OpEd

Nuk duhet heshtur ndaj pohimeve të Serbisë se në rastin e Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare

Përsëritja e pandërprerë e Serbisë se me njohjen e Kosovës janë shkelur e drejta ndërkombëtare, Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244 nuk është diçka e re. Por me kalimin e kohës mund të rritet numri i atyre që i besojnë kësaj, sepse nuk i dinë rrethanat se si u pavarësua Kosova. Pavarësia e Kosovës u arrit përmes një procesi politik ndërkombëtar, duke marrë parasysh shumë rrethana, dhe kjo pavarësi nuk i ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244. Kjo rezolutë nuk e ka caktuar statusin e Kosovës, por vetëm një administrim derisa të mos zgjidhej statusi, pa marrë parasysh se formalisht nuk është anuluar në OKB. Për shkak të keqpërdorimit të vetos nga Rusia, ajo me shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka humbur kuptimin

Mesi i muajit shtator tradicionalisht është java kur liderët botërorë mblidhen në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. OKB-ja sot është shndërruar në një organizatë pa fuqi, pa asnjë peshë politike dhe gjëja e vetme që ka janë agjencitë profesionale që veprojnë në gjirin e saj. Por sa për miratim të vendimeve që kanë të bëjnë me luftë dhe paqe, asnjë fuqi nuk ka më OKB-ja. As Asambleja e Përgjithshme e saj nuk ka më ndonjë fuqi. Nuk është më as një klub debati ku diskutohet për zhvillimet në botë dhe merren vendime. Por është një organizatë ku secili shpreh mendimin e vet dhe për asnjë çështje nuk ka qëndrim të përbashkët. Edhe liderët që mbajnë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk i drejtohen më botës, por vetëm opinionit të tyre të brendshëm. Ata duan që qytetarët e vendit të tyre të binden se si lideri i tyre luftoi dhe ia tregoi botës të vërtetën. Kështu vepron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mediat e afërta me të dolën me tituj se si ai tërë botës ia tregoi të vërtetën, sidomos për Kosovën. Kishte edhe raportime se si fjalimi i tij ishte shumë i guximshëm dhe i la pa fjalë të gjithë.  Sidomos veçohet se si ai “zbuloi hipokrizinë e Perëndimit” duke përmendur Kosovën dhe pavarësinë e saj. Përsëriti se si u shkel brutalisht e drejta ndërkombëtare me pavarësinë e Kosovës dhe i quajti hipokritë ata që thirren në të drejtën ndërkombëtare kur dënojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Dhe askush nuk e regjistroi fare këtë fjalim nga ata që u përfolën, sepse Perëndimi vazhdon ta përkëdhelë Vuçiqin, pa marrë parasysh fyerjet që ua bën.

Përsëritja e pandërprerë e Serbisë se me njohjen e Kosovës janë shkelur e drejta ndërkombëtare,  Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244, nuk është diçka e re. Por me kalimin e kohës mund të rritet numri i atyre që i besojnë kësaj, sepse nuk i dinë rrethanat se si u pavarësua Kosova. Pavarësia e Kosovës u arrit përmes një procesi politik ndërkombëtar, duke marrë parasysh shumë rrethana, dhe kjo pavarësi nuk e ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244. Kjo rezolutë nuk ka caktuar statusin e Kosovës, por vetëm një administrim derisa të mos zgjidhej statusi, pa marrë parasysh se formalisht nuk është anuluar në OKB. Për shkak të keqpërdorimit të vetos nga Rusia, ajo me shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka humbur kuptimin. 

Por kjo rezolutë edhe keqpërdoret. Pikë së pari ajo në asnjë vend nuk e përmend Serbinë e as nuk garanton integritetin e saj territorial. Përmend shtetin që në atë kohë quhej “Republika Federale e Jugosllavisë”, por jo Serbinë, madje edhe RFJ-në e përmend në aspektin se formalisht respektohet integriteti territorial deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sepse Rezoluta ishte një zgjidhje e përkohshme e jo status i Kosovës. Pse Mali i Zi dhe Serbia janë marrë vesh që Serbia të jetë trashëguese e RFJ-së është çështje e tyre, në të cilën as Kosova e as OKB-ja nuk patën rol. Njësoj ka mundur, sipas logjikës se Rezoluta 1244 e konsideron Kosovën “pjesë të Serbisë”, t’i bie që Kosova të jetë “pjesë e Malit të Zi”, sikur, prapë sipas kësaj logjike, të ishin marrë vesh që Mali i Zi të jetë trashëgimtar i RFJ-së pas shpërbërjes. Kohëve të fundit presidenti i Serbisë, duke akuzuar paraardhësit e tij, ka nisur të thotë se “kanë lejuar pavarësimin e Malit të Zi si hapje e rrugës për pavarësimin e Kosovës”. Mund të jetë përmendur edhe kjo si një prej shumë argumenteve: në stilin “ja as malazeztë nuk duan të jenë më me Serbinë e si të mund të jetë Kosova”. Sepse Serbia doli i vetmi shtet në territorin e ish-Jugosllavisë që pavarësinë e fitoi pa e kërkuar fare. U bë Serbia shtet i pavarur pasi të gjithë të tjerët u shkëputën nga ajo.

Në Evropë dhe në botë ka tash një gjeneratë të ri politikanësh, të cilët ose nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë historinë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, as të krimeve dhe gjenocidit që bëri Serbia, e as për procesin që çoi deri në pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto ishin procese ku rol vendimtar pati bashkësia ndërkombëtare. Nuk ndodhi me akte të njëanshme, me agresion e as nuk ndodhën vetvetiu.       

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra autoriteti më i lartë për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së. Sikur të respektoheshin e drejta dhe drejtësia, Kosova tashmë do të ishte anëtare e OKB-së. Sepse shpallja e pavarësisë erdhi pas propozimit të të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, pas një procesi të gjatë ndërkombëtar, pikërisht ashtu siç ishte parashikuar dhe me Marrëveshjen e Rambouilletit dhe me Rezolutën 1244 të OKB-së. 

Duhet të  kuptohet se mosanëtarësimi i Kosovës në OKB dhe mospranimi i propozimit të Ahtisaarit nga Këshilli i Sigurimit nuk është për shkak se po mbrohet e drejta ndërkombëtare siç dëshiron ta paraqesë Serbia. Por është keqpërdorimi politik i së drejtës së vetos nga Rusia që e ka penguar këtë. Nuk është bërë Kosova shtet “me vendime politike në kundërshtim të së drejtës ndërkombëtare”, siç thotë përditë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por me vendime politike po pengohet kompletimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si shtet. Dhe në këtë kontribut të madh, ndoshta më të madhin, ka dhënë Bashkimi Evropian, duke mos e mbështetur formalisht dhe në mënyrë unike pavarësinë e Kosovës.  

Ahtisaari ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për të udhëhequr procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Vetë Ahtisaari më vonë në disa raste tha se ai ka pasur gjithmonë disa kushte për të marrë ndonjë përgjegjësi si ndërmjetësues. Së pari, ai insistonte që të dihej se cili është synimi. Çfarë zgjidhjeje kërkohej. Ai nuk donte të ndërmjetësonte procese të pafund në të cilat palët do të shprehnin në pakufi qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta dhe asnjëherë nuk do të gjendej një zgjidhje. Në rastin e Kosovës atij iu dhanë udhëzime, edhe me shkrim edhe me gojë. U tha se statusi i Kosovës, në një mënyrë apo tjerrën, duhet të jetë një lloj pavarësie nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Në udhëzimet e Grupit të Kontaktit, ku ishin QUINT-i i sotëm plus Rusia, u tha se “nuk ka kthim në situatën e para vitit 1999” që ishte qartë porosi se Kosova nuk mund të jetë pjesë e Serbisë. Po ashtu, u tha se “statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës” që ishte indikacion se bëhej fjalë për pavarësinë, pasi që askush nuk kishte dilemë se këtë e do populli i Kosovës. Dhe, që ishte po aq e rëndësishme, u tha se, kur të nisë procesi, ndonëse synohet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, asnjëra palë nuk  mund ta bllokojë procesin dhe ai duhet të përmbyllet.

Ahtisaari kështu ndërmjetësoi edhe në emër të OKB-së, e dhe të BE-së, edhe të NATO-s, edhe të OSBE-së. Kishte në punën e tij elemente për rolin e të gjitha këtyre organizatave edhe në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, e edhe pasi ai të zgjidhej. Por interes të veçantë kishte Bashkimi Evropian dhe shumica e madhe e ekipit të Ahtisaarit ishin nga BE-ja. Me këtë pajtoheshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse besonin në atë kohë, nëse diçka kanë të përbashkët Kosova dhe Serbia, atëherë kjo është e ardhmja e tyre brenda Bashkimit Evropian.   

Kur ai doli me propozimin e tij, që shërbeu si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pesë vende të BE-së u rreshtuan krahas Rusisë dhe BE-ja nuk mbështeti asnjëherë propozimin e tij. Si pasojë, BE-ja as sot nuk ka qëndrim unik rreth statusit të Kosovës. Dhe ndasitë rreth statusit kanë mbetur edhe sot, ndërsa as mendimi i GJND-së, që konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, as nuk e ka shkelur Rezolutën 1244, nuk kanë mjaftuar që BE-ja të ndërrojë qëndrimin.  

Deklaratat e pavarësisë për nga natyra e tyre janë unileterale: Një entitet shpall pavarësinë e vet. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është më së paku unilaterale, sepse u bë krejtësisht në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, pas një procesi ndërkombëtar ku ishin përfshirë tri organizatat kryesore ndërkombëtare (OKB, BE dhe NATO) me pjesëmarrje aktive edhe të fuqive të mëdha si Rusia dhe SHBA-ja. Prej negociatave e deri te shpallja e pavarësisë gjithçka iu përshtat nevojave të BE-së dhe roleve që planifikoheshin për të. Por BE-ja lejoi që ndasitë të vazhdojnë dhe nuk bëri asgjë për t’i bindur 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo tash po keqpërdoret nga Serbia, besa edhe nga Rusia, dhe fitohet përshtypja sikur shumica e vendeve të BE-së nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa një numër i vogël e ka njohur. Në rrethana të tilla nuk duhet të habitemi se si Serbia inkurajohet që të flasë për “shkeljen e të drejtës ndërkombëtare” edhe pse e di se nuk është ashtu.