Lapsa për nxënës, një piano dhe shumë dashamirësi: në 15-vjetorin e shoqatës së fshatit Smirë, e cila nga Gjeneva ndihmon vendlindjen - Smirën e Vitisë.
1.
Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, fjala Smirë domethënë lakmi. Formuluar pozitivisht mund të themi: sa i përket organizimit dhe bashkëpunimit mes mërgatës dhe vendlindjes, shumë fshatra në Kosovë duhet t’ia kenë lakmi fshatit Smirë dhe Gjenevës. Pse Gjenevës? Sepse në Gjenevë jeton gati gjysma e Smirës. Meqë në këtë qytet zviceran dhe në rrethinë jetojnë aq shumë banorë të dikurshëm të Smirës, disa prej tyre 15 vite më parë vendosën të themelojnë një shoqatë, e cila e mban të fortë urën lidhëse me vendlindjen. Në raste të tjera kam shkruar se kjo shoqatë është, veç tjerash, një lloj enti social: kush ka një hall në Smirë, ka gjasa që zgjidhjen ta gjejë një Gjenevë. Prishet një pullaz në Smirë dhe nëse pronari nuk ka mundësi ta sanojë, paratë për ndreqje vijnë nga shoqata e fshatit Smirë në Gjenevë. Por kjo nuk është e tëra.
2.
Si zbriti Smira në Gjenevë? I pari nga ky fshat duhet të ketë ardhur mbase në vitet 60-të apo në fillim të viteve 70-të. Mandej pas tij erdhën varg e vijë të tjerë, një vëlla, një kushëri, një dajë. Këta njerëz këtu i solli varfëria ose shtypja nga regjimi komunist jugosllav. Ose të dyja bashkë. Secili ka rrëfimin e tij për ardhjen në Zvicër. “Ika se isha në rrezik nga arrestimi”, thotë njëri. “Në aksionin e armëve nga mesi i viteve 50-të policia sekrete keqtrajtoi rëndë babain tim”, tregon tjetri. “Në fillim punova në ‘të zezë’”, njofton një tjetër, “pastaj i ‘ndreqa’ letrat”. Gati secili prej tyre e përmend trenin e famshëm “Akropolis”, i cili lidhte Athinën me Münchenin - dhe kalonte nëpër Fushë Kosovë e Ferizaj. Aty merrte punëtorët kosovarë dhe i çonte drejt Perëndimit. Kjo linjë hekurudhore u inaugurua më 1967 si ofertë për transportimin e gastarbajterëve, numri i të cilëve po rritej nga viti në vit. Me orarin e udhëtimeve të viteve 1978/79 u vendos që “Akropolisi” të kalojë nëpër Kosovë dhe jo nëpër Nish drejt Shkupit. Kjo u bë për shkak të numrit të madh të gastarbajterëve kosovarë. Për herë të fundit “Akropolisi” udhëtoi më 1991, pastaj Serbia e Sllobodan Millosheviqit ia vuri flakën Ballkanit. Nëse në fillim ishin 50 banorë të Smirës në Gjenevë, sot në Gjenevë e rrethinë ushtrojnë veprimtarinë rreth 50 firma, kryesisht të vogla, me pronarë shqiptarë nga Smira. Kështu thotë Ramadan Rrahmani, kryetari i palodhshëm e modest i shoqatës së fshatit Smirë. Ai është këshilltar komunal në komunën Nyon afër Gjenevës nga partia liberale, e cila në Zvicrën franceze quhet “Les Libéraux-Radicaux”, liberalët radikalë.
3.
Të shtunën në mbrëmje shoqata e fshatit Smirë në Gjenevë shënoi 15-vjetorin e themelimit dhe punës së dobishme për komunitetin. Ishte një organizim i bukur. I pari pas pandemisë. “Para pandemisë vinin deri në 800 njerëz në takimin tonë vjetor”, tregon një pjesëmarrës. Kësaj radhe salla në Lex Avanchets afër Gjenevës u mbush me rreth 400 veta. Në fytyrat e tyre shihej gëzim, ishte një takim që i ngjante çmalljes me familjarë në sheshin e fshatit. Një brigadë grash dhe burrash, vajzash e djemsh të zellshëm kishte përgatitur ushqime të shijshme, gjithçka dukej e organizuar me një përkushtim helvetik dhe mikpritje tradicionale shqiptare. Kur përputhen këto virtyte, asgjë nuk mund të dështojë. “Nga zemra e Dardanisë”, kjo është motoja e banorëve të Smirës. Dhe kanë arsye të krenohen me këtë moto ngase në Smirë janë zbuluar shumë gjurmë nga epoka e ilirëve, mes tyre edhe labirinti rrethor i Smirës. “Rrota” në logon e dresit të futbollistëve të Kosovës është pikërisht labirinti rrethor ilir nga Smira.
4.
E gjatë është lista e punëve që shoqata nga Gjeneva ka bërë për vendlindjen, për Smirën. Disa prej tyre u numëruan të shtunën nga gazetari Tefik Salihu, i cili kishte ardhur nga Smira për të moderuar takimin, dhe nga Ramadan Rrahmani, kryetari i shoqatës. Bëhet fjalë vetëm për vitin e kaluar: është rregulluar oborri i shkollës në Smirë, janë blerë shporta për mbeturina dhe vendosur në fshat, për nxënësit e Smirës është blerë një piano, janë dërguar lapsa, janë ndërtuar disa shtëpi për nevojtarë, janë mbuluar shpenzimet për udhëtimin e anëtarëve të një shoqate të folklorit në një festival ballkanik, për ta mbajtur shkollën të pastër është blerë një patruese e dyshemesë. E kështu me radhë. Vlera e investimeve me vetëkontribut gjatë viteve të fundit i afrohet 1 milionë eurove. Pa i llogaritur këtu investimet individuale që kanë bërë mërgimtarët në Smirë. Kush ka qenë në Smirë, e di për çka flet: shtëpi të bukura dhe oborre të kositura me saktësi milimetrike zvicerane (i ngjajnë fushave të golfit afër Gjenevës). Krahas shtëpive të ndërtuara, ka njerëz që tani krenohen sepse kanë hapur në Smirë e rrethinë një fabrikë mobiljesh apo ndonjë ndërmarrje tjetër të vogël.
5.
Ata që kanë ardhur nga Smira në Gjenevë në vitet 70-të tani ose janë pensionistë apo afër pensionit. Shumica kanë kryer punë të rënda, e për disa prej tyre të rënda kanë qenë edhe pasojat për shëndetin. Por pjesa më e madhe e tyre bëjnë një jetë të rehatshme, mes idilës së Gjenevës dhe Smirës. Baballarë e nëna, që rrudhat e pleqërisë i bartin me dinjitet, tregojnë me krenari për fëmijët e tyre të suksesshëm. Njëri thotë: “E kam djalin doganier”, tjetri: “vajza ime është menaxhare në një firmë të famshme”, pastaj si në kor thonë: “Nga komuniteti ynë kosovar kemi policë, kemi politikanë, kemi avokatë, kemi edhe një prokurore”.
6.
Ky tekst u shkrua në trenin nga Gjeneva në Zürich. Kamerieri në vagon-restorant e kishte mbiemrin Gjata. “Me gjasë qenke nga Llapi”, i thashë. Qeshi, nuk e tha, por me siguri e mendoi këtë përgjigje: “Si krejt dynjaja, o vëlla”. Por llapjani i trenit zviceran i nxori nga xhepi si magjistar disa anekdota. Kishte humor, dreqi. Pastaj nxori edhe telefonin nga xhepi dhe tregoi një selfie me Alain Berset, i cili deri më 2023 ka qenë ministër në qeverinë zvicerane. Por ky nuk është ministri i vetëm zviceran që e njihte kamerieri me mbiemrin Gjata. “Hans-Rudolf Merz, zonja Keller-Sutter, Micheline Calmy-Rey, ajo që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, krejt këta i kam pasur mysafirë”, tha ai. Kështu është Zvicra: ministrat udhëtojnë me tren, shpesh pa truproje dhe kalojnë disa çaste duke bërë muhabet me një kamerier me origjinë nga Kosova.