Kërkesa e zonjës Osmani për zbatimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit, brenda së cilës është paketuar edhe çështja e Asociacionit, më duket një moskuptim që ka ajo me përmbajtjen dhe të metat që ka ajo në raport me Kosovën. Apo ndoshta përpjekje për t’u dukur pak më ndryshe sesa Qeveria dhe si një përpjekje për pozicionim në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
Pavarësisht euforisë së shfaqur në takimin në Ohër, veçanërisht nga delegacioni i BE-së, i cili përmes përfaqësuesit të lartë Josep Borrell deklaroi se “Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve” dhe se “të dyja palët janë zotuar të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të përmbushin detyrimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe me mirëbesim”, entuziazmi mbeti kryesisht në rrafshin deklarativ. Për më tepër, ndërmjetësi nuk arriti të vendoste detyrim të ndërsjellë mes palëve apo të përcaktojnë një afat të qartë për zbatimin e marrëveshjes. Kjo qasje, e cila fokusohet më shumë te procesi sesa te përmbajtja konkrete, është tregues se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit mbeten të hapura për interpretime dhe negociata të vazhdueshme, duke krijuar perceptimin se bëhet fjalë më tepër për një lëvizje taktike sa për të blerë kohë, sesa për një rezultat substancial. Ky është dështimi spektakular i BE-së për ta imponuar zbatimin e marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe kur më së paku pritej, presidentja Vjosa Osmani doli me nismën se Kosova mund të zbatojë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen bazë me Serbinë, në këmbim të tri garancive: sigurisë, njohjeve dhe anëtarësimeve, ngre disa pyetje thelbësore për politikën e jashtme dhe strategjinë dialoguese të Kosovës. Ky pozicion apriori krijon një vetëfajësim të Kosovës para qendrave ndërkombëtare të vendosjes dhe veçanërisht lehtësuesit të dialogut të Brukselit. Në ndërkohë, që është shumë evidente se kjo vdekje klinike e dialogut ka ndodhur për shkak se Beogradi nuk ka pranuar asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim dhe ligjërisht obligative, si dhe as marrëveshje me njohje de facto, por vetëm marrëveshje në rrafshin më të ulët, të nivelit teknik dhe në praktikë. Autoritetet e Beogradit, ashtu si në rastin e refuzimit të propozimit të Ahtisaarit, llogaritin që Kosova ta pranojë njëanshëm. A duhet Kosova për herë të dytë ta ndjekë të njëjtën rrugë, zbatimin e njëanshëm të marrëveshjeve, përderisa Serbia nuk ka marrë asnjë përgjegjësi. Kështu ndodhi edhe me refuzimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe me letrën e kryeministres Ana Bërnabiq drejtuar institucioneve të BE-së. Përmes kësaj letre, Beogradi deklaroi se nuk e njeh vlerën juridike të angazhimeve verbale të marra në Ohër, duke kundërshtuar kështu çdo njohje de facto të sovranitetit të Kosovës. Ky qëndrim reflekton një vijë të vazhdueshme të politikës serbe për të mos pranuar ndryshimin e status quo-së në raport me Kosovën, pavarësisht detyrimeve dhe pritjeve që dalin nga proceset e dialogut të Brukselit, të ndërmjetësuara nga BE-ja. Përse atëherë duhet Kosova të zbatojë një marrëveshje që është “paketuar” si njohje de facto? A do të duhej Kosova ta shpërblente Serbinë edhe për faktin se zgjodhi rrugën, jo vetëm t’i bojkotonte zgjedhjet komunale në veri të Kosovës (presioni ndaj partive kosovare), por edhe të agresionit ushtarak dhe terrorist në Banjskë?
Kjo qasje rikujton paradigmën e politikës së Kosovës gjatë dialogut me bashkësinë ndërkombëtare në periudhën 1999-2007, por edhe pas shpalljes së pavarësisë. Problemi qëndron në faktin se vetë Osmani, e cila i përkiste një fraksioni të LDK-së që ishte kundër këtij diskursi, tani po përpiqet të artikulojë një politikë të ngjashme. Gjatë viteve kur liderët ndërkombëtarë si Joe Biden dhe John Kerry apelonin për kalimin e marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi, bashkërendim me SHBA-në dhe BE-në në mënyrë që të mos izolohej Kosova, ajo ishte kundër kësaj qasjeje, madje edhe ngjitja në pushtet ndodhi duke i akuzuar oponentët e dikurshëm për tradhti kombëtare. Ironikisht, ky kundërshtim ishte pjesë e platformës politike që e solli në detyrën e presidentes.
Pozicioni ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe Draftasociacionit
Presidentja e vendit do të duhej të sqarojë publikisht pozicionin e saj ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe sidomos çështjes së draftstatutit të asociacionit, të hartuar nga BE-ja. E para, për moszbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të arritur më 27 shkurt të vitit të kaluar, është përgjegjësi e dështimit të BE-së për ta imponuar nënshkrimin e marrëveshjes në kohën kur ajo është arritur. Fakti se kanë kaluar afro dy vjet që kur është arritur marrëveshja dhe nuk ka asnjë pikë të saj të zbatuar, dëshmon se dialogu është në një vdekje klinike, të mos themi se ka dështuar plotësisht, nuk i takon Kosovës të kërkojë zbatim të njëanshëm për aq kohë që Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen dhe për aq kohë sa edhe me letrën që kishte dërguar Bërnabiqi në dhjetor 2023, qartë deklarohej kundër marrëveshjes. Për më tepër, me letrën e ish-kryeministres serbe, Beogradi tregon qartë se nuk e njeh jo vetëm Marrëveshjen e Ohrit, por Kosovën dëshiron ta trajtojë si pjesë të saj dhe do të përdorë të gjitha instrumentet për rikthimin e saj. Ky përshkallëzim i retorikës hegjemoniste rrjedh nga referenca e përsëritur se Kosova është gjoja “territor i okupuar” nga NATO-ja. Përtej sulmeve armiqësore verbale, Beogradi me aksionin ushtarak në Banjskë duket se testoi se deri ku mund të shkonte me përpjekjet e armatosura për ta destabilizuar veriun e Kosovës me mjete ushtarake. Kjo sjellje është tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekja për rikthimin te doktrina serbomadhe, varësisht nga ndryshimet gjeopolitike.
Në këtë fazë, në të cilën ndodhemi, në vend se të dilet me nismën që Kosova ta zhbllokojë dialogun e Brukselit, do të ishte ndërtimi i një pozicioni dhe një konsensusi të brendshëm, në mënyrë që të pala kosovare të mos lëshojë pe nga qëndrimi se të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të zbatohen pa pasur ndonjë prioritet, domethënë të mos krijohet narrativa se vetëm asociacioni është obligim i dialogut, pasi sipas kësaj metodologjie, pas asociacionit të na dilte në rend dite çështja e trashëgimisë kulturore, fetare apo ndonjë temë tjetër.
Fundja, Asociacioni, i cili na shfaqet edhe si obligim i Marrëveshjes së Ohrit, a është në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës, apo më shumë është një zgjatje e Serbisë brenda Kosovës dhe çfarë të drejtash përmbush përtej atyre që janë dizajnuar me Planin e Ahtisaarit, dhe nëse asociacioni nuk tregohet lojal ndaj Qeverisë qendrore të Kosovës, si duhet të sillet Qeveria dhe cilat janë instrumentet juridike për ta disiplinuar atë. Këto janë pyetje thelbësore, të cilat qytetarët e Kosovës kanë interes t’i mësojnë edhe nga e para e vendit, para se të ecet më tutje. Thjesht çfarë ndryshon ky draftstatut nga ai i vitit 2015, ose pse ai nuk bënte dhe ky na qenka i mirë për ta përmbushur në mënyrë të njëanshme?
Nëse krahasojmë situatën me Asociacionin e propozuar në vitin 2015, për të cilin Osmani dikur shprehej se përbënte një “Republikë Srpska” të re, mbetet për t’u sqaruar nëse draftstatuti aktual është më i mirë apo jo. Ekspertë ndërkombëtarë si Paul Williams thonë se sipas versionit të Marrëveshjes së 2013-s, Asociacioni ishte vetëm një OJQ pa kompetenca ekzekutive. Në këtë kontekst, është me rëndësi të kuptojmë: A e përmirëson draftstatuti aktual situatën apo e përkeqëson atë?
Draftstatuti i evropianëve për Asociacionin përmban referenca të rrezikshme, duke përfshirë edhe referencën për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo mund të përforcojë idenë e vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, duke krijuar një embrion të autonomisë politiko-territoriale brenda Kosovës. Si mundet një organ i brendshëm kosovar të përfshijë referenca ndërkombëtare të tilla që minojnë sovranitetin e shtetit?
Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese?
Nëse Osmani dëshiron një zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes Bazë, atëherë rruga është e qartë, Osmani do të mund të ndiqte shembullin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, e cila në vitin 2015 e dërgoi draftasociacionin në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Osmani është e bindur se marrëveshja dhe draftstatuti aktual janë në interes të vendit, ajo duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Kosovës. Kjo do të tregonte lidership të guximshëm dhe përgjegjësi shtetërore.
Një tjetër problem shqetësues për Kosovën është vendimi i njëanshëm i BE-së për t’i njohur pasaportat e Serbisë si valide edhe për qytetarët e Kosovës, ku qytetet kosovare paraqiten si pjesë e territorit integral të shtetit serb. Dhe nëse kemi parasysh se presidentja ka pasur takime me shumicën e homologëve të shteteve anëtare të BE-së, të paktën, gjatë takimeve të rregullta në Komunitetin Politik Evropian, një forum ndërqeveritar për diskutime politike dhe strategjike rreth të ardhmes së Evropës, i krijuar në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë forum, ajo ka dështuar t’i bindte liderët evropianë që një vendim i tillë është kundër interesit të Kosovës dhe lëndon sovranitetin shtetëror. Dhe për më keq, ky vendim i Brukselit erdhi menjëherë pas liberalizimit të vizave për kosovarët, atëherë kur serbët lokalë filluan të pajiseshin me pasaportat e Republikës së Kosovës, një hap domethënës drejt integrimit të tyre në sistemin shtetëror kosovar. Duke iu referuar detyrimeve kushtetuese sipas nenit 84, pika 10, si udhëheqëse e politikës së jashtme të vendit, për publikun do të ishte me interes të mësonte se cilat kanë qenë vendimet që ajo ka ndërmarrë për adresimin e çështjes para homologëve të 22 vendeve të BE-së, pasi bëhet fjalë për një vendim që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Nevoja për një narrativë të re në dialog
Liderët e Kosovës duhet të ndjekin një qasje të re në dialogun me Serbinë. Njohja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën është thelbësore për suksesin e dialogut dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE. Për më tepër, nëse BE-ja dhe NATO-ja synojnë vërtet konsolidimin e Perëndimit në Ballkan, duhet të ofrojnë një perspektivë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në këto struktura. Prania e një shteti të sigurt dhe të mbrojtur si Kosova do të ndihmonte në stabilizimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një zonë ku tensionet etnike dhe historike mund të shpërthejnë në konflikte të reja. Anëtarësimi në NATO do ta përmirësonte pozitën diplomatike të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova do të konsiderohej si një partner i besueshëm dhe i sigurt, gjë që do të ndikonte pozitivisht edhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian (BE).
Mënyra aktuale e dialogut dhe mungesa e garancive konkrete nga BE-ja për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e kanë favorizuar Serbinë dhe kanë dobësuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pse për shembull në Ohër nuk u ndoq modeli i Uashingtonit, që në ditën e pranimit të marrëveshjes të ndodhte njohja nga Sllovakia, prej nga vjen fasilituesi i dialogut, Lajçak, apo nga Spanja prej nga vinte shefi i diplomacisë së BE-së? Shkurt, ka ardhur koha të kemi një narrativë të re në dialogun e Brukselit.
Fillimisht, mendoj se do të duhej të ndodhte njohja e Kosovës nga vendet mosnjohëse të BE-së. Vetëm njohja nga 5 vendet e BE-së hap shtigjet për një normalizim e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe në evropianizimin e rajonit. Vetëm përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme dhe një normalizim real i marrëdhënieve me Serbinë. Ndryshe, nëse vazhdohet me qasjen e deritanishme kur vendet mosnjohëse, përjashto këtu Greqinë, me sjelljen e tyre e kanë penguar konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, e kanë dobësuar dialogun e Brukselit, dhe e kanë dëmtuar konsolidimin e Perëndimit në Kosovë dhe në rajon dhe, për ironi, ky diskurs ka shkuar në dobi të Serbisë dhe Rusisë, të cilat vazhdojnë të investojnë kundër etablimit të Perëndimit. Për shembull, derisa Spanja e pengon njohjen e Kosovës, edhe pse para vetes ka opinionin juridik të GJND-së, e ka njohur Palestinën në mesin e luftës dhe të aktit terrorist të Hamasit dhe jashtë procesit negociues. Nëse BE-ja vazhdon të jetë ndërmjetësuese dhe fasilituese e dialogut, atëherë duhet ta rikthejë në tavolinën e bisedimeve opsionin e njohjes së ndërsjellë dhe të marrëveshjes gjithëpërfshirëse – ligjërisht obligative. Nuk mund të sillet BE-ja sikur Kosovën ta kishin njohur vetëm 5 vende dhe jo 22. Krijohet përshtypja sikur 5 vendet mosnjohëse të BE-së janë më këmbëngulëse kundër Kosovës sesa 22 vende njohëse. Si ta kuptojmë me këtë rast vendimin e njohjes së pasaportave ilegale të Serbisë për serbët e Kosovës, në të cilat qytetet dhe territori i Kosovës paraqiten si pjesë integrale e Serbisë. Në këtë pikë, BE-ja ka bërë një gabim fatal, të cilin do të duhej ta korrigjonte, edhe reagimi nga Kosova ka qenë tepër i beftë.
Ndaj, kërkesa e zonjës Osmani për zbatimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit, brenda së cilës është paketuar edhe çështja e Asociacionit, më duket një moskuptim që ka ajo me përmbajtjen dhe të metat që ka ajo në raport me Kosovën. Apo ndoshta përpjekje për t’u dukur pak më ndryshe, sesa Qeveria dhe si një përpjekje për pozicionim në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur ndërmarrim nisma të tilla. Duhet të jenë pjesë e debatit të brendshëm ndërinstitucional dhe ndërpartiak, pasi kur këto veprime ndërmerren ad hoc, atëherë përgjegjësia dhe fajësia për mosformimin e Asociacionit i ngarkohet ekskluzivisht Kosovës, dhe rrjedhimisht, me një veprim të këtillë, do të mund të amnistohej Serbia për agresionin ushtarak në Banjskë dhe për sjelljen destruktive me rastin e ujdisë për Aneksin e Ohrit. Ndërmjetësit e BE-së e prishën papritur këtë marrëveshje dhe shprehën mirëkuptim me deklarimin e Serbisë se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë. Siç pohonte edhe Marc Welleri, i cili ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Ohër, “Aneksi i Marrëveshjes Bazë pësoi ndryshime të mëdha në dëm të Kosovës vetëm disa orë para fillimit të negociatave të Ohrit në mars, në një përpjekje për të akomoduar Serbinë. Pavarësisht këtyre koncesioneve, Serbia e prishi procesin duke refuzuar të nënshkruajë çdo dokument, pavarësisht përmbajtjes. Megjithatë, BE-ja vendosi të vazhdojë si të ishte nënshkruar marrëveshja mes palëve. Kosova ka humbur përfitimin kyç që priste nga Marrëveshja Bazë të Brukselit, që ishte një pranimin e qartë i Serbisë për raportet e ndërsjella bazuar në parimet e OKB-së, përfshirë mospërdorimin e forcës, barazinë sovrane dhe integritetin territorial, në një formë juridike dhe të detyrueshme. Ky ndryshim në balancën e detyrimeve të pritura nga Marrëveshja nuk u adresua.
Në vend që të insistohej për nënshkrimin e marrëveshjes dhe t’i bëhej trysni Serbisë, BE-ja pranoi kërkesën e Serbisë që të mos u nënshtrohej detyrimeve dhe disa muaj më vonë i njohu Serbisë edhe “ekuivalentin gjerman”, i cili u “paketua” në letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, në të cilën edhe një herë konfirmohej se Beogradi nuk kishte ndryshuare kursin agresiv ndaj Kosovën. Pavarësisht insistimit se Marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët, përfaqësuesi i BE-së veproi në përputhje me pretendimin e Beogradit që të mund të zgjedhë se cilat detyrime do të zbatojë, duke i kërkuar njëkohësisht Kosovës krijimin, pa kushte, të Asociacionit.
Kjo qasje e përjashtoi një element të rëndësishëm – njohjen e premtuar de facto dhe nuk e hapi shtegun për avancimin e njohjeve nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Ky fakt tregon se BE-ja është në një pozicion të paqartë dhe nuk mund t’i ofrojë Kosovës garanci se njohjet mund të realizohen, edhe nëse ajo i zbaton të gjitha marrëveshjet, njëanshëm. Përkundrazi, kjo kërkesë e Presidentes mund ta hapë mundësinë për kërkesa të pafundme dhe për koncesione të tjera. Në këtë kuadër, më shumë se një “Zeitwende”, kërkesa për përmbushje të njëanshme të marrëveshjes së Ohrit, duket si një përpjekje për ta pozicionuar veten në sytë e ndërkombëtarëve dhe të publikut se vendos si oponentë e qeverisë në fund të mandatit të saj katërvjeçar. Pasi marrëveshja në fjalë nuk gëzon shumë mbështetje tek simpatizantët e partisë së Kurtit, dhe duke pasur parasysh se ndodhemi në prag të zgjedhjeve nacionale, qeveria aktuale nuk është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë të njëanshme për arsye të politikës së brendshme. Ndoshta kërkesa e Presidentes nuk i është drejtuar Qeverisë, por më shumë është për Qeverinë e re të vendit, e cila pritet të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për më tepër, ajo duhet të na tregojë se çfarë e shtyri të heq dorë nga pozicioni që kishte në të kaluarën për marrëveshjen. Në një forum të mbajtur më 30 mars nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Osmani pati deklaruar se fuqitë perëndimore e kishin detyruar qeverinë e saj ta pranonte Nenin 7 të “marrëveshjes bazë”, duke shpjeguar se “Kosova nuk e donte Nenin 7 në marrëveshje... nuk ka qenë zgjedhja e duhur që të shtyhet Kosova në këtë drejtim”.
Në këtë kontekst, nuk ka arsye që Kosova të ndihet përgjegjëse apriori. Duket qartë se BE-ja nuk ka strategji për mënyrën e përmbylljes së dialogut dhe nëse vazhdohet me këtë dinamikë, BE-ja mund të negocionte edhe 10 apo edhe 20 vjet, dhe sërish mund të mos kemi marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.
Prandaj, dy vjet pas arritjes së Marrëveshje bazike, e cila është arritur në Bruksel, dhe Aneksit të Ohrit, të deklarosh se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm dokumentin, në rast se ndërkombëtarët i ofrojnë Kosovës tri garanci - për siguri, për njohje dhe anëtarësimi - duket një hap i nxituar dhe krijon defensivë në procesin e dialogut, si dhe e hap shtegun për kërkesa të reja nga Beogradi. Ndërsa tërheqja e paraleles me mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes së Ahtisaarit duket totalisht e paqëndrueshme, si për kontekstin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Nëse nga lufta e Kosovës kanë mbetur 1.617 persona të zhdukur me forcë nga shteti serb, nëse varrezat masive nëpër Serbi mbahen akoma fshehtë nga publiku vendor dhe ndërkombëtar, nëse rasti i Banjskës i himnizohet deri në marrëzi nga politika e Beogradit, atëherë është evidente se zhurma e madhe për formimin e Asociacioni, në vetvete, e fsheh vetëm idenë e zvarritjes së dialogut dhe të pengimit të Kosovës për integrim ndërkombëtar. Prandaj, duhet evituar veprimet e nxituara të cilat na bëjnë apriori përgjegjës dhje fajtor.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron kërkon vazhdimisht që jo vetëm Milan Radoiçiqi, por edhe të gjithë autorët e përfshirë ose të dyshuar për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë. Në kontrast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkon përmbushjen e njëanshme të një marrëveshjeje bazë të Brukselit, e cila edhe pse ka mbetur “pending”, në përgjithësi konsiderohet e dëmshme për të ardhmen e Kosovës. Kjo kërkesë e vë Kosovën në një pozitë të pafavorshme, duke i dhënë Serbisë një avantazh strukturor, pasi kjo e fundit fokusohet vetëm te marrëveshjet e mëparshme të Brukselit, veçanërisht në çështjen e Asociacionit.
Osmani po qe se dëshiron të demonstrojë lidership dhe guxim politik në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe beson se Marrëveshja e Ohrit dhe draft-statuti aktual i Asociacionit janë në të mirë të Kosovës, atëherë duhet ta bëjë këtë të qartë për publikun dhe të ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e interesave të shtetit, duke e dërguar draft-statutin e Asociacionit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Por shtrohet pyetja se çfarë kuptimi ka nëse Kosova e merr përsipër implementimin e njëanshëm të një marrëveshje dhe të një drafti-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili do të ishte një instrument në duart e Beogradit për ta bllokuar funksionimin dhe për ta kontestuar edhe nga brenda shtetin e Kosovës. Atëherë Kosova do të futej në një rrugë pa krye dhe të pasigurt. Pas asaj çfarë ka ndodhur me Gjykatën Speciale, e cila hap pas hapi është shndërruar në një telenovelë dhe një institucion që në mungesë të dëshmitarëve kredibilë për akuzat e famshme ka filluar riciklimin e dëshmitarëve të konsumuar nga proceset e kaluara gjyqësore në Kosovë, Kosova duhet të jetë e kujdesshme me rastin e krijimit të një institucioni tjetër një etnik, i cili do të shkaktonte erozion në funksionalizimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës.
Në vend të kësaj, Kosova do të duhej ta kërkonte limitimin kohor të dialogut të Brukselit dhe rikthimin e opsionit të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative. Është shqetësuese që akoma ka drejtues të institucioneve që kanë gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të veçanta, pasi kjo është një taktikë që i shkon për shtati vetëm Serbisë, e cila synon ta zvarris procesin e dialogut pakufi. Është koha e fundit që kjo qasje të evitohet nëse dëshirojmë që procesi i Brukselit të ketë sukses. Kosova duhet të insistojë sidomos tani, kur në BE dhe në SHBA kemi lidership dhe administrata të reja, për ta imponuar opsionin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative, e cila do të rezultonte me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë sukses në dialog, e as normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zbatim të qëndrueshëm të asnjë marrëveshje të veçantë e Serbinë, për aq kohë sa nuk sigurohet dhe garantohet njohja e ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane, që nënkupton arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, përmes të cilës do të zgjidheshin të gjitha problemet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.