Iniciativat rajonale të udhëhequra nga Bashkimi Evropian, por jo vetëm, duhet të jenë mjete përmes të cilave Kosova do të forcojë pozicionin dhe rolin e saj në rajon. Mbështetja e faktorit shqiptar, aty ku ai jeton, duhet të jetë konstruktive, pa ndërhyrje politike që mund të ndikojnë në baraspeshën politike në ato vende. Ndryshimi i asaj baraspeshe duhet t’iu lihet proceseve politike në ato vende pa ndërhyrje, të cilat mund të krijojnë tensione që më së paku i nevojiten Kosovës
Një ndër kriteret e stabilitetit politik të një vendi janë marrëdhëniet e mira me vendet fqinje. Parimi i fqinjësisë së mirë është parakusht i domosdoshëm për integrimet euroatlantike. Për shembull, mbështetja e shteteve fqinje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është sinjal që ato e mbështesin forcimin e pavarësisë së saj në favor të një stabiliteti rajonal. Megjithatë, Kosova ekziston në një rrethim të ndjeshëm dhe kompleks, dhe ka shumë për të investuar në raportet e mira fqinjësore. Mirëpo, shtrohet pyetja, cili është pozicionimi i Kosovës në raport me fqinjësinë e saj?
Faktori i parë që i bën marrëdhëniet e mira fqinjësore të domosdoshme për Kosovën është faktori shqiptar. Në të gjithë fqinjësinë imediate, Kosova duhet të llogarisë në elementin shqiptar. Në këtë kontekst, pavarësisht se Shqipëria e ka obligimin e saj kushtetues të përkujdeset për të drejtat e shqiptarëve në vendet fqinje, në kohën e ish-Jugosllavisë, sidomos gjatë viteve 1971-1989, Kosova ka luajtur rolin e qendrës gravituese për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Kjo e bën Kosovën të ketë përgjegjësi të jashtëzakonshme për sa i takon pozitës së shqiptarëve në këto shtete dhe kultivimit të një politike afirmuese të avancimit të marrëdhënieve me këto shtete.
Megjithatë, situata në rajon është fluide dhe raportet e Kosovës me vendet fqinje mund të kenë oscilime, varësisht prej forcave politike që janë në pushtet në këto shtete. E njëjta vlen edhe për raportet anasjelltas, sepse edhe politika e Kosovës ndaj shqiptarëve në këto shtete, por edhe ndaj këtyre shteteve oscilon varësisht prej asaj se cila forcë politike ndodhet në pushtet. Kjo u pa me zhvillimet e fundit gjatë zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
Kosova i ka marrëdhëniet më të komplikuara me Serbinë, sepse ajo ka ndikim të madh në çështjen e pozitës dhe të integrimit të serbëve të Kosovës në institucionet dhe në shoqërinë kosovare. Politika e Serbisë është agresive dhe synon pengimin e integrimit të serbëve me qëllim të ruajtjes së pranisë së saj paralele në mjediset ku jetojnë shumica e popullsisë serbe. Në këtë kontekst, ndarja de fakto, apo edhe de jure e Kosovës është konstantja e politikës së Beogradit në Kosovë. Në këtë mes, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve, por këtë temë do ta trajtoj në një rast tjetër. Kosova mund të luajë një rol të rëndësishëm për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe kjo ka qenë dhe duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Këtu janë arritur marrëveshje që mbesin të pazbatuara nga Beogradi dhe për të cilat duhet të ketë insistim që të zbatohen, duke përfshirë njohjen e dyanshme të diplomave që do të ndihmonte në fuqizimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut janë interes madhor shtetëror i Kosovës, jo vetëm për shkak të afërsisë së Kosovës me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe për shkak të nevojës për të pasur raporte miqësore me këtë vend fqinj. Në kohët e fundit nga Kosova nuk janë dërguar sinjale pozitive në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Veprimet e Kosovës në dy vjetët e fundit janë udhëhequr nga politika partiake e jo nga interesi shtetëror. Ndërhyrjet nga Kosova me pjesëmarrje private/partiake në tubimet politike të kryeministrit Kurti dhe së fundmi ndërhyrja në procesin zgjedhor me mbështetjen e hapur për një forcë politike nga kreu shtetëror i Kosovës nuk janë sinjale pozitive që shkojnë në drejtim të këtij vendi fqinj. Në këtë rast duhet të lavdëroj qëndrimin pajtues të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili në asnjë rast të vetëm nuk u është përgjigjur me negativitet ndërhyrjeve kosovare në Maqedoninë e Veriut edhe pse ky qëndrim ka mundur t’i kushtojë politikisht në raport me votuesit maqedonas. Kjo do të duhej të kihej parasysh nga forcat politike shqiptare gjatë balotazhit. Megjithatë, u mbetet atyre të vendosin se cilin kandidat do ta mbështesin.
Etablimi i LVV-së si parti mbarshqiptare mbase është në programin e kësaj partie politike. Ky synim i LVV-së nuk bën të përcaktojë sjelljet e kreut shtetëror të Kosovës në raport me vendet fqinje, sepse kjo e dëmton pozicionin e Kosovës në rajon. Për më tepër, ndërhyrjet e krerëve shtetërorë të Kosovës në politikën e brendshme të vendeve fqinje (Maqedonisë së Veriut) i dëmton edhe shqiptarët që jetojnë në ato vende dhe mund të nxisin reagime negative nga elementi maqedonas, gjë që është në kundërshtim me interesin shtetëror të Kosovës. Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vendet e tjera fqinje, duhet t’iu respektohet autonomia vepruese dhe politikëbërëse. Ata duhet të vendosin pa ndërhyrjet e Prishtinës apo të Tiranës lidhur me orientimet e tyre politike.
Edhe pse marrëdhëniet e krerëve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës janë të ftohta, ato më shumë i takojnë nivelit personal sesa nivelit politik. Që të dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, janë personalitete me ego të theksuar dhe me ambicie për ta luajtur rolin e liderëve mbarshqiptarë dhe kjo ka ndikuar që marrëdhëniet në mes tyre të jenë të ftohta. Sidoqoftë, inatet dhe egot personale duhet të tejkalohen për të sjellë një kualitet të ri të raporteve ndërshtetërore. Janë me dhjetëra marrëveshje ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të cilat duket se më shumë janë lidhur për të bërë patriotizëm fals sesa për të avancuar në të vërtetë marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive duhet të kenë në rend të ditës edhe matjen e implementimit të marrëveshjeve ndërshtetërore e jo vetëm nënshkrimin e tyre para kamerave. Marrëdhëniet në arsim, shkencë, kulturë dhe sport janë në ngecje. Nuk ka marrëdhënie në mes të universiteteve dhe nuk ekziston asnjë program për mobilitet akademik, edhe pse kjo do të rriste ndjeshëm cilësinë e arsimit në të dyja vendet. Diplomat nuk gëzojnë njohje të dyanshme, kurse procedurat për nostrifikimin e tyre janë të gjata dhe të mundimshme. Me Shqipërinë, po ashtu, duhet të ketë një pajtim lidhur me veprimet e përbashkëta për sa u takon marrëdhënieve serbo-shqiptare. Nuk mund të ketë marrëdhënie normale serbo-shqiptare pa marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Duhet investim i dyfishtë për të mbajtur marrëdhëniet me Malin e Zi, të ndërtuara gjatë udhëheqjes së këtij shteti nga ish-presidenti Milo Gjukanoviq. Me ardhjen në pushtet të forcave proserbe, marrëdhëniet me Malin e Zi janë në vendnumërim. Nuk ka as lëvizje pozitive e as negative. Votimi i Malit të Zi për apo kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë tregues i qëndrimit të kreut shtetëror malazias lidhur me Kosovën. Prandaj Kosova duhet të ndërmarrë iniciativa – mundësisht vizita shtetërore në Mal të Zi dhe jo vetëm – para votimit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës që t’i sigurojë këta fqinj se votimi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është në interes edhe të Malit të Zi, për shkak se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës e shton edhe një dozë të stabilitetit në rajon dhe i krijon Kosovës përgjegjësi të reja edhe në kuptimin e politikës së brendshme, por edhe në raport me marrëdhëniet fqinjësore.
Marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën janë peng i politikës së Beogradit dhe të njerëzve të tij në Republikën Serbe. Vendimi për njohjen e Kosovës në Sarajevë duhet të merret me konsensus, pra, duhet ta ketë edhe pajtimin e përfaqësuesve serbë, të cilët, jo vetëm që janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, por angazhohen aktivisht edhe për shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës. Strategjia për të avancuar raportet me këtë shtet duhet të shkojë përmes nismave rajonale siç është Procesi i Berlinit, në kuadër të të cilit, për shembull, pritet që Bosnjë-Hercegovina të aprovojë lëvizjen e qytetarëve me dokumente identifikimi. Është fatkeqësi që marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën mbeten peng i Beogradit, meqenëse që të dyja vendet dhe qytetarët e tyre kanë pësuar vuajtje dhe shkatërrim nga regjimi gjenocidial i Beogradit gjatë viteve ‘90.
Përderisa marrëdhëniet me Turqinë janë në nivelin më të lartë, Kosova nuk është duke bërë sa duhet për të avancuar marrëdhëniet me dy shtetet e tjera që ndodhen në fqinjësi dhe janë anëtare të Bashkimit Evropian: Bullgarinë dhe Greqinë. Bullgaria mund të jetë partner me interes për Kosovën, jo vetëm pse është vend fqinj, por edhe për shkak të ndikimit që ka si anëtare e Bashkimit Evropian. Ekzistojnë marrëdhënie diplomatike por që nuk ka ndonjë afrim në kuptimin e thellimit të këtyre marrëdhënieve në ekonomi, arsim, shkencë, kulturë dhe sport. Bullgaria është e hapur dhe Kosovës do t’i përshtatej një partner rajonal me votë në Bruksel. Në këtë kuptim, regjistrimi i popullsisë që është në vijim e sipër në Kosovë do të konfirmojë se a ka dhe nëse ka, sa është i madh minoriteti bullgar në Kosovë, që ka qenë kërkesë zyrtare e Bullgarisë. Nëse del të ketë minoritet bullgar në Kosovë gjatë regjistrimit të popullsisë, ata duhet të pranohen pa hezitim dhe të ndërmerren politika që afirmojnë kulturën e tyre. Siç e kam thënë edhe në një shkrim tjetër, marrëdhëniet me Greqinë janë të një rëndësie të veçantë. Greqia e ka të hapur përfaqësinë e saj në Kosovë edhe pse nuk e ka njohur ende formalisht pavarësinë e Kosovës. Meqenëse Greqia de fakto e ka njohur pavarësinë, duhet të kërkohet hapja e një përfaqësie të Kosovës në Athinë dhe aktivisht të kultivohen marrëdhëniet me këtë shtet mosnjohës deri në njohjen formale.
Kroacia është një vend tjetër me interes të jashtëzakonshëm për shkak të marrëdhënieve të forta miqësore që Kosova ka me këtë shtet. Nuk është vetëm gjeopolitika që përafron marrëdhëniet në mes të Kroacisë dhe Kosovës, por edhe ekonomia dhe lëvizja e lirë e fuqisë punëtore që do të marrë hov pas liberalizimit të vizave. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, universitetet publike dhe ato private, duhet të punojnë më shumë për të bërë shkëmbime në arsim, shkencë, kulturë dhe sport. Marrëdhëniet ekonomike në mes të ndërmarrësve duhet të mbështeten aktivisht, dhe në këtë mes do të ishte e dobishme që të nënshkruhen marrëveshje bilaterale me Kroacinë.
Anëtarësimi i Shqipërisë, i Maqedonisë së Veriut dhe i Malit të Zi në NATO ka rritur sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Kjo do të thotë se për të luajtur rolin e një shteti që prodhon stabilitet dhe përçon stabilitet në rajon, Kosova së pari duhet të pajtohet me gjeopolitikën rajonale, duke synuar anëtarësimin në NATO si kusht i domosdoshëm për sigurinë e saj, sidomos në raport me Serbinë dhe ndikimin e Rusisë në rajon. Marrëdhëniet me vendet fqinje duhet të zhvillohen në kuadër të kufijve ekzistues shtetërorë dhe këtu nuk bën të ëndërrohet për diçka tjetër. Iniciativat rajonale të udhëhequra nga Bashkimi Evropian, por jo vetëm, duhet të jenë mjete përmes të cilave Kosova do të forcojë pozicionin dhe rolin e saj në rajon. Mbështetja e faktorit shqiptar, aty ku ai jeton, duhet të jetë konstruktive, pa ndërhyrje politike të cilat mund të ndikojnë në baraspeshën politike në ato vende. Ndryshimi i asaj baraspeshe duhet t’iu lihet proceseve politike në ato vende pa ndërhyrje, të cilat mund të krijojnë tensione që më së paku i nevojiten Kosovës.