OpEd

Një goditje kundër diktatorit rus

Ky nuk është fundi i betejës për shpëtimin e Ukrainës, por ikja si lepuj e ushtarëve rusë në pjesën lindore të Ukrainës tregon se ushtria ruse nuk është e pamposhtur. Ky momentum mund të jetë kthesë në konflikt

Më 24 shkurt 2022 Vladimir Putini sulmoi Ukrainën. Ushtria e tij nisi të marshojë drejt Kievit, kryeqytetit të vendit fqinj. Putini deklaroi se “operacioni special” i tij drejtohej kundër qeverisë neonaziste të Kievit. Ëndrra ruse ishte që Kievi të binte brenda dy-tri ditësh, pastaj të instalohej një qeveri marionetë dhe – loja mbaroi. Në fakt, metodat e ushtrisë ruse në mësymjen për pushtimin e Ukrainës ishin naziste. Kur forcat ruse u përballën me rezistencën e fuqishme ukrainase, ato kryen krime të tmerrshme të luftës në disa qytete afër Kievit. Pastaj ikën me bisht nën shalë. Kievi nuk ra.

Kjo ishte kthesa e parë e madhe në luftën e Ukrainës për të ruajtur shtetësinë e saj përballë agresionit rus. Gjashtë muaj e gjysmë pas sulmit rus një kthesë tjetër është shënuar këtë fundjavë: ushtria e motivuar ukrainase i ka përzënë trupat ruse nga pjesa më e madhe e rajonit të Harkivit në Ukrainën verilindore.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë ka bërë të ditur se ka vendosur t’i “rigrupojë” forcat – një eufemizëm për të fshehur ikjen e ushtarëve rusë si lepuj. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës dhe Institute for the Study of War në SHBA, trupat ukrainase që nga e marta e kaluar kanë rikthyer kontrollin në më shumë se 3000 kilometra katrorë, gati sa një e treta e territorit të Kosovës.

Sukseset e ushtrisë ukrainase tregojnë se forcat pushtuese ruse nuk janë të pamposhtura. Po ashtu, përparimi në terren i Ukrainës tregon se motivimi i luftëtarëve për të mbrojtur vendin e tyre është i madh për dallim nga barbarët rusë që motiv të vetëm kanë pushtimin, plaçkitjen dhe krimet e luftës. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksij Resnikov, i tha një gazete gjermane se së shpejti do ta shohim “ushtrinë e dytë në botë duke ikur”. Sukseset e ushtrisë ukrainase tregojnë më tutje se furnizimi i Ukrainës me armë nga Perëndimi po sjell suksese dhe ukrainasit janë në gjendje që armët moderne perëndimore t’i përdorin në mënyrë efektive. Për këtë arsye është me rëndësi që Perëndimi të intensifikojë përkrahjen me armë të Ukrainës. Sukseset e ushtrisë ukrainase janë një shuplakë edhe ndaj shumë politikanëve në Evropë që prej fillimit të agresionit rus më shumë kanë apeluar që Ukraina të kapitullojë sesa kanë bërë thirrje për të përkrahur një vend të sulmuar në mënyrë brutale. Krahas politikanëve, sidomos në Gjermani, ka pasur dhe vazhdon të ketë mjaft zëra publikë që bëjnë zhurmë me kërkesa që Ukraina të dorëzohet, “sepse nuk mund ta fitojë luftën” për shkak se “dominanca e përshkallëzimit është në duart e rusëve”. Mes poterexhinjve të mëdhenj dallohet sidomos gjenerali Erich Vad, i cili ka qenë këshilltar ushtarak i kancelares Angela Merkel. Prej se Merkel ka braktisur postin, Vad është person privat dhe llomotitës publik. Megjithatë, është shqetësuese të shihet se me çfarë këshilltari ushtarak ka qenë e rrethuar Angela Merkel.

Pas sukseseve të ditëve të fundit të armatës ukrainase, presidenti Volodimir Zelenski tha se Rusia gjendet në rrugën e “disfatës historike”. Ai deklaroi se kthesa në konflikt mund të ndodhë gjatë dimrit, por për të arritur këtë duhet ndihmë me armë nga Perëndimi. “Sikur të kishim më shumë armë do të mund ta çlironim më shpejt”, tha Zelenski.

Përballë marshimit të ushtrisë ukrainase drejt kufirit me Rusinë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi se Moska nuk është kundër negociatave. Ndërkohë presidenti i tij Vladimir Putin zbuloi një rrotë të madhe në Moskë në një përpjekje qesharake për të simuluar normalitet. Por sa më shumë që përparon ushtria ukrainase drejt kufirit me Rusinë, aq më vështirë do ta ketë Putini të sillet sikur nuk po ndodh asgjë. Nga perspektiva e qyteteve të mëdha si Moska e Shën Petersburgu lufta vërtet është larg, fundja në fushëbetejat ukrainase janë duke i lënë kockat ushtarët rusë nga provinca dhe sidomos pjesëtarët e pakicave, por sukseset e Ukrainës dhe efektet e sanksioneve në përditshmërinë e shoqërisë ruse, sidomos të klasës së mesme, nuk do të jenë pa pasoja për Putinin në aspektin afatmesëm. Ditëve të fundit disa politikanë lokalë rusë kanë marrë guximin që të kërkojnë dorëheqjen e diktatorit.