Premisa e BE-së se afrimi me Serbinë të do ta bëjë më demokratike dhe rrjedhimisht bashkëpunuese për Kosovën ka dështuar. Pas “letërngjitëseve” për targa ndoshta Serbia mund të përfitojë më shumë me asteriskun që iu imponua Kosovës
1.
Serbia më 5 tetor kishte 21-vjetorin e ditës që kur u rrëzua Slobodan Milosheviqi, ngjarje që në narracionin publik të këtij vendi u shënua si fillim i demokracisë. Në këtë përvjetor, një organizatë joqeveritare CSP (Qendra për Politikë Bashkëkohore), botoi një raport me probleme që në titull. Raporti në kopertinë mban emrin “Gjendja e demokracisë në Serbi më 2020”, ndërsa përmbajtja përshkruan një vend, i cili është i zhytur në jodemokraci dhe me ngulm insiston të zhytet thellë e më thellë, vit pas viti. Freedom House e kishte zhvendosur Serbinë nga “vendet e lira” në “vende pjesërisht të lira”. Më 2020 po kjo organizatë e zhvendosi më tutje poshtë, në kategorinë e “regjimit tranzicional apo hibrid”. Me këtë ritëm Serbia së shpejti ka gjasa të kalojë në kategorinë e “shteteve jo të lira”, gjegjësisht “regjimeve autoritare”.
Raporti i CSP-së përmblidhet në një përshkrim të shkurtër të një fjalie të gjatë. Zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë më të dobëtat për nga cilësia demokratike që nga vitit 2000, kanë prodhuar një parlament në të cilin opozita e vetme reale është një deputet shqiptar i Preshevës dhe kanë përforcuar edhe më tej pushtetin e presidentit Vuçiq, i cili është në TV publike dhe private (pronë e njerëzve të tij të afërt) duke shpjeguar çdo gjë që nuk është kompetencë kushtetuese e presidentit: cila pjesë e cilës rrugë do të përfundojë në cilën javë të cilit muaj, sa është numri i saktë i vaksinave që do të arrijnë në aeroportin e Beogradit në fillim të javës dhe në fund të saj, sa do të jetë rroga mesatare në fund të këtij viti dhe sa për qind do të rriten pensionet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, sa ka fituar e sa supozohet se ka vjedhur lideri i njërës prej partive opozitare..., dhe kështu përditë.
2.
Përgjatë dy dhjetëvjetëshve të kaluar BE-ja (dhe SHBA-ja) kanë pasur këto premisa konceptuale e të ndërlidhura prijëse në politikën karshi Serbisë. Do përkrahur demokratizimin e Serbisë duke e afruar në BE dhe duke i ofruar në fund anëtarësim në BE në këmbim për njohje të pavarësisë së Kosovës; kështu do të zgjidhej problemi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe i regjionit me BE-në.
Raporti i demokracisë në Serbi tregon që faktet janë më kokëforta se sa premisat e BE-së (dhe SHBA-së). Serbia është më pak demokratike vit pas viti, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë më afër zgjidhjes se ç’kanë qenë para disa vjetësh (sa vjetësh është pyetje shijesh e vlerësimesh) dhe marrëdhëniet e regjionit me BE-në janë më të ndërlikuara se ç’kanë qenë duke ia bashkëngjitur Malin e Zi listës së shteteve të sulmuara me virusin identitar e gjeopolitik të “botës serbe”.
Për më tepër, politika e Vuçiqit nuk është ajo e një lideri diktatorial, por e një autokracie, e cila ka marrë votë popullore për të. Në anketën e CDDRI-së, një tjetër organizate joqeveritare të Serbisë, të zhvilluar në gusht të këtij viti, mbi gjysma e respondentëve u përgjigj se Serbia po ecën në drejtim të mirë, 69.3 e respondentëve nuk do ta përkrahte njohjen e Kosovës si kusht për të hyrë në BE, e 71.2 për qind e respondentëve do ta konsideronte si tradhti mundësinë (hipotetike) që Vuçiqi ta njihte pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit. Nëse do ta bënte këtë akt “tradhtie”, atëherë 82.5 për qind e njerëzve nuk do të votonin për të në zgjedhjet e ardhshme.
Vuçiqi lexon çdo javë sondazhe dhe kur ai thotë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nuk do dyshuar se kështu mendon dhe se kështu mendojnë ata që e përkrahin. Kur në BE (dhe SHBA) thonë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës sepse pa të nuk mund të anëtarësohet në BE, ky është një besim i bazuar në mendje të shëndoshë evro-amerikane dhe mungesë të përgjigjeve se çka të bëhet ndërkohë deri sa të mbërrijë mendja e shëndoshë këtej.
3.
Ndërkohë, sipas Politico.eu, komisioneri për Zgjerim, Olivér Várhelyi, thuhet se “po angazhohet për kandidaturën e një shteti mbi të gjitha, Serbisë, me gjithë faktin se Beogradi nuk ka shënuar sukses në çështje kyçe, e madje ka prapakthim në disa të tjera, sipas vëzhguesve të demokracisë”. Pra, pavarësisht prapakthimit të Serbisë, prej “vendit të lirë” në “regjim hibrid”, komisioneri për Zgjerim, sipas burimeve në Bruksel, angazhohet që të mbyllen sytë kur është puna te sundimi i ligjit, liria e mediave e kategorive të ngjashme që në formatizimin e ri të politikave integruese të Komisionit të U.von der Leyen mund të hapen si pako negociatore që tani e të zgjidhen që tani.
Po të jetë e vërtetë, do të ishte një metaforë e dyfishtë e problemeve të BE-së me Serbinë. Nga njëra anë, jo vetëm që politika integruese e BE-së dhe avancimi negociator i Serbisë në të nuk po krijon një shtet me më shumë sundim të ligjit e demokraci, por, nga ana tjetër, një shtet që ka bërë prapakthim në sundim të ligjit e demokracisë që nga anëtarësimi në BE, siç është Hungaria e Viktor Orbanit (dhe komisionerit Várhelyi), po përpiqet që të ulen kriteret e demokracisë liberale për anëtarësim në BE në favor të “demokracisë joliberale”, ide të cilën e përfaqëson Orban në BE.
4.
Aventura e gjatë e Serbisë pas 5 tetorit në këto 21 vjet ndoshta e ka gjetur rrugën e vet metaforike gjatë këtyre ditëve në Kosovë. Pas sa vjetësh negociata, 21 vjet pas 5 tetorit të vitit 2000, veturat serbe që hyjnë në Kosovë duhet të mbulojnë stemën e shtetësisë së saj dhe kështu të pranojnë, ashtu siç bënin kosovarët me vite të tëra se jo vetëm targa, por edhe shtetësia prapa së cilës qëndron targa është diskutabile. Më 5 tetor 2021 kjo është evidente me letërngjitësen që vendoset mbi shenjat e shtetësisë në targa, një prej simboleve të një konflikti të papërfunduar.
Një ide tjetër për BE-në është që të vazhdojë kësaj rruge dhe të mbërrijë te përfundimi logjik se meqë Kosovës iu imponua një asterisk, me të cilin shpjegohej se shtetësia e saj ende nuk është e përcaktuar me saktësi, e njëjta vlen edhe për Serbinë. Logjikisht, politikisht dhe juridikisht nëse Kosova e ka të diskutueshme shtetësinë e saj, atëherë këtë e ka edhe Serbia, e cila në Kushtetutën e saj e konsideron Kosovën si pjesë të veten. Rrjedhimisht, le ta marrë edhe ajo asteriskun e ofruar (imponuar Kosovës).
Pra, Serbia* (*ky përcaktim është pa paragjykim në pozitën e statusit dhe është në pajtim me Rezolutën e KS të OKB-së 12 44 dhe me Mendimin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës).
Sepse, siç po shihet në këto 21 vjet, pa e zgjidhur marrëdhënien me Kosovën në bazë të barazisë e respektit të ndërsjellë, Serbia do të jetë edhe më pak demokraci e edhe më pak shtet. Dhe këtë nuk mund ta mbulojë me letërngjitëse.