OpEd

Njeriu që jetoi vetëm një ditë e gjysmë

Rrëfimi për një aristokrat shqiptar dhe shekullin që nuk e deshi

1.

Është një dorë e pianistit – gishtërinj të gjatë, përpjesëtim i vizatuar sikur për reklamë të dorëzave - që më bën shenjë se ku duhet të ulem, në rreshtin e parë të sallës së konferencave të hotelit në Lausanne, në konferencën e ekspertëve juridikë të të drejtave të njeriut të Evropës, atë vjeshtë të vitit 1995. Gishtërinjtë kishin marrë tabelën “Kosova”, përfaqësues i së cilës qesh ftuar, dhe e kishin vënë ngjitas me atë “Albania”, në rreshtin e parë të vendeve, të cilat qenë shënuar sipas alfabetit. Buzëqeshja e gjerë, me gojë dhe sy - e një adoleshenti që prishte tërë renditjen alfabetike të përfaqësimit për të na bërë bashkë në tavolinë - është e një burri që duhej të ishte dukur kështu kur i kishte mbushur pesëdhjetë dhe kishte vendosur që trupi dhe fytyra të mos shënonin më vitet e ardhshme - pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet, njëzet e pesë...

- “Jam Jusuf Vrioni”- thotë, dhe kur unë ia jap emrin tim e ai pohon se di kush jam, e gjej veten në ngushtimin e të qenit në disavantazh.

2.

Shpjegimi për vitalitetin e trupit është i thjeshtë, aq i thjeshtë sa duhej të ishte i nënkuptueshëm.

- Kam qenë sportist që i ri... Kam luajtur tenis, për shembull... Ja, kur isha fare i ri, në Romë, luanim me Susana Agnellin, herë luanim tenis te unë, herë te shtëpia e tyre.

Susana Agnelli është ministre e Jashtme e Italisë në momentin që ne jemi në autobus duke shkuar për darkë nga Lausanne në një restorant afër Montreux-së. Në rrëfim ajo është e bija e familjes së njohur Agnelli, pronarë të “Fiatit”, ndërsa Jusufi është i biri i Ilaz Beut, tri herë kryeministër i Shqipërisë.

- Kam qenë edhe lojtar hokeji mbi akull në Paris.

Në rrëfim Jusufi është lojtar hokeji kur babai i tij është ambasador i Shqipërisë në Francë e ai vetë është student i Studimeve të larta ekonomike dhe Institutit të studimeve politike. Në këtë rrëfim, një të shtunë e thërret me telefon një shok i ekipit të hokejit dhe i thotë se duhet të nisen për në Gjenevë, të luajnë për kombëtaren e Zvicrës, “sepse është sëmurë një lojtar i kombëtares dhe nuk ka kush ta zëvendësojë, apo të jetë po kaq i mirë sa i sëmuri dhe duhet të nisemi në mëngjes dhe mos pyet se si do t’ia bëjmë më tutje se për këtë ka kush të kujdeset në Zvicër”.

- Dhe mbërrijmë me tren në kalimin kufitar zviceran, unë prek xhepin ku zakonisht mbaj pasaportën dhe kuptoj që jam nisur pa të dhe sado të kërkoj nëpër xhepat e tjerë vetëm mund të pohoj sërish pa folur e vetëm me gjestikulacion se nuk kam harruar ta marr pajisjen e nevojshme për lojën e hokejit, por nuk e kam dokumentin e nevojshëm për ta kaluar kufirin. Shoku im insiston që polici ta thërrasë eprorin e tij dhe të shpjegojë se jemi duke shpenzuar kot kohë të nevojshme për të arritur sa më shpejt për lojën e hokejit të kombëtares zvicerane sikur të kishte ditur që eprori është një tifoz i madh i hokejit mbi akull dhe se jo vetëm që urdhëron që dy udhëtarët nga Parisi të hyjnë në territor zviceran, por po ashtu urdhëron që dy lojtarët e famshëm të kombëtares më të famshme të hokejit mbi akull të nisen shpejt për në lojë me veturë të policisë kufitare.

- Dhe, natyrisht, kam ruajtur linjën e trupit në burg, kur u ktheva në Shqipëri. Pas luftës, nja dy vjet mbajta linjën duke luajtur tenis me diplomatë britanikë e të tjerë dhe pastaj pushteti vendosi që ky aktivitet “spiunllëku” duhej ndalur. Më dënuan në burg me punë të rëndë e me internim; natyrisht, nuk është se ka pasur ndonjë ushqim që do të më shëndoshte...

3.

Flet një anglishte eprore duke mbajtur tonalitetin e fytit sikur të ishte në pritje në parlament apo në pallat aristokratësh. Forma shkon me përmbajtjen e artikulimit të nocioneve të të drejtave të njeriut, brenda një konteksti të së drejtës ndërkombëtare - një artikulim elokuence dhe saktësie.

Ndien rehatinë familjare të frëngjishtes - është në shtëpi me gjuhën dhe gjuha është në shtëpi me të. Dëgjoj një e tjetër pjesëmarrës duke pyetur se kush është ky njeri, prej nga është vërtet dhe si përfundoi në atë vend që e përfaqëson?

Italishtja e tij e kalon testin e tradhtisë së theksit shqiptar në “r” dhe “l”. Është lozonjare, sikur momentet që i vijnë në mend nga koha kur e përdorte këtë gjuhë në Romë, në vitet kur ndizej bota e ai shpresonte që e tëra ndoshta është një keqkuptim i madh që do të përfundojë shpejt, sepse njerëzimi nuk është aq i çmendur sa të hyjë në vetëshkatërrim.

Kur flet shqip është një kombinim i një fëmije të kamur të Beratit dhe një personi që e gjen veten në anën e gabuar të kufirit kohor e gjeografik më 1945. Është shqipja e njeriut që ndien se duhet të jetë po aq e begatë sa edhe gjuhët e tjera evropiane që i flet, me rrjedhë e thellësi.

Janë dy, tre, katër personazhe. Po të ishte shkrimtar, do të ishte tre a katër shkrimtarë, me emra të ndryshëm, me “heteronimë”, siç i quante Fernando Pessoa, çdonjëri prej tyre duke shkruar në gjuhën e vet për një veçanti jete. Apo për një jetë të tërë të veçantë, të përjetuar vetëm në atë gjuhë.

4.

E kam takuar vetëm një herë në jetë, atëbotë në Lausanne.

Dhe ai takim më duket si një metaforë e historisë së Shqipërisë, ndoshta edhe i shqiptarëve në tërësi.

Ja ku ishte personazhi më aristokratik shqiptar që kam njohur ndonjëherë, ja ku ishte një personazh që intelektualisht do të ndihej komod në sallon diplomatik, debat legal universitar, elaborim linguistik në Akademi apo në sallë gjykimi në kontest tregtar – në Paris, Londër, Munih, Lisbonë apo Kopenhagë. Dhe ja ku isha unë që e kisha parë vetëm një herë, për atë një ditë e gjysmë e për aq, përpjesëtimisht vënë në kontekst të historisë së shekullit XX e kishte parë Shqipëria, e kishte parë kombi shqiptar.

Ai ishte aty, por pushtetet, duke filluar nga ai i Enver Hoxhës, nuk e donin kudo tjetër pos në ndonjë rrëfim kujtese, mundësisht sa më të largët. E me pushtetet, kështu u mësuan edhe shoqëritë.