OpEd

Një sallë e një urë

Nuk kemi sallë koncertale, për shkak se nuk deshëm. Kemi urë të mbyllur, për shkak se kaq ditëm

Dy ishin ngjarjet kulturore që i përcolla gjatë javës së shkuar, që të dyja të organizuara brenda “Chopin Piano Festit” të Prishtinës. Të dielën u mbajt koncerti i pianistit francez, François Dumont, në përcjellje të Filharmonisë së Kosovës, e cila më pas ekzekutoi njërën simfoni të Schubertit. Të mërkurën mbrëma u mbajt koncerti i jashtëzakonshëm i kuartetit të kitaristëve nga Kroacia, mes të cilëve është edhe supertalenti Petrit Çeku, i lindur në Prizren, dhe i cili, pasi shkoi në Kroaci për shkollim të mëtejmë, mori edhe shtetësinë kroate.

Mbresëlënës qe koncerti i parë. Jo vetëm për shkak të lojës fantastike të Dumontit në piano, por për shkak se Filharmonia, e ndërtuar kryesisht nga njerëz të rinj, tingëllonte jashtëzakonisht mirë. I dyti qe po aq impresiv: koordinimi mes kitaristësh dhe pasioni me të cilin luanin, me Petritin e zhytur në notat të cilat i interpretonte me teknikën që tashmë e ka përsosur prej vitesh, thjesht bëri që koncerti që zgjati thuajse një orë e gjysmë, të dukej se ishte gjysmëorësh.

Filharmonia, pas një pune shumëvjeçare dhe të përkushtuar të udhëheqësve të saj, ka mbërritur në pikën që thuajse i ka mbuluar të gjitha vendet e instrumentistëve me talentët vendorë. Të dielën, vetëm katër nga dhjetëra sish, nuk ishin nga Kosova. Qëllimi i përgatitjes së kuadrove vendore për t’u angazhuar në këtë institucion është afër të realizohet, dhe kjo është një arritje shumë e madhe për një ndërmarrje që nisi nga e para menjëherë pas luftës.

Nga ana tjetër, ardhja e kuartetit nga Kroacia, në kohën kur kremtohej përvjetori i pavarësisë së Kroacisë, është sukses i madh i organizatoreve të “Chopin Festit”, që me shumë përpjekje kanë arritur të vendosin kontakte me të gjitha ambasadat e akredituara në Kosovë dhe kanë  inkurajuar ato që t’i sjellin artistët e tyre me nam në këtë festival që varet nga përkrahja financiare e donatorëve. Por që kënaqësia e përjetimit të koncerteve të cilësisë së lartë të zbehet u përkujdes vetë Kosova. U përkujdesëm vetë ne, që as pas 25 vjetësh lirie nuk qemë në gjendje të bëheshim me një sallë koncertale në Prishtinë. Atelieja në Pallatin e Rinisë nuk i plotëson kushtet as për hapësirë provash, e lërë më koncertesh, kurse Amfiteatri i i Bibliotekës së Re, është shumë i përshtatshëm për ligjërata, por aspak i pranueshëm për koncerte, me një podium të improvizuar e të ngushtë sa për ta akomoduar një tryezari për gjashtë veta.

Nuk e di sa para mund të kushtojë një sallë koncertale, porse e di se shumë para janë vjedhur në këtë vend. Në vend të kulturës nga e cila do të përfitonte i gjithë publiku, atë që përfituam është t’i mbajmë koncertet në të hapur, ulur në karrige të plastikës, duke i kontribuuar ndotjes akustike. Bash për kot.

* * *

Muzika, pa dyshim, qe pjesa e bukur e javës.

E shëmtuara, thuajse si gjithmonë, qe politika.

Këtë javë bajrakun e mori Vjosa Osmani duke e kritikuar publikisht Glauk Konjufcëfn dhe Qeverinë për mungesën e komunikimit ndërmjet krerëve institucionalë me rastin e dërgimit të letrës së Gërvallës në AP të KiE, në ditën kur Komiteti i Ministrave i KiE supozohej se duhej ta vinte në rend dite çështjen e anëtarësimit të Kosovës.

Përderisa Konjufca tha se Osmani nuk qe e qasshme për shkak se ishte jashtë shtetit, Osmani iu kthye duke i thënë se në kohë të teknologjisë moderne, mjetet e komunikimit janë të shumëllojshme dhe se nuk do të ishte e pamundur të kontaktohej.

Konjufca e pati arsyetimin e keq. Osmani përgjigjen shumë të ashpër me një ngjyrim ironie, por me argumentin që qëndron. 

Megjithatë, në prononcimin e Osmanit mungoi vetëkritika. Problemi i mospranimit të Kosovës nuk kishte qenë vetëm letra e huqur e Gërvallës. Problemi kishte qenë që as Kurti, as Osmani e as Gërvalla nuk u treguan fare aktivë në lobim për çështjen. Do të ishte pritur që prej vendimit të Asamblesë Parlamentare e deri te Komiteti i Ministrave krerët shtetërorë do të trokisnin në çdo derë të mundshme për ta arritur qëllimin. Por jo. Osmani qëndroi në Amerikë, Gërvalla tek arbëreshët e Kurti merrej me zgjedhjet në Maqedoni.

Pra, këta mund ta kritikojnë njëri-tjetrin sa të duan për moskomunikim, por fakti është se dështimi i cili i kushton Kosovës, në fakt është përgjegjësi e tyre. Në fakt është dështimi i tyre. Dhe më e pakta që do të pritej është një “mea culpa” publike. Sepse supozohet se këta udhëheqës dallojnë nga ata paraprakë, së paku në kuptimin e përgjegjësisë për veprimet e tyre.

* * *

Përgjegjësit paraprakë politikë papërgjegjësinë e tyre e kanë kamufluar me termin “historik”. Krejt marrëveshjet që i kanë lidhur me Serbinë para 11, përkatësisht 9 vjetësh, e që na e kanë lënë pataten e nxehtë në duar, “Zajednicën”, u patën cilësuar historike. 

Sikurse kishte qenë rasti me marrëveshjen “për lirinë e lëvizjes” që Isa Mustafa e pati nënshkruar me Vuçiqin në prezencë të Mogherinit më 2015.

Kjo marrëveshje, edhe pse jo shprehimisht, u aktualizua këtë javë. Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka vendosur ta rihapë Urën e Ibrit. BE-ja thotë se kjo është çështje që duhet të zgjidhet në Bruksel, në dialog. 

Dhe BE-ja e ka argumentin në anën e vet. Arsyet mund të gjenden në librin “Emri i Autonomisë” (KOHA, 2015):

“Marrëveshja “historike” e quajtur “Liria e lëvizjes/konkluzionet e urës” thotë se Kosova dhe Serbia kanë kërkuar prej BE-së që “ta revitalizojë urën e Mitrovicës me rrethinë, sipas rekomandimeve të vlerësimit teknik dhe bazuar në dizajnin arkitekturor të 29 qershorit të vitit 2015 të dakorduar mes dy palëve”. 

Në pikën dy, kryeministrat e të dyja vendeve nënshkruan një formulim që i ka hije një raporti të referentit në urbanizëm, se “më 15 tetor të vitit 2015 kontraktuesi do t’i mbyllë të dy anët e urës me barriera fikse dhe një rrethojë fikse ndërtimi. Puna ndërtimore në urë do të bëhet duke iu qasur urës nga rruga qasëse jugore. Ura do të jetë e hapur për tërë trafikun deri në verë/jo më larg se deri në fund të qershorit të vitit 2016”. Dhe pasi përshkruan këto detaje, kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës cekën se “në bazë të të njëjtit orar komuna do ta revitalizojë rrugën kryesore (rrugën “Mbreti Petar”) në zonë pedonale. Rruga do të jetë e hapur për kalimtarët deri në verë/ jo më larg se në fund të vitit 2016”.

Qe i nevojshëm citimi i detajuar i kësaj Marrëveshjeje “historike”, sepse në të shihet efekti i një këso kornize negociatore. Në të kryeministri i Kosovës (i ardhur në post pasi që janë aprovuar parimet, por edhe një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve nga paraardhësi i tij) jo vetëm që merret me çështje që nuk i përkasin (se çka do të bëjë kontraktori në urë si punë përgatitore, apo se cilën zonë do ta shpallë komuna pedonale), por, për më tepër, bëhet bashkëgarantues i veprimeve të këtilla me kryeministrin e një shteti tjetër, atë të Serbisë. 

Por, si u bë çështje e rëndësisë “historike” gardhi fiks i kontraktorit, i nevojshëm për të zhvilluar punimet apo predispozita e një komune që të ketë shëtitore të veten? 

Nuk qe e paqëllimshme. Ura e Mitrovicës, si problem negociator ka lindur pas Mendimit të GJND-së dhe pas fillimit të bisedimeve “teknike”. Listës së “problemeve konkrete” iu shtua edhe ai i një ure, e cila një mëngjes gdhiu me një mal dheu në mes, një ditë tjetër u betonua dhe pas disa vjetësh negociata u shndërrua dhunshëm në “Park”, madje “Park të paqes”.

Më 2016, “Parku i paqes” nisi të bëhej me mur, e Goran Rakiqi, atëherë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut na thoshte se “muri po ndërtohej për të siguruar izolim zëri”, kurse zëdhënësja e Mogherinit, Kocijançiç, na tregonte se nuk bëhej fjalë për mur, por se ishin shkallë, të cilat askush nuk i shihte por duhej t’i imagjinonte.

A mur, a shkallë, a çfarëdo që do të mund të parafytyronim – ura vazhdon të rrijë mbyllur dhe për ta hapur, gjasat janë se do të shkohet sërish në Bruksel. Për shkak se kështu është vendosur “historikisht”, nga njerëzit që mbajtën pushtet dhe përherë u përpoqën të na bindnin se vendimet e marra ishin për të mirën e Kosovës. 

Pasojat, siç po shihet, vazhdojmë t’i vuajmë.

[email protected]