Një vit ka kaluar nga ajo që BE-ja e quan “marrëveshje” dhe asnjë pikë e saj nuk është zbatuar. Marrëveshjen e kanë vrarë sa dy palët, aq edhe BE-ja, e cila në vend të insistimit të pakusht ndaj palëve, ka nisur me improvizime. Pas “marrëveshjes” ka pasur më shumë tensione sesa normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, është rritur mosbesimi mes palëve dhe është krijuar një mosbesim i thellë mes Kosovës dhe lehtësuesve të BE-së që vazhdon edhe sot. Një vit pas marrëveshjes, Kosova e Serbia janë më larg normalizimit të raporteve sesa para saj
Para fiks një viti, në Bruksel, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, doli me një deklaratë shumë të çuditshme. Pas takimit që ai e kishte organizuar si lehtësues mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Borrelli tha në deklaratë për media se dy liderët, “nën lehtësimin e BE-së, u pajtuan sot se nuk ka më nevojë të diskutohet për propozimin e BE-së - Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Palët shprehen gatishmërinë e tyre që të ecin drejt implementimit të marrëveshjes”, tha ai. Në të njëjtën faqe ku u bë publike kjo deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, u botua edhe teksti i asaj që BE-ja e quan “marrëveshje”. Dhe vërtet, ndonëse me shumë të meta, ndonëse shumë larg nga synimet e mëhershme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, edhe kjo “marrëveshje” ofronte një normalizim të caktuar të raporteve. Sepse fliste për zhvillimin e raporteve në bazë të barazisë së palëve, respekt për integritetin territorial, moskundërshtim të anëtarësimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe shumë gjëra tjera.
Por nuk kaluan as disa minuta dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nisi t’i bishtnojë marrëveshjes dhe ta vërë në dyshim se a e ka pranuar apo jo. Gazetarëve u ra në sy menjëherë se nuk është nënshkruar Marrëveshja dhe ishim kuriozë të dinim se kur dhe ku do të zhvillohej ndonjë ceremoni. Por as sot e kësaj dite, një vit pas arritjes së “marrëveshjes”, ajo nuk është nënshkruar. Dhe BE-ja vazhdon të insistojë se ajo është obligim për palët, e nënshkruar apo jo.
As më 18 mars nuk pati nënshkrim të marrëveshjes për Aneksin e implementimit të marrëveshjes. Edhe kësaj radhe, BE-ja hoqi dorë nga qëndrimi i mëhershëm se marrëveshja dhe aneksi do të nënshkruhen si paketë e përbashkët, sepse pa aneks marrëveshja nuk do të kishte kuptim. Por edhe kësaj radhe, sikur më 27 shkurt, Borrell dhe Lajçak i dolën në ndihmë presidentit të Serbisë Vuçiq, dhe nisën skenarin sipas të cilit “marrëveshjet nuk kanë nevojë të nënshkruhen”. Dhe BE-ja edhe sot e kësaj dite insiston se marrëveshjet e panënshkruara janë ligjërisht obliguese. E obligimi ligjor del nga deklarata e lëshuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Pra, i gjithë serioziteti i këtij procesi, e gjithë pesha politike e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë, është reduktuar në një fjali të Përfaqësuesit të lartë të BE-së në deklaratën e lëshuar pas takimit në Ohër ku thuhet: “BE-ja mirëpret palët që u pajtuan sot për implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është parashikuar të bëhet pjesë përbërëse dhe obliguese në rrugëtimin përkatës evropian të palëve“.
Asgjë këtu nuk është e definuar, as pesha ligjore e pajtimit, as çfarë nënkupton “rrugëtimi përkatës evropian”.
Përmbajtja e këtij aneksi është e ditur. Por njëra palë, presidenti i Serbisë Vuçiq disa herë ka thënë se ai nuk i ka pranuar të gjitha pikat, as të marrëveshjes e as të aneksit. Nëse njëra palë thotë se nuk i ka pranuar, atëherë duket joserioz qëndrimi i BE-së se palët e kanë pranuar një marrëveshje dhe një aneks në tërësi. Për më tepër, Serbia ka mbajtur qëndrimin për një vit se nuk do të implementojë të gjitha pikat e marrëveshjes. Dhe Serbia jo vetëm se nuk ka pasur ndonjë pasojë, por as nuk është qortuar publikisht për deklarata të tilla. Borrelli dhe Lajçaku janë munduar në mesin e vendeve anëtare të BE-së të krijojnë përshtypjen se “nuk është me rëndësi çfarë flet Vuçiq, por çfarë bën” e, sipas tyre, “ai është i gatshëm të implementojë obligimet e tij”. Nga ana tjetër, të njëjtit lehtësues, që dukshëm nuk kanë të njëjtën miqësi dhe mirësjellje në raport me kryeministrin e Kosovës Kurti, kanë krijuar përshtypjen se “pala kosovare kërkon të nënshkruajë, por nuk do që t’i implementojë obligimet“. Kështu, pranojnë edhe në BE, procesi po sillet në një rreth vicioz.
Ndoshta historianët mund të gjejnë ndonjë, por unike, ironike dhe joserioze duket ajo që BE-ja vazhdon ta quajë “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, edhe pse ajo nuk është nënshkruar dhe Serbia nga niveli më i lartë disa herë është shprehur se nuk e ka pranuar në tërësi e as nuk e ka ndërmend ta zbatojë në tërësi.
Një vit ka kaluar nga ajo që BE-ja e quan “marrëveshje” dhe asnjë pikë e saj nuk është zbatuar. Marrëveshjen e kanë vrarë sa dy palët, aq edhe BE-ja e cila në vend të insistimit të pakusht ndaj palëve ka nisur me improvizime. Pas “marrëveshjes” ka pasur më shumë tensione sesa normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, është rritur mosbesimi mes palëve dhe është krijuar një mosbesim i thellë mes Kosovës dhe lehtësuesve të BE-së që vazhdon edhe sot. Një vit pas Marrëveshjes, Kosova e Serbia janë më larg normalizimit sesa para saj. Prej kur BE-ja tha se “u arrit marrëveshja” pati trazira në veri, pati sulme që BE-ja i quajti terroriste nga grupet paramilitare serbe, pati tensione në raportet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në. Dhe sanksione që akoma janë në fuqi. Por nuk pati implementim. Dhe jo vetëm palët dështuan që të implementojnë marrëveshjen, por as BE-ja nuk i përmbushi obligimet e saja. As BE-ja nuk e ka bërë akoma formalisht zbatimin e marrëveshjes si pjesë përbërëse të “rrugëtimit përkatës evropian” të Serbisë. Në momentin kur BE-ja nuk reagoi kur Serbia kundërshtoi edhe nisjen e procedurës së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe kur nuk reagoi ndaj letrës që Serbia ua dërgoi disa vendeve të BE-së që të mos lejojnë nisjen e procesit të integrimit të Kosovës në BE, nisi vrasja e marrëveshjes nga ana e BE-së. BE-ja bëri të qartë se as ajo vetë nuk e merr seriozisht atë që e quan marrëveshje. Dhe kur BE-ja nuk e merr seriozisht, atëherë kjo vetëm inkurajon palët që ta evitojnë zbatimin e obligimeve të tyre.