OpEd

Një i marrë kundër gjithë botës

Se sa janë të fortë ukrainasit për t’u përballur me armikun më të madh dhe shumëfish më të fuqishëm do të mbetet të shihet, porse duket se kjo luftë nuk do të ketë zgjidhje pa u hequr nga pushteti ky njeri i sëmurë që e ka nisur atë. Se cilat janë arsyet që e kanë shtyrë ta bëjë këtë mbase nuk do t’i dimë kurrë, porse është evidente se arsyetimet që po i jep ia pranojnë të mirëqena vetëm Bjellorusia, Venezuela dhe Serbia

Seç u harrua COVID-i në këto dhjetë ditët e fundit. Thuajse kush më nuk po e përmend, thuajse u zhduk dhe nuk do të kthehet, ngase krejt sytë e veshët i kemi të kthyer nga Ukraina.

E si të mos jenë kthyer andej kur luftën e nisi një i krisur, i cili ka kontrollin mbi bomba atomike dhe po e sulmon një shtet që prodhon rrymë me centrale bërthamore. Njëri nga ta, i treti më i madhi në botë, u sulmua dje me raketa. Sipas asaj që na thuhet është se nuk ka shpërthyer, porse vetëm ka pasur zjarr diku afër që është kontrolluar.

Nuk kishte si të mos më kujtohej Çernobili, shpërthimi i një centrali bërthamor në Ukrainë, atëherë pjesë e BRSS-së, – lajm që ishte fshehur nga opinioni publik thuajse një javë nga autoritetet sovjetike. Ne nuk e kishim idenë se çfarë kishte ndodhur atje. Nuk i dinim përmasat e efekteve të shpërthimit e as pasojat që mund t’i shkaktonte. Me kujtohet se kur u bë publik lajmi autoritetet e ish-Jugosllavisë kishin ndaluar importin e grurit nga BRSS-ja dhe na bënin me dije se nuk ishte mirë të konsumohej malli nga shtetet fqinje me Republikën e Ukrainës.

Atëherë mbase shkenca nuk ka qenë kaq e avancuar sa për të na treguar për faktin nëse rrezet radioaktive mund të mbërrinin përmes ajrit edhe te ne. Mbase edhe nuk kanë dashur të na frikësonin, nuk e di, porse mbaj mend mirë se një kohë bajagi të gjatë jetonim me bindjen se do të mund të sëmureshim nga kanceri dhe se një numër i madh njerëzish do të pësonin nga kjo katastrofë. Nuk e besoj të jetë zhvilluar ndonjë studim, i cili do të zbulonte se sa njerëz te ne kishin qenë viktima të këtij shpërthimi.

* * *

Të të agojë dita me një lajm të këtillë nuk të jep hapësirë për asnjë rehati të vetme. Për shkak se lufta, të cilën Putini duket ta ketë imagjinuar si diçka të shpejtë dhe që do të kalonte pa ndonjë reagim, siç kishte ndodhur me rastin e Krimesë më 2014, është duke u shndërruar në një katastrofë krejtësisht të paparashikueshme.

Do të ketë besuar se edhe kësaj radhe do të mund të futej shpejt dhe ta okuponte kryeqytetin. Porse rezistenca u tregua aq e fuqishme saqë rusët nuk ia dolën të futeshin në Kiev e as ta zinin kryetarin Zelenski, i cili tash është shndërruar në ikonën e rezistencës ukrainase.

Se sa janë të fortë ukrainasit për t’u përballur me armikun më të madh dhe shumëfish më të fuqishëm do të mbetet të shihet, porse duket se kjo luftë nuk do të ketë zgjidhje pa u hequr nga pushteti ky njeri i sëmurë që e ka nisur atë. Se cilat janë arsyet që e kanë shtyrë ta bëjë këtë mbase nuk do t’i dimë kurrë, porse është evidente se arsyetimet që po i jep ia pranojnë të mirëqena vetëm Bjellorusia, Venezuela dhe Serbia.

* * *

Dje më rastisi ta dëgjoja një intervistë të një futbollisti ukrainas që kishte luajtur në Serbi. Gazetarja, e cila fillimisht i drejtohej me “ti”, duke treguar mungesën absolute të respektit ndaj bashkëbiseduesit, e nis intervistën kështu: “E kemi në lidhje direkte lojtarin e përfaqësueses së Ukrainës, DJALOSHIT, që ka luajtur edhe në Serbi...”, dhe vazhdon: “...a po dëgjohemi, eh mirë...si dikush që është, TA THEMI, ukrainas, e para se ta nisim bisedën, unë e di që ti e flet mirë serbishten... pra desha të të pyes: si po ndihen ukrainasit? A ndihen më të afërt me rusët apo janë, SI THA THEM, popull e shtet më vete?”

Bondarenko i përgjigjet me mirësjellje, me “ju”, pra, dhe i thotë: “...nuk ka më Ukrainë për Rusinë as për Putinin. Kurrë më nuk do të kthehet në atë drejtim”. Vazhdon të flasë dhe thotë se njerëzit janë ngopur, janë të frikësuar porse dhe të vendosur që ta mbrojnë shtetin e vet. Gazetarja trushpëlarë apo trushpëlarëse e pyet me intonacion mosbesues: “Të mbrojnë nga çka?”, e ky i përgjigjet: “Nga ushtria e Putinit”.

Futbollisti vazhdon t’i tregojë se njerëzit po ikin nga lufta, kurse kjo i kthehet me këtë pyetje: “A janë përnjëmend imazhet që i shikojmë në televizion dhe gazeta, për shkak se kemi dëgjuar nga disa mediume ruse se këto imazhe nuk janë të vërteta, se situata nuk është e këtillë, se pamjet janë të rreme, apo se janë nga 2014-a, apo se janë nga filmat amerikanë. A përnjëmend është kështu siç po e shohim, se njerëzit po ikin... çfarë është situata...”.

Për dikë si unë që e ka përjetuar dëbimin nga toka ime, të vazhdoja ta dëgjoja zërin histerik të kësaj gruaje që bën pyetje e konstatime idiote, paraqiste mazokizëm të vërtetë. Për shkak se komplet qasja e saj dhe e mediumit të saj në fakt ma vërtetoi, për kushedi të satën herë, se në 30 vjetët e fundit Serbia nuk ka ndryshuar ama bash hiç karshi atyre që nuk i do apo të cilëve nuk u beson. Vetëm prisja që në fund të thoshte: “Po, Rusia jua ka ofruar juve të gjitha të drejtat, por ja, ju jeni ata që nuk doni t’i shfrytëzoni”.

* * *

Po qe se do të donin të bëheshin objektivë, vëzhguesit dhe politikanët evropianë do të duhej ta kuptonin përfundimisht që të vetmit aleatë që i ka Rusia në Ballkan janë serbët. Po ata që mbrëmë dolën për të protestuar në favor të Rusisë dhe kundër të gjithë botës, natyrisht, për shkak se bota “nuk e kupton luftën e drejtë të Putinit”.

Ata që prej vitesh e kanë trajtuar Serbinë si primadonë, tash mund ta shohin në formën më të qartë se kush në fakt e udhëheq atë shtet. Dhe se me gjithë demagogjinë që e karakterizon, nuk ka mundur ta ndryshojë esencën e asaj çfarë është: fashist, tashmë i dëshmuar, si ministër i regjimit fashist që i shkaktoi katër luftëra në ish-Jugosllavi.

Përqendrimi i gjithë vëmendjes tek ajo që po ndodh në Ukrainë natyrisht se kërkon që në rajon të mos hapen fronte të reja - e një nga to mund të jetë Bosnja, përkatësisht pjesa serbe e saj, e përkrahur nga Serbia dhe Rusia. E njëri front do të mund të ishte edhe Kosova, me veriun e pazgjidhur – dhe mbase kjo është edhe arsyeja e vizitës së Von Cramonit, e së shpejti, me siguri, edhe të zyrtarëve të tjerë. Pra, ajo që po kërkohet është qetësi këndej, ashtu që të gjitha forcat të jenë të përqendruara andej.

* * *

Dje gjatë ditës u dëgjuan dy deklarata që në fakt çojnë porosi për Perëndimin. Konjufca, pas takimit me Xhaferin e Maqedonisë, tha: “Serbisë t’ia kemi frikën, agresioni ndaj Kosovës nuk përjashtohet kurrë”, duke kërkuar armatim të shtuar për FSK-në. Pasdite u dëgjua edhe ministri i Mbrojtjes, Mehaj, i cili shkroi në FB se Serbia mezi pret t’ia bëjë Kosovës atë që Rusia po ia bën Ukrainës, duke e mbajtur të nxehtë debatin për nevojën e ngritjes së kapaciteteve luftarake të Kosovës për çdo eventualitet.

Në këtë kontekst Qeveria mori vendimin për themelimin e Fondit të Sigurisë, pra fondin ku qytetarët do të kontribuonin vullnetarisht për armatimin e Kosovës. Atë që mbase nuk e kanë pritur me këtë hap është se do të hapej rruga për përdorimin e donacionit për marketing dhe për garë se cila kompani po jep më shumë para ose jo.

Ndërkohë nuk e dimë nëse Qeveria ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për përshpejtimin e anëtarësimit tonë në organizma ndërkombëtarë, porse tash duket se duhet shfrytëzuar rastin – ngase që në çastin që Rusia të suspendohet a përjashtohet nga këto trupa, fuqia e saj obstruktive do të jetë reduktuar shumë. Ndërkohë do të bëheshin më shumë shtete në favor të Kosovës edhe si një “shpërblim” për moskrijim të telasheve politike e besa edhe luftarake në rajon.

* * *

Dy vjet pandemi na e çrregulluan jetën. Na ndryshuan shumë zakone dhe relativizuan shumë gjëra që dikur na dukeshin shumë të rëndësishme. U mësuam të jetojmë me virusin dhe kundër tij pa e kuptuar në të vërtetë se sa ka ndikuar ai në shëndetin mendor të të gjithë botës që u ballafaqua me të.

Te dikush mbase ka pasur efekt pozitiv, porse gjasat janë që te Putini të ketë ndikuar keq. Aq, sa për t’ia nisur një lufte për megalomani të cilën po mundohet ta shesë të zbukuruar me rrena pafund. S’ka dyshim se fati i kësaj lufte do të varet nga fati i tij.

[email protected]