Verbërimi i Evropës gjatë dy dekadave të fundit të “putinizmit” në Rusi ishte koherent, sa i përket mosndëshkimit të Putinit për agresionin e kryer nëpër vende të ndryshme, nga të cilat ai dilte gjithnjë pa asnjë “therrë në këmbë”, teksa forcohej si partner dhe aleat evropian. Putini sigurisht se pulsin dhe përçarjen evropiane i kishte matur bukur mirë, edhe para “aventurës” së radhës ndaj Ukrainës. Ai nuk u kënaq vetëm me aneksimin e Krimesë më 2014-n, por dëshironte që ta shkelte komplet Ukrainën
"Së shpejti nostalgjia do të jetë emri i ri për Evropën" - Angela Carter.
Kjo thënie brilante e një novelisteje angleze, e lindur në vitin 1940 dhe që ndërroi jetë në vitin 1992, e përshkruan më së miri situatën aktuale socio-politike dhe ekonomike në kontinentin evropian. Në fakt, thënia e Angela Carterit nuk e përshkruan të tashmen tonë, por të tashmen të cilën ajo do ta ketë përjetuar, dhe një lloj profecie që në një “të tashme” të së ardhmes e gjithë e kaluara e kontinentit evropian të shikohet me një nostalgji, saqë atij t’i ndërrohet edhe emri.
Medoemos se agresioni rus ndaj Ukrainës ndërroi rendin, si dhe drejtimin në të cilin Evropa mendonte se ishte duke shkuar, pra drejt një të ardhmeje me Rusinë si partnere. Partneriteti me Rusinë shkoi deri në atë nivel, saqë shumë shtete evropiane varësinë ekonomike nga energjentët rusë e quan në 50 për qind e më shumë, në disa raste.
Verbërimi i Evropës gjatë dy dekadave të fundit të “putinizmit” në Rusi ishte koherent, sa i përket mosndëshkimit të Putinit për agresionin e kryer nëpër vende të ndryshme, nga të cilat ai dilte gjithnjë pa asnjë “therrë në këmbë”, teksa forcohej si partner dhe aleat evropian.
Putini sigurisht se pulsin dhe përçarjen evropiane i kishte matur bukur mirë, edhe para “aventurës” së radhës ndaj Ukrainës. Ai nuk u kënaq vetëm me aneksimin e Krimesë më 2014-n, por dëshironte që ta shkelte komplet Ukrainën.
Për të mos i përsëritur gjërat për të cilat kam shkruar aq shumë në Ditarin tim, thjesht duke e kuptuar peshën e tyre në një rend të ri botëror e në një luftë të re të ftohtë botërore, kësaj radhe do të kufizohem më shumë në gjërat në të cilat Putini nuk kishte llogaritur.
BE-ja, përkundër brishtësisë dhe jokoherencës në çfarëdo teme krizash, sidomos atyre në kontinentin evropian, arriti sado-kudo t’i konsolidojë radhët dhe të ndërmarrë një sërë masash kundër Rusisë, disa nga to edhe për herë të parë në historikun e saj. Britania e Madhe, edhe pse tashmë e ndarë nga BE-ja, u shndërrua në vend lider në përkrahje të Ukrainës dhe masave ndëshkuese kundër Rusisë, Putinit, oligarkëve, si dhe në përkrahje ushtarake ndaj Ukrainës.
Putini arriti që gjithashtu ta zgjojë Amerikën e ndarë, duke e bërë atë një Amerikë bipartizane të bashkuar, kur është fjala për politika amerikane ndaj Rusisë dhe agresionit rus në Ukrainë.
Së fundmi Putini arriti që shtete, të cilat me dekada njiheshin si shtete neutrale ndaj blloqeve ushtarake e politike të formuara në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, tashmë t’i rreshtojë me kërkesat e tyre zyrtare për anëtarësim në NATO, siç ishte rasti me dy shtetet nordike, Suedinë e Finlandën.
Rusia si një “ari i tredhur” tashmë në Ukrainë, vazhdon që t’i kërcënojë këto dy vende se do të kenë edhe pasoja ushtarake, si kundërveprim rus ndaj këtij “provokimi të hapur”, që thotë se po i bëhet Rusisë para hundëve.
Boris Johnson dhe politika britanike edhe këtu e treguan dhe e dëshmuan lidershipin e doktrinës politiko-ushtarake demokratike, për të pamundësuar Putinin që të kërcënojë fqinjët e vet, duke nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi në pajtim me të cilën, në rast se ndonjë nga këto vende do të sulmohej nga ana e Rusisë gjatë periudhës së aplikimit të tyre për anëtarësimin në NATO, Britania e Madhe do të ndërhynte ushtarakisht. Më vonë, të njëjtin hap e ndërmorën edhe Amerika, e edhe disa vende të BE-së. Do të thotë, Britania e Madhe e arriti që në fakt këto dy vende të mbrohen nga NATO-ja, në rast të agresionit rus ndaj tyre edhe pa qenë anëtare “de facto” fuqiplota të Aleancës dhe pamundësisë se aplikimit të Artikullit të 5-të të Konventës së saj.
Por në botën e interesave politike nacionale gjithmonë del dikush që synon të fitojë diçka më shumë për interesat e veta nacionale dhe gjeopolitike. I tillë ishte reagimi i Tayip Erdoganit, i cili deklaroi se Turqia nuk pajtohet me pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Tek e arsyetoi këtë qëndrim, ai tha se këto shtete janë “çerdhe e terroristëve të PKK-së kurde” dhe se kanë gjetur tokë të pëlleshme për vazhdimin e aktiviteteve të tyre terroriste. Mirëpo, siç duket, Amerika ende nuk e ka të kapërcyer "hidhërimin" e saj me Turqinë, kushtimisht ta quaj kështu, qysh kur kjo e fundit bleu nga Rusia sistemin kundërajror rus S-400 dhe si anëtare jo pak e rëndësishme përbrenda NATO-s po bënte veprime kundër interesave dhe partneritetit të Aleancës. Amerika madje bllokoi shitjen e aeroplanëve F-35 për Turqinë, ndërsa sa i përket bllokadës që i bëhet Turqisë për anëtarësim në BE, nga shtetet e bllokut evropian një gjë e tillë mbetet kaptinë më vete, për të cilën do të duhet kohë e gjatë për të shkruar.
Mirëpo, hiç më larg se dje, presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, deklaroi se i mirëpret kërkesën dhe aplikimet e Suedisë dhe të Finlandës për t'iu bashkuar NATO-s dhe se zgjerimi e shtrirja e Aleancës Veriatlantike mbetet interes jetik për sigurinë e Evropës së re të shekullit XXI. Ai askund nuk e përmendi sfidën se Turqia mund ta bllokojë këtë kërkesë dhe se nevojitet një unitet i të gjithë anëtarëve të Aleancës, në mënyrë që këto shtete të pranohen. Se a ishte kjo deklaratë e Bidenit e drejtuar për Erdoganin, se me apo pa Turqinë këto dy shtete aspiruese do të anëtarësohen në NATO, kjo mbetet që të shihet në ditët dhe javët në vijim.
Koha e ambiguiteteve politike ka perënduar. Mesazhet politike të liderëve botërorë duhen të jenë të qarta e largpamëse, si për çështjet e sigurisë së një bote të së ardhmes, ashtu edhe për çështjet ekonomike të këtij brezi, por edhe brezave të tjerë.
***
Kur kthehem dhe analizoj ngjarjet dhe ecuritë në Ballkan dhe të shteteve ballkanike, nuk kam se si të mos e shikoj dhe portretizoj €di Rampën* me punën e atij gomarit, të cilin po e hante ujku dhe të cilit veçse ia kishte ngrënë gjysmën e trupit, por ai vazhdonte të mendonte se ishte në ëndërr.
€di Rampa* vazhdon me trumbetimet e tija për “Ballkanin e hapur” si reagim ndaj vizitës së Milo Gjukanoviqit dje në Prishtinë dhe deklaratave të përbashkëta me presidenten Vjosa Osmani se kjo nismë nuk paraqet ndonjë interes për Kosovën dhe Malin e Zi në klimën dhe interesat e tanishme politike dhe se arritja e pikave të iniciativës së Berlinit mbetet pika kryesore e interesave të këtyre dy shteteve.
€di Rampa* reagoi i irrituar nga ky qëndrim i dy presidentëve të shteteve të vogla ballkanike, pa të cilat €di Rampa* mbetet vetëm shtet fqinj në tentativë me Serbinë. Vlen të theksohet se reagimi i tij për “Open Balkan” mori edhe një LIKE nga presidenti serb Vuçiq.
Në rrethana normale dhe me shtete të pastruara nga e kaluara e tyre gjenocidale ndaj fqinjëve të vet, “Open Balkan” do të mund të ishte një projekt shumë normal dhe i natyrshëm i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallit. Mirëpo ky lloj i “Open Balkanit” është derë e vogël e Serbisë për të arritur shumëçka ekonomikisht, duke mos humbur asgjë politikisht, e aq më pak duke e njohur realitetin në terren ku Kosova “de facto” funksionon si një shtet i pavarur dhe sovran. Është fatkeqe që €di Rampa* është aq insistues në këtë pikë, saqë këtë e portretizon si interes parësor edhe për Kosovën. E thashë më lart, në kushte dhe rrethana të tjera, apo me sjelljet e tjera të Serbisë, pikë së pari ndaj Republikës së Kosovës, ndoshta një nismë e tillë do të ishte edhe e natyrshme. Por në rrethanat aktuale dhe me sjelljet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, kjo e fundit nuk e ka në interes të saj të jetë pjesë e një krijese të sajuar, e cila as që e njeh ekzistencën e saj.
Kosova kishte nënshkruar një marrëveshje në Washington, ku ndër të tjera thuhej se brenda një viti Kosova nuk do të aplikonte në asnjë organizatë ndërkombëtare, dhe po ashtu as Serbia nuk do të ndërmerrte fushatë për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme.
Moratoriumi i asaj marrëveshjeje kishte skaduar në shtatorin e vitit 2021 dhe tani me aplikimin e Kosovës për pranimin në Këshillin e Evropës, Serbia e akuzon Kosovën për prishjen e Marrëveshjes së Washingtonit, duke thënë se ajo marrëveshje tashmë është e pavlefshme. E me të tillët Kosova është e detyruar të zhvillojë bisedime, dhe me të tillët €di Rampa* dëshiron që në këmbët tona, ashtu-kështu të brishta, të ngulim edhe një gozhdë të ndryshkur të kuzhinave serbe me “Open Balkanin”.
Kjo €di Rampës* le t’i shërbejë për nderin e vet, mirëpo ky lloj i “Open Balkanit” për Kosovën ka shumë më pak rëndësi dhe peshë sesa turniri i tenisit "Sunny Hill Open", për të cilin nuk kam dijeni nëse vazhdon të mbahet aty, në fushat e tenisit të shkollës fillore "Ismajl Qemali", siç mbahej dikur, dhe të cilit mendoj që i nevojitet një përkrahje më e fuqishme institucionale.
P.S. Në Gjakovë është një thënie e vjetër, të cilën do të dëshiroja t'ia thosha kryeministrit Kurti. "Shyqyr që je mysafir dhe e din kur me u çu (kthy) vetë".
*Fusnota dhe € mbesin sinonim i traut 5€ për bashkëkombësit shqiptarë kosovarë dhe ajo flluskë do të shkrihet si një fjollë bore me ardhjen e pranverës së parë të “Open Ballkanit” … e ajo as që ka për të ardhur ndonjëherë!