Që nga procesi Ahtisaari që solli shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo është përpjekja më serioze ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Plani sjell risi në formë dhe përmbajtje që i vendosin negociatat Kosovë-Serbi në nivel bisedimesh mes të barabartëve. Por, plani po ashtu sjell sfida të mëdha që kërkojnë shumë punë, kreativitet dhe unitet politik
1.
Prej 20 janarit të këtij viti Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një proces të ri negociator. Të dy palëve u është kërkuar përgjigje a e pranojnë kornizën e re negociatore prej dhjetë pikësh. Kjo kornizë u paraqit fillimisht në shtator të vitit të kaluar si plan Scholz-Macron, apo gjermano-francez, apo franko-gjerman, në dhjetor u paraqit nga J. Borell para vendeve anëtare të BE-së dhe u shndërrua në plan evropian, e nga deklarimi i të dërguarit amerikan Escobar gjatë këtij muaji, është plan i përbashkët euro-amerikan.
Që nga procesi Ahtisaari që solli shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo është përpjekja më serioze ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Prej procesit Ahtisaari deri më 2022 u zhvillua një koncept negociator i paqartë në parime, në metodologji dhe në cak. U quajt Proces i Brukselit, pati arritje modeste dhe u mor fillimisht me besimin (e gabuar) se është me rëndësi të fillohet me një marrëveshje e mandej disi gjërat do të ecin vetë përpara. Pastaj u mor edhe me besimin (e gabuar) se meqë dështoi plani i parë mirë është të bëhet këmbimi territorial-etnik i Kosovës e pastaj të vazhdohet me procesin negociator për pjesën e mbetur e të pandarë të Kosovës.
2.
Risia e procesit të ri janë dhjetë pikët që iu paraqitën dy palëve më herët. Janë risi në formë dhe janë risi në përmbajtje.
Në formë janë dhjetë pika të cilat Pesëshja thotë se nuk janë më për diskutim. Pra, janë kornizë e panegociueshme për të dyja palët. Përgjigjja që tash pritet prej 20 janarit prej palëve nuk është se çka duhet shtuar për të hequr prej propozimit, por – nëse palët janë dakord me të - si të zhvillohet procesi i mëtejmë negociator. Një gjë e tillë nuk është risi për proceset e kaluara negociatore: negociatat e zhvilluara në Rambouillet më 1999 kanë pasur parimet udhëheqëse të panegociueshme dhe as ato të Vjenës me udhëheqjen e presidentit Ahtisaari nuk kanë filluar pa u miratuar fillimisht parimet udhëheqëse të panegociueshme nga Pesëshja (përfshirë Federatën ruse). Por tashmë kemi një risi, sepse pas dhjetë vjet negociatash me rezultat tejet modest (për të përdorur fjalor diplomatik) janë paraqitur parimet që përcaktojnë përmbajtjen e procesit negociator.
Dhe, kjo ka të bëjë edhe me përmbajtjen. Pikat e Planit euro-amerikan përcaktojnë se korniza e negociatave është ajo mes dy shteteve të cilat do të normalizojnë marrëdhëniet mes vete duke mos pasur si pikënisje e as detyrim njohjen e ndërsjellë. Ky është një kapërcim konceptual përpara nga hallakatja e krijuar në procesin e Brukselit që nga marrëveshja e parë, me dykuptimësinë “konstruktive” që lejonte bindjen se ende do të negociohet për statusin e Kosovës. Është, po ashtu, kapërcim prapa nga Marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese (dhe si do të shtonin presidentët Trump e Biden dhe sekretari Blinken) e përqendruar në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, në kornizën 10-pikëshe është e qartë se konteksti i negociatave për arritjen e marrëveshjes së normalizimit është ai i dy subjekteve me personalitetet e veta të veçanta juridike, rrugë të veçanta integrimi në familjen evropiane, euro-atlantike dhe botërore. Është një tryezë e bisedimeve mes dy të barabartëve.
3.
Një kontekst i këtillë është me rëndësi për shumëçka, por është vendimtar për procesin e ardhshëm negociator, ngase gjatë dhjetë vjetëve të kaluar është aplikuar parimi ad-hoc i krijimit të një zgjidhjeje për çdo çështje në formë të veçantë. Në të ardhmen, rregullimi i çështjeve si targat (të marrim shembullin më eklatant) do t’i nënshtrohet parimit të respektit të ndërsjellë të autoriteteve shtetërore e jo të negocimit të pafund për të shpikur detaje të reja zgjidhjesh ad-hoc (si p.sh. “stickerave”, kur dhe si do të përdoren, etj.).
Por, ndonëse çështjet si targat, diplomat, telekomunikacioni e të ngjashme rregullohen me lehtësinë që ofron parimi i normalizimit të dy shteteve, dy çështje do të kërkojnë shumë invencion dhe kreativitet. E para është “formalizimi” i statusit të Kishës Ortodokse Serbe, dhe e dyta është gjetja e një “niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë”, si dhe sigurimit të një komunikimi të drejtpërdrejtë të tij me autoritetet e Serbisë.
Këto do të jenë dy çështje që më nuk mund të mbështeten në zgjidhjet e deritanishme. Pra, në bazë të Planit euro-amerikan janë të pamjaftueshme zgjidhjet e Paketës Ahtisaari (të cilën Kosova e ka negociuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë 2005-2007) për sa i përket pozitës së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të pozitës së qytetarëve serbë të Kosovës. Janë, rrjedhimisht sipas planit, po ashtu të pamjaftueshme zgjidhjet e deritanishme të ofruara në Procesin e Brukselit për sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Plani euro-amerikan, nëse parafrazohet deklarata e diplomatit amerikan, Derek Chollet, është një lloj balance ku Serbia njeh një shkallë të avancuar të sovranitetit të Kosovës dhe Kosova njeh një shkallë të lartë të vetadministrimit (autonomisë) të qytetarëve serbë.
4.
Në këtë shkrim me qëllim nuk i përmenda rreziqet me të cilat që të dyja palët ballafaqohen nëse nuk e pranojnë qasjen euro-amerikane (e për këtë foli zgjerimisht presidenti Vuçiq). Nuk po i përmend as rreziqet e pranimit symbyllas e në formë jokritike të kësaj qasjeje; në fakt Kosova as edhe në momentet më të vështira të luftës nuk i ka pranuar symbyllas dhe në formë jokritike propozimet diplomatike.
Qasjen dhe Planin euro-amerikan duhet vlerësuar në bazë të meritave të veta. E meritat e këtij plani janë në kalimin e një procesi negociator që mund të jetë serioz e i frytshëm për Kosovën dhe Serbinë, si dhe për sigurinë euroatlantike. Kosova bën mirë ta përkrahë këtë kornizë konceptuale.
Nga ky këndvështrim, energjia politike e Kosovës më duket se duhet të drejtohet fillimisht në dy pika. Një, si të krijohet konsensusi që mbështet dhe shtyn përpara Kosovën në këtë kontest të ri negociatash. Dy, si të bëhet përqendrimi në atë që qëndron prapa parimeve të panegociueshme, e ato janë mekanizma e hollësi negociatore që krijojnë rezultatin përfundimtar të procesit negociator.