Tash më shumë se kurrë kërkohet unitet mes forcave politike në Kosovë. Ky është sulmi dhe paralajmërimi më i rrezikshëm që ka për qëllim copëtimin e Kosovës, dhe që është pasojë e shumë gabimeve që janë bërë nga ne vetë dhe nga bashkësia ndërkombëtare që na futi në një proces të pafund të sjelljes në qark. Tash duhet të veprojmë mençur dhe të koordinuar që ta shfrytëzojmë rastin që na e dha një aksion i parandaluar nga Policia e Kosovës
Tema e kësaj jave, e me gjasë edhe e javëve që do të vijnë, qe sulmi terrorist i kryer në Banjskë të Zveçanit të dielën e shkuar.
E gjitha, që në shikim të parë nisi me një kurth, me vendosjen e dy kamionëve në mes të rrugës për ta bllokuar qarkullimin, solli në vend të ngjarjes një patrullë policie që më pas i kërkoi edhe dy të tjera si përforcim. Nisën të shtënat dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën edhe dy policë të tjerë.
Në ngjarjet që u zhvilluan me një shpejtësi të madhe, në këtë fshat erdhën njësitet speciale të Policisë së Kosovës. U vranë tre terroristë, u arrestuan dy, të tjerët ikën dhe kaluan në Serbi. Thuhej se ishin tridhjetë. Do të thotë 25 ikën apo u lanë të ikin. Nuk e dimë, dhe gjasat janë se nuk do ta dimë, sepse operacioni ka pasur dhe vazhdon të ketë elemente sekrete, të cilat nuk do të shpalosen, për arsye të logjikshme.
Megjithatë, ikja e 25 vetave lë shije të keqe dhe tregon se vazhdojmë të jemi të rrezikuar nga një sulm i radhës. Pra, do të thotë se shteti ynë nuk duhet të flejë mbi vetëkënaqësinë e fitores në këtë betejë. Përkundrazi. Duhet qëndruar maksimalisht syçelë.
* * *
Gjatë ditës së diel, Kurti dhe zv.drejtori i Policisë mbajtën një konferencë shtypi. Jashtëzakonisht të matur që të dy dhe duke evituar përhapjen e çfarëdo paniku, ndanë informata aq sa duhej dhe punën e lënë në duart e atyre që edhe e kryen si duhet: njësive elite të Policisë së Kosovës.
Krejt e kundërt qe paraqitja e Vuçiqit, i cili e shtyu konferencën për shtyp për nja gjashtë orë. Dalja e tij para gazetarëve ishte një debakël monumental. E përsëriti veten disa herë, u ndal një mori herësh për ta shpalosur gjithë patetikën që e karakterizon, dhe tha se “ky kishte qenë reagim i popullatës së përvuajtur serbe nga pasojat e terrorit të Kurtit”. Shprehu kinse keqardhje për vrasjen e rreshterit policor, por pak a shumë tha se ai nuk është dashur të ishte aty.
Apologjetët e tij përpiqeshin të thoshin se si Vuçiqi nuk ka ditur se po përgatitej sulmi dhe se në një formë e kishte humbur kontrollin mbi serbët e Kosovës. Realistët do të thoshin se Vuçiqi është komandanti pas të cilit shkojnë të gjithë, që e ka ditur fort mirë se çfarë po përgatitej, por që ishte befasuar me faktin se inteligjenca kosovare ia kishte zbuluar planin dhe për pasojë ia kishte dështuar sulmin.
Dhe ideja pas gjithë këtij sulmi ka qenë replikimi i së ashtuquajturës “balvan revolucija”, pra “revolucionit të trungjeve”, që e kishin nisur luftën në Kroaci më 1991. Apo, siç do ta përshkruante efektshëm Nenad Çanaku: “Pra, një grup njerëzish të armatosur pa shenja, vijnë në lokalitetet serbe, shkaktojnë frikë, vendosin barrikada dhe shpërndajnë armë. Vendasit, të frikësuar, marrin armët dhe dalin në barrikada, ku tashmë ka pasur të shtëna, dhe nga frika e hakmarrjes, nuk duan të dorëzojnë armët. Beogradi, ndërkohë, ndërmerr lëvizjen diplomatike për revoltën e “popullatës lokale kundër terrorit” dhe këmbëngul “mbrojtjen” e tyre”. Komuniteti ndërkombëtar nis të “ndërmjetësojë”, dhe në thelb mbron barrikadat e ngritura si disa kufij de facto midis “palëve ndërluftuese”. Fillojnë “negociatat” e pafundme, gjatë të cilave në “territoret e çliruara” formohet pushteti nën komandën direkte të shërbimeve nga Beogradi (apo Moska?), e cila përndjek të gjithë jobashkëmendimtarët nga ajo hapësirë dhe krijon një strukturë politikisht krejtësisht homogjene, e cila në vitet që pasojnë jeton nga plaçkitjet, krimi dhe donacionet politike nga të gjitha anët, duke kapitalizuar mundësinë e vet që në çdo moment të provokojë konflikte të armatosura. Ky ishte plani”.
* * *
Radojçiqi u bë i gjallë dje nëpërmjet avokatit të vet, një personazhi më vete, për ta marrë krejt përgjegjësinë mbi vete. Dhe duke i numëruar të gjithë ata që po i amnistonte, në fakt po tregonte se kush krejt qëndronte pas planit për ta krijuar republikën autonome serbe në Kosovë.
I gjithë ai armatim, që nga autoritetet tona vlerësohet në 5 milionë euro, as nuk ka mbirë në Banjskë e as nuk ka zbritur prej qiellit. Është sjellë sistematikisht dhe është fshehur në një tempull fetar. Edhe ky fakt tregon për lidhjen e pandashme mes pushtetit në Beograd dhe Kishës ortodokse serbe, që me vite ka përkrahur fashizmin e shtetit serb gjatë gjitha luftërave në ish-Jugosllavi e edhe tash në Kosovë.
I gjithë diskursi për përndjekjen e serbëve dhe për terrorin mbi ta është fals, ashtu siç kjo kauzë është fals. T’i shpallësh shqiptarët autoktonë okupatorë të tokës së vet, është një konstruksion tipik i ndërrimit të tezave.
Është rezultat i një procesi negociator të gjatë e të lodhshëm në të cilin u fol edhe për këmbim territoresh, edhe për kthim dhuratash të Rankoviqit, edhe për korrigjim kufijsh, edhe për çka jo tjetër mes “good guys”, Vuçiqit e Thaçit.
Është rezultat i, sërish duhet përmendur, “marrëveshjes historike” që e solli Zajednicën, c cila tash mori edhe dukjen e vet me aksionin e dështuar në Banjskë: kështu do të dukej vetëmenaxhimi i serbëve në këtë pjesë. Ai që ka armë i terrorizon të tjerët. Për shkak se ai që ka armë, ka edhe para. Shumë para. Aq sa vetes ia ndërton një vilë tek Ujmani. Ama vilë përnjëmend – ta merr mendja është rezidencë e far kryetari.
* * *
Mosreagimi i Listës Serbe për t’i dënuar sulmet, e reagimi për të shpallur tri ditë zie për vrasjen e tre terroristëve, që u shpallën heronj, tregon qartazi se ajo ka qenë fort në dijeni se çfarë po përgatitej. Fundja, udhëheqësi i terroristëve është nënkryetari i këtij subjekti politik, pra një kriminel dhe “anëtar” i listës së zezë amerikane, të cilin ata vetë e kanë zgjedhë për njeriun e fortë që i ngre penjtë. Dhe vetë fakti se është Vuçiqi ai i cili tregon se Radojçiqi ka dhënë dorëheqjen nga ky post, tregon se Vuçiqi e ka vendosur aty, se Vuçiqi po e dorëheq. Pra, po e vërteton se Vuçiqin e kemi të ulur në Kuvendin e Kosovës.
Kur e kthejmë shiritin prapa na kujtohet se qysh u sakatuan ushtarët e KFOR-it para katër muajsh nga “protestuesit civilë”. Në gjithë atë kiamet, me gjithë ato plagosje dhe lëndime që pësuan, e vetmja gjë që na vinte nga BE-ja ishte kërkesa për depërshkallëzim, pra tërheqja e menjëhershme e njësive speciale të Policisë së Kosovës. Kështu e kërkonte Serbia, e me nguti kësaj kërkese i bashkoheshin Lajçak e Borrell. Dhe, meqë trupat nuk u tërhoqën, pasuan sanksionet që janë ende në fuqi.
Pas së dielës së shkuar, po del se veprimi i Kosovës për t’i mbajtur forcat e policisë aty paska qenë i duhuri. Dhe në një shtet sovran, ashtu do të duhej të ishte. Pavarësisht sa i kritikuar nga të gjithë, posaçërisht nga të huajt. Po atyre të huajve që duhet rikujtuar se askush më mirë se ne nuk e njeh Vuçiqin. Ministër i Milosheviqit, dikur dishepull i Sheshelit – nuk mund të pësojë metamorfozë, nuk mund të ndryshojë radikalisht, pra as nuk mund të bëhet paqedashës e as paqebërës.
Po del se problemi i sigurisë është shumë serioz dhe se tash nuk bën të shpërqendrohemi nga kjo temë, me gjithë insistimin e Lajçakut të vazhdohet me dialogun. E kuptoj brengën e tij: do të mbetej pa rrogë po qe se ndalet procesi i “lehtësimit” të tij, që tash po dëshmohet edhe më i kotë sesa kemi mundur ta përsërisnim.
Por, mbi të gjitha, tash më shumë se kurrë kërkohet unitet mes forcave politike në Kosovë. Ky është sulmi dhe paralajmërimi më i rrezikshëm që ka për qëllim copëtimin e Kosovës, dhe që është pasojë e shumë gabimeve që janë bërë nga ne vetë dhe nga bashkësia ndërkombëtare që na futi në një proces të pafund të sjelljes në qark. Tash duhet të veprojmë mençur dhe të koordinuar që ta shfrytëzojmë rastin që na e dha një aksion i parandaluar nga Policia e Kosovës.
* * *
Është gjithashtu çasti më ideal që të tejkalohet shpirtngushtësia burokratike që Policinë e Kosovës e fut në radhën e shërbyesve publikë, që duhen të përfshihen me një ligj pagash me koeficiente që nuk e njohin as rrezikshmërinë e as peshën e punës të cilën e kryejnë.
Sa deputeti merr rrogë kot duke ndenjur në kolltuk e sa privilegjin e ka veç pse e ka pasur fatin apo edhe shkathtësinë të futet në lista të votimit, të tregon për logjikën e mbrapshtë që na udhëheq.
Dhe, edhe një çast i fundit: Serbia duhet të detyrohet ta heqë bllokadën nga secila përpjekje që qytetarët e Kosovës t’i kenë të drejtat dhe detyrimet e njëjta. Shqiptarët ende ua paguajnë rrymën dhe shërbimet e tjera komunale serbëve në veri. Edhe çiftit të Radojçiqit, që mbase edhe e ka ngrohur ujin në pishinën e vilës së tij.