Shpresojmë që viti 2023 të jetë një vit më ndryshe, një vit pa barrikada e tensione, pa greva e vrasje. Një vit ku mund të mburremi me arritje
Pasojat që ngërthen më vete një luftë do të shpështjelloheshin në sytë e tërë botës, qysh në fillim të vitit.
Me epokën digjitale që e ka bërë të veten, do të shpërfaqeshin shkatërrimet, humbjet, tragjeditë e heroizmat, krejt kjo në një vend jo afër nesh.
Në shkurtin e sivjetmë në Ukrainë, leksione botës do t’i jepeshin për dashurinë ndaj atdheut. Atë që brezi ynë e kishte kuptuar dikur, se shtëpi të dytë nuk mund të kesh. Fotografitë e të rinjve e të rejave me armë në krah do të bënin xhiro nëpër botë.
Kurajë do t’u jepte vetë presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky.
Do të bëhej emri më i përmendur në botë.
Në analizat që do të shtroheshin, në ndikimet e pasojat, do të përmendej edhe rreziku që i kanoset Kosovës.
Fundja, rrezikut serb do t’i referoheshin edhe vetë krerët e vendit tonë.
Mendja te lufta mund të na ketë shkuar të gjithë neve, të paktën një herë gjatë këtij viti.
***
Këtë mundësi e kishte përmendur edhe kryeministri Albin Kurti gjatë një interviste për një medium të huaj. Për çfarë kishte marrë kritika kryesisht nga opozita. Madje i thanë se me këto deklarime shënoi “autogol”.
Pasojat e luftës në Ukrainë u vërejtën gjithandej botës. Kriza e ushqimit e po ashtu ajo energjetike goditi botën. Pa u prekur nuk mbeti as Kosova, ku inflacioni arriti në shkallë të lartë, ndërsa nuk munguan as reduktimet e rrymës.
Por, po ashtu nuk munguan as tensionet në veri të vendit, edhe pse ndërkombëtarët vazhdimisht e përsëritën se nuk duhet një konflikt i dytë në Evropë.
Tensionet në veri, vendosja e barrikadave në rrugët që çojnë në kufi, kanë sjellë shqetësime.
Ishte planifikuar që ky vit të sjellë përshpejtim drejt një marrëveshjeje finale Kosovë – Serbi, mirëpo temat si “targa e letërnjoftime” sollën barrikada e tensione në veri.
Tensionet në veri nisën në fund të korrikut, një ditë para se të hynin në fuqi vendimet e Qeverisë për reciprocitet për letërnjoftime dhe për riregjistrim të veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.
Në momentin e fundit, situata u qetësua pas ndërhyrjes së SHBA-së, ku ambasadori amerikan në Prishtinë kërkoi nga krerët e Kosovës shtyrje të vendimit për një muaj.
Në periudhën e kërkuar u arrit marrëveshje për njohje të letërnjoftimeve, por çështja e targave mbeti peng. Ndonëse pati thirrje nga ndërkombëtarët që çështja e targave të shtyhet për një vit, Qeveria e Kosovës vendosi ta zbatonte vendimin sipas datës që kishte caktuar, por në mënyrë të shkallëzuar, fillimisht duke dhënë fletëqortime, e më pas me gjoba. Por, pak ditë para se të vinte te gjobat, erdhi te tërheqja e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës.
Marrëveshja për targat u arrit, sërish falë një shtyrjeje të dytë, kësaj radhe për 48 orë që kërkoi ambasadori amerikan.
Por, ndonëse u arrit marrëveshja për targa, në veri u krijua një vakum institucional. Katër komunat veriore mbetën pa kryetarë, ndërsa strukturat ilegale në veri të dirigjuara nga Beogradi, dolën në skenë në momentin kur anëtarët e KQZ-së të përcjellë nga Policia tentuan të futeshin në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor. Pati hedhje të shok-bombave, e po ashtu edhe të shtëna. Një polic i Kosovës u plagos gjatë tensioneve në veri, ndërsa u vendosën barrikada për të bllokuar rrugët që çonin në pika kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Nëpër mediume ndërkombëtare po shkruhej për mundësinë e “një lufte të re në Evropë”.
***
Veriu nuk është problemi i vetëm me të cilin Kosova u përballë këtë vit. Dhuna ndaj grave ishte ajo që sërish u soll në qendër të vëmendjes.
Vrasja e një shtatzëne 35-vjeçare në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në fund të nëntorit, tronditi vendin. Ajo u vra nga ish-bashkëshorti, ndonëse kishte urdhër-mbrojtje.
Për dy orë trupi i saj i pajetë kishte qëndruar në oborr të Gjinekologjisë, ndërsa nuk ishte bërë fare përpjekje për t’ia shpëtuar foshnjën.
U vu në pah një dështim zinxhirë për të mbrojtur një grua që kishte kërkuar mbrojtje.
Ky dështim ishte parë edhe në rastin e një vajze 11-vjeçare që ishte përdhunuar në Prishtinë për orë të tëra nga pesë persona.
Doli se ishte hera e dytë që vajza u dhunua. Ndërsa në total në dy raste janë të akuzuar 13 persona.
Një sfidë tjetër, në këtë vit mjaft sfidues, ishte edhe greva e përgjithshme në sektorin publik, përfshirë në arsim.
Mësimi filloi me një muaj vonesë shkaku i grevave, duke i dhënë një goditje tjetër arsimit të Kosovës, që edhe ashtu gjendet nga fundi i renditjes sipas matjeve të PISA-s.
Sporti e kultura ishin fushat e vetme që na sollën momente të krenarisë këtë vit.
Medaljet e fituara në kampionate evropiane e botërore nga xhudistet Distria Krasniqi e Laura Fazliu dhe boksierja Donjeta Sadiku na sollën momente krenarie. Siç na solli edhe paraqitja e dy futbollistëve shqiptarë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri me fanellën e Zvicrës në Botërorin e futbollit në Katar.
Shpresojmë që viti 2023 të jetë një vit më ndryshe, një vit pa barrikada e tensione, pa greva e vrasje. Një vit ku mund të mburremi me arritje.