Fjalë si gozhda: në 100-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit nga Praga, Franz Kafka
1.
Çka e pret turistin në Pragë? Birra më e mirë në botë, arkitektura e bukur, një lumë magjik (Vëltava), kafehane “Sllavija” (vendi ku rrinin artistët në vitet 1930-të), “Café Louvre” dhe “Café Orient”, kopshte e parqe historike, qendra tregtare, Ura e Karlit, sahati në pjesën e vjetër të qytetit, specialiteti Trdelnik në çdo qoshe, Parku Letna (me pamje të bukur mbi Pragë), Jarosllav Hasheku, Karel Çapek, Pavel Kohout, Jaroslav Seifert, Bohumil Hrabal, Ivan Klima, Millan Kundera. Edhe diçka: FRANZ KAFKA.
2.
Nuk ka shkrimtar tjetër të 100 vjetëve të fundit që është shndërruar në popstar si Kafka. Nuk ka shkrimtar që nga emri i të cilit të tjerët kanë krijuar një fjalë të re: kafkaesk. Kjo fjalë përshkruan një gjendje të pashteg, kërcënuese. Ashtu siç fillon romani “Procesi” i Franz Kafkës (në përkthim të Gjergj Vlashit): “Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K., sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë”. Jozef K. nuk e di ç’krim ka kryer. Nuk merr asnjë përgjigje për këtë. Rropatet andej-këndej mes avokatësh e gjykatësish, një individ modern - i pafajshëm me faj.
3.
Shkrimtarët e rëndësishëm i gjejnë përgjigjet e rëndësishme. Te vepra e madhe e Franz Kafkës - po e përmendim këtu për shkak se sivjet mbushen 100 vjet nga vdekja e tij - lexuesi e lexuesja mund të zbulojnë shumë anë të karakterit njerëzor. Në tipologjinë e figurave, Kafka skicon (edhe) tiparet e errëta, të këqija, mizantrope të qenieve njerëzore. Këtu dallohet egoisti që fajin e kërkon vetëm te tjetri dhe pafajësinë e sheh si pronë të tij. Nga egoizmi tek injoranca distanca nuk është kilometrike, por milimetrike. Injoranca pastaj përzihet me një dozë thashethemesh, me mungesë respekti ndaj dinjitetit të të tjerëve, me përbuzje të suksesit të të tjerëve si ngushëllim qesharak për dështimet personale. Ky është njeriu me zemër të ftohtë. Te “Kolonia ndëshkimore” e Kafkës është një makinë që përmes një procedure trishtuese gozhdon njeriun. Franz Kafka ishte vizionar. E parashikonte që një ditë njeriu-makinë do të shkëputet nga ndjenjat dhe do të vrasë njeriun me ndjenja.
4.
Franz Kafka u lind më 3 korrik 1883, ishte një ditë e kthjellët verore, siç shkruan Reiner Stach, biografi i tij. Kafka ishte fëmija i parë i Hermann Kafka dhe Julie Kafka (e lindur Löwy), prindërit e tij kishin një dyqan tekstilesh. Një javë pas lindjes, sipas traditës hebraike, Franz Kafka u bë synet nga doktori Moritz Weisl. Nun ishte tregtari i verës dhe likerit, Angelus Kafka, kushëri i Hermann Kafkës.
5.
“E sheh diellin duke perënduar ngadalë dhe prapëseprapë trembesh kur befas gjithçka errësohet”. Ka shumë mendime të errëta në veprat e Franz Kafkës. Ai vdiq i ri, në vitin e 40-të të jetës. Por si asnjë autor tjetër ai vazhdoi të jetojë. Vazhdon të jetojë. Falë dijetarëve si Reiner Stach. Ky gjerman i lindur më 1951 ka punuar 18 vjet (!) për të shkruar biografinë e Franz Kafkës. “Vitet e hershme” (“Die frühen Jahre”), “Vitet e të kuptuarit” (“Die Jahre der Erkenntnis”), “Vitet e vendimeve” (“Die Jahre der Entscheidungen”) - këta janë titujt (në gjermanisht) të opusit prej tri vëllimesh. 2000 faqe. Një jetë e rrëfyer minutë pas minute.
6.
Në 100-vjetorin e vdekjes së Franz Kafkës moria e librave të botuar në viset gjermanishtfolëse është e papërcaktueshme. “Një kafaz kërkon një zog”, titullohet një libër i botuar nga shtëpia Wagenbach. Ky vëllim merret me anët humoristike të veprës së Kafkës. Që Kafka të mos mbesë vetëm autor i anëve të errëta të jetës njerëzore. “Gjurmëve të Kafkës” (libri i radhës) merret me ngjarje thuajse anësore nga jeta e Kafkës. “Pepo, mos u zemëro për shkak të punëve që ke, sepse ka humbur Hakoah kundër Sllavisë”. Kjo fjali gjendet në letrën që Kafka ia dërgon babait. Pepo është motra e Kafkës. Hakoah Wien (Vjenë) është ekipi më i madh futbollistik hebraik në botë, i cili humbi 4:2 kundër Sllavisë së Pragës. Filozofi Rüdiger Safranski, i njohur si biograf i Johann Wolfgang von Goethes, i Friedrich Schillerit dhe Friedrich Hölderlinit, nuk e ka huq shansin për të shkruar diçka edhe për Kafkën, në 100-vjetorin e vdekjes. Tema e librit të tij është Kafka dhe shkrimi. Dhe mes shumë e shumë librave të tjerë edhe ky: Familja e Kafkës. Një album me fotografi. Në 208 faqe 132 fotografi.