Nëse ende dikush nuk e ka të qartë se ku është burimi i destabilizimit të gjendjes në Ballkan, atëherë le ta marrë incizimin e fjalimit patetik, histerik e cinik të Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme dhe le ta dëgjojë. Krejt do t’i ketë të qarta
Me këtë votë, 11 korriku i secilit vit do të shënohet si “Dita ndërkombëtare e reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë më 1995”. Çdo vit do t’i rikujtohet të gjithë botës se ushtarët dhe paramilitarët serbë nën udhëheqjen e Ratko Mlladiqit, vranë mbi 8000 mijë burra e djem. Ushtarët dhe paramilitarët që u ndihmuan nga Serbia për ta nisur luftën dhe për të luftuar me gjithë çfarë kishte: para, armë, njerëz.
Fjalimi patetik i Vuçiqit, në të cilin Serbinë e quajti “shtet të vogël” që sulmohet nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit; ku tha se Serbia gjithherë kishte bërë luftëra mbrojtëse dhe ku haptazi u kërcënua se do të krijonte destabilitet në rajon – në Serbi u cilësua historik. Dhe heroik, meqë e vendosi flamurin e Serbisë në shpinë për ta përcjellë votimin dhe debatin që pasoi. E meqë ishte heroik e historik, qytetarët dolën nëpër rrugë për ta kremtuar fitoren. Sikurse kishin bërë me kremtimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan.
Atëherë Millosheviqi kishte paralajmëruar dhe premtuar luftën për faktin se Serbia ishte e madhe dhe se duhej ta impononte pushtetin e vet gjithandej. Atëherë masat e verbuara e ndiqnin dhe nuk e kishin dert se me luftë u shkatërrohen jetët popujve që nuk kanë lidhje, apo nuk duan të kenë lidhje me Serbinë.
Luftërat “mbrojtëse” të Vuçiqit, ishin tri shkatërrimtare në më pak se shtatë vjet – me qindra mijëra të vrarë e masakruar, me shkatërrime apokaliptike dhe me dëbime masive me qëllimin e spastrimit etnik.
Pardje serbët dolën të festonin “fitoren” e Srebrenicës dhe tash kërcënimi u shqiptua në Asamblenë e Përgjithshme: do të hapet Kutia e Pandorës dhe do të destabilizohet rajoni. Prapë ka shumë të verbuar që e përcjellin një fashist që, sikurse edhe një nga mentorët e tij, Millosheviq, e luan rolin e paqebërësit dhe garantuesit të paqes në rajonin që vetë e trazon. Millosheviqit ky status i zgjati nga pesë vjet dhe mbaroi në Hagë. Vuçiqit është duke i zgjatur shumë më shumë – dhe kurrë nuk i dihet, mbase Perëndimit më në fund do t’ua mbushë kupën, pas pafytyrësisë së shpërfaqur të enjten.
* * *
Pra nëse ende dikush nuk e ka të qartë se ku është burimi i destabilizimit të gjendjes në Ballkan, atëherë le ta marrë incizimin e fjalimit patetik, histerik e cinik të Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme dhe le ta dëgjojë. Krejt do t’i ketë të qarta.
Dhe nuk e besoj se njerëzit që merren me politikë të lartë e që gjithë kohën kërkojnë që të koordinohet cilido veprim i autoriteteve kosovare, nuk e dinë këtë. Nuk jemi aq naivë për të mos kuptuar se i gjithë qëllimi i kësaj politike është që Serbinë ta bëjë për vete e ta largojë nga Rusia e edhe Kina, porse vetë ngjarjet në Asamblenë e Përgjithshme qartë e tregojnë se kjo është një përpjekje e cila nuk është duke dhënë rezultatet që priten. Përkrahja më e madhe për Serbinë aty erdhi pikërisht nga këto dy shtete. Ndërkohë, Serbia vazhdon të jetë i vetmi shtet i cili nuk i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
E me gjitha këto në mendje, nga fillimi i javës, Policia e Kosovës dhe ATK-ja vepruan në veri dhe u nisën për t’i mbyllur gjashtë filiale të Kursimores Postare të Serbisë që operonin në Kosovë pa leje e licencë.
Si pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të shumëvonuar të BQK-së që euroja të jetë valuta e vetme e ligjshme në qarkullim në Kosovë, pavarësisht bisedimeve të kota në Bruksel, Kosova mori hapin e duhur me të cilin nuk bënte asgjë tjetër pos që ta zbatonte Kushtetutën. Po atë Kushtetutë që e kishin sponsorizuar fuqitë e mëdha që e ndihmuan pavarësinë e Kosovës me qëllimin fuqizimit të shtetësisë së saj.
Sa për të rikujtuar, Neni 11 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, alineja 1 thotë “Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”. Valuta e vetme quhet “euro”, e atë madje nuk e emeton BQK-ja, por shtetet anëtare të BE-së.
Në aksionin e Policisë dhe ATK-së u konfiskuan rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë (nja 630 mijë euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë. Pra, mbi dy milionë euro për të cilat nuk dihet as si kanë hyrë në Kosovë, e nuk dihet as për çfarë shërbejnë dhe kujt i shpërndahen. Sërish të kujtojmë, propozimi i BQK-së kishte qenë shumë i thjeshtë dhe i realizueshëm: që paratë që Serbia do të kishte ndërmend t’i niste në Kosovë, t’i transferonte nëpërmjet cilësdo bankë komerciale në Kosovë (që është e mbikëqyrur nga BQK-ja). Por jo. Serbia insistonte që t’i kishte bankat e veta operative në Kosovë, duke e shmangur autoritetin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Natyrisht, veprimi u quajt “terror i të ashtuquajturit shtet të Kosovës” dhe nxiti reagimin e State Departmentit amerikan si dhe të ministrisë së Jashtme franceze, e cila tha: “Franca është e shqetësuar nga operacioni i fundit i policisë së Kosovës që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ato ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve”.
E pabesueshme që veprimi sovran i institucioneve shtetërore vazhdon të quhet “i njëanshëm”, sidomos nga Franca, planin e përbashkët me Gjermaninë të së cilës e hodhën përtokë Vuçiqi dhe ndërmjetësit e BE-së. Nuk e di të kem lexuar kudo që refuzimi i Vuçiqit për ta pranuar planin franko-gjerman të jetë quajtur veprim i njëanshëm, i dëmshëm dhe destabilizues për rajonin.
Sido që të jetë, shmangia e ligjit, evazioni fiskal, mospagesa e rrymës e ujit dhe shërbimeve të tjera, qarkullimi me targa ilegale dhe dokumente ilegale identifikimi u toleruan hiq më pak se një çerekshekulli. Natyrisht se për ata që janë kënaqur në këtë zonë gri, tash kjo është goditje që do të duhej t’i kthente në realitet: si qytetarë të Kosovës, duhen t’u përmbahen ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ashtu siç bëjmë të gjithë ne të tjerët, bizneset e të cilëve përjetojnë që t’u bllokohen llogaritë nëse nuk i paguajnë tatimet me kohë. Por kujt nuk i shkon në mendje të çohet e të thotë se këto janë veprime të njëanshme të institucioneve e që mund të nxisin jostabilitet. E jostabilitetin politik mund ta shkaktojnë grevat e protestat pikërisht për shkak të diskriminimit që i bëhet shumicës së popullatës në Kosovë, ndaj së cilës nuk ka mbyllje sysh dhe shprehje brenge se mund t’i përkeqësohet jeta dhe gjendja ekonomike.
Vendosja e sovranitetit të Kosovës në veri e ka shtegun e gjatë përpara dhe uroj të jetë në rrugë të mirë, e të mos ndalet me vërejtje të këtij tipi. Njëzetepesë vjet janë humbur duke lëshuar pe, duke toleruar krijimin e një shoqërie paralele dhe duke e mbajtur Kosovën gjysmëfunksionale.
Të huajt do të jenë shumë të hidhëruar me Kurtin të cilin e akuzojnë për moskoordinim. Porse veprimet e qeverisë së tij dhe organeve të rendit në veri mbase janë arritja më e madhe e ekzekutivit në këta tre vjet e gjysmë qeverisjeje. Dhe ky është sukses i cili mund t’i garantojë fitore të re në zgjedhjet që duket se do të ndodhin më shpejt sesa e kishim imagjinuar.
* * *
VV-ja tashmë e ka mbërritur marrëveshjen me PDK-në për të shkuar në zgjedhje me shpërndarjen e Kuvendit. AAK-ja kërkon mocion për ta rrëzuar Kurtin, e LDK-ja e kërkon dorëheqjen e tij. Këto dy të fundit nuk do të ndodhin, ndërkohë që për ta shpërndarë Kuvendin mjaftojnë votat e VV-së, PDK-së dhe të minoriteteve joserbe. Kjo, natyrisht, nëse deputetët e GP të VV-së (ku është edhe Guxo) i përmbahen disiplinës partiake dhe votojnë për.
Që zgjedhjet të mbahen në korrik, shpërndarja duhet të ndodhë më 29 a 30 maj. Dhe nëse ndodh pa votat e AAK-së dhe LDK-së, kjo nuk do të flasë për parimësinë e këtyre partive, por më parë për projeksionet e pafavorshme që po rrjedhin nga sondazhet.
Të presim e të shohim se çka po ndodh javën që vjen. Nëse ka zgjedhje të hershme, në kohën kur edhe Evropa i ka zgjedhjet e veta, një dihet me siguri: dialogu në Bruksel shkon në pushim të gjatë.