Ka dy qasje kryesore se si Perëndimi e ka trajtuar pushtimin rus të Ukrainës. Qasja e parë, e mbështetur nga administrata e Bidenit dhe aleatët e NATO-s, synonte jo vetëm ta zmbrapste Putinin, por edhe ta poshtëronte atë. Putini kishte pushtuar një shtet sovran dhe duhej ndëshkuar për këtë krim. Kjo strategji u bazua në parimin e pandashmërisë së sovranitetit dhe e bëri të qartë se synim ishin disfata dhe poshtërimi i Putinit. Ukraina mori ndihmë të madhe ekonomike dhe ushtarake nga Perëndimi për ta përballuar këtë luftë.
Por kjo strategji nuk u pranua njëzëri. Pjesa tjetër e botës, haptazi apo në mënyrë të heshtur, e kuptonte ose e justifikonte pushtimin rus të Ukrainës. Ata argumentonin se Putini kishte të drejtë ta mbronte Rusinë nga zgjerimi i NATO-s në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik dhe se ai kishte paralajmëruar vazhdimisht Perëndimin që të mos e zgjeronte NATO-n në Ukrainë. Për Rusinë, Ukraina ishte një vijë e kuqe dhe anëtarësimi i saj në NATO shihej si kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë ruse. Nga këndvështrimi i vendeve joperëndimore ishte e kuptueshme pse Putini hyri në luftë për të parandaluar këtë zgjerim. Sipas këtij argumenti, Amerika do të kishte vepruar njësoj po të ndodhej në një situatë të ngjashme – për shembull, nëse Rusia do të vendoste baza ushtarake në Kubë apo në Meksikë.
Në këtë këndvështrim NATO-ja, sado që e sheh veten si një forcë paqeruajtëse, për Rusinë dhe për shumë vende të tjera shihet si një mjet kontrolli dhe dominimi global. Këto vende kujtojnë rastet kur NATO-ja ka shkelur parimin e sovranitetit të shteteve kur i ka interesuar. Shembulli më flagrant është ndërhyrja kundër Serbisë dhe shkëputja e Kosovës. Sado që mund të ketë argumente për ndërhyrjen, është e qartë se NATO-ja e shkeli parimin e paprekshmërisë së sovranitetit shtetëror. Kjo e bën hipokrite qasjen perëndimore ndaj luftës në Ukrainë: nëse NATO-ja e ka thyer këtë parim për arsye humanitare, po aq legjitim mund të jetë argumenti i vetëmbrojtjes së Rusisë. NATO-ja nuk e pranon këtë paralelizëm, por për Putinin dhe për shumë vende të tjera NATO-ja mbetet një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe zgjerimi i saj shihet si i panevojshëm dhe tejet i rrezikshëm. Nga ky këndvështrim veprimi i Putinit për të parandaluar afrimin e mëtejshëm të NATO-s në kufijtë e tij është një veprim i justifikueshëm i vetëmbrojtjes.
Por Perëndimi nuk mund ta fitonte këtë luftë pa rrezikuar një luftë të tretë botërore. Megjithatë, këmbënguli në strategjinë e tij për ta mundur dhe poshtëruar Putinin. Rezultati? Ukraina u shkatërrua.
Me fitoren e Trumpit në zgjedhjet presidenciale, duket se po shfaqet një qasje e dytë, e cila e ka lënë Ukrainën dhe Evropën në pasiguri të plotë. Trumpi dëshiron ta përfundojë luftën dhe nuk ka interes as ta poshtërojë, as ta mposhtë Putinin. Ai e kupton se kjo luftë nuk mund të fitohet dhe se poshtërimi i Putinit është një objektiv jorealist. Për këtë arsye Trumpi duket i gatshëm të bëjë një marrëveshje me Putinin që të jetë e pranueshme për të dyja palët. Pyetja është nëse kjo marrëveshje do të jetë e pranueshme edhe për Evropën dhe Ukrainën. Por një gjë është e qartë: Trumpi nuk e sheh shkeljen e sovranitetit të Ukrainës si një argument të vlefshëm për ta bindur Putinin të ndalojë luftën. Në vend të kësaj, ai e sheh Putinin si një partner me të cilin mund të arrihet një marrëveshje.
Në këtë aspekt Trumpi duket se ka kuptuar diçka që administrata Biden nuk e kuptoi ose nuk deshi ta kuptonte: strategjia fillestare e Perëndimit ishte jo vetëm arrogante, por edhe qesharake. Perëndimi refuzoi ta trajtonte Putinin si një aktor racional dhe në vend të kësaj e paraqiti atë si një tiran të çmendur, i cili donte ta pushtonte Ukrainën për interesa personale. Kjo çoi në bllokim të plotë diplomatik: Putini nuk do ta ndalonte luftën nëse nuk i plotësoheshin kushtet, ndërsa Perëndimi refuzonte t’i pranonte ato sepse ishte angazhuar në një luftë indirekte kundër tij. Rezultati? Ukraina u shkatërrua dhe mijëra ukrainas humbën jetën.
Në të vërtetë Putini nuk e nisi këtë luftë për të pushtuar Ukrainën, siç duket se mendon edhe vetë Trumpi, por për të penguar zgjerimin e NATO-s. Nëse NATO-ja do ta pranonte këtë kompromis, do të përballej me një disfatë gjeopolitike dhe do ta pranonte de facto Rusinë si një superfuqi – diçka që Perëndimi nën udhëheqjen e Bidenit nuk mund ta kapërdinte. NATO-ja nuk mund ta pranonte këtë për shkak të një bindjeje thelbësore: vetëm ajo ka të drejtën të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe të ndërhyjë në sovranitetin e shteteve të tjera; askush tjetër nuk e ka këtë privilegj.
Por bota po lodhet nga kjo arrogancë. Kina, India dhe vendet e BRICS-it po rriten dhe po bëhen më ambicioze për mënyrën se si duhet të qeveriset bota. Ata nuk e pranojnë më Perëndimin si hegjemonin e vetëm dhe kanë filluar të flasin për një rend botëror multipolar.
Për këtë arsye, shumë vende u rreshtuan me Rusinë – jo domosdo sepse e mbështesin Putinin apo pushtimin e tij, por sepse e panë Perëndimin si një fuqi arrogante, që nuk ishte e gatshme të dëgjonte ose të negocionte me Rusinë.
Trumpi duket se e ka kuptuar diçka që Perëndimi nuk e pranon: ai nuk mund ta mundë ose ta poshtërojë Putinin. Për këtë arsye, ai kërkon një marrëveshje me të. Pyetja është: a do të jetë kjo marrëveshje e favorshme për Ukrainën apo për Rusinë? A do të mbetet Ukraina një shtet sovran, por pa të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO? Apo do të ndahet dhe të humbasë sovranitetin e saj, duke mbetur përgjithmonë nën hijen e Kremlinit?
Nuk e dimë ende rezultatin e këtyre negociatave, por ka një rrezik të madh që Trumpi të japë më shumë sesa duhet për të përfunduar luftën. Nëse ai arrin një marrëveshje bazuar në faktin që Putini e nisi këtë luftë për të parandaluar zgjerimin e NATO-s, atëherë mund të kemi një zgjidhje të pranueshme. Por problemi i vërtetë është ky: Trumpi nuk duket se i merr seriozisht shqetësimet e Evropës për një zgjerim të mundshëm të Rusisë dhe kjo mund të jetë një kërcënim i madh për të ardhmen e kontinentit.
Prandaj është e rëndësishme që ndërsa i kuptojmë arsyet e Putinit për këtë luftë, të mos neglizhojmë arsyet e Evropës për të parandaluar një Rusi gjithnjë e më ekspansioniste. Dhe pikërisht këtë duket se Trumpi nuk e kupton.
(Autori është profesor i filozofisë në Universitetin Nord në Norvegji)