Radisllav Kërstiq, ish-gjeneral i armatës së serbëve të Bosnjës, i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë, tani e ka pranuar fajin për krimin më të madh - për dallim nga liderët e Serbisë dhe të entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë
Gjyqtarët e Tribunalit të OKB-së për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi nuk kishin asnjë dyshim. Në vitin 2001, ata njëzëri e shpallën fajtor gjeneralin serbo-boshnjak Radisllav Kërstiq për vrasjen e mijëra myslimanëve boshnjakë përreth qytetit të vogël të Srebrenicës.
Një gjyqtar nga Portugalia iu drejtua atëherë të akuzuarit Kërstiq me këto fjalë: “Gjeneral Kërstiq, në korrik të vitit 1995 ju pranuat të bëni të keqen. Për këtë arsye, trupi gjykues ju dënon sot dhe ju cakton një dënim me burg prej 46 vjetësh”. Në instancën e fundit dënimi u reduktua në 35 vjet.
Kërstiq deri më tani ka kaluar 26 vjet pas hekurave në katër vende evropiane dhe në shtatë burgje.
“Gjyqi i tij tregoi për rënien e një shoqërie që humbi vlerat e saj, të një ushtrie që humbi nderin e saj dhe të një njeriu që e humbi shpirtin e tij kur u pajtua (...) me të keqen”, shkruan shkrimtarja kroate Sllavenka Drakuliq në librin e saj “Askush nuk ishte aty. Krimet e luftës në Ballkan para gjyqit”.
Në një letër spektakulare, e cila u publikua para disa ditësh nga avokati i tij, Kërstiq më në fund pranoi se ka nxitur dhe mbështetur gjenocidin në Srebrenicë. Kësisoj ai u bë ish-oficeri i parë serbo-boshnjak që pranon krimin më të rëndë nga të gjitha – gjenocidin. Për dallim nga ai, udhëheqësit politikë në Serbi dhe në pjesën e Bosnjës, që është nën kontrollin e serbëve, e mohojnë hapur gjenocidin në Srebrenicë. Në letrën e tij të pendesës, Kërstiq shpreh shpresën se fjalët e tij do të arrijnë te sa më shumë njerëz në vendlindjen e tij dhe do t’i bëjnë ata të mendojnë për krimet e tmerrshme të luftës: “Asnjë luftë më, asnjë vdekje më për shkak të fesë, kombit ose bindjeve të ndryshme, asnjë gjenocid më”.
Ish-gjenerali i ushtrisë serbo-boshnjake kreu disa vjet të dënimit të tij me burg në Poloni. Aktualisht ndodhet në Hagë.
Me letrën e tij, Kërstiq i drejtohet jo vetëm opinionit serb, por edhe organizatës pasardhëse të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, me kërkesën për t’ia falur burgun në mënyrë që ai të mund të kalojë pjesën e mbetur të jetës në liri. Ai përmend gjithashtu gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, moshën dhe dhunën që ka pësuar gjatë kohës së tij në burg.
Pas dënimit, Kërstiq u dërgua në burgun Wakefield në Angli për të vuajtur dënimin e tij. Në maj të vitit 2010, tre të burgosur – një britanik që ishte konvertuar në fenë islame, një shqiptar dhe një nigerian – hynë në qelinë e Kërstiqit dhe e lënduan rëndë.
Motivi i sulmit, sipas agresorëve që ishin dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, ishte roli i Kërstiqit në Srebrenicë. Një gjykatë angleze i ndau kriminelit të luftës një dëmshpërblim prej rreth 60 mijë frangash zvicerane. Meqenëse siguria e tij nuk mund të garantohej as në burgje të tjera britanike, Kërstiq u transferua në një burg në Poloni.
Kërstiq nuk po kërkon për herë të parë lirimin e tij. Në letra të mëparshme ai shprehu keqardhje për krimet e luftës, por jo për gjenocidin e kryer nga ushtarët e tij. Kërkesat e tij për falje janë refuzuar disa herë në vitet e fundit.
Kësaj radhe ai mund të ketë sukses, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit. Në letrën e tij Kërstiq shkruan se, nëse lirohet para kohe dhe nëse familjet e viktimave pajtohen, ai do ta vizitojë qendrën përkujtimore të Masakrës së Srebrenicës për t’i nderuar viktimat dhe për të kërkuar falje.
“Kam kryer një krim të paimagjinueshëm dhe të pafalshëm”, shkruan 76-vjeçari. Ai thotë se mendon për viktimat e gjenocidit “çdo çast, çdo ditë”. Ai thekson se e di që nënat dhe motrat e viktimave “nuk do të besojnë se këto fjalë të tij janë të sinqerta; gjithashtu e di që fjalët e mia nuk mund të zbusin dhimbjen apo vuajtjen që nuk do të zhduket kurrë".
Kërstiq konsiderohet si koka e masakrës së rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë-boshnjakë në Srebrenicë. Ai ishte nën komandën e komandantit ushtarak Ratko Mlladiq, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës. Deri më tani, në Potoçari, një periferi e Srebrenicës, janë varrosur mbetjet mortore të 6765 viktimave. Trupat e tyre u gjetën në 570 vende të ndryshme, kryesisht në Bosnjën Lindore, pranë kufirit me Serbinë.
Një zëdhënëse e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës mirëpriti pranimin e fajit nga Kërstiqi, por u bëri thirrje njerëzve të jenë të kujdesshëm. Ndonjëherë kriminelët e luftës pranojnë mizoritë vetëm për të fituar lirinë, tha ajo. Më pas, ata ndryshojnë qëndrim.
Qendra Përkujtimore pret që Radisllav Kërstiq të bashkëpunojë me drejtësinë boshnjake dhe të ndihmojë në ndarjen e të gjitha informacioneve për vendet ku janë varrosur viktimat e luftës. Sipas autoriteteve në Sarajevë, edhe gati tri dekada pas luftës, ende kërkohen 7626 persona të zhdukur.