Nuk e di nëse e kemi të qartë se nga jemi nisur. Porse ajo që është evidente është se përderisa bashkësia ndërkombëtare do ta amnistojë Vuçiqin për secilën lëvizje të tijën, duke mos dashur ta trazojë “që të mos kthehet nga Rusia”, kur tashmë është i kthyer nga Rusia dhe me fare pak respekt për Evropën në përgjithësi, pos parave që mund t’i marrë nga ajo, qetësi këtu nuk do të ketë
Përcjellja e kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe me polici speciale rezultoi me plagosjen dhe lëndimin e 25 apo 30 ushtarëve të KFOR-it. Rezultoi edhe me ndezjen e veturave të mediumeve si dhe me demolimin shtazarak të tyre. Për fat të mirë, gazetarët në përgjithësi e kaluan pa pasoja fizike shfrenimin e urrejtjes së atyre që veten e quajnë paqësorë, të pafajshëm, të pambrojtur, të okupuar, etj, etj.
Në kohën e okupimit të njëmendtë të Kosovës nga Serbia, neve na i mbyllën shkollat, institucionet shëndetësore, kulturore, informative, etj.. Na qitën në rrugë më shumë se 150 mijë vetave dhe na lanë pa rroga, e megjithatë, na ndiqnin për t’i paguar qiratë, rrymën, ujin dhe tatimet. Në kushtet e “okupimit” të shpallur nga serbët, ka 24 vjet që ata nuk paguajnë rrymë, të cilën ua paguajmë ne, nuk paguajnë ujë, nuk i paguajnë tatime shtetit të Kosovës.
Ndërkohë që Administrata Tatimore e Kosovës i ndjek firmat shqiptare që kanë vështirësi financiare që t’i përmbushin obligimet, përndryshe ua bllokon llogaritë. Në këto kushte kush nuk e kishte pasur të na okuponin sikurse i kanë “okupuar” serbët në veri, e të na lirojnë nga të gjitha obligimet, ndërkohë që do të na paguanin rroga, pavarësisht a do të punonim ose jo.
Sido që të jetë, ishte kjo një javë e mundimshme për të gjithë ne që punojmë në mediume, ngase mendtë i kishim gjithë kohën tek ekipet që u ekspozoheshin edhe kërcënimeve edhe fyerjeve edhe obstruksioneve të të gjitha llojeve gjatë kryerjes së punës së tyre.
Rrëfimet e tyre pas hallakamës së ndodhur në Zveçan na e kujtonin kohën e protestave të viteve ’80 e ’90 në Kosovë – me rezultatin përafërsisht të njëjtë: dhuna edhe atëherë e edhe këtë herë shkaktohej nga serbët. Atëherë me uniforma, e tash të veshur në rroba civile.
* * *
Pra, vetë fakti se madje 30 ushtarë të kontingjenteve të ndryshme të KFOR-it pësuan plagosje dhe lëndime tregon se armët kishin krisur nga ana e serbëve. Më kot do të dilnin të thoshin se policët e Kosovës ishin armatosur me snajperë për t’i goditur serbët, sepse në fund, asnjë serb nuk u plagos. U plagosën italianët dhe hungarezët, kryesisht. Dhe nga dora e serbëve “paqedashës” dhe të pambrojtur.
Të ashpra qenë reagimet ndërkombëtare menjëherë pas trazirave. Amerika e përjashtoi Kosovën nga ushtrimet ushtarake “Defender” dhe Kurti u apostrofua si fajtori për krejt këtë që kishte ndodhur. Me asnjë fjalë të vetme, nuk doli kush të thoshte se dhunën nuk e shkaktoi as Kurti as Policia speciale e Kosovës.
U dëgjua komandanti KFOR-it tek thoshte se po të kishin ndërhyrë, do të bëhej edhe më keq. Por fakti doli se ushtarët e KFOR-it nuk paskan ditur si të mbroheshin në çastin e sulmeve që iu bënë. Po hamendësoj se kjo është për shkak se këta ushtarë mbase nuk e kanë pritur se do të mund të përshkallëzonte situata aq sa të bien në derexhenë e asaj dite. Gjithashtu, po hamendësoj se këto nuk janë trupa të trajnuara për të ndërhyrë në trazira, një teknikë të regjur mirë nga policia speciale e Kosovës. Siç do të komentonin disa, policia jonë fillimisht është trajnuar nga amerikanët, e më pas ka pasur rast të bëjë ushtrime praktike sa herë që ”Vetëvendosja” ka organizuar protesta në të shkuarën, ku nuk është kursyer dhuna.
Sa herë flasim për këtë, më kujtohet dhuna me të cilën u patën futur në dikur selinë e “VV-së”, duke i thyer dyert e xhamave, për ta arrestuar Kurtin. E besoj se një pjesë e madhe e atyre pjesëtarëve të njësive speciale, janë ende aktivë në punën e tyre.
Por, e mira në gjithë këtë situatë është se Policia e Kosovës nuk ndërhyri në asnjë formë, pos për t’i ndihmuar ushtarët e KFOR-it, sepse gjakderdhja, e besoj, do të ishte masive.
* * *
T’u kthehemi ndërkombëtarëve.
Atë që po shohim tash është një kakofoni kërkesash të qarta e të paqarta dhe një mungesë koordinimi kërkesash që do ta nxirrnin një zgjidhje nga kjo situatë e koklavitur.
Shikuar nga këndi kosovar, problemi qëndron te fakti se bashkësia ndërkombëtare vazhdon të mos e pranojë publikisht se fajin për situatën e tendosur e mban Vuçiqi me qeverinë tij, nëpërmjet dorës së vet të zgjatur, Lista Serbe.
Dhe çelësi i problemit është Marrëveshja e Ohrit.
Kur nuk u nënshkrua dokumenti, evropianët dhe amerikanët thanë se marrëveshja gojore është obligative, prandaj duhet nisur së zbatuari. Madje u bë një plan kohor brenda të cilit duhen të zgjidheshin disa çështje.
Vuçiqi që të nesërmen tha se nuk ka marrëveshje, se kurrë nuk do ta zbatonte atë dhe se kurrë nuk do ta njihte shtetin e pavarur të Kosovës.
Nuk u dëgjua kush t’i ketë thënë se të tjera kanë qenë fjalët në Ohër dhe se obligimet vlenin edhe për shtetin e tij. Presioni u kthye nga Kosova për zbatimin e marrëveshjes nga 2013 në lidhje me “Zajednicën”. Doli një dokument alla Republika Serbe e Bosnjës prej një ekipi menaxhues i skaduar, dhe sërish presioni iu hodh Kurtit, kur vendosi ta shkarkonte atë, ngase “tashmë e kishte kryer punën”.
Serbia votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe askush nuk u bë i gjallë të thoshte se Serbia ishte duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit. Sërish u përsërit insistimi që Kosova ta formonte “Zajednicën”.
Dhe sillu e pështillu, krejt po kthehemi te gafa e Thaçit më 2013. Thuajse ka diçka magjike në atë term e marrëveshje, thuajse është gjëja më e rëndësishme nga e cila na varet jeta. Duke mos e kuptuar se edhe po të themelohej ky asociacion, që nesër do të dilte kërkesa e re e Vuçiqit për kushedi çka, e mandej edhe një, e edhe një deri në pafund, sepse problemi quhet Vuçiq apo edhe Serbi, varësisht si e shikon.
E problemi bëhet më i madh kur ekziston një bashkësi e tërë ndërkombëtare që nuk i mëshon sakicë kësaj pune dhe e përcakton qartazi se cilat janë pritjet dhe cilat janë sanksionet që mund të vijojnë. Dhe e cila nuk e sanksionon Serbinë për shkak se nuk bashkëpunon dhe për shkak se ajo nuk i vendos sanksione Rusisë, sikurse ka bërë e gjithë Evropa.
* * *
Protestat në veri janë qetësuar dy ditët e fundit, që do të thotë se është evidente se sustat janë shtypur në Beograd. Tash është susta “qetësohuni” dhe shtiruni si paqedashës. Deri në rastin e radhës kur duhet ndezur atmosferën sërish. Deri tash e kanë dëshmuar se e kanë lehtë, ngase kufiri është shumë lehtë i kalueshëm dhe policia serbe, pa uniforma, depërton lehtësisht në veri dhe vepron pa asnjë pengesë. Se pse është kështu, e besoj përgjigjen duhet kërkuar tek organet që janë përgjegjëse për sigurinë e këtij vendi.
Se si do të përfundojë kjo, e besoj se do ta marrim vesh mjaft shpejt. Jam e sigurt se që të gjithë të implikuarit janë të përfshirë në njëfarë lloj bisedimi për të dalë prej situatës në të cilën jemi, e që është e pambajtshme. Ndërkohë, opozita e organizoi një cirk në Kuvend dje, duke e akuzuar qeverinë për gjithçka, e duke mos e pasur as fuqinë as vullnetin për të ndihmuar që të shkohet para në këto procese.
Mund t’u duket edhe qesharake, edhe absurde – si të ishte një teatër që prej tragjedisë kalon në komedi brenda pak çastesh. Porse Kuvendi i Kosovës është një trup i kotë, i cili duket se ekziston aty vetëm sa për mëditje.
Ende nuk e kam të qartë se si akoma, asnjërës palë, nuk iu kujtua që të mblidheshin për të krijuar bile një trup konsultativ e për t’u marrë vesh për çështje jetike që na prekin të gjithëve. E këtu po aq faj kanë Kurti, që nuk i thërret shefat e partive opozitare, sa edhe vetë partitë opozitare që e luajnë rolin e “primadonave të hidhëruara” duke larë duart nga gabimet për të cilat mbajnë përgjegjësi institucionale.
Duket se ka ardhur çasti i fundit që këtë hap ta ndërmarrë Osmani, dhe që si faktor i unitetit, t’i mbledhë për t’i koordinuar gjërat. Dikush duhet të tregojë iniciativë, sepse bëhet fjalë për të gjithë shtetin dhe për ne që e bëjmë atë.
* * *
Nuk e di nëse e kemi të qartë se nga jemi nisur. Porse ajo që është evidente është se përderisa bashkësia ndërkombëtare do ta amnistojë Vuçiqin për secilën lëvizje të tijën, duke mos dashur ta trazojë “që të mos kthehet nga Rusia”, kur tashmë është i kthyer nga Rusia dhe me fare pak respekt për Evropën në përgjithësi, pos parave që mund t’i marrë nga ajo, qetësi këtu nuk do të ketë.