OpEd

Një skicë e thjeshtë 10-pikëshe paqeje për Ballkanin Perëndimor

Në vitin e luftës, kur është e qartë se ende nuk jetojmë në paqe, ja një skicë për këtë dhjetëvjetësh të paqes në Ballkan Perëndimor

Në javën e fundit të vitit 2022 Ballkani Perëndimor sërish prodhon rrëfime për konflikte të papërfunduara dhe për ato që pritet të ndodhin. Nuk do të hyj në shpjegim as përse, as prej kur, as kush është përgjegjës. Fakti se kjo po ndodh 21 vjet pas luftës së fundit (Maqedonia e Veriut), 23 vjet pas ndërhyrjes historike në Evropë (Kosovë dhe Serbi) dhe 28 vjet pas gjenocidit të parë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore (Bosnjë- Hercegovinë) flet vetë se ka sa të duash rrugë konflikti e lufte, por se ende nuk është gjendur rruga e paqes. Dhe në hiperprodhimin e skenarëve për njërën apo tjetrën zgjidhje (si të hiqen barrikadat, si të zgjidhet ngërçi kushtetues në këtë apo atë shtet, si të zhbllokohet vetoja etnike...) ja një skicë (ndoshta) e thjeshtë dhjetëpikëshe për paqen për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 1. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) do të jenë (më 2028) pjesë të Tregut unik evropian, me të drejta të barabarta aksesi në katër liritë evropiane. Ato do të barazohen me të drejtat që gëzojnë sot vendet joanëtare të BE-së, Norvegjia, Zvicra e Islanda. Kjo do të thotë se punëtori kosovar, djathi serb, programeri i Maqedonisë së Veriut dhe banka e Malit të Zi do të kenë akses të barabartë në tregun e Evropës.

 2. Për ta fituar të drejtën e aksesit në Tregun unik evropian, Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor duhet të vendosë (më 2024) hapësirën e katër lirive evropiane në rajonin e vet, pra të vendosë Tregun e përbashkët rajonal. E kjo do të thotë se arsimtari i Serbisë, vera e Kosovës, licenca e kompanisë së sigurimeve të BH-së dhe Fondi investues nga Maqedonia e Veriut të kenë akses të barabartë në Ballkanin Perëndimor. E për të pasur akses, këto vende duhet të bëjnë marrëveshje ndërinstitucionale.

 3. Vendet që janë të përgatitura për anëtarësim në BE sipas meritave të veta do të ftohen ta nënshkruajnë aderimin. Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor ka përgjegjësi për përgatitjen e WB6 për hyrje në katër liritë evropiane (pra të zgjerimit grupor në Tregun e përbashkët evropian) dhe njëkohësisht për integrim në bazë të meritave vetjake për anëtarësim në BE (në bazë të parimit regatta, ku hyn i pari ai që është më i përgatituri). Parimi regatta dhe ai i veprimit grupor janë të kushtëzuara mes vete.

 4. Bashkimi Evropian, pos fondeve ambicioze transformative (si ai i Agjendës së Gjelbër) do të themelojë Fondin për Kohezion e Paqe në Ballkanin Perëndimor, të drejtuar kah kohezioni infrastrukturor, ekonomik, kulturor e tjetër të Ballkanit Perëndimor. Mjetet e fondit do të përdoren edhe për arritjen e dy rrathëve koncentrikë të katër lirive evropiane, Tregut të përbashkët rajonal dhe Tregut të përbashkët evropian.

 5. Kosova dhe Serbia do të vendosin marrëdhënie ndërinstitucionale të derivuara nga nevojat e vendosjes së Tregut të përbashkët rajonal dhe Tregut unik evropian. Formati juridik i marrëdhënieve ndërinstitucionale do të jetë i barabartë për Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor.

 6. Kosova dhe Serbia do të negociojnë dhe dakordojnë kompetencat e “shtetit protektor”. Me këtë do të rregullohet, sipas standardeve më të mira evropiane roli i nevojshëm i Serbisë për mbrojtjen dhe zhvillimin e popullit serb dhe të kulturës serbe në Kosovë. Njëkohësisht do të rregullohet roli i Kosovës për mbrojtjen dhe zhvillimin e popullit shqiptar dhe të kulturës së tij në Luginë të Preshevës dhe në pjesë të tjera të Serbisë.

 7. Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor do të marrë pjesë aktive në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Vendet që janë të gatshme për anëtarësim në NATO dhe që duan ta bëjnë këtë më 2028 do të marrin ftesë për anëtarësim. Gjashtëshja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa marrë parasysh statusin e anëtarit apo jo në NATO, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi dhe sigurie për Ballkanin Perëndimor deri më 2028.

 8. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të vendosin në kryeqytetet nën sponsorim të drejtpërdrejtë të qeverive Qendrat e Kujtesës së Përbashkët. Në të gjitha këto qendra do të ndërtohet kujtesa për viktimat civile të luftës, të atyre “të anës tjetër”. Qendrat e Kulturës do të shërbejnë edhe si pika të njohjes së kulturave “të anës tjetër”.

 9. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërtojnë kompaktin e të drejtave të popujve joshumicë, duke u mbështetur në praktikat më të mira të rajonit (sikur është Marrëveshja kornizë e Ohrit e vitit 2001). Bazë e kompaktit do të jenë të drejtat joterritoriale të popujve joshumicë, pra të drejtat që janë të barasvlershme kudo që jetojnë popujt joshumicë.

 10. Gjuha rome do të jetë gjuhë në përdorim zyrtar në bashkitë/komunat ku jeton x për qind e popullatës rome. Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor do të krijojë trupin e përbashkët institucional për unifikimin dhe standardizimin e gjuhës rome në rajon.

Nëse kjo skicë ka shërbyer qoftë edhe të mendohet për paqe, nevojën për paqe apo rrugët e mundshme se si mund të mbërrihet, ka shërbyer për diçka. Diçka si skicë e vogël të një urimi për Vitin e Ri 2023, Vit paqeje!