Meqë liberalizimi pritet të ndodhë gjatë këtij mandati qeveritar, kasaveti kryesor i partive opozitare është bërë mos Qeveria po e shet si meritë të saj. Në fakt, drojën e kanë “me vend” nëse nisemi nga shembulli i 2008-s, kur kryeministri i kohës H.Th. e shpalli Pavarësinë, e sot partia që ai themeloi e shet si autor të kësaj vepre. Ai thjesht pati fatin të kontribuonte dhe ta kurorëzonte një proces të dhimbshëm e të gjatë me dekada. Për vizat meritë nuk ka askush. Thjesht, ishte përgjegjësi e atyre që i zgjodhëm e që i paguajmë me taksat tona për të plotësuar kriteret
Tash që është riaktualizuar tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, dy situata pashmangshëm kthehen në kujtesën e gjithsecilit: Një, festa e ministrit të kohës B.Ç., në vitin 2016, duke hapur shampanjën me stafin për të festuar liberalizimin e vizave; dhe dy, fraza epike e kryeministrit R.H. gjatë një interviste më 2018 se “liberalizimi ka ndodhur pardje”.
Tema përkatësisht premtimi për liberalizim të vizave ka kohë që është nxjerrë nga “menyja e pallavrave” nga vetë politikanët, e që është për çudi që e kanë kuptuar se kanë manipuluar mjaft me të.
Qysh në zgjedhjet e vitit 2010 ishte premtuar liberalizim i vizave “brenda 15 muajve”, më pas vazhdoi në ato të viteve 2014 e 2017, për t’u ndalur dikur.
Dhe bënë mirë.
Sot, asnjë prej politikanëve nuk ka guximin të japë më data e afate. Thjesht, përsëritin atë që edhe është konfirmuar prej Brukselit zyrtar se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”.
Gjithsesi, liberalizimi ende shfrytëzohet për “qërim hesapesh” mes partive dhe për rrëmbim meritash.
Ende ka akuza, siç është ajo e këtyre ditëve e ish-kryeministrit I.M. se pushteti aktual ia ka humbur Kosovës gjashtë vjet, meqë nuk e paskan kaluar demarkacionin me Malin e Zi “me kohë”. Ky nuk ka qenë asnjëherë qëndrim i Brukselit e as kusht i tij për liberalizim. Thjesht, presion i ndërkombëtarëve për të kaluar demarkacionin, gjë që kaloi, por nuk u shpërblye me liberalizim.
Meqë liberalizimi pritet të ndodhë gjatë këtij mandati qeveritar, kasaveti kryesor i partive opozitare është bërë mos Qeveria po e shet si meritë të saj.
Nga të gjitha partitë ka pasur zyrtarë që kanë dalë të deklarojnë se “nëse ndodh liberalizimi, nuk është meritë e kësaj Qeverie”.
Sikur dëshirojnë të mos ndodhë kjo, ose do të kishin qejf të ishin vetë në pushtet.
Epo, rotacioni këtë e ka. Dikush mbjell e dikush ha.
Në fakt, drojën e kanë “me vend” nëse nisemi nga shembulli i 2008-s, kur kryeministri i kohës H.Th. e shpalli Pavarësinë, e sot partia që ai themeloi e shet si autor të kësaj vepre. Ai thjesht pati fatin të kontribuonte dhe ta kurorëzonte një proces të dhimbshëm e të gjatë me dekada. Një proces ku u përfshinë me qindra mijëra veta, ku u vranë e u persekutuan me mijëra, e në fund një person e lexoi Deklaratën, pa dashur të futem në atë nëse i takonte atij apo presidentit ta bënte këtë.
Kjo është droja e partive opozitare të sotme, e që kanë qeverisur që nga paslufta.
Partitë, të gjitha, i shohin këto procese dhe këto punë si diçka që po e ndajnë nga hiseja e tyre, jo si obligim.
Plotësimi i kritereve nuk është meritë e askujt, është përgjegjësi e atyre që ishin në një moment të caktuar në pushtet, e ku ishin ngarkuar për këtë punë me vota të sovranit. Për këtë punë janë paguar.
Nëse është për ndarje të meritave, atëherë ajo do të duhej t’u ndahej komplet shërbyesve civilë për plotësim të kritereve.
Nxitimi për rezervim meritash erdhi pas shprehjes së vullnetit të vendeve anëtare të BE-së se ka ardhur koha që Kosova të marrë liberalizimin dhe pas futjes në agjendë për diskutim më 13 maj të kësaj teme në Grupin punues të Këshillit të Evropian. Pra, është bërë veç një hap dhe nuk ka asnjë garanci se do të ketë shpejt liberalizim të vizave. Këtë na e mëson përvoja, por edhe na e konfirmoi ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, shtetit kryesues të Presidencës së BE-së, Jan Lipavsky, që në mes të Prishtinës tha më 29 shtator se nuk mund të japë afate, porse vendi i tij dhe shtetet e tjera e kanë vullnetin ta shtyjnë këtë punë përpara.
Deri në fund të procesit janë të paktën edhe tetë hapa që duhet kaluar për të mbërritur tek i nënti – lëvizja e lirë. Nën 1) Duhet që ambasadorët e BE-së të votojnë për liberalizim të vizave; 2) Të mbahet takimi trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian; 3) Ambasadorët e BE-së duhet të miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet; 4) Parlamenti Evropian duhet të votojë për liberalizimin; 5) ambasadorët e BE-së duhet të votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizim; 6) Këshilli i Ministrave i BE-së duhet të miratojë me shumicë të thjeshtë liberalizimin; 7) Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, që janë Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian; dhe 8) Vendimi duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë edhe datën e hyrjes në fuqi.
Pra, ministri çek ka përvojën dhe të drejtën për të mos premtuar. Në fakt, edhe nëse premton ne më nuk besojmë në ato që kanë të bëjnë me vizat.
Ok, themi se liberalizimi u bë. A mendojnë këto parti e këta politikanë, pa përjashtim, pushtet e opozitë, se cila është trashëgimia e punës së tyre. Çfarë u kanë krijuar e çfarë u kanë lënë qytetarëve me qeverisjen e tyre. Sa prej qytetarëve kanë mundësi të shfrytëzojnë këtë liberalizim të vizave për të dalë e për të shëtitur shteteve të BE-së.
Statistikat janë të zymta. Barometri i Ballkanit për vitin 2022 thotë se në bazë të anketave 34 për qind e kosovarëve nuk kanë mundësi të bëjnë një javë pushim e 64 për qind e kanë të vështirë ta bëjnë këtë, edhe në Shqipëri madje.
Shto kësaj që me gjasë ky liberalizim po vjen në një kohë krize të madhe ekonomike, ku çmimet kanë prekur në tavan e ku inflacioni është 20 për qind, atëherë cilat janë mundësitë për udhëtim? Pak e hiç. Sa është faji i kësaj klase politike për këtë? Besoj i madh, meqë për 23 vjet më shumë “jemi arnuar” se që kemi bërë diçka për t’u mbajtur mend.
Pra, nëse dëshironi të mos zhgënjeheni më: Shmangni shampanjat qeveritare, shmangni ato që thonë politikanët për vizat dhe po, më e rëndësishmja, mos e kapni karremin e hedhur ditëve të fundit për meritat.
Meritë nuk ka askush. Thjesht, ishte përgjegjësi e atyre që i zgjodhëm e që i paguajmë me taksat tona.