OpEd

Një verë dhe tre libra

Historia e Evropës nga këndvështrimi i përjetimeve personale, rrëshqitja e Gjermanisë drejt nazizmit dhe viti 1923, kur një kilogram bukë në dyqanet gjermane kushtonte 5.6 miliardë marka

1. Timothy Garton Ash: Europa

Nga viti 1945 deri me 2022 - një histori e Evropës, siç e ka përjetuar dhe interpretuar një publicist, profesor dhe dijetar britanik. Historia e Evropës bashkëkohore fillon mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Vazhdon me ndarje, me bashkim, me kriza e luhatje të rrezikshme. Timothy Garton Ash është evropian me pasion të madh. Si tinejxher përjetoi protestat e studentëve grekë më 1973 kundër juntës ushtarake. 10 vjet më vonë, më 1983, vizitoi Prishtinën. U kthye në Britani të Madhe me një tekst të cilit ia vuri këtë titull: Belfasti në Prishtinë. 15 vjet më vonë erdhi sërish në Kosovë - tashmë lufta kishte filluar. Më 2001 erdhi prapë në viset shqiptare, diku në kodra mbi Tetovë takoi krerët e një organizate që u kishte shpallur luftë politikave shtypëse maqedonase.

Timothy Garton Ash u ngjit në male me lajmin propagandistik në xhep, të lexuar diku, se po shkonte të takonte disa myslimanë të rrezikshëm. “Ali Ahmeti më priti me uiski 15 vjet të vjetër nga Skocia”, tregon Ash me humor të pazëvendësueshëm britanik. Ky është vetëm një nga shumë episodet e këtij libri ku mjeshtërisht ndërlidhet “politika e lartë” me përjetimet personale. Nga Malet e Sharrit në sallonet e debateve me Helmut Kohlin, Vaclav Havelin dhe Mihail Gorbaçovin. Timothy Garton Ash ka qenë përherë aty ku ka ndodhur historia. Kur s’ka qëlluar aty, ka arritur të nesërmen. Kombinimi mes përjetimeve personale, punës publicistike, hulumtimeve në vendet e ngjarjeve dhe takimeve me personalitete të rëndësishme e bën këtë libër një burim të pashtershëm të dijes.

2. Harald Jähner: “Höhenrausch” (Eufori e papërmbajtur)

Mes viteve 1918-1933, Gjermania kaloi nëpër një eksperiment politik: për herë të parë ishte demokraci parlamentare. Në fazën e parë (1918-1923) vendi u ballafaqua me krizë të madhe ekonomike (mes tjerash edhe për shkak të inflacionit). Faza e dytë (1923-1929) u karakterizua nga stabiliteti relativ. Faza e tretë fillon me krizën financiare që mori hov më 1929 në Bursën e New Yorkut dhe u shtri edhe në Gjermani. Më 1933 pushtetin e mori demagogu dhe piktori i dështuar Adolf Hitler. 15 vjetët e Republikës së Weimarit (kështu u quajt Gjermania me demokraci parlamentare) ishin një laborator i lirisë.

Nga ky laborator raporton gazetari Harald Jähner - me rrëfime e kapituj të shkurtër ai skicon një panoramë të shoqërisë gjermane, e cila i la anash ose i shporri disa vlera të së kaluarës. Emancipimi i gruas arriti nivele të panjohura, arkitektura e Bauhausit e hoqi pluhurin e ndërtimeve të së kaluarës, muzika dhe vallëzimi çliruan rolet e ngurta gjinore, letrarët provuan forma të reja shprehëse, trafiku urban u shndërrua në fenomen publik, vetura u bë sinonim i lirisë, mobilitetit dhe ikjes nga përditshmëria. Shkurt e shqip: një libër brilant si enciklopedi e përditshmërisë gjermane.

3. Jutta Hoffritz: Totentanz. 1923 und seine Folgen (Vallja makabre. 1923 dhe pasojat e tij)

Për të blerë bukë në vitin 1923, gjermanët ishte më mirë të shkonin në furrë me disa qese apo valixhe të mëdha se me kuletë. Aq shumë para duhej të merrnin me vete për të paguar një kilogram bukë. Hiperinflacioni po e gërryente çdo ditë ekonominë gjermane. Në maj një kilogram bukë kushtonte 474 marka, në fillim të tetorit 14 milionë, katër javë më vonë 5.6 miliardë marka.

Gazetarja Jutta Hoffritz e përshkruan këtë vit dramatik të Gjermanisë muaj pas muaji, ngjarje pas ngjarjeje, dramë pas drame dhe bazuar në biografitë e valltares Anita Berber, sipërmarrësit Hugo Stinnes, guvernatorit të bankës gjermane Rudof Havenstein dhe artistes Käthe Kollwitz.

Krahas inflacionit, Gjermania u përball edhe me dy kriza të tjera: pushtimi i krahinës së Ruhrit nga trupat franceze dhe belge dhe përpjekja e Adolf Hitlerit për puç. Pushtimi i Ruhrit ndodhi për shkak se Franca e akuzonte Gjermaninë se nuk po i përmbushte obligimet me të cilat ky shtet ishte ngarkuar më 1918, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Mes tjerash, Gjermania duhej t’i paguante reparacione të luftës Francës. Pushtimi i Ruhrit u përjetua si poshtërim i Gjermanisë dhe u dha hov grupeve antidemokratike. Në München lideri i partisë NSDAP, Adolf Hitleri, ndërmori një përpjekje për puç më 8 dhe 9 nëntor 1923 me qëllim të largimit nga pushteti të qeverisë qendrore në Berlin. Puçi dështoi, ndërsa Hitleri mori një dënim simbolik dhe më 20 dhjetor 1924 u lirua nga burgu. 10 vjet më vonë ai erdhi në pushtet. Libri i Jutta Hoffritz është një bazë e mirë për të kuptuar se si shpërtheu nacionalizmi gjerman me pasoja fatale jo vetëm për Evropën.