Multilateralizmi, na thuhet, është në zmbrapsje. Por, ne nuk mund të lejojmë që pakësimi dhe fragmentimi t’ia zënë vendin. Nga ndryshimet klimatike dhe kolapsi i biodiversitetit e deri te konfliktet, tensionet gjeopolitike dhe trazirat që e ndikojnë botën sot, e dimë se kapërcimi i sfidave globale kërkon forma të reja dhe më të forta të bashkëpunimit global.
Fatmirësisht ka arsye reale për të qenë optimistë se partneritetet e reja dhe inovative mund ta formësojnë një botë më të mirë. Dhe mbase askund tjetër të dhënat e multilateralizmit nuk qëndrojnë më mirë, e mbase edhe shpërblimet potenciale nuk janë aq të larta, sesa kur ne punojmë së bashku për t’i përmirësuar rezultatet e shëndetit global.
Gjatë disa dekadave të fundit multilateralizmi, solidariteti dhe partneriteti kanë nxitur fitore mahnitëse karshi sëmundjeve infektive duke i transformuar jetët e disave në komunitetet më të margjinalizuara të botës. Vdekshmëria globale e fëmijëve, për shembull, është përgjysmuar që nga viti 2000 dhe një prej shkaqeve kryesore për këtë ka qenë imunizimi.
Të pakta ndërmarrje premtojnë aq shumë për njerëzimin gjatë viteve të ardhshme sa imunizimi. Të arriturat shkencore kanë hapur rrugë për vaksina të reja dhe më efektive, përfshirë vaksinën e parë botërore kundër malaries, e cila aktualisht është duke u administruar në disa shtete afrikane. Dhe inovacioni është duke luajtur rol kyç për të mundësuar që përherë e më shumë shtete të prodhojnë dhe t’u qasen vaksinave.
Më 20 qershor, një muaj para se bota të bashkohet për Lojërat Olimpike të radhës, liderë të qeverive, të shoqërisë civile dhe të sektorit privat mblidhen në Paris për “Mbrojtjen e së ardhmes sonë: Forumi global për sovranitet dhe inovacion në vaksina”. Në bashkorganizim të Francës, në emër të Ekipit të Evropës (i cili i përfshin Bashkimin Evropian, vendet anëtare të BE-së, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), Unionin Afrikan dhe Gavin, aleancën e vaksinave, takimi e mishëron frymën e solidaritetit që i nënvizon këto të arritura.
Përderisa gjysma e Afrikës është aktualisht duke vuajtur nga një shpërthim i ri i kolerës, e cila është bërë endemike në rajon si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike, ky është veçse një tjetër demonstrim, pas atij me COVID-19, i nevojës për furnizim më të parashikueshëm dhe të qasshëm të vaksinave për botën në zhvillim.
Ky forum synon që ta shënojë fillimin e një epoke të re për imunizim dhe për barazi, teksa Gavi po e përpilon planin e tij për të mbrojtur përherë e më shumë fëmijë nga sëmundje të tjera. Tani, në vitin e tij të 25-të, Gavi veçse ka vaksinuar më shumë se një miliard fëmijë në vende me të ardhura të ulëta – që është sa një e teta e gjithë njerëzimit. Përgjatë kësaj rruge ka kontribuar në parandalimin e miliona vdekjeve, në zhbllokimin e qindra miliarda dollarëve përfitime ekonomike dhe ka ndikuar në parandalimin dhe në përgjigjen kundër shpërthimit të sëmundjeve të reja dhe të përsëritura.
Në të ardhmen ne presim se vaksinat do të luajnë rol edhe më të madh që të na mbajnë të gjithëve të sigurt (një vaksinë kundër kancerit të zorrës së trashë tani është duke u testuar në Mbretërinë e Bashkuar) dhe t’i ndihmojnë shtetet të zhvillohen. Vaksinat luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e rrezikut nga rezistenca ndaj antibiotikëve, dhe kur bëhet fjalë për t’u ndihmuar shteteve që t’iu përshtaten ndryshimeve klimatike, ato ofrojnë mbrojtje kundër shpërthimit të sëmundjeve që përhapen nëpërmjet ujit, si kolera, dhe sëmundjeve të shkaktuara nga mushkonjat, si malaria dhe ethet e verdha, të cilat mund të nxiten nga vërshimet, thatësitë dhe temperaturat e ngritura.
Sovraniteti i vaksinave nënkupton që vendet të ndihmohen për t’i marrë në pronësi strategjitë e tyre kombëtare, si dhe që atyre t’u jepen mjete për t’iu qasur vaksinave që u nevojiten, veçanërisht në kohë të krizave dhe të trazimit të zinxhirit global të furnizimit, si në rastin që e hasëm gjatë pandemisë së COVID-19.
Forca unike e modelit të Gavit është se ai është i qëndrueshëm për nga qëllimi, duke e bashkuar kërkesën për të siguruar çmime të përballueshme teksa vendeve u kërkon që të kontribuojnë më shumë në funksion të mbulimit të kostos teksa të ardhurat e tyre kombëtare rriten.
Deri më tani ekonomitë e 19 shteteve janë rritur deri në pikën sa kanë dalë prej mbështetjes së Gavit dhe tani i paguajnë kostot e plota të programeve të tyre kombëtare për vaksina. Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm vendet e mbështetura nga Gavi do t’i bëjnë investimet e tyre më të mëdha ndonjëherë në imunizim, duke e paguar 40-përqindëshin e kostos për vaksinat e tyre rutinore.
Sovraniteti i vaksinave nënkupton njashtu që të kihet qasje në furnizimin e sigurt me vaksina.
Pandemia e ka shpërfaqur padrejtësinë dhe paefektshmërinë e qenësishme të përqendrimit të prodhimit të vaksinave të pak shteteve, gjë kjo që është reflektuar në vonesa të gjata të qasjes për shtetet dhe kontinentet që janë mbyllur prej ekosistemit prodhues.
Përshpejtuesi Afrikan i Prodhimit të Vaksinave (AVMA), një mekanizëm 1 miliard dollarësh i financimit që gjithashtu do të lansohet në Paris, është i destinuar që ta ribalancojë këtë ekosistem duke e katalizuar krijimin e një kapaciteti të fuqishëm të prodhimit të vaksinave në Afrikë, i cili aktualisht i prodhon vetëm 2 për qind të vaksinave që i përdor. AVMA-ja do ta theksojë nevojën e financimit për vaksinat që aktualisht janë në mungesë, siç janë vaksinat kundër kolerës dhe ebolës. Kjo është në konsistencë me Agjendën 2063 të Unionit Afrikan, e cila thekson se një popullatë e shëndoshë dhe prosperuese në Afrikë mund të arrihet nëpërmjet kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit. Kjo është gjë e mirë për botën, ngase askush nuk mund të jetë i sigurt pa qenë të gjithë të sigurt.
Në një botë që rëndom konceptohet si e ndarë, forumi i Mbrojtjes së të Ardhmes Tonë është një shans për ta festuar ndikimin e pashembullt global të imunizimit dhe, më gjerësisht, potencialin e pashfrytëzuar të solidaritetit dhe partneritetit global. Ne do të jemi aty, bashkë me udhëheqësit e shteteve nga e gjithë bota, për ta treguar mbështetjen tonë të palëkundur për programin ambicioz të Gavit dhe për përpjekjet e tij për fondet që i nevojiten për ta konceptuar një të ardhme më të shëndetshme e prosperuese, duke e bërë këtë brezin më të mbrojtur në histori.
(Emmanuel Macron është president i Francës. José Manuel Barroso, ish-president i Komisionit Evropian dhe kryeministër i Portugalisë, është udhëheqës i Gavit, Aleancë për Vaksina. Mohamed Cheikh El Ghazouani është president i Mauritanisë dhe kryesues i Unionit Afrikan. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)