OpEd

Optimizmi takohet me realitetin

Rreth së ardhmes evropiane për Kosovën

Teksa po i afrohemi fundit të vitit, do të dëshiroja të reflektoja për të ardhmen evropiane të Kosovës. Në Kosovë, mbështetja për anëtarësimin në BE është shumë e fortë; sipas anketës më të fundit, anëtarësimin e mbështet shumica dërrmuese (93%). Ky tregues më bën të lumtur e krenar, si dhe më jep shpresë. Po ashtu, më motivon ta vazhdoj punën time më të rëndësishme si përfaqësuesi i BE-së në Kosovë: t’i ndihmoj Kosovës ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Viti i kaluar solli shumë sfida, por edhe disa zhvillime pozitive. Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare dhe lokale: të dyja ishin përgjithësisht të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive. Zgjedhjet e përgjithshme prodhuan një qeveri të fortë me shumicë të qëndrueshme në Kuvend dhe me agjendë reformash ambicioze. Veç kësaj, ky vit u shoqërua me rritje të mirë ekonomike. Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës i ka tejkaluar parashikimet. Kosova, si shumë prej vendeve tona, ka luftuar me pandeminë këtë vit, por po hyn në vitin e ardhshëm me nivele të ulëta të transmetimit dhe shkallë krahasimisht të lartë të vaksinimit. Kosova po e nis vitin e ardhshëm me këmbë të mbarë dhe ka arsye të jeni optimistë për të ardhmen.

Fundi i vitit është gjithmonë koha për reflektime dhe vendime të reja. Do të dëshiroja që Kosova të reflektonte mbi mënyrat si të zhvillohet më tej çka është arritur tashmë, mbi sfidat e tejkaluara, mbi premtimet e bëra, mbi shpresat e krijuara dhe mbi mundësitë e ofruara.

Besoj fuqimisht se është koha të përmirësohen jetët e të gjithë qytetarëve në Kosovë: që ankthi për të ardhmen të shndërrohet në ngazëllim . Ja pse.

 - Qeveria i ka kushtet që ta shfrytëzojë periudhën e ardhshme trevjeçare pa zgjedhje dhe ndërprerje të tjera të parashikuara politike. Ajo mund të marrë vendime për çështje të rëndësishme, duke shfrytëzuar edhe mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian.

 - Në tetor, BE-ja botoi Raportin vjetor për Kosovën që vlerëson sa e përgatitur është Kosova për t’u anëtarësuar në BE, si dhe paraqet rekomandime. Raporti vlerëson prirjen pozitive të përkushtimit të ripërtërirë për të avancuar në reformat në lidhje me BE-në; gjithashtu e bën të qartë se nuk ka shtigje të shkurtra në rrugën drejt BE-së. Kosova duhet të zbatojë reforma konkrete.

 - Kosova miratoi Agjendën e Reformave Evropiane II dhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Këto dokumente, që duken shumë teknike, në fakt shërbejnë si udhërrëfyes për reformat; këto listojnë masat, vendimet dhe hapat legjislativë që qeveria është zotuar të ndërmarrë. Sa më shumë t’i zbatojë Kosova, aq më shumë do t’i afrohen standardet e saj atyre të BE-së. Është e rëndësishme që Kosova të mos lërë pas dore zbatimin e tyre: kjo është në interes të qytetarëve dhe bizneseve.

 - Kosova duhet ende ta shfrytëzojë Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Mundësitë janë të mëdha për zhvillimin e saj socio-ekonomik. Plani mobilizon deri në 9 miliardë euro financim të granteve në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para Anëtarësimit për të mbështetur zhvillimin në fusha të rëndësishme; p.sh. transporti, energjia, mjedisi, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, sektori privat, rinia, ose rezilienca shëndetësore. Këto do ta përforcojnë rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 dhe, kur të përdoren, mund të çojnë në rritje, investime dhe vende pune.

 - Qasja e barabartë, konstante dhe e përballueshme në energji të pastër është e rëndësishme për çdo amvisëri. Është shqetësues furnizimi aktual jo i sigurt me energji që prodhohet në forma të rrezikshme për shëndetin. Pjesën më të madhe të furnizimit me energji elektrike e prodhojnë dy termocentralet shumë ndotëse me thëngjill, që kanë ndikim të rëndë në shëndetin dhe mirëqenien ekonomike. Kosova ka nevojë për një plan afatgjatë ambicioz dhe të besueshëm që fokusohet në burimet e ripërtërishme, efiçiencën e energjisë, dekarbonizimin dhe mundësitë ekonomike në këtë sektor. BE-ja është e gatshme ta mbështesë edhe financiarisht kalimin drejt energjisë së shëndetshme dhe të pastër, siç ka bërë deri tani.

 - Qeveria është fokusuar me të drejtë te sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tani që e ka miratuar Strategjinë për Sundim të Ligjit, është e rëndësishme ta zbatojë. Gjithashtu, e inkurajoj Kosovën t’i shtojë përpjekjet për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e funksionimit efektiv të agjencive të zbatimit të ligjit, zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura, zbatimin e deklarimit të pasurisë, dhe konfiskimin e aseteve kriminale. Përgjatë viteve, BE-ja e ka mbështetur Kosovën në këto fusha dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për të rikthyer besimin e publikut në një sistem të pavarur drejtësie.

 - Kosova e dëshmoi pjekurinë e saj demokratike në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Misionet e BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të dërguara ndër vite kanë publikuar rekomandime se si të forcohet procesi zgjedhor. Tashmë Kosova duhet ta nisë procesin e reformës zgjedhore të vonuar prej kohësh: një rrugëtim që kërkon përkushtim politik. Jam optimist se partitë politike, institucionet dhe shoqëria civile do të angazhohen në mënyrë të mirëfilltë dhe do të jenë pjesë e punës.

 - Reforma e administratës publike është proces kompleks që ka nevojë për udhëheqësi të fortë politike. Kosova meriton një shërbim civil profesional dhe të depolitizuar, si dhe një administratë efektive, llogaridhënëse, të besueshme dhe të orientuar drejt qytetarëve. Këtu, qeveria ka ndërmarrë disa iniciativa për përcaktimin e një drejtimi të ri për reformat. Pres me padurim miratimin e strategjisë së re dhe zbatimin e ligjeve në shqyrtim. Përgjatë viteve, BE-ja ka investuar ndjeshëm në këtë fushë. Financime të reja për përmirësimin e shërbimeve janë duke u përgatitur.

 - Duke qenë se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë prioritet për BE-në, ne ndërtojmë marrëdhënie më të ngushta me rajonin. Le t’i përmendim disa nisma në dobi të qytetarëve dhe bizneseve: marrëveshja rajonale për uljen vullnetare të tarifave roaming; Plani i Veprimit për zbatimin e Agjendës së Gjelbër; Agjenda për Inovacionin, Hulumtimin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportin, dhe krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal. E inkurajoj Kosovën që të luajë rol konstruktiv në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal.

 - Jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe e kuptoj frustrimin nga fakti se qytetarëve të Kosovës ende iu duhen viza për të udhëtuar në zonën Schengen. Në këtë kuptim, Komisioni Evropian mban vlerësimin e bërë në korrik 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Ky propozim është në shqyrtim në Këshill. Kosova e ka mundësinë të angazhohet në dialog me shtetet anëtare për të kërkuar mbështetjen e tyre, si dhe duhet të jetë e gatshme për të adresuar çdo shqetësim që ende mund të kenë disa prej tyre.

I takon Kosovës t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrë që të zhvillohet, të rritet dhe të përparojë. Që të ndodhë kjo, duhet të vendosen – si në ligj ashtu edhe në frymë - politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve. Ajo që ka rëndësi janë vendimet konkrete, legjislacioni i miratuar, masat e zbatuara dhe strukturat e krijuara.

Kosova mund të arrijë më shumë; qytetarët meritojnë më shumë. BE-ja jo vetëm që ofron mundësi, por është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Kosovën për shfrytëzimin maksimal të tyre, në partneritet të ndershëm dhe respekt të ndërsjellë. BE-ja e ka mbështetur Kosovën edhe financiarisht . BE-ja është këtu për të vazhduar mbështetjen e Kosovës për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë; gjithçka varet nga përkushtimi i Kosovës.

Që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara, duhet të arrihen rezultate të mirëfillta dhe të qëndrueshme në çështjet kyç: sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, reforma e administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria. Procesi është i gjatë dhe kompleks, por shpërblimi ia vlen: një Kosovë stabile, e begatë, demokratike dhe paqësore.

Në këtë frymë, ju uroj juve dhe të dashurve tuaj një fundvit të qetë, të shëndetshëm dhe të lumtur, dhe pres me padurim të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë për Kosovën. Ka mundësi reale: kërkojini. BE-ja është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës që t’i afrohet BE-së edhe më shumë. Por këtë nuk mund ta bëjmë pa ju: në fund të fundit është zgjedhja dhe përgjegjësia e Kosovës.

(Autori është shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë)

[1] Anketa e Ballkanit Perëndimor tregon mbështetje të fortë për BE-në: https://www.iri.org/sites/default/files/final_wb_poll_for_publishing_6.9.2020.pdf

[2] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/kosovo-report-2021_en

[3] https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/IP_20_1811

[4] https://www.eods.eu/eom-reports/

[5] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/system/files/2021-10/18102021_factograph_kosovo.pdf

Lexoni vështrimin në gjuhën angleze

*Falas