OpEd

Obsesioni imperialist i Vladimir Putinit

Ukraina është vetëm fillimi: gazetari gjerman dhe eksperti i Rusisë, Michael Thumann, analizon mjeshtërisht në një libër regjimin e Vladimir Putinit. Një lider i tillë mund të paramendohet më shumë duke qëruar patate me Adolf Hitlerin në ferr sesa duke defiluar në panteonin e politikanëve të rëndësishëm të botës

Përvoja shpaguhet. Michael Thumann raporton mbi zhvillimet në Rusi qe më shumë se 30 vjet. Gjatë kësaj kohe ai ka koleksionuar, seleksionuar, mbledhur dhe imtësuar shumë informata të rëndësishme dhe ka krijuar kontakte të vlefshme në pothuajse çdo shtresë të shoqërisë ruse. Përvoja e gjatë e bën gazetarin dhe korrespondentin nga Moska të gazetës së përjavshme elitare gjermane "Die Zeit", Michael Thumann, njërin prej ekspertëve të Rusisë mendimi i të cilit dëgjohet në Gjermani.

Në njëvjetorin e sulmit brutal të Rusisë kundër Ukrainës, Thumann ka botuar një libër mbi regjimin e Vladimir Putinit. Ky është regjimi më i rrezikshëm i botës, paralajmëron Thumann që në titull («Revanche – wie Putin das bedrohlichste Regime der Welt geschaffen hat»). Dhe këtë premtim analitik se përse regjimi i Putinit është më i rrezikshmi në botë, autori e mban edhe brenda kapakëve të librit, ku në blloqe tematike analizon Rusinë putiniste, por edhe vitet ‘90 nën Boris Jelcinin, kur gjendja në Rusi ishte kaotike, mirëpo rusët dhe ruset gëzonin shumë më tepër liri. Sot në Rusi njerëzit arrestohen edhe për një pankartë me mesazh kundër luftës në Ukrainë. Në vitet ‘90 kjo nuk ka ndodhur.

Thumann fillimisht i qaset në mënyrë kritike naivitetit të liderëve perëndimorë ndaj Putinit. Presidenti amerikan George W. Bush mendonte se e njihte mirë liderin rus: "E kam shikuar thellë në sy këtë njeri dhe e kam parë shpirtin e tij". Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe punëtor i mëvonshëm i firmave ruse të gazit e naftës e pati quajtur Putinin "demokrat të pastër si loti". Para së gjithash, politikanët gjermanë i kanë shërbyer Putinit si argatë të devotshëm, janë munduar t'i minimizojnë krimet e tij (për shembull ndaj opozitarëve rusë të ikur në Perëndim). Edhe pas vitit 2014, kur shefi i Kremlinit pushtoi Krimenë, kishte politikanë gjermanë që ia mohonin identitetin nacional e shtetëror Ukrainës (si ish-kancelari Helmut Schmidt). Presidenti i tanishëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, e kishte akuzuar NATO-n se po i vringëllonte armët. Njëkohësisht brenda viteve 2012-2021 varësia e Gjermanisë nga gazi rus u rrit prej 38 për qind në 55 për qind.

Bashkë me rritjen e kësaj varësie u shtuan edhe honorarët e politikanëve gjermanë që arkëtonin nga firmat shtetërore ruse. Për kancelaren Angela Merkel nuk ka dëshmi se ka marrë para nga Rusia, por ajo e ka toleruar sidomos partnerin e koalicionit, Partinë Socialdemokrate (SPD), të krijojë një varësi fatale të Gjermanisë nga Rusia. Nga kjo lidhje ka përfituar financiarisht një rrjet i socialdemokratëve, siç dëshmohet në një libër tjetër të sapobotuar të dy gazetarëve gjermanë.

Në vijim të analizës së tij Michael Thumann shkruan se me luftën kundër Ukrainës, Vladimir Putini synon t'i revanshohet Perëndimit për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ‘90. Pra, së pari, ky është obsesioni i Putinit. Së dyti: një politikan si Putini, i pajisur me armë bërthamore dhe i cili mendon se është sedërfyer, nuk e dëgjon Perëndimin. Së treti: radikalizimi i Putinit është një formë e nacionalizimit të shpërfaqur edhe në vende të tjera (Turqi me Rexhep Taip Erdoanin, SHBA me Donald Trumpin, Francë me Marine Le Pen, Hungari me Viktor Orbanin, Brazil me Jeir Bolsonaro). Kjo aleancë ka plane afatgjata dhe protagonistët e saj e mbrojnë njëri-tjetrin, shkruan Thumann. Nuk është befasi e madhe që Orban e përbuz Qeverinë e presidentit Joe Biden.

Dhuna autoritare e Putinit, sipas Michael Thumann, pasi është ushtruar me vite kundër kritikëve të brendshëm, tani manifestohet ndaj botës së jashtme (kundër Ukrainës fqinje, por edhe kundër Perëndimit). Thumann e përshkruan shoqërinë ruse si apatike, e cila për hir të ruajtjes së mirëqenies (që Putin e ka siguruar nga shitja e gazit e naftës) ka hequr dorë nga liria. Tani, sipas Thumman-it, ka filluar faza e fundit e sundimit të Putinit. Dhe fundi i tij nuk pritet të jetë i mirë as për të, as për Rusinë dhe mbase as për botën.

Fiksimi në të kaluarën i Putinit paralizon çdo kreativitet politik. Vitin e kaluar Putini në mënyrë demonstrative nuk mori pjesë në varrimin e Mihail Gorbaçovit, lider sovjetik i cili duke parë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte e pashmangshme, vendosi ta bëjë këtë në mënyrë paqësore dhe kësisoj e shpëtoi botën nga disa katastrofa. Gjatë sundimit të tij Putini i ka dekoruar apo respektuar puçistët të cilët më 1991 tentuan ta rrëzonin Gorbaçovin nga pushteti. Falë ndërhyrjes së presidentit të atëhershëm rus Boris Jelcin puçi dështoi, por nomenklatura e shërbimeve sekrete, nga e cila e ka origjinën edhe Putini, u përbetua se herët apo vonë do të hakmerret.

Më 2007 Putini mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në München, i cili konsiderohet si kthesë e politikës së Rusisë ndaj Perëndimit. Deri atëherë Putini fliste për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nuk kishte kundërshtuar zëshëm zgjerimin e NATO-s dhe synonte një lloj partneriteti me Washingtonin dhe Brukselin. Por kjo mund të ketë qenë vetëm taktikë e Putinit derisa të konsolidojë Rusinë për t'iu kthyer ambicieve imperialiste. Në München, Putini paralajmëroi një kurs konfrontativ me Perëndimin - dhe pothuaj askush nuk e mori seriozisht. Më vonë Barack Obama u tall duke e quajtur Rusinë "fuqi rajonale" dhe ia la terrenin e hapur Putinit për të ndërhyrë në Siri. Vërejtjet e politikanëve të Evropës Lindore kundër afërsisë së Gjermanisë me Rusinë u hodhën poshtë nga Berlini.

Në Moskë tani sundon fryma e puçistëve të vitit 1991. Opozita pothuajse nuk ekziston. Të hënën opozitari rus Vladimir Kara-Mursa u dënua me 25 vjet internim. Regjimi ka instaluar një sistem paramedial të propagandës permanente. Dikur thuhej se interneti do të demokratizojë botën, por dekada e fundit ka treguar se regjimet antidemokratike i shfrytëzojnë të arriturat teknologjike jo për përparim, por për propagandë.

Putini, rezymon Michael Thumann në librin e tij, është një sundimtar i vetmuar, i mbyllur në bunkerin e tij, i etur për të shkelur çdokënd që e kundërshton. Fjalimet e tij nxisin urrejtje dhe janë të ndërtuara me parulla nacionaliste ("Çka na duhet bota në të cilën nuk ekziston Rusia"). Një lider i tillë mund të paramendohet më shumë duke qëruar patate me Adolf Hitlerin në ferr sesa duke defiluar në panteonin e politikanëve të rëndësishëm të botës.