Vizita e realizuar në njërën nga qendrat për personat me aftësi të kufizuara në Prishtinë, e ndërtuar kryesisht nga kapitali financiar i institucioneve ndërkombëtare që kanë shërbyer/ shërbejnë në këtë vend, qe një befasi që ia doli t’i transportonte emocionet nga njëra pjesë e trupit tek tjetra, sikurse një makineri e avancuar që prodhohet në kohët e së tashmes.
Derisa me kolegët e kompanisë “Nettxio” dhe babin tim po i afroheshim objektit për vizitën e caktuar për shkak të zotimit të kompanisë për t’u shërbyer kategorive vulnerabël të shoqërisë, me të hyrë në hapësirat e kësaj qendre, ajo që po shihnim ishin vetëm disa vetura të vjetra dhe të prishura të mbuluara me baltë (lexo: kerre të vjetra dhe të prishura që shtresa e lloçit e bënte të vështirë të identifikoheshin), që nuk ndryshonin shumë nga veturat që u mblodhën si pasojë e përmbytjeve të ujit në Spanjë – na tregoi se është e mundur të ˝paloseshin˝ njësoj sikurse veshjet!
Megjithëse nuk kisha dijeni përse makineritë ishin lënë në atë hapësirë, brenda në objekt gjetëm ambient të qasshëm, që do ta gjeje nëpër qendrat e shteteve të zhvilluara që i kam vizituar si rezultat i aksidentit. Pra, në ambientet e brendshme kjo qendër siguronte hapësirë të mjaftueshme për karrocë, derisa dyert e hapura plotësonin standardet e nevojshme për t’u futur pa problem në dhomat e rezervuara për personat me aftësi të kufizuara.
Përveçse kuzhina që plotësonte hapësirë të konsiderueshme, veprat artistike dhe zbukurimet e punuara me dorën e vetë personave në këtë qendër uzurponin korridoret duke na e konfirmuar se dallimi në mes personave me aftësi të kufizuara dhe të tjerëve është sa një vijë e shkruar. Secili që e dyshon vërtetësinë e kësaj ftohet dhe do të bënte mirë ta vizitonte qendrën. Për ne, projektet përmendura lart dëshmuan se dizajnimi i hapësirave sipas kërkesave të këtyre personave jo vetëm që ua mundëson shpalosjen e talentin të tyre, krahasuar me një ambient jo të qasshëm, por duhet të merret shembull dhe të përkrahet vazhdimisht.
Eksperienca ime si përdorues i karrocës për shumë vjet më ka informuar se një gjë e përsëritur edhe nga të tjerë persona me aftësi të kufizuara është pamjaftueshmëria e mbështetjes të institucioneve publike, qoftë përmes skemave pensionale apo duke i përkrahur financiarisht shërbimet e domosdoshme për këtë kategori. Aktualisht shuma financiare e ndarë për personat me aftësi të kufizuara krahasuar me kategoritë e tjera të shoqërisë përbën vetëm 7% të fondeve financiare nga e gjithë skema e mbështetjes sociale. Edhe pse një rritje e lehtë e kësaj mbështetjeje financiare pa dyshim se i evidenton përpjekjet e institucioneve për të përmirësuar situatën e kësaj kategorie, mbetet e pamjaftueshme për ndonjë ndryshim të madh.
Me fjalë të tjera pra, realizimi i kësaj qendre u ndërtua nga përkrahja e institucioneve të huaja, por megjithëkëtë, për shkak të mungesës së fondeve vështirësitë me të cilat kjo qendër po përballej ishin të shumta. Madje, një detyrë që do të duhej të realizohej nga institucionet përkatëse u bë arsye që ta vizitojmë qendrën. Qendra, me gjithë vështirësitë që i kishte për të funksionuar, njëkohësisht po kërkonte punësimin e dy asistentëve personalë për personat me aftësi të kufizuara, mirëpo në mungesë të përkrahjes financiare synimin e vet nuk e kishte të mundur ta realizonte.
Kjo ngjarje në distancë mund edhe të mos duket me rëndësi, por falë gatishmërisë të stafit të “Nettxios” u bë i mundur punësimi i dy asistentëve, të cilët sot ua mundësojnë personave me aftësi të kufizuara t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre në qendër - pavarësisht nëse këto janë vepra artistike, estetike apo çështje e nevojave personale. Duket paradoksale që vetëm për dy pagesa larg për asistentët në fjalë bëhen përgjegjëse për pengimin apo mundësimin e realizimit të të drejtave themelore dhe përmirësimit të kualitetit të jetesës.
Si në çdo 3 dhjetor, edhe këtu u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Edhe pse kjo ditë nëpër botë qëllim kryesor e ka promovimin e të drejtave dhe mirëqenies për këto kategori, këtu u dokumentua përmes ankesave të shumta që me të drejtë prezantohen nga këta persona dhe premtimeve nga personat me fuqi ekzekutive, përfshirë edhe ndërkombëtarët.
Vizita e para disa muajve në këtë qendër na dëshmon se problemet, në dukje të mëdha, në disa raste janë vetëm dy pagesa larg. Dhe kjo më së miri vërtetohet me punësimin e dy asistentëve për personat e kësaj qendre, duke e fshirë përgjithmonë paradoksin e ilustruar në këtë ngjarje, që gjithashtu na e dëshmon se dallimi në mes të personave me aftësi të kufizuara dhe të tjerëve që na shohin ndryshe është pothuajse vetëm sa një vijë e shkruar. Ky shembull le të mbetet thirrje për personat me fuqi ekzekutive.