Nenad Çanaku vuri dje lule në varr të një të pagjeturi në Mejë të Gjakovës, duke bërë kështu një gjest që do të hyjë në histori
1.
“Quhet hedhje e tullës në kotec të pulave”, më thotë me buzëqeshjen tallëse që i reflektohet në sy prej se e njoh, pra tashmë pas gati tridhjetë vjet miqësie.
Nenad Çanaku e ka fjalën për vizitën e tij në Kosovë. Ai është njëra prej figurave më të njohura dhe kundërthënëse të politikës serbe përgjatë tridhjetë vjetëve të kaluar. Ka qenë konsistent, ndër të rrallët, në mbrojtje të pozicionit kundër luftërave, kundër urrejtjes së popujve të tjerë, kundër fashizmit, kundër cenimit të të drejtave të njeriut, kundër interpretimit banal e të cunguar të interesit serb... Nuk ka çështje që ka qenë pjesë e sferës publike, e për të cilën ai nuk ka mbajtur qëndrimin e një demokrati ekzemplar evropian. Është kundërthënës - për të tjerët - sepse është më elokuent se shumica e intelektualëve tradicionalë, ka afinitet ndaj motoçikletave Harley Davidson (prej njërës u rrëzua dhe aksidentoi këmbën e sot ecën me ndihmë të shkopit), ka të kryer kursin për kuzhinier, ka qenë muziktar profesionist, duke shkuar madje të bëjë muzikë në Bashkimin Sovjetik, dhe po të mos ishte marrë me të gjitha këto me të cilat është marrë, do të ishte tash një njeri shumë i pasur nga puna e programimit kompjuterik për ç’gjë kishte ekspertizë para tridhjetë vjetësh kur pakkush dinte çka është kompjuteri.
Hedhja e tullës në kotec të pulave për të është shprehje vojvodinase për atë që sheh kur lexon raportin për përcjelljen mediale të vizitës së tij në Kosovë. Të hënën lideri i socialdemokratëve të Vojvodinës takoi kryeministrin Kurti dhe pastaj shkoi për të vënë kurorë në Gazimestan; mbi njëzet shtëpi mediale, prej atyre serioze e deri te portalet bulevardeske në Serbi raportojnë për këtë.
“Kur tulla bie në kotec për një moment të gjitha pulat bëjnë rrëmujë dhe pendlat fluturojnë gjithandej. Në Serbi, të paopozitë, një vizitë si kjo ka efektin e tullës”.
2.
Është 38 gradë celsius në hije dhe N. Çanaku nuk lëviz prej varrezave në Mejë të Gjakovës. Shikon emrat dhe datat e lindjes së të vrarëve në këtë masakër. Për gati tridhjetë vjet miqësie nuk e kam parë që t’i mungojnë fjalët.
Këtë e pranon më vonë kur takohemi në varrezat e Çabratit me Luljeta Sharanin. Ajo ka të varrosur gjashtë anëtarë të familjes, prej të cilëve dy janë djemtë, të ekzekutuar, ndërsa sapo kishin hyrë në vitet e njëzeta, dhe burrin. I dëgjon me vëmendje fjalët e një zemre të thyer që kërkon të vërtetën e drejtësinë prej një njeriu që edhe vetë ka kaluar tridhjetë vitet e fundit, duke kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë, si kundërshtar i regjimeve të shtypjes e urrejtjes.
Nenad Çanaku lë për një moment shkopin me të cilin ndihmon ecjen dhe përqafon Luljeta Sharanin gjatë, aq gjatë sa të nxisë lotët në sytë e të atyre që e shikojnë skenën.
“Jam i pafjalë”, thotë. “Nuk gjej fjalë për t’u shprehur”.
3.
Te varrezat e Mejës kupton se aty brenda disa orësh para 22 vjetëve janë ekzekutuar 374 njerëz, civilë. Dëgjon me vëmendje rrëfimin se si janë mbledhur njerëzit e fshatrave përreth, se si u është thënë se do të shkojnë në Shqipëri, si janë ndarë burrat prej grave, si kanë mbetur disa gra që nuk kanë dashur të ndahen, si janë pushkatuar e kufomat pastaj kanë përfunduar të transportuara në Batajnicë, afër Beogradit dhe se janë kthyer në kontingjentet e “të zhdukurve”.
“Një për njëqind” përsërit informatën që sapo e ka dëgjuar. Në prill të vitit 1999 në luftimet me UÇK-në ishin vrarë katër pjesëtarë të policisë serbe dhe prijësi i tyre tha se do të hakmerrej me vrasjen e 100 shqiptarëve për çdo pjesëtar të policisë së vrarë një ditë më parë.
“Një për njëqind, këtë e kemi dëgjuar, apo jo?”, i thotë të birit të vet Milanit, të cilin e ka sjellë për “të parë se çka ka bërë urrejtja dhe verbëria e saj”.
Një për njëqind është formula të cilën e ka mësuar çdo fëmijë në shkollat serbe. Është “Përralla e përgjakshme” e Desanka Maksimoviqit që përshkruan se si brenda një dite ushtria naziste ekzekutoi në Shumarice afër Kragujevcit nxënës e profesorë serbë si ndëshkim për vrasjen e ushtarëve të Wermachtit. Për çdo ushtar gjerman u vranë njëqind nxënës e profesorë serbë në mesin e gjithsej 2.800 civilëve serbë.
4.
Nuk po mundet të gjejë fjalë, sepse po kërkon gjatë tërë kohës përgjigje për një pyetje që po i sillet në kokë dhe në fund e shqipton:
“Po përpiqem të kuptoj se si është e mundur që t’i nxjerrësh njerëzit prej shtëpive, t’i mbledhësh në fushë, të vrasësh njëqind për një, t’i marrësh në kamionë e t’i çosh dhe mbulosh në Batajnicë - të merresh me tërë atë organizim në mënyrë të ftohtë”.
Si është e mundur gjakftohtësia në shkatërrim të jetës së njerëzve, do të thotë.
Dhe i them se qe e mundur pas shumë vjetëve të një politike rrëfimesh antishqiptare që krijuan kushtet e dehumanizimit. Në momentin kur u zhvillua bindja kolektive në pjesë të madhe të popullit serb se shqiptarët ishin të një vlere më të ulët njerëzore dhe se rrezikonin qenien e popullit serb, u krijuan rrethanat ku vrasja e shqiptarëve kishte mbështetje në “arsye”.
Vazhdojmë të rrimë në varrezat e Mejës, duke bluar në kokë këtë evidencë të qartë të produktit të fjalëve të urrejtjes, të ndërtuara ditë pas dite, vit pas viti, një shekull e më shumë tashmë.
5.
N. Çanaku e vendos një buqetë lulesh në një varr të një të pagjeturi. Bëhet politikani i parë serb që bën një gjest të tillë në varrezat e Mejës apo cilitdo varr të ekzekutuarish a të zhdukurish shqiptarë, dhe kështu bën një gjest që jo vetëm hyn në histori, por do të ketë jehonë për një kohë të gjatë në marrëdhëniet mes dy popujve.
Ndërsa largohemi nga Gjakova, ai nuk mund të besojë se këtë nuk e ka bërë kush për 22 vjet.
“Si është e mundur që një gjë që do të ishte aq normale nuk është bërë krejt këtë kohë?”, pyet.
Sepse normaliteti po tingëllon si tulla në kotecin e pulave.