OpEd

Një serial, dy realitete

E di se as Ukraina, as Kosova nuk janë rastet e vetme në botë ku e mira publike është gllabëruar nga një grusht njerëzish që u bënë të pasur brenda natës, duke mos çarë kokën për faktin se kështu më shumë e dëmtojnë shtetin për të cilin kinse punojnë, sesa që i shtyjnë proceset përpara, sepse për fat të keq, ne kemi qenë dëshmitarë të trajtimit të shtetit si pronë private me vite

Që nga java e kaluar, KTV-ja nisi transmetimin e serialit “Presidenti”, në të cilin rolin kryesor e luan kryetari aktual i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Është e pabesueshme sesi një aktor, që kishte qenë shumë i popullarizuar para se të bëhej kryetar shteti, i kishte hyrë një projekti të tillë, e që pas disa vjetësh vërtet të zgjidhej në krye të shtetit.

Episodet, tashmë të transmetuara, pavarësisht elementeve komike që përmbajnë, në fakt janë një përshkrim shumë i drejtpërdrejtë i një shteti të gërryer nga korrupsioni dhe i cili jeton gjithnjë me frikën e gllabërimit nga Putini. Kjo për shkak se që nga pavarësimi i vendit ka pasur udhëheqje, e cila i është nënshtruar diktatit të tij dhe në fakt ka bërë biznese me të, për përfitime personale.

Vendimi i atëherë kryetarit Janukoviç, që të mos e nënshkruante marrëveshjen e bashkimit politik dhe të tregtisë së lirë me BE-në dhe që t’i jepte përparësi Unionit Ekonomik Euroaziatik dhe lidhjeve shumë të ngushta me Rusinë, shkaktoi atë që u bë i njohur si “Revolucioni i Maidanit”.

Janukoviç iku në Rusi, ku edhe i dhanë azil politik, dhe kryetar u zgjodh Petro Poroshenko. Oligark, pronar mediash dhe politikan, Poroshenko bëri hapat e parë drejt afrimit me BE-në dhe për pasojë Rusia e okupoi Donbasin. Kjo gjë duket se i dha edhe më shumë krahë që të luftonte për mbrojtjen e gjuhës ukrainase, që ta forconte nacionalizimin ukrainas karshi rusëve që pretendojnë se ukrainasit nuk kanë as komb, as gjuhë, si dhe ta ndihmonte formimin e Kishës ortodokse autoqefale të Ukrainës. Mbeti në pushtet deri më 2019-n, kur i humbi zgjedhjet nga Zelenski dhe iku prej Ukrainës, pasi u akuzua për korrupsion.

* * *

Zelenski, i pavarur, që kishte formuar një parti të veten më vonë, i fitoi zgjedhjet me një shumicë të pabesueshme në rundin e dytë, kurse përkrahësit e tij e fituan shumicën absolute në Parlament.

U përpoq që të gjente zgjidhje për problemin e shkaktuar nga Rusia, që ia kishte okupuar një pjesë të territorit, porse duket se Putini e shikonte atë si komedian më parë, sesa homologun me të cilin duhej zgjidhur probleme serioze politike.

Rusia e pushtoi Ukrainën, kurse Zelenski u vu në krye të forcave të armatosura të shtetit të tij në luftën kundër pushtuesit. Njëri nga njerëzit më të njohur që iu bashkua, qe vetë Poroshenko, i cili u kthye nga ekzili, edhe me rrezikun se mund të arrestohej dhe u vu nën komandën e Zelenskit.

* * *

Nuk e di se si do të zhvillohet tutje seriali dhe nëse në fund të tij do ta ketë paraparë edhe luftën me Rusinë. Nuk kam dashur t’i shikoj episodet më herët, ngase po më intrigon mënyra se si e ndërton komplet narrativën dhe se si në secilin episod qet në sipërfaqe nga pak nga rutina, të cilën e kanë ndërtuar politikanët e korruptuar në shtetin të cilin ky, me gjithë modestinë e vet, e merr për ta futur në rend.

Dhe kur i përcjell episodet, e sheh se ajo që po paraqitet në ekran, hiç nuk është larg asaj që e kemi ne prej kohësh: njerëz syuritur, që posa të marrin një copë pushtet, mendojnë se botën dhe krejt çka i ka ajo për të ofruar janë të tyret falas.

E di se as Ukraina, as Kosova nuk janë rastet e vetme në botë ku e mira publike është gllabëruar nga një grusht njerëzish që u bënë të pasur brenda natës, duke mos çarë kokën për faktin se kështu më shumë e dëmtojnë shtetin për të cilin kinse punojnë, sesa që i shtyjnë proceset përpara.

Për fat të keq, ne kemi qenë dëshmitarë të trajtimit të shtetit si pronë private me vite e që na sjell në situatën kur as pas 14 vjetësh nuk jemi në gjendje ta zgjedhim një kryeprokuror shteti – pra njeriun kyç për luftimin e krimit dhe të korrupsionit pa i shkelur procedurat.

Lajmi i javës gjithsesi qe fillimisht zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mandej reagimi fillimisht i shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, e më pas të ambasadorëve britanik, gjerman dhe amerikan. Që të gjithë duke shprehur zhgënjimin me procesin dhe duke çuar porosi te Vjosa Osmani se mbase nuk do të duhej dekretuar kryeprokurorin e ri, për shkak të shkeljeve procedurale.

Për më tepër, reagimi i ambasadorit amerikan flet edhe për shkelje ligji – që nëse është e vërtetë, do ta bënte dekretimin madje edhe kundërkushtetues.

Se çfarë do të vendosë Osmani mbetet të shihet, porse një gjë është e sigurt: Kosovës nuk i duhet zëvendësimi i Lumezit me ndonjë Lumez të ri. Kryeprokurori në ikje ka qëndruar në post shtatë vjet dhe nuk mund të krenohet për ndonjë punë të kryer që ka pasur efekt pozitiv në shoqërinë kosovare. Përkundrazi.

* * *

Te seriali i Zelenskit, bërthama e kritikës së tij nis nga arsimi. Në serial ai është profesor, i cili, nuk e di as vetë si, bëhet kryetar shteti. Që në episodin e parë manifestohet kalbja e sistemit arsimor, nëpërmjet drejtoreshës së shkollës në të cilën ai ka qenë i punësuar, që si mësimdhënës nuk e kishte bërë hesap. Në çastin kur ai zgjidhet kryetar shteti, ajo e ndërron qasjen dhe nis vardisjen neveritëse, me interesin e vetëm, që t’i hyjë në qejf e që rrugës të vazhdojë ta mbajë postin që e ka.

Në Kosovë, dje Gjykata Kushtetuese mori vendimin për t’i dhënë të drejtë ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, për reformën që e kishte nisur në komunën që e kryesoi katër vjet. Reforma e tij u bë copë e grimë me një vendim, që doli të ishte kundërkushtetues, i ministres së Arsimit. Në fund doli të ishte premtim zgjedhor, sipas vlerësimit tim, tepër i gabuar, që më së paku u ndihmon fëmijëve të komunës me numër përherë më të vogël nxënësish.

Kastrati kishte të drejtë kur insistonte t’i mbyllte shkollat e t’i riorganizonte ekzistueset. Arsyetimin e ka pasur shumë të logjikshëm dhe të shëndoshë: komuna detyrohej të paguante shuma të mëdha të hollash për rrogat e arsimtarëve që punonin në këto shkolla me pak nxënës. Në vend se të shpenzonte para në rroga, mëtonte që ato mjete, edhe ashtu të pakta në komunë me emigracion të madh, t’i përdorte për ngritjen e kushteve mësimore në shkolla.

Vendimin ia quajtën politik dhe të pamatur, e në esencë ishte i vetmi i cili e pati një vizion për ta reformuar arsimin në komunën e tij, që të sillte cilësi më të madhe që do të kishte efekt edhe në nxënien e nxënësve.

Kosova ka rreth 23 mijë mësimdhënës në të gjitha nivelet e arsimit publik parauniversitar me diku rreth 319 mijë nxënës, pra ku janë të përfshira çerdhet, parashkollorët, 13 vjet shkollë deri në universitet. Sipas një deklarate të zëvendësministrit të Arsimit, të dhënë para nja tre muajsh, qysh tash vlerësohet se numri i mësimdhënësve është rreth 1000 më i madh seç duhet. Dhe arsyet duhet kërkuar në dy kahe: te rënia e natalitetit dhe te emigracioni që nuk ndalet që sa vjet.

Kosova ka edhe rezultatet më të këqija në PISA dhe gjithashtu ka një armatë arsimtarësh që nëpërmjet sindikatës së vet refuzojnë t’i nënshtrohen çfarëdo testimi për t’ua matur kapacitetet për të qenë arsimtarë. Ka edhe shumë, shumë probleme të tjera, që nuk mund të zgjidhen vetëm duke e përsëritur se duhet bërë reformë. Reformat janë shpeshherë të dhimbshme, porse pa veprime radikale, nuk mund të kenë sukses. E një shembull i mirë, sado i rëndë, ka qenë ai i Kamenicës, i cili u prish me nguti dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

* * *

Pas serialit, Zelenski u bë kryetar përnjëmend dhe tash është shndërruar në simbolin e rezistencës së popullit të tij karshi pushtuesit rus. E thashë tashmë, nuk e di se si do të përfundojë seriali, porse gjithsesi uroj që të dalë fitimtar nga kjo luftë.

Nga ana tjetër, uroj që edhe në Kosovë të gjendet mënyra për t’i kthyer gjërat në binarë. Gjërat shkojnë shumë ngadalë dhe edhe pse po shihen disa lëvizje pozitive pas një viti, megjithatë vazhdojmë të qëndrojmë keq, sepse lëvizjet janë shumë të vogla në arsim, thuajse nuk ka asnjë lëvizje pozitive në shëndetësi, ka bllokadë në drejtësi dhe mungesë të parasë në treg e ngritje të pakontrolluara çmimesh.

Për dallim nga Zelenski, ne nuk kemi pse luftojmë me armë. Duhet të luftojmë me ide dhe pragmatizëm e mundësisht pa inate.

[email protected]