OpEd

Ose do të ketë liri të shprehjes, ose akomodim të ndjenjave. Të dyja nuk shkojnë!

Duhet kuptuar që njëra prej cilësive të një të rrituri është gatishmëria intelektuale dhe emocionale për t’u ballafaquar me mendime ndryshe, apo mendime më të komplikuara që zakonisht nuk preferohen për fëmijë. Zakonisht fëmijët i ruajmë që të mos ekspozohen ndaj disa materialeve apo ideve, për shkak se konsiderojmë që nuk janë të zhvilluar intelektualisht dhe emocionalisht që të përballen me ato mendime apo imazhe.

Tash, mendoni nëse aplikojmë të njëjtin kriter edhe për të rritur, siç edhe po argumentohet nga disa intelektualë, të cilët po kërkojnë që të kemi “kujdes” kur debatohet për religjionet, për shkak të ndjenjave të të tjerëve. Njëri prej tyre është avokati i njohur, Arianit Koci, i cili shkruan se “askush nuk mund të thirret në lirinë e shprehjes nëse me ushtrimin e kësaj lirie dëmton rëndë ndjenjat sensitive të tjetrit.” Në të njëjtin nivel e has edhe analistin Matoshi, i cili po ashtu në një shkrim të tij në “Koha Ditore” qortonte, “Kujdes, mos luani me ndjenjat e të tjerëve… mos ua prekni Profetët,” derisa të njëjtën kohë thirrej në mbrojtje të lirisë së shprehjes.

Të dy këta, po edhe shumë të tjerë, jam i bindur se janë aq konfuzë, saqë nuk po arrijnë të vërejnë paradoksin brenda formulimit të argumenteve të tyre. Thjesht, të dy e kanë të paqartë dallimin se këto dy qëndrime janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, sepse është e pamundur të prononcohesh për liri të shprehjes dhe njëkohësisht të kërkosh cungimin e saj për të akomoduar ndjenjat e tjerëve. Nuk cungohet liria e shprehjes për hatër të ndjenjave, sepse atëherë nëse i marrim ndjenjat si kriter sa herë që shkruhet apo flitet po ju premtoj se të gjithë duhet mbyllur gojën. Duhet kuptuar se sa herë që dikush shkruan apo jep një mendim, një tjetër ofendohet.

Pra nuk ka shkrim apo mendim që arrin të plotësojë dëshirat e të gjithë lexuesve dhe prandaj nëse “përkujdesemi” për ndjenjat e të tjerëve, siç po sugjerojnë z. Koci e z. Matoshi, atëherë nuk do të mbetet hapësirë për asnjë temë që do ta trajtojë lapsi në letër. Duhet kuptuar tjetrën se në shtetet ku mendimi i lirë ka ngadhënjyer, aty nuk ka tema të shenjta dhe gjëja e vetme që trajtohet si e shenjtë është liria e shprehjes. Kur dikush kërkon të suspendohet liria e shprehjes për të kursyer religjione apo profetë, çka në të vërtetë po kërkojnë, është teokraci, sepse vetëm në shtetet teokratike ndalohet kritika mbi religjionin dhe profetët. Duhet kuptuar një herë e përgjithmonë se Kosova është përcaktuar për shtet shekullar dhe rrjedhimisht të gjitha bindjet apo ideologjitë publike duhet t’u nënshtrohen arsyes dhe kritikës publike, dhe se nuk justifikohet suspendimi i lirisë së shprehjes për shkak të ndjenjave të të tjerëve. Pra ose të fillojnë të sillen sikur të rritur dhe të ballafaqohen me kritika e mendime ndryshe, ose nëse nuk arrijnë t’i përballojnë argumentet dhe kritikat të mos marrin pjesë në debat. Mendoni tjetrën anë të këtij ekuacioni. Hoxhallarët gëzojnë të drejtën të ligjërojnë bindjet e tyre para gjithë qytetarëve, kudo dhe në çfarëdo kohe. Ligjërojnë nëpër xhami çdo ditë edhe atëherë kur ofendojnë të tjerët. Thërrasin ezanin para mëngjesit edhe kur pengojnë ata që nuk duan të bezdisen në orët e hershme të mëngjesit. Mbajnë fjalime nëpër vende publike, kanë emisione të tëra nëpër TV dhe radio ku non-stop përçojnë bindjet e tyre dhe njëkohësisht kërkojnë nga të gjithë ne, pra pa përjashtim, t’u besojmë dhe t’u bashkohemi thirrjeve të tyre. Shkurt, besimtarët me të drejtë lejohen të shprehin bindjet e tyre edhe atëherë kur ofendojnë ndjenjat dhe inteligjencën e të tjerëve. Tash mendoni sikur individë që nuk besojnë apo nuk ndajnë bindjet e tyre të dalin dhe t’i sulmojnë hoxhallarët, duke thënë se qëndrimet e tyre po ofendojnë ndjenjat dhe inteligjencën e tyre. Mendoni më tej sikur intelektualë si Koci dhe Matoshi të dalin me qëndrime, duke thënë se nuk i përkrahin sulmet, dhe pastaj të shtojnë atë “MIRËPO”-në e tyre të famshme, duke shtuar se edhe hoxhallarët dhe besimtarët duhet të ndalojnë ofendimin e ndjenjave ndaj ateistëve. Pra këtu nuk kam ndryshuar asgjë, vetëm po ofroj anën tjetër të ekuacionit për të kuptuar banalitetin e argumentit që lë të kuptoj se një reagim i tillë hipotetik ku kërkohet mosofendimi i ateistëve do të nënkuptonte ndalimin e propagandimit të fesë, sikur që deklaratat e tyre sot nënkuptojnë asgjë më pak se thirrje për cungimin e lirisë së shprehjes. Duhet kuptuar se sikur që ofendohet një besimtar kur argumenton një ateist, njëjtë ofendohet një ateist kur thirret ezani ose ligjëron në radio apo TV një imam.

Ofendimi është reciprok, mirëpo dallimi qëndron se besimtarët kanë krijuar bindje se ofendimi ndaj të tjerëve është e drejtë e shenjtë e tyre dhe kërkojnë përjashtim, derisa shekullarët besojnë se e drejta e vetme e shenjtë është liria e shprehjes, ku asnjë temë nuk gjen përjashtim dhe se të gjitha ideologjitë dhe bindjet i nënshtrohen kritikës publike, pa marrë parasysh ndjenjat e të tjerëve. Qëndrimi i fundit nuk është vetëm një grup njerëzish, është edhe vetë Kushtetuta që garanton mbrojtjen e fjalës së lirë, po jo edhe ndjenjat e qytetarëve. Mendoni edhe një diçka tjetër. Atë moment që hedh në treg një ideologji, dhe e cilëson si shumë të rëndësishme për të gjithë të vdekshmit, dhe pastaj kërkon publikisht nga të gjithë qytetarët që ta ndjekin apo besojnë atë, atëherë duhet të jeni të gatshëm t’u nënshtroheni edhe pyetjeve apo dyshimeve që vijnë. Si ka mundësi që analistët nuk po arrijnë të kuptojnë se besimtarët po ofrojnë një zgjidhje të përsosur për të gjitha problemet e njerëzimit dhe kërkojnë nënshtrimin e tyre (shpeshherë duke ofenduar të gjithë ata që mendojnë ndryshe), mirëpo njëkohësisht nuk qenkan të gatshëm të ballafaqohen me asnjë pyetje apo kritikë rreth kësaj formule universale? Dhe pastaj zgjidhjen e gjeni tek paradoksi ku kërkoni të “kemi kujdes” në pyetje, që nënkupton cungim të lirisë së shprehjes, sepse besimtarët e formulës universale janë shumë të ndjeshëm.

Nëse janë aq të ndjeshëm dhe ofendohen prej pyetjeve apo dyshimeve të arsyeshme që vijnë, atëherë zgjidhja e vetme është që ato bindje t’i mbani brenda mureve tua dhe të mos ia reklamoni askujt. Përfundimisht, ka ardhur koha ku të gjithë ata që kërkojnë të jenë pjesë e debateve publike të sillen si të rritur dhe të mos kërkojnë të trajtohen si minorë. Kërkesat për t’u përkujdesur për ndjenjat e tyre janë kërkesa për të suspenduar arsyen dhe dorëzimin e fjalës së lirë, përkujdesje kjo që ndodh në vendet teokratike.

Për ata që nuk janë të përgatitur emocionalisht apo intelektualisht dhe nuk arrijnë t’i bëjnë ballë debatit, mirëpo kërkojnë të trajtohen si fëmijë ku askush nuk ua ngacmon ndjenjat, atëherë zgjidhja është që të debatojnë mes vete, apo të rrinë brenda shtëpive të kultit, ku i përforcojnë bindjet e njeri-tjetrit edhe nuk ua prish askush muzikat e shenjta që i kanë. Për të qenë pjesë e debateve serioze është koha që të fillojnë të sillen si të rritur, sepse krejt debatet publike në vendet demokratike janë +18. Përndryshe, ajo që po sugjerohet nga disa intelektualë është një pamaturi, por edhe kundërthënie në vete, sepse arsyeja kryesore për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërive ka qenë avancimi i lirisë së shprehjes, jo cungimi i saj. Shkurt, ose ka liri të shprehjes, ose akomodim të ndjenjave. Të dyja nuk shkojnë, dhe sa për njohuri, Kosova është përcaktuar për të parën dhe këtu përfundon gjithçka rreth kësaj teme.