Oportunizmi eklatant i VV-së doli në sipërfaqe me rastin e votimit të Kodit Civil. Grupi Parlamentar i VV-së u nda në katër pjesë: në 26 që ishin për, 14 që ishin kundër, 4 që abstenuan dhe 14 që ikën nga seanca. Pra, lista partiake që u bë me 58 vende në Kuvend e tregoi esencën e vet këtu: se u hartua mbështetur mbi oportunizmin dhe koketimin me grupe të caktuara të rrymimeve politike e fetare e që nuk kanë lidhje me ideologjinë e partisë, që supozohet se është e majtë. Pra, aty u gjendën njerëz oportunistë që u lidhën me VV-në, thjesht për shkak të faktit se me VV-në kishin më shumë gjasa të bëheshin deputetë
Pushtimi i Ukrainës hyri në javën e katërt. Atë që po shohim nga televizionet ndërkombëtare është shkatërrim gjithandej dhe, si përherë, vuajtje maksimale e popullsisë civile, e cila gjithsesi është viktima më e madhe e kësaj lufte të nisur nga Rusia.
Pamjet e qyteteve që na vijnë të xhiruara me dron e tregojnë taktikën që rusët e kishin zbatuar edhe në Siri, ku kishin shkuar për ta ndihmuar sivëllain diktator të Putinit.
Pamjet që dikur na vinin nga Halebi (Aleppo, siç u bë i njohur ndërkombëtarisht) e tregonin shabllonin e njëjtë të shkatërrimit që u zbatua edhe në Mariupol. Halebi dikur kishte qenë qyteti më i madh financiar dhe ekonomik i Sirisë, kurse Mariupoli vazhdon të jetë strategjik jo vetëm për shkak të daljes në Detin e Azovit, por edhe pse është qytet industrial me shkritore çeliku.
Pra, ka shumë gjëra që nuk i dimë për pushtimin e Ukrainës, porse një gjë po e shohim është se ajo po vazhdon të ketë efekte ekonomike, por edhe politike te ne.
* * *
Java kaloi me një sërë vizitash nga zyrtarë të lartë të shteteve evropiane dhe të SHBA-së – dhe përfundimisht nuk e besoj se do të kenë qenë vizita kurtuazie. Mbase edhe mund të nuhatet në ajër se këto vizita kishin të bënin me presionin mbi Qeverinë që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ashtu siç u ushtrua trysnia për çështjen e referendumit serb që më në fund nuk u mbajt, ashtu edhe ushtrohet tash, me dallimin esencial se në këtë çast zhvillohet lufta në Evropë dhe se agresori në këtë luftë, për aleat të vetëm e ka shtetin serb, fqinjin tonë verilindor.
Unë vazhdoj të besoj se votimi i serbëve nuk do të duhej lejuar fizikisht dhe do të duhej të lejohej vetëm me postë. Vazhdoj të besoj se nuk duhen shfrytëzuar shkollat për organizimin e votimeve të një shteti tjetër. Porse gjasat janë se, me gjithë deklaratat e dëgjuara prej kohësh, Qeveria kësaj radhe do të lëshojë pe dhe se ato do të organizohen.
Lëshimi pe ndaj këtij presioni disi nisi të paralajmërohej që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe me përsëritjen e përditshme nga Osmani e Kurti se lufta do të mund të përhapej tutje. E fundit ndodhi dje: Kurti, pas takimeve me kancelarin austriak dhe këshilltaren për Siguri Kombëtare të Bidenit, tha se ekziston rreziku që Putini ta shpërndajë luftën edhe në Ballkan.
Pra, nuk duhet të befasohemi nëse më 3 prill do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë, që natyrisht do të shkaktojë një ortek kritikash ndaj kryeministrit dhe Qeverisë, për shkak sikurse pararendësit, megjithatë do të lejojë që zgjedhjet të mbahen fizikisht në Kosovë.
* * *
Dhe do të ketë shumë të tillë që këtë qasje të Kurtit do ta quajnë oportunizëm. E do të ketë edhe të tillë që do ta quajnë realpolitikë. Se cila në fakt është, do të shihet po qe se do të ketë ndonjë lëvizje politike në favor të Kosovës pas zgjedhjeve serbe në arenën ndërkombëtare, duke nisur fillimisht nga Këshilli i Evropës.
Porse oportunizmi eklatant i VV-së doli në sipërfaqe me rastin e votimit të Kodit Civil. Me këtë rast, Grupi Parlamentar i VV-së u nda në katër pjesë: në 26 që ishin për, 14 që ishin kundër, 4 që abstenuan dhe 14 që ikën nga seanca.
Pra, një listë partiake që u bë me 58 vende në Kuvend pas fitores me shumicë mbi 50% të votave shqiptare, e tregoi esencën e vet në këtë votim: se kur u krijua, u hartua mbështetur mbi oportunizmin dhe koketimin me grupe të caktuara të rrymimeve politike e fetare e që nuk kanë lidhje me ideologjinë e partisë, që supozohet se është e majtë. Pra, në listë u gjendën njerëzit që gjithashtu ishin oportunistë kur u lidhën me VV-në, jo për shkak të ideologjisë së saj, e mbase as programit politik, por thjesht për shkak faktit se me VV-në kishin më shumë gjasa të bëheshin deputetë.
Dhe përderisa ndonjëri nga deputetët kishte dalë për të thënë se Kurti kishte kërkuar nga deputetët e tij që ta votonin Kodin, doli megjithatë se nuk mundi ta impononte diktatin e tij, e që tregon se në të ardhmen kjo edhe do të mund të përsëritej edhe për ndonjë temë tjetër të ndjeshme, ku do të vlerësohej “rreziku për shëndetin publik”.
* * *
Dështimi i VV-së për ta çuar para Kodin me propozimin për legalizimin e bashkëjetesës së partnerëve të gjinisë së njëjtë, që në fakt është edhe e garantuar me Kushtetutë, e tregoi krejt paaftësinë e opozitës e cila nuk e pati nuhatjen e mjaftueshme për ta kthyer këtë moment në fitoren e vet politike. Në fakt, e dëshmoi se ajo është njësoj oportuniste dhe se njësoj prej vitesh ka koketuar me rrymime politike që nuk janë as të djathta e as të qendrës, por janë açik krejtve. Dhe këtë e ka bërë për shkak të votave që i kanë mbajtur në pushtet me vite.
Paramendojeni se çfarë do të ishte reagimi në vend po të kishin votuar pro deputetët e opozitës: përderisa kishte pasur të tillë që do t’i shanin, do të kishte pasur edhe jo pak që do të nxirrnin përfundimin se partitë opozitare kanë nisur të ndryshojnë. Ndërkohë, jashtë me siguri se do t’i merrnin të gjitha lëvdatat për kalimin e një Kodi që është dokument kyç që nuk e rregullon vetëm çështjen e të drejtave të komunitetit LGBT.
Porse jo. Zgjodhën që të mos votonin, ani pse ishin prezentë në sallë, hiq pesë deputetë të AAK-së dhe një të PDK-së, që u deklaruan kundër.
* * *
E se opozita nuk tregon që ka ndonjë ide se si të bëjë opozitarizëm të vërtetë në Kuvend, e tregojnë veprimet e tyre e sidomos fjalimet e shefave të partive opozitare.
Kur e dëgjoni Memli Krasniqin, nuk ka seancë plenare në të cilën nuk do ta përsërisë se “këta nuk dinë të qeverisin”, ngase nënkuptohet që çështja e qeverisjes është punë e rezervuar për PDK-në që na ka “kënaqë” me qeverisjen e saj.
Kur e dëgjon Ramush Haradinajn tek i thotë Kurtit se do të duhej të shkonte i pari në burg sepse nuk e ka parandaluar rritjen e çmimeve, e para gjë që më kujtohen janë “teknet” e Haradinajt për me ble kravata, për me ua falë tatimin ambalazhuesve të ujit dhe thënia: “qare nuk kemi pasë pa ia pagu 53 milionë Bechtelit”.
I fundit në reagime, dhe nga i cili kam pritur një ndryshim kursi e qëndrimi në çastin kur e ka marrë kryesimin e LDK-së, është Lumir Abdixhiku. Dhe atë që dëgjova nga ai nga mesi i javës në Kuvend qe tejet dëshpëruese. “Kryeministër, lidhe zëvendëskryeministrin” – e thënë jo një, por dy herë gjatë debatit të ftuar nga partia e tij për ngritjen e çmimeve, ishte nën nivelin e një njeriu intelektual dhe akademik.
Në vend se ta ndërtojë një debat intelektual, me argumente e kundërargumente, edhe me kryeministrin e edhe me zëvendësin e këtij, zgjodhi të aludojë në kafshë kur foli për këtë të dytin – pra njësoj siç bënte shpesh ish-shefi i LDK-së Mustafa. Gjuha joparlamentare me primesa rrugaçërie është popullizëm dhe shpesh mjet i vetëm në mungesë argumentesh. Dëshpëruese, e thashë tashmë, që do të mund të sanohej bile pak, me një kërkimfalje publike, e që do të ishte vendosje e një standardi të ri komunikimi parlamentar.
* * *
Lufta e cila po zhvillohet në Ukrainë s’dihet as sa do të zgjasë dhe kur dhe si do të përfundojë. Megjithatë e besoj se ne jemi me fat, se për sigurinë tonë përkujdesen trupat e NATO-s, garantët e jetës sonë në liri qe 23 vjet.
Porse nga ana tjetër, ajo e jetesës dhe e mbijetesës në Kosovë, pa dyshim se është prekur nga dy emergjenca: COVID-i, i cili la pasoja financiare nga të cilat ende nuk po mund të këndellemi dhe tash kjo luftë, që është duke shkaktuar probleme të jashtëzakonshme në treg me qarkullimin edhe më të vështirësuar të parasë.
Programi aq i përfolur i rimëkëmbjes ekonomike thuajse nuk ekziston. Për një vit, nuk do të mund të thuhej se ka pasur përkrahje çfarëdo qoftë nga ekzekutivi për firmat private. As nuk ka pasur përkrahje financiare e as lehtësime fiskale, ndërkohë që është folur për rritjen ekonomike. Mbase ka pasur rritje, por nuk është se po shihet apo edhe po ndihet.
Shumë do t’ua kisha rekomanduar anëtarëve të ekzekutivit që të dalin pak në terren e të shohin se çka po ndodh dhe çka po funksionon e çka jo. Kompjuterët janë shumë të mirë për të kryer punë, por edhe dinë të krijojnë iluzione të gjërave që nuk janë.