OpEd

Një dritë e domosdoshme për Kosovën

Në 80-vjetorin e daljes së numrit të parë të gazetës «RILINDJA».

1.

Si sot më 12 shkurt 1945 në Prizren u botua numri i parë i gazetës «Rilindja». Filloi si gazetë periodike dhe me kalimin e viteve u bë gazetë e përditshme, shtëpi botuese, vatër kulturore dhe emancipuese, dritare ndaj botës, qendër e rëndësishme e iluminizmit shqiptar dhe properëndimor të Kosovës.

Në këtë gazetë Adem Demaçi botoi punimet e tij të para. Nga kjo gazetë qytetarët e Kosovës morën informatat për rënien e Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e Brioneve dhe për zbarkimin e amerikanëve në hënë. Në këtë gazetë shkruan tekste brilante intelektualët e rinj dhe të formuar në Perëndim si Rexhep Ismajli e Ibrahim Rugova. Në këtë gazetë botuan poezi e tregime Anton Pashku e Beqir Musliu, Jusuf Gërvalla e Musa Ramadani, Azem Shkreli e Ali Podrimja. Në këtë gazetë u raportua gjerësisht për festën e madhe në Prizren me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit më 1978. Përgjegjës për organizimin e ceremonisë ishte nënkryetari i qeverisë së atëhershme të Kosovës, Pajazit Nushi.

2.

Te «Rilindja» u botuan intervista me Ismail Kadarenë dhe reportazhe të Nehat Islamit nga bota fascinante arabe. Shtëpia botuese «Rilindja» publikoi gati çdo shkrimtar me nam të letërsisë botërore: klasikë dhe modernë, perëndimorë e lindorë, orientalë dhe japonezë, kinezë dhe afrikanë. U intervistuan nga «Rilindja» dijetarë si Gani Bobi, sociologë si Fehmi Agani, nga mesi i viteve 80-të Veton Surroi intervistoi ekonomistin kroat Branko Horvat, i cili me librin e tij «Çështja e Kosovës» lëkundi dukshëm narracionin hegjemonist serb për Kosovën. «Rilindja» i solli esetë dhe dramat e Mirosllav Kerlezhës dhe romanet e polemikat e Danillo Kishit. Botimin luksoz të Mesharit të Gjon Buzukut. Kompletin e veprave të Anton Pashkut. Bibliotekën Albatros. Dhe shumëçka tjetër, që sot është harruar dhe nuk e kujton, nuk e vlerëson, nuk e çmon pothuaj askush. Dhe ky është njëri nga defektet e mëdha të kësaj shoqërie që mendon se asgjë nuk ka themel. Në të vërtetë në themelin e shtetit të Kosovës kanë vendosur gurë shumë gjenerata.

3.

Sot është 80-vjetori i gazetës «RILINDJA», do të duhej të ishte ditë feste në Kosovë, përkundër që kjo gazetë nuk botohet më. Nuk do të ketë akademi solemne. Nuk do të ndahen mirënjohje. Nuk do të përmenden drejtorët e saj si Rexhep Zogaj, Rexhai Surroi dhe të tjerë. Nuk do të përmendet as një djalë i ri, i ardhur nga provinca në Prishtinë, një djalë me një emër krejtësisht të rëndomtë, Ibrahim, me një mbiemër jo aq të rëndomtë, Rugova, i cili më 1968 do të shkruante një shkrim në gazetën «Bota e re» në kujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Mesazhi i shkrimit, pak a shumë, është ky: në rrjedhën e historisë shumë armiq deshën të na zhdukin, por ne qëndruam. Pjesa tjetër e biografisë së Rugovës dihet, duhet të dihet. Kosova është ndër vendet e rralla në botë që i ka dy politikanë të nderuar me Çmimin Saharov – pas Demaçit Parlamenti Europian më 1998 nderoi edhe Ibrahim Rugovën. Të dy këta dhe mijëra të tjerë janë djem të gazetës «Rilindja»

4.

Nga kjo gazetë lexuesit në Kosovë, Maqedoninë shqiptare, në Preshevë, Ulqin e gjithandej ku kishte shqiptarë në Jugosllavi u informuan, përkundër rrethanave shpesh shtrënguese, mbi zhvillimet politike, sociale, ekonomike, kulturore e sportive.

U botuan te «Rilindja» reportazhe për minatorët e Trepçës, portrete të arsimtareve dhe nxënësve të zgjuar (njëri nga ta në fund të viteve 70-të ishte regjisori tashmë i ndjerë Bekim Lumi), himne me shkronja për sportistë të shquar si Fadil Vokrri dhe himne për artistë, kritika serioze letrare dhe teatrore.

U publikuan, herë pas here, reportazhe të gazetarëve të «Rilindjes» nga Afrika, Australia, Lindja e Afërt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot kjo duket e paimagjinueshme.

«Rilindja» u mbyll më 7 gusht 1990 nga pushteti i dhunshëm serb, një muaj pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, hapin e parë legal drejt pavarësisë së Kosovës në çastet e fundit të Jugosllavisë.

«Rilindja» nuk ishte vetëm gazetë, ajo ishte një industri e vogël mediale me këto gazeta e revista: «Fjala» (që mbahet në mend sidomos për frymën liberale nën kryeredaktorin Shkëlzen Maliqi), pastaj «Shkëndija», «Zëri i rinisë» me rebelët e gazetarisë kosovare si Blerim Shala, Halil Matoshi, Bardh Hamzaj e të tjerë, «Pionieri», «Bujku», «BAT» etj.

Në vitet 90-të «Rilindja» u botua në Tiranë dhe në Zvicër (edicioni për diasporë), ndërsa në Kosovë doli me emrin «Bujku». Në prag të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë «Rilindja» u botua në Prishtinë me emrin e vërtetë. Pas luftës pati disa përpjekje modeste për ta ringjallur këtë titull, pa sukses.

5.

Në ballinën e numrit festiv të gazetës «Rilindja» për ditët 31 dhjetor 1983, 1 dhe 2 janar 1984 bie në sy një shifër: redaksia njofton se tirazhi i gazetës është 235’500 ekzemplarë.

Nga gjenerata e gazetarëve të rinj të viteve 80-të shquhen sidomos Veton Surroi, Kelmend Hapçiu e të tjerë, krahas atyre me përvojë më të gjatë si Nehat Islami, Avni Spahiu, Zenun Çelaj, Binak Kelmendi, Gani Mulliqi, Ramush Tahiri, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa e shumë e shumë të tjerë.

Në numrin festiv të vitit të ri 1984 nëpër gazetën «Rilindja» janë të shpërndara mjaft poezi nga Esad Mekuli, Ali Podrimja, Maksut Shehu, Abdullah Konushevci, Besim Bokshi, Musa Ramadani, Bedri Hysa, Enver Gjerqeku, Arif Bozaxhi etj. Ndërsa gazetari Xhemail Rexhepi shkruan: «Trepça ishte dhe mbeti eksportuesi më i madh kosovar, deri dje me lëndë të parë, kurse tash me prodhime finale. Për çdo dollar të importuar – 2,62 dollarë eksport. Me shtimin e vrullshëm të eksportit në tregun konvertibil për 250 për qind dhe në atë kliring për 75 për qind, Trepça për kah efektet pozitive arriti në vendin e tretë në vend».

«Dritë edhe nga uji» titullohet një tekst i gazetarit Mehmet Gjata, në të cilin njoftohet se në planin e zhvillimit të elektroekonomisë së Kosovës parashihet që në Zhur deri në vitin 1990 të ndërtohet një hidrocentral me kapacitet 292 megavatë, i cili do të ketë për bazë ujërat e bjeshkëve të Dragashit. Gazetarja Lindita Aliu portretizon Mandushe Berishën, e cila kishte doktoruar në kimi analitike, Stojanka Mihajloviqin, e cila në atë kohë ishte – me gjasë – e para grua në Prishtinë që punonte në një «pompë të benzinit» (pikë karburanti), dhe Binaze Musliun, inxhiniere e makinerisë dhe drejtoreshë e Fabrikës së Tullave në Ferizaj.

6.

Faqet 9 dhe 10 të «Rilindjes» së vitit të ri 1984 janë rezervuar për reportazhe nga bota. Atëherë s’kishte as Netflix, as Youtube, andaj atraksion ishin udhëpërshkrimet apo reportazhet e gazetarëve nga të gjitha anët e globit. Ali Aliu shkruan nga Melbourne për shqiptarët e Australisë, Ibrahim Kadriu përshkruan Berlinin e ndarë, Sali Kelmendi raporton nga Izraeli mbi konfliktin e përjetshëm mes izraelitëve dhe palestinezëve, Ramiz Kelmendi përshkruan Bratisllavën («më impresionoi me kësikohëshmërinë e saj») dhe interesohet për gjuhën sllovake, të cilën ia shpjegon botuesja Jarmila Samcova, Avni Spahiu njoftonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se së shpejti kompjuterët do të bëhen të gjithëfuqishëm dhe studentët do të mund t’i ndjekin ligjëratat në ekran nga një largësi prej 2000 kilometra, Ymer Bajra, korrespondent në Bonn të Gjermanisë, tregon se si gjermanët planifikojnë çdo gjë me pedanteri, por një gjë kanë harruar ta planifikojnë: familjen, andaj nataliteti në Gjermani po bie çdo vit. Gazetari alarmon se një ditë gjermanët do të jenë komb pa trashëgimtarë, sepse janë shumë të dhënë pas konsumit dhe nënat nuk gëzojnë benificione si në vendet e zhvilluara perëndimore. «Nergut për Rilindjen» nga India shkruan Predrag Stamenkoviqi për punën humanitare të Nënë Terezës.

Kelmend Hapçiu shkruan për vëllezërit Rizvanolli nga Gjakova, të cilët kishin autobusin e parë, të vetmin «në viset tona», dhe njofton mbi zhvillimin e sistemit të transportit në Kosovë – nga ndërmarrjet komunale që quheshin «Kosmeti», «Slloga», «Prevozi», «Poleti». Nga të gjitha këto ndërmarrje u themelua «Kosmet-Prevoz», më vonë ndërmarrja mori emrin «Kosovatrans». Në bazë të emrave shihet edhe progresi i Kosovës: nga një shoqëri ku në jetën publike dominonin emrat serbë të ndërmarrjeve drejt një shoqërie me emra shqiptarë ose më të internacionalizuar, si «Kosovatrans», për shembull. Jusuf Meça shkruan për Pashk e Alfred Markajn, të cilët më 2 nëntor 1983 u sulmuan nga një ari i egërsuar.

7.

Në faqen 15 Rexhep Ismajli jep një lajm të gëzueshëm: «Rilindja», shkruan ai, gjatë vitit 1984 do të botojë «Mesharin» e Buzukut me fototipi me të qartë e më moderne, të pajisur me studimin dhe interpretimin mjeshtëror nga dora e Eqrem Çabejt. Qamile Blakçori përshkruan çaste me piktorin Daut Berisha në Paris. Mehmet Kraja zhvillon një intervistë me shkrimtarin Rexhep Hoxha («Më thoshin: me një hu nuk lidhet gardhi»). Te sporti një citat nga Fadil Vokrri: «Dëshira ime e flakët është që Prishtina të plasohet në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit të elitës së futbollit jugosllav, sepse sipas cilësisë këtë e meriton, dhe unë të veshi petkun e reprezentacionit tonë më të mirë në turneun final në Francë». Për të argëtuar pak popullin gazeta sjell edhe një humoreskë popullore për përjetimet e Deli Maculit nga Çabiqi.

Një hallexhi nga Prizreni i shkruante mjekut të njohur Rifat Latifi se vuante nga impotenca dhe kishte dëgjuar se në klinikën vaskulare të Fakultetit të Mjekësisë «me sukses operohen ata që vuajnë nga impotenca». Hallexhiu thotë se është në gjendje të rëndë dhe se vetëm barnat qetësuese e mbajnë në jetë. Rifat Latifi përpiqet ta qetësojë pak burrin nga Prizreni: «Për secilin dështim të energjisë seksuale të njeriut, ne pa një pa dy e fusim (njeriun) në thesin e impotentëve. Nuk ka asnjë njeri i cili të paktën njëherë ose më shumë herë nuk ka pasur ‘dështim’ në këtë sferë. Mirëpo kjo assesi nuk do të thotë se të vetmin dështim duhet shfrytëzuar për të ndërtuar një fortesë të bërë, të pakalueshme, në të cilën fshihet arsyeja e impotencës». Në fund pacienti këshillohet t’i lajmërohet dr. Gazmend Shaqirit dhe bashkëpunëtorëve të tij në klinikën vaskulare në Prishtinë.

Kështu ishte dikur, sot është histori.