeç.
Në Kosovë nuk e di të jetë praktikuar IVF-ja para lufte. Në ish-Jugosllavi po. Kryesisht në Slloveni, ku mund të shkonin të gjithë, sepse sigurimi shëndetësor vlente në të gjithë shtetin.
Pas lufte, në shëndetësinë e Kosovës shumë gjëra kanë ndodhur. Shumë sosh jo fort për t’u lavdëruar. Ndër më të dëmshmet, përpjekjet për të “zgjidhur” probleme me udhëzime administrative – një rrugë e shkurtër për t’i anashkaluar ligjet, ose për t’i bërë ato jofunksionale. Aktet nënligjore nuk janë përherë zgjidhja e problemeve. Shpesh janë krijimi i tyre.
Kosova u bë me Udhëzim Administrativ për IVF para 11 vjetësh, duke lënë shumë gjëra të paqarta, ngase nuk i ka rregulluar çështjet bazike në lidhje me procesin, që e ka bërë të pamundur zbatimin e tij në sektorin publik të shëndetësisë.
Para nja pesë vjetësh, Inspektorati Shëndetësor i MSH-së e mbylli pjesën më të madhe të spitaleve private që e kishin bërë IVF-në, edhe për shkak se këtyre institucioneve u mungonte baza e shënimeve e donatorëve; për shkak se kishte njerëz që e kishin shndërruar në biznes shitjen e materialit të tyre riprodhues (siç kishte ndodhur te rasti i transplantimit të veshkave, me dallimin që këta të veshkave mund ta shisnin vetëm njërën); apo që aplikimi i qelizave vezë të jetë bërë pa pëlqimin e pacienteve, apo te më shumë paciente.
Rasti përfundoi në gjyq, dhe Gjykata vendosi që UA-ja kishte shumë defekte, duke qenë kryesorja mungesa e sanksioneve, pra për pasojë, si çështje e ndjeshme nuk do të duhej të kalonte pa u rregulluar me ligj. Por gjykata nuk e ndaloi UA-në e as nuk e shpalli të jashtëligjshme. Prandaj, duke qenë ende në fuqi, ua lejon klinikave private (me gjithë mungesat specifike që i ka) të vazhdojnë me IVF. E sa për sqarim, UA-ja që ende është në fuqi, e lejon IVF-në edhe te rastet e grave që nuk kanë partner apo që janë të pamartuara.
Moskalimi i ligjit ia zgjat jetën mungesës së ligjshmërisë nëpër spitalet private, për shkak se nuk ka bazë ligjore për t’i sanksionuar nëse vazhdojnë të mos kenë baza shënimesh apo edhe administrim të duhur të materialit riprodhues.
* * *
Njëri nga mjekët që ishte pjesë e ekipit që e bëri i pari eksperimentin e suksesshëm të IVF-së, dr. Robert Edwards, e fitoi Çmimin Nobel për mjekësi, tre vjet para se të vdiste, pikërisht për fertilizimin in vitro. “Na kishin quajtur çfarëdo u binte ndër mend, të pamoralshëm, joetikë, çnjerëzorë”, kishte deklaruar shumë vjet pas lindjes së Louises.
45 vjet pas lindjes së parë in vitro, sipas Komitetit ndërkombëtar për monitorimin e teknologjive riprodhuese të asistuara, vlerësohet se në botë kanë lindur rreth 12 milionë fëmijë. Sipas kutit të “mbrojtësve të familjes”, vetëm kështu do të kenë ndodhur nja 12 milionë inceste dhe martesa mes familjarësh të ngushtë.
Pra, “mbrojtësit e familjes” janë ata që në të shumtën e besojnë se një grua është emocionalisht jostabile, për shkak se pa burrë e rrit një fëmijë. Janë gjithashtu po të njëjtit që mund t’iu duket normale që një fëmijë të rritet në një martesë ku babai i fëmijës e porositë vrasjen e nënës së tij.
E meqë e kanë fuqinë e hartimit dhe të votimit të ligjeve, mbase më mirë do të duhej të mendonin se përse pedofilia nuk është kualifikuar si vepër penale në Kodin Penal të Kosovës. Apo edhe të vepronin për ndalimin e veprimtarisë së atyre që “fryjnë” e shërojnë “sëmundje”, siç janë: “dëgjimi i zërave, shtatzënia, magjia e zezë, problemet familjare, fejesat, martesat, problemet me fatin - bllokadën, problemet me punë e biznes dhe të gjitha sëmundjet pos sëmundjeve nga lindja”.
Pra ofertuesi i këtyre “shërbimeve” thotë se “i shëron krejt sëmundjet e panjohura nga mjekësia” dhe se këtë shërbim e ofron edhe në Kosovë, veç mundësisht të mos u kërkohen shërbimet nëpërmjet mesengjerit të Fejsbukut. Për terminë, lirshëm mund t’i thërrisni në Viber dhe WhatsApp – thirrja është pa para.
* * *
E shkrova javën e shkuar dhe po e shkruaj sërish. Mosvotimi i këtij ligji nuk do ta ndalojë frytnimin e asistuar. Ai do të vazhdojë në klinika private në Kosovë dhe me siguri jashtë Kosovës me çmim të lartë për ata që kanë mundësi të paguajnë.
Mosvotimi i tij nga “mbrojtësit e familjes” në pushtet e opozitë, vetëm do t’ua mundësojë klinikave private të vazhdojnë me biznesin fitimprurës.
Dhe do t’ua mundësojnë reklamimin nëpër FB, me foto të mjekëve me beben, dhe falënderimin e pafund të prindërve se u bënë me fëmijë pas 10 a 15 vjet përpjekjesh.
Çmimet e të tjerat i gjeni në reklamën e radhës.